Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

QËNDRUESHMËRI PREJ SË JASHTMI

Një nga etërit e filozofisë dhe shkencës moderne, René Descartes, shprehej se kafshët janë automatë kompleksë por pa mendje dhe se trupi i njeriut funksionon si një makinë fizike, e ndarë nga mendja racionale. Natyrisht që kafshët nuk janë automatë dhe trupi i njeriut nuk është një makinë, por ndonjëherë krahasime të tilla bëhen edhe për të thjeshtuar dhe nxjerr në pah idenë kryesore.

Ngjashëm me këtë, ideja komplekse e qëndrueshmërisë së sistemeve, që mund të jenë civilizime, popuj, mekanizma apo edhe një njeri i vetëm, bëhet më e kapshme kur fillon me analizën e qëndrueshmërisë së sistemeve mekanike.

Në rrugë monotone shpesh drejtuesi i lodhur e kalon kamionin 50 tonësh në kontroll automatik të shpejtësisë: automjeti mban vetë shpejtësinë e urdhëruar, pavarësisht nga i frynë fuqishëm era, apo si është valëzimi i rrugës me hipje e zbritje. Duke thjeshtuar disi shpjegimin, shpejtësia e kërkuar e pandryshueshme e kamionit krahasohet brenda sistemit komandues automatik me një madhësi konstante, p.sh. me tensionin e pandryshueshëm të një pile. Bie shpejtësia, prishet krahasimi dhe sistemi lëvizës shton forcën e motorit, ose, në të kundërt, ul fuqinë kur shpejtësia rritet mbi atë të kërkuar të pandryshueshme.

I gjithë kamioni 50000 kilesh “urdhërohet” të lëvizë me shpejtësi të pandryshueshme pikërisht nga tensioni i pandryshueshëm i një pile10 gramshe, disa milionë herë më e vogël se pesha e kamionit! Pila është e paprekshme sepse është “jashtë sistemit” dhe pikërisht me pavarësinë e saj i komunikon të gjithë sistemit një shpejtësi të pandryshueshme.

Kamioni përbëhet prej një mori nyjash në ndërveprim me njeri-tjetrin sipas një piramide me në majë një pilë “drejtuese” që komandon e pavarur të gjithë piramidën e madhe poshtë saj!

Dikush mund të nxitohej ta quante këtë thjesht një model mekanik.

Enver Hoxha ishte një “drejtues” që komandonte në mënyrë të ngjashme “ecjen” për gjysmë shekulli të një shteti disa milionësh. Është interesant fakti që pak kohë më parë u hapën disa sektorë rezervatë të materialeve të Stalinit, mësuesit shpirtëror të Enver Hoxhës. Midis tyre një profesor amerikan kapi një fakt mjaft interesant, se njëherë djali i tha plot pasion Stalinit sa i madh që ishte! Por Stalini i kthehet duke treguar se i madh nuk ishte ai vetë, po ai aty, duke treguar me gisht portretin e tij të varur në mur! E gjithë ajo Rusi gjigande qindra milionëshe, shteti më i madh në gjeografinë botërore, komandohej nga një vizion fiks i ngritur mbi një sistem parimesh të ngurta, si ajo figurë e ngrire mbi mur! Udhëheqës si Stalini apo Enveri janë krijesa historike sui generis, me parime fikse në kokë, që me kohë as vetë nuk i prekin dot dhe, si të tilla, mbeten të pandryshueshme; prej tyre vjen qëndrueshmëria e imponuar e një sistemi të tërë.

Enver Hoxha thoshte me të madhe dhe pa asnjë ekuivok se “edhe bar do hamë, por parimet nuk i shkelim”, duke dëshmuar kështu mjaft qartë se parimet e tij nuk përfaqësonin popullin, që nuk ushqehej me bar. I gjithë zhvillimi i shtetit, pasi u eliminua inteligjenca e trashëguar, vinte nga “mësimet e shokut Enver”!

Hitleri, personi që ngriti diktaturën në formën më të përsosur të saj, i premtoi popullit të vetë se do të dominonin botën. Por më në fund, ushtria e tij “fitimtare”, u zmbraps brenda kufijve, pastaj brenda kryeqytetit dhe më në fund rreth bunkerit të atij që pa shkatërrimin tërësor të vendit të vet, pa gjetur dot midis parimeve të veta mbrojtjen e fateve të popullit nga shkatërrimi total! Nuk ka si të jetë dhembshuria, një ngacmim i jashtëm ky, pjesë e parimeve të diktatorit, të cilit edhe një ndjesi natyrale fillestare ja asgjëson lufta për pushtet, procesi barbar i asgjësimit të shokëve dhe të çdo mendjeje që gjeneron ide të ndryshme nga parimet e tij!

Për fat të keq një piramidë diktatoriale nuk krijohet thjeshtë vetëm si “meritë” të diktatorit dhe klikës personale që e mban në këmbë. Ajo vjen edhe si pasojë e shfrytëzimit të një dobësie të qenësishme të mendimit njerëzor.

Mendimet tona i nënshtrohen një logjike piramidale që ka në majë një grusht parimesh komanduese. Ne së brendshmi shpjegojmë dhe marrim vendime duke u nisur nga maja e piramidës, nga parimet bazë. Por vetë parimet bazë, që shpjegojnë gjithçka, janë jashtë skemës së shpjegimit, pasi shpjegojnë gjithçka por nuk mund të shpjegojnë vetveten! Ne i “besojmë” ato parime si të dobishme, dhe bëjmë më vonë një bilanc për efektet që na sjellin.

Gjeometria euklidiane, si shembull sqarues, është një konstruksion mendor gjenial i dhënë nga Euklidi mbi dymijë vjet më parë. Ky konstruksion piramidal fillon nga maja, nga saktësisht pesë parime apo postulate. Çdo element i këtij konstruksioni lidhet me të tjerët, rrjedh nga elemente të mësipërm dhe nga ai rrjedh gjithçka që qëndron më poshtë. Por maja e paprekshme, pesë postulatet, janë një bllok që nuk shpjegohet, pranohet aprirori dhe formëson të gjithë piramidën e gjeometrisë euklidiane.

Sipas WEBSTER DICTIONARY, “Postulati është …një pikënisje apo supozim i pranuar pa vërtetim, ose i konsideruar i vetëkuptueshëm; një e vërtetë… pa argumentim apo provë”!

E gjithë piramida e konstruksionit njerëzor të gjeometrisë së vërtetimeve mbështetet në pesë postulatet që qëndrojnë në majën e piramidës: ato vetë nuk mbështeten gjëkundi dhe pranohen pa vërtetim. Po kështu sistemi ynë i të menduarit, ku A shpjegohet nga B, B shpjegohet nga C, arrin patjetër te një ZH që nuk ka nga mbrapa diçka që ta shpjegojë dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë pa vërtetim. Nuk po dalim jashtë në realitet, por duke qenë brenda kokës sonë, rrjetet e shpjegimit mbarojnë lart te një tufë skajesh postulative që shpjegojnë gjithçka, me përjashtim të vetvetes! E vetmja provë vërtetësie që mban në këmbë gjeometrinë euklidiane është përdorimi praktik i suksesshëm i saj.

Është kuptimplotë fakti që në fillim të 1800 dy matematikanë të rinj, Janos Bolyai dhe Nikolai Lobaçevski, në mënyrë si të thuash arbitrare, hoqën si pa të keq një nga pesë postulatet dhe me katër postulatet e tjera provuan të ndërtojnë një tjetër gjeometri. Nuk ndodhi asgjë e keqe: ky konstruksion i ri njerëzor, i quajtur gjeometri joeuklidiane, për fat rezultoi i vlefshëm në shpjegimin e gjeometrisë së hapësirave kozmike! Një gjeometri e re e hoqi me sukses atë postulat që e vjetra vazhdon ta përdorë në mënyrë të dobishme për hapësirat e përmasave tokësore!

Ashtu si dy gjeometritë, ekzistojnë dy morale të cilat i ndan qëndrimi ndaj grabitjes të asaj që nuk të përket, që shkurt dhe figurativisht quhet përvetësim apo vjedhje. Një i ri që rritet në një familje e quajtur e shëndoshë, edukohet të mos prekë gjënë që nuk i përket. Por nuk është e papërfillshme ajo pjesë e shoqërisë që ve dorë mbi mallin e tjetrit ose të shoqërisë si e tërë. Tipike janë luftërat e panumërta si qëllim grabitje. Në Shqipëri vjedhja e mallit të përbashkët është bërë një moral normal për disa rrethe shoqërore. Dikush që është edukuar të mos vërë dorë, sikur harron të kthejë librin apo ndonjë vegël pune që komshiut nuk kujtohet ku e ka lënë. Një tregtar shumice e blen shalqirin me 10 lekë dhe e shet me 40 lekë. Një milioner i “ndershëm” nuk do që ta pyesësh për “milionin e pare”!

Rezultojnë pra dy morale, njeri që mbështetet në mos prekjen e gjësë së tjetrit dhe një tjetër që të lejon të vësh dorë mbi pronën e tjetrit apo të shoqërisë. Vjen natyrshëm pyetja: çfarë është parimi i mos prekjes së gjësë të tjetrit, një përgjithësim logjik apo një parim i pranuar, i besuar apriori?

Besimi fetar, që e sheh nga sipër këtë fenomen, anashkalon arsyetimin e gjatë logjik dhe thjesht shpall si parim nga perëndia mosprekjen e gjësë së tjetrit. Moisiu zbriti para gjindjes dhe paraqiti dhjetë urdhrat e perëndisë, ku e shtata prerazi thotë “Mos vidh!”, duke theksuar në këtë mënyre se ky është një nga parimet nga nis piramida e moralit të besimtarit. Mos pyetni përse, është një e dhënë “nga lart”. Për atë besim dhe të tjera besime, në tërësinë e “normave prej zotit”, parimi i mosvjedhjes mbetet një parim i padiskutueshëm,

Duke analizuar këto sisteme mendore si të tilla, gjejmë disa parime të paprekshme që komandojnë të tërë piramidën e sistemit të të menduarit. Në një farë mënyre ky konstruksion i jep qëndrueshmëri sistemit pikërisht sepse maja komanduese ka qëndrueshmëri nga që vjen nga jashtë sistemit të të menduarit, vjen nga një besim, nga një zot i jashtëm dhe i paprekshëm, ndërsa për ateistin nga shkenca dhe teknologjia realisht të sprovuara.

Kjo majë e piramidës detyrimisht duhet të jetë e jashtme, e paprekshme, e qëndrueshme sepse ndryshe e gjithë piramida do të shpërbëhej. Por ajo është një majë që nuk kapet nga logjika që lidh të gjithë piramidën poshtë majës. Besimtari i mirë e lidh atë me parimet që i japin mësimet e fesë. Një nga mësimet e Moisiut, sipas tij të urdhëruara nga perëndia, është të punuarit për 6 ditë dhe të shtatën, me urdhër zoti, duhet të pushosh. Përse duhet të punosh 6 dhe jo 5 apo 7 ditë? Përse duhet të pushojë të shtatën ditë një biznesmen që ka në shpatulla një aktivitet të sapo filluar dhe i duhet të punojë pa ndërprerë për të mos falimentuar? Duke arsyetuar kështu ne bëmë hapin e palejuar të diskutimit, “të logjikosjes” së mësimeve të Dhiatës së Vjetër.

Ndërsa ateisti nga ana e tij grumbullon një tërësi të ndërlikuar parimesh që i lidh me dijen e gjerë të njerëzimit, ku ai ganxhon së jashtmi, apo mbështet piramidën e arsyetimeve, dhe kështu gjen një lloj qëndrueshmërie mjaft komplekse, pluskuese, për sistemin e tij të të menduarit në kërkim të “ganxhës”, apo të tokës së fortë. Është mjaft më e gjerë dhe më komplekse, por del se funksionon më së miri dhe krijon një “paqëndrueshmëri mohuese” (Hegel), që gradualisht e zgjeron sistemin, duke u shtyrë drejt hapësirave të reja.

Shkurt mund të thuhet (në një mënyrë të thjeshtuar) se stabiliteti i përgjithshëm i një sistemi është mjaft i diskutueshëm, sepse nuk është veti e brendshme e sistemit, por vjen nga jashtë, nga një pikë e pavarur dhe e pandikuar nga sistemi. Kjo pikë mund të jetë një pilë, një sistem i pavarur parimesh demokratike, një diktaturë, shkenca apo besimi fetar. Për sa kohë ky burim është jashtë dhe i paprekshëm, i jep sistemit qëndrueshmërinë e përgjithshme që vetë sistemi nuk e krijon dot.

Në vend të epilogut:

Disa që lahen në breg të detit [të dijes], papritur një rrymë uji i largon nga bregu.

Ka që humbasin mendjen dhe kapen pa kuptim prej flokësh.

Ka që arrijnë të mbështesin këmbët jashtë vetes, në një fund të fortë.

Ka që dinë të notojnë dhe çajnë tutje midis dallgëve.

(c) 2026 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Flux.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin