Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë / Sociologji

SAGA E BASHKËSISË (II) – ENTROPIA

Qysh në veprimet më të thjeshta, bashkësia të bën me dije se kërkon një tjetër qasje, konceptim dhe qëndrim nga ai që je mësuar në botën e mbushur me individë (elemente.) Kështu, kur krahasohen dy bashkësi, në të vërtetë krahasohen shpërndarjet e tyre të ngërthyera në konceptin e ‘momenteve statistikore’, ndër të cilat ajo më e thjeshta, ‘Mesatarja’ (the mean,) është vlera e pritshme (dhe jo mesatarja aritmetike e përditës sonë) e anëtarëve të bashkësisë. Në të vërtetë, më saktë do të duhej të quhej “vlera më e pritshme” e tyre. Pritshmëria nënkupton edhe pasiguri. Vlera e pritshme është e peshuar me gurë probabiliteti, sintezë e gjithë gamës së gjasave që kaplojnë një popullatë. Një mesatare dëften gjasën më të madhe të shfaqjes së individit anonim e rastësor, duke pranuar kësisoj ekzistencën e individëve të tjerë me gjasa më të vogla: demokracia dhe meritokracia është në bazën e vlerësimit statistikor. Intervali i besimit (confidence interval) është parlamenti që përfshin të gjitha forcat domethënëse me peshë përfaqësimi të saktë meritor.

Kur krahason dy mesatare bashkësish, po krahason dy pasiguri, jo të dhënën e ngulitur të dy individëve. Barazia dhe mosbarazia veshin zhgunin e domethënies (significance) statistikore, ku barazia shoqërohet me shkallë besimi. Rasti i barazisë absolute është po aq i pagjasë sa pika materiale. Bashkësia njeh pabarazi të barabarta (ose barazi të pabarabarta). Shtegtimi nga siguria te pasiguria është ndër hapat më vendimtarë dhe çlirimtarë në përparimin e gjykimit dhe përvetimit të botës, të mendimit njerëzor si të tillë, triumfi i lëvizjes dhe ndryshimit, pranimi i tyre si mënyrë e të qenit, dhe i padijes si plotës organik të dijes. Varianca mat shkallën e ndryshimit, shpërndarja formën e tij, ndërsa korrelacioni prirjet e karakteristikave të individëve në raport me njëra-tjetrën. Entropia ndërkaq, është një gur i vërtetë kurore, tregues tejet i thellë i bashkësisë, koncept që përbashkon shumë fusha të mendimit, një metakoncept mund të quhej. Në statistikë dhe në teorinë e informacionit, entropia mat pasigurinë, na tregon sa e paparashikueshme është një situatë, sa shumë “befasi” përmbajnë të dhënat, raportin mes së priturës dhe të papriturës. Nëse një sistem jep gjithmonë të njëjtin rezultat, për shembull, një monedhë e pandershme me dy faqe të njëjta që bie gjithmonë “kokë”, atëherë nuk ka pasiguri, rezultati është plotësisht i parashikueshëm dhe entropia është zero. Por nëse një sistem jep rezultate me probabilitet të barabartë, për shembull, një monedhë apo zar normal (pa hile) atëherë pasiguria është maksimale, parashikimi i pamundur dhe entropia më e larta. Pra, entropia mat sa shumë nuk dimë për atë që do të ndodhë më pas.

Formalisht, formula statistikore (jo-termodinamike) e entropisë (Entropia e Claude Shannon-it) është mizorisht e thjeshtë: negativi i shumës së produkteve të gjasave me logaritmin me bazë 2 të tyre për të gjitha gjendjet (përfundimet) e mundshme të një bashkësie apo procesi. Në qoftë se ka vetëm një përfundim, pra një probabilitet të ngjarjes së sigurt të barabartë me 1, logaritmi i tij është zero, dhe produkti me zero prodhon zero, minimumin e entropisë, që shënjon sigurinë absolute, mungesën totale të lirisë, gradën më të ulët që kjo, e famshmja degrees of freedom, mund të marrë. Entropia është një masë e shpërndarjes probabilitare (entropi të ulëta tregojnë për shpërndarje të përqendruara rreth një vlere të pritshme dhe anasjelltas) dhe e përmbajtjes së informacionit: ajo na tregon sa shumë informacion fitojmë kur vëzhgojmë rezultatin; nëse sistemi është i parashikueshëm, vëzhgimi jep pak informacion dhe anasjelltas. Entropia është monedha e informacionit. Në fizikë, entropia shpesh përshkruhet si “çrregullim”. Në statistikë, kjo do të thotë se një sistem me shumë gjendje të mundshme dhe të barabarta është “i çrregullt”, sikurse një sistem me një gjendje mbizotëruese është “i rregullt.” Kësisoj entropia lidh fizikën, statistikën dhe teorinë e informacionit: ajo mat sa konfigurime janë të mundshme dhe sa njëtrajtësisht ndahet probabiliteti mes tyre.

Entropia vendos kufirin e asaj që mund të dimë ose të parashikojmë dhe sa i strukturuar është një sistem: Një sistem me entropi të lartë ka pak strukturë dhe anasjelltas. Entropia statistikore është masa e pasigurisë në një shpërndarje probabilitare, sasia e paparashikueshmërisë, çrregullimit dhe informacionit të përmbajtur në një sistem ose bashkësi, duke u bërë kësisoj një koncept dhe mjet i fuqishëm dhe i volitshëm për të matur kompleksitetin e sjelljes së një sistemi.

Në kontekstin e shoqërive njerëzore, kjo do të thotë se sa më e paparashikueshme të jetë sjellja kolektive, aq më e lartë është Entropia shoqërore, dhe aq më i vështirë është parashikimi, planifikimi dhe qeverisja. Meqenëse Entropia nuk mat vetëm pasigurinë por edhe si shpërndahet probabiliteti, ajo është më e ndjeshme se varianca: Varianca mat largësinë nga mesatarja, ndërsa Entropia mat shpërndarjen e mundësive. Në shoqëri, një popullatë me sjellje të njëtrajtshme dëften një entropi të ulët, ndërsa një me sjellje të fragmentuar, entropi të lartë. Kjo lidhet drejtpërdrejt me “kapacitetin kolektiv” dhe “kapitalin shoqëror.”

Në teorinë e informacionit, entropia mat sa informacion përmban një vëzhgim. Nëse rezultati është i pritshëm, vëzhgimi përmban pak informacion, teksa e papritura përmban më shumë informacion. Kjo e lidh entropinë me kodimin e të dhënave, kompresimin, komunikimin dhe inteligjencën artificiale. Në shoqëri, kjo do të thotë se sa më e lartë entropia, aq më shumë “informacion i papërpunuar” qarkullon, i cili jo domosdoshmërisht është informacion i dobishëm, sepse jo rrallë ai është zhurmë (noise) e jo sinjal, shprehje fragmentimi dhe polarizimi. Pra, entropia e lartë shoqërore nuk është shenjë vitaliteti por shenjë mungese strukture, e shumë identiteteve konkurruese, e shumë narrativave, shumë qendrave të gravitetit përkundër një identiteti e narrative të përbashkët që domethënë entropi e ulët.

Ky nuk është vlerësim moral, por përshkrim strukturor: statistika nuk ka asnjë dobësi për moralin dhe moralizimin. Vlera analitike e entropisë qëndron në matjen e strukturës, jo të moralitetit.  Shoqëritë me entropi të lartë janë të paqëndrueshme, ato me entropi të ulët janë të parashikueshme, por shpesh të ngurta. Balanca midis këtyre dy ekstremeve është thelbësore për vitalitetin kolektiv. Kuptohet se entropia është një urë që lidh matematikën (statistikën,) fizikën, sociologjinë, filozofinë e kolektivit, teorinë e sistemeve dhe teorinë e informacionit.

Entropia shoqërore pra, është një koncept analitik që përshkruan shkallën e çrregullimit, fragmentimit dhe paparashikueshmërisë brenda një sistemi social. E huazuar nga termodinamika dhe teoria e informacionit, entropia shoqërore mat jo energjinë fizike, por strukturën probabilitare të sjelljes kolektive, duke treguar se sa e vështirë është të parashikohet, koordinohet ose mobilizohet një shoqëri. Ajo shërben si tregues i kapacitetit të një sistemi për të ruajtur rendin, për të prodhuar veprim të koordinuar dhe për të gjeneruar forma të qëndrueshme organizimi. Ajo mund të përkufizohet si shkalla e shpërndarjes së sjelljeve, besimeve, identiteteve dhe orientimeve brenda një popullate, e cila rrit pasigurinë dhe ul koherencën (përbashkimin) kolektiv – parë nga ky këndvështrim, himni ynë kombëtar është qysh në rreshtin e parë një thirrmë për të ulur entropinë tonë historike. Entropia shoqërore nuk mat thjesht diversitetin, por mungesën e strukturës që e bën një shoqëri të vështirë për t’u orientuar drejt qëllimeve të përbashkëta. Tre dimensione të saj janë kryesore: Entropia normative – shpërndarja e normave, vlerave dhe pritshmërive; Entropia institucionale – dobësimi i rregullave, autoritetit dhe besimit në institucione; dhe Entropia komunikative – zhurma, dezinformimi, fragmentimi i hapësirës publike. Sa më e lartë entropia në këto dimensione, aq më i ulët kohezioni shoqëror. Ashtu si në statistikë, ku entropia mat paparashikueshmërinë e një shpërndarjeje probabilitare, entropia shoqërore mat paparashikueshmërinë e sjelljes kolektive. Në një shoqëri ku shumica ndjek të njëjtat norma kemi entropi të ulët shoqërore dhe anasjelltas. Që një shumicë të ndjekë të njëjtat norma, kërkohet një mund shoqëror herkulian, të ngërthyeshëm dhe të realizueshëm vetëm në popullata dhe segmente kohe të mëdha, pasi gjasa e përkimit të vullneteve është tejet e vogël, si jo natyrore, është një dije e mësuar përmes pësimit, kërkon panele gjigande të seksioneve të tërthorta të popullatës (cross-sections) dhe seri të gjata kohore (time series). Shkalla e të mësuarit, që shndërrohet në sjellje shoqërore njëjtë si instinktet e mbijetesës në biologji-zoologji, i dallon e i vulos popujt dhe shoqëritë më shumë se çdo veçori tjetër e tyre, që nga gjuha e deri te fenotipi, duke qenë njëkohësisht edhe dallimi vendimtar që përcakton mbrothësinë e tyre të matshme dhe të perceptuar. Kjo pasiguri e sjelljes shoqërore ndikon stabilitetin politik, funksionimin ekonomik, marrëdhëniet ndërgrupore dhe sigurinë institucionale. Në analogji me fizikën, ku entropia lidhet me numrin e konfigurimeve të mundshme të një sistemi, entropia shoqërore lidhet me numrin e konfigurimeve të mundshme të sjelljes dhe identitetit. Kjo nuk është domosdoshmërisht diçka negative. Entropia e ulët shoqërore mund të nënkuptojë stabilitet, por edhe ngurtësi, ndërsa e larta mund të nënkuptojë pluralizëm, por edhe kaos.

Në teorinë e sistemeve, energjia e lirë, e lidhur ngushtë dhe matematikisht me entropinë, përfaqëson kapacitetin e një sistemi për të kryer punë. Në shoqëri, kjo përkthehet si aftësia për të mobilizuar burime, për të koordinuar veprime dhe për të prodhuar ndryshim. Entropia e lartë ul energjinë e lirë shoqërore sepse fragmentimi ul shkallën e besimit te tjetri, mosbesimi ul bashkëpunimin, polarizimi zvogëlon kohezionin sikurse zhurma qartësinë (transparencën) e informacionit. Kjo është arsyeja pse shoqëritë me entropi të lartë kanë vështirësi të ndërmarrin reforma, të reagojnë ndaj krizave ose të projektojnë të ardhmen.

Siç u dha në trajtesën paraardhëse, shoqëritë janë sisteme emergjente (që prodhojnë e shpërfaqin risi): sjellja e tyre kolektive nuk është thjesht shuma e sjelljeve individuale, por u mbivendos këtyre diçka të re. Entropia shoqërore ndikon drejtpërdrejt në modelet emergjente të kulturës, stabilitetin e institucioneve, formimin e identiteteve kolektive dhe dinamikën e konflikteve. Kur entropia është e ulët, shfaqen forma të ngurta (të qëndrueshme) rendi emergjent, ndërsa kur është e lartë, shfaqen forma të paqëndrueshme, të fragmentuara dhe të paparashikueshme të tij, politikat janë më pak efektive, institucionet më pak të besueshme, narrativat e përbashkëta më të dobëta e të paqena dhe konfliktet më të mundshme. Entropia shoqërore bëhet kështu një mjet për të kuptuar pse disa shoqëri janë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, ndërsa të tjerat janë të brishta dhe të paqëndrueshme. Në thelb, entropia shoqërore është forca e brendshme e çrregullimit, masa e kufizimeve të një shoqërie për të vepruar si një tërësi, masa përshkruese për atë se sa mund të kemi një kolektiv funksionues.

Emergjenca është shfaqja e vetive të reja kolektive që nuk mund të reduktohen në sjelljen e individëve. Në shoqëri, emergjenca shfaqet si institucione të reja, norma të reja, identitete kolektive, forma të reja organizimi dhe modele të reja sjelljeje. Inercia deri në dhembje e shoqërisë sonë, ai ngërç dekadash ku pak gjë lëviz në qenien tonë metafizike, flet për entropinë tonë të lartë shoqërore. Por emergjenca, lindja e së resë më të përparuar, nuk lind as nga rendi dhe rregulli i plotë, as nga kaosi i plotë. Ajo kërkon një zonë të ndërmjetme, që do të thotë mjaftueshëm rend e rregull për të krijuar strukturë, por po ashtu edhe çrregullim për të krijuar mundësi. Kjo zonë ndodhet “larg ekuilibrit”, aty ku sistemi ka energji të lirë të mjaftueshme për të krijuar forma të reja (“koncepti “energji e lirë” do të kërkojë një trajtesë vijuese të vetën.)

Entropia, Energjia e Lirë dhe Emergjenca (lexo: “shfaqja”, dhe për rastin, “Shfaqja e Rendit të Ri Kolektiv”) ndërveprojnë në një mënyrë dinamike, jolineare dhe disafaktorëshe shumë interesante. Një entropi e ulët sjell energji të lirë të madhe dhe kjo një emergjencë të qëndrueshme; shoqëria ka kohezion, informacioni është i qartë, institucionet janë të besueshme. Energjia e lirë e madhe mund të përdoret për reforma, inovacion, zhvillim institucional. Emergjenca në këtë rast është krijuese dhe e qëndrueshme. Një entropi e lartë sjell energji të lirë të pakët, dhe kjo një emergjencë të paqëndrueshme; shoqëria është e fragmentuar, informacioni i turbullt (jotransparent) dhe institucionet janë të dobëta. Energjia e lirë bie, sepse nuk ka kapacitet për veprim të koordinuar dhe emergjenca është e paqëndrueshme, e rastësishme dhe shpesh destruktive. Kjo është zona e krizave, revolucioneve të paplanifikuara, kolapsit institucional.

Zona më interesante në shkallën entropike është Entropia mesatare, ose e midistë, që sjell energji të lirë optimale dhe për pasojë një emergjencë dinamike. Kur shoqëria ka mjaftueshëm rend e rregull për të ruajtur kohezionin, si edhe çrregullim për të lejuar inovacionin, energjia e lirë rezulton maksimale. Kjo është zona ku shfaqen kultura të gjalla, institucione fleksible, ekonomi inovative dhe identitete të reja kolektive, zona e vitalitetit shoqëror. Entropia përcakton kufijtë e mundësisë, Energjia e lirë përcakton kapacitetin e veprimit dhe Emergjenca është rezultati i ndërveprimit të të dyjave.

(vijon)

(c) 2026 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Leonardo.ai.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin