Shënime për librin « NË ATË VEND – Mbresa udhëtimesh imagjinare », të Ardian Vehbiut
Që me « Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit » e pastaj me « Ndërhyrjet ..,», « Qortimet… » dhe « Kusuret e Zotit Shyti », Ardian Vehbiu solli në kulturën shqiptare një letërsi të re që mbështetej mbi satirën dhe mbi analogjitë që krijon teksti dhe përdorimi mjeshtëror i metaforës me përqasje nga analogjitë që krijohen mes asaj që është jashtë nesh dhe varianteve fenomenologjike që ndodhen në kulturën e kujtesës. Për nga përqasjet kulturore dhe për nga gjedhet e reja që krijon, edhe Vehbiut i shkon ai konstatim që thuhet për Borgesin si qytetar i librit. Siç dihet, Borgesi krijoi format e reja të narrativës duke u nisur nga një kombinim që ndërthurte spekulimin, imagjinatën dhe kulturën. Këtu, spekulimi është marrë në kuptimin filozofik që fillimisht shenjonte “vëzhgimin reflektues”, por, më vonë, nënkuptoi hamendësimin si një mjet për të fituar njohuri përmes intuitës ose arsyetimit jo-empirik, veçanërisht në fusha si metafizika, filozofia kantiane dhe vepra e filozofëve si Hegeli. Në këtë lloj rrëfimi autori e sheh botën si një tekst që rimerret me anë të përftesave apo shenjave që janë ndërtuar në tekstin e madh të botës. Edhe titulli « Në atë vend », të kujton një prozë të hershme të Borgesit që shenjon në mënyrë brilante utopinë kur ai rrëfen historinë e hartës së një vendi që e kënaqte egon e Perandorit me shtrirjen e perandorisë në një hartë reale që mbulonte gjithë perandorinë.
Libri « Në atë vend » është ndërtuar mbi vëzhgimin reflektues të një vendi që po mbipopullohet nga turistët, në të cilin, një ndryshim i beftë ka zgjuar te banorët e atij vendi ankthin e supersticioneve dhe magjive. Atyre që hyjnë në kufi, u kërkohet të deklarohen nëse e quajnë veten udhëtarë apo turistë dhe parashikimi i motit bëhet në një teatër me personazhe reale si Bora, Bubullima e Shiu. Në Atë Vend, turistët dalldisen pas një Tabele të Madhe të orareve të trenave në qendër të qytetit dhe këtu ndodhemi përballë imagjinatës së një qyteti me trenat utopikë. Portet dhe aeroportet, në Atë Vend janë plot dhe këtu paralelizmi me ikjet masive ngatërrohet në përfytyrim me hyrje-daljet e mëdha të turistëve që jepet si lajm në çdo orë të ditës. Dalëngadalë nis e krijohet një skenë e gjallë mes atyre që vijnë dhe atyre që vështrojnë. Vaniteti si formë e organizimit të jetës në këtë vend, nxjerr në reliev hijen e burrave të mbrustë që mbikëqyrin turmat. Kohët nisin e ndërrohen dhe Ai Vend bëhet tani një metaforë e përjetimeve të kohëve të para kur vëzhgimi ishte një masë strikte për ruajtjen dhe higjienën e rendit publik. Deliri është një formë e ngazëllimit që shihet kudo në Atë Vend. Sidomos gërmimet arkeologjike dhe rrënojat duket sikur ecin në këmbë dhe i paraqiten çdo të ardhuri me letërnjoftimin e fisit të lashtë të Lykonasve. Satira si mjet që ndërton rrëfimin, e bën tekstin tërheqës në lexim dhe ti mund të përballesh aty me format më groteske të jetës. Në Atë Vend ti mund të ndeshesh edhe me sozinë e një të afërmit tënd të vdekur. Një stacion i vogël hekurudhor që ka vënë në dilema hipotetike studiuesit, një kioskë e harruar gazetash, pranë tij, kthehen në artefakte të historisë së një vendi utopik që ka lidhje, ndoshta me prusianët. Edhe vdekja aty është ndryshe dhe ngatërrimi i saj ka ardhur për shkak të mistereve të linguistikës lokale, sepse gjuha e atij vendi i ka të dyja foljet, edhe « jetoj », edhe « vdes ». Dhe loja me kuptimet gramatikore të këtyre dy foljeve bëhet argëtim më vete, e cila, bashkë me paralelet e tjera nga historia e kultura i japin leximit të këtij libri një kënaqësi të veçantë. Për shkak të traditës që ndërrohet vazhdimisht, si rezultat i dëshirës për ta bërë për vete hijen e Shkrimtarit Z, që sapo është ndarë nga jeta, Ministria e Kulturës ka marrë edhe një shtesë tjetër, atë të Varrimeve, Varrit dhe Dheut në mënyrë që t’u përshtatej gjetjeve të mëpasme si fjala vjen « Burrë i Dheut ». Ndërsa loja semiologjike me ato që në narratologji janë quajtur vegla filozofike, si, fjala vjen, shkallët e Wittgenstein-it, brisku i Occam-it, demoni i Laplace-it, qiriri i Diogjenit, gomari i Nastradinit, nyja gordiane e Aleksandrit të Madh, guri i Sizifit, berberi i Russell-it, molla e Newton-it dhe molla e Wilhelm Tell-it, qeni i Pavlovit etj., janë në Atë Vend pjesë e një muzeu të UNESKO-s, ku është shtuar edhe karroca e Dylit, e cila, -thotë autori, – ashtu si ombrella e Niçes, ende nuk është kuptuar mirë. Por, një tjetër topikë e atij vendi, që ndërtohet në imagjinatë, është ndalimi i kohës. Ndaj edhe « Orkestra filarmonike (dikur Mbretërore, tani Republikane) luan pa ndërprerje -24 orë në ditë, 7 ditë në javë- një koncert të sugjeruar në krye nga Mbreti Otto XV për të festuar ditëlindjen e të birit, por që tani njihet anembanë botës si koncerti Save the planet » (f. 44).
Pastaj, ashtu si në një film bardhezi, parakalojnë copëra imazhesh të ngjyrosura nga tisi i lehtë i ironisë e satirës në të cilën paraqitet një vend utopik ku çmimet letrare dhe konferencat janë si festivale folklorike me pjesëmarrje të gjerë popullore. Atje, e shkuara tregohet me anë të mbeturinave historike ; është një vend që edhe Uliksin e rrëfen mbrapsht dhe ku gjuha amtare nuk shkruhet për shkak të gjuhës zyrtare dhe ku amtarishtja dhe anglishtja gjallojnë keqas. Është një vend ku bllokimi i vetëdijes dhe i kujtesës shihet si një konstipacion i domosdoshëm për mbarëvajtjen e hapësirës, Aty, gjithologët shkojnë në teatër jo që të shohin shfaqjen, por t’u tregojnë aktorëve se si vazhdon e si mbaron pjesa. Duke vjelë e duke mjelë gërmadhat e historisë, ai vend ecën me krenari. Në Atë Vend fjala e fundit i takonte atij që vinte në fund. Siç shihet, kjo lojë me metaforat gjuhësore dhe me sinekdokat, alegoritë dhe paralelet ndërton një tekst i cili të mban të mbërthyer gjatë dhe të jep një ndjenjë të veçantë kënaqësie. E gjitha kjo ripërmason aftësinë që ka fjala për të të joshur atëherë kur ajo përdoret nga autorë si Vehbiu, që e njohin thellë bukurinë dhe magjinë e saj. Një formë tjetër që ai e përdor, është paradoksi. Unë kam zgjedhur një tekst që më duket se e shenjon thellë këtë cilësi të rrëfimit të tij dhe po e sjell këtu :
« Në atë vend ka lënë gjurmë të thella një rebelim që njihet edhe me emrin « revolucioni i hekurave », dhe që e përmbysi regjimin policor në fuqi, për të sjellë në pushtet një klikë radikale, të organizuar dhe stërvitur prej vitesh në burgun e madh politik të kryeqytetit. E veçanta e kësaj përmbysjeje nuk ishte dhuna që pasoi, por fakti që klika, edhe pas fitores, vendosi të mos largohet prej qelive, madje shkoi deri atje sa ta shpallë burgun, me ligj, si selinë nga ku do të ushtrohej tash e tutje pushteti, teksa pushtetin lokal ua besoi aleatëve të vet që vuanin dënimet në burgjet e provincës. » (f. 87).
Ky imazh të sjell në mendje reflekse përjetimesh të mbivendosura në kohë, në një vend që ka provuar diktaturën e egër, dhe tani i është dorëzuar « revolucionit të hekurave ». Nuk është vështirë të shohësh këtu paralelet me kohën tonë. Por, si në çdo republikë utopike, ku sundon terrori e dhuna, ato që të plotësojnë atë vend, duhen shoqëruar edhe nga paradoksi i urdhrave të ndalimit. E, këtu, fantazia e autorit është dehëse. Teksti vazhdon :
« Njëherazi, pushteti i ri ka bërë të njohura një varg masash drastike, të tilla që praktikisht t’i imponojnë një regjim heqjeje lirie shoqërisë në tërësi – nga ndalim qarkullimi pas perëndimit të diellit, te mbyllja e kufijve ; nga ndalimi i etimologjizimit spontan, te heqja me detyrim e dhëmballëve të pjekurisë ; nga racionimi i ushqimit dhe alkoolit, te puna e detyruar ; nga mbyllja e kinemave, te ndalimi i WC-ve allafrënga ; nga heqja e ngrohjes qendrore në pallatet, te ndërprerja e energjisë elektrike dhe furnizimit të rregullt me ujë për banesat private ; nga studimi i gjeografisë, te heqja e lejes për të mbajtur dhe përdorur dylbi ; nga ndalimi i syzeve të diellit, te thjeshtimi i gramatikës nëpërmjet shkurtimit të sistemit përemëror dhe kompaktësimit të sistemit foljor ; nga ndalimi i parathënieve dhe paradhënieve, te heqja nga përdorimi i instrumenteve muzikore elektronike ; nga dëbimi i sinonimeve prej fjalorëve akademikë, te leja për vetëm dy dritare në çdo shtëpi… ; nga ndalimi i ombrellave, te ndalimi i cigareve me filtër ; nga shfuqizimi i fëmijërisë, te minimizimi i dallimeve gjinore në veshje dhe në sjellje. Përkundrazi, inkurajohen mbajtja e ditarit, ecja sportive zbathur, bakshishi, urinoret publike, agjërimi, fanellat (në mish) me lesh dhie, tërheqja kompetitive e litarit dhe larja e lëvereve me dorë. » (f. 88).
E dhashë thuajse të plotë këtë tekst sepse aty lexuesi mund të shohë e të shijojë teknikën e lartë me të cilën është ndërtuar ky vend utopik, i cili, ashtu si në mjegull, fle në nënvetëdijen e gjithsecilit prej nesh dhe ato shenja që përdoren këtu të vendosura në lidhje të rregullt gramatikore, por në bashkëveprim kuptimor absurd, të rikujtojnë se si është i mbushur me një të tillë ligjërim absurd e kaotik edhe jeta jonë reale. Ke ndjesinë se ato që lexon për një vend si ky, ti i ke ndier në një formë tjetër karikaturore në realitetin ku jeton. Dhe magjia e një forme të tillë rrëfimi e sjell më pranë atë që është në thelb të çdo shoqërie, në një pjesë të madhe – absurdin. Dhe, në fakt, çfarë ka bërë e bën shoqëria njerëzorë që në ngjizje të saj ? Shpik e rishpik rregulla që të shmangë dhunën dhe agresionin mes njerëzve. E, megjithatë, luftërat vazhdojnë, kaosi urban, përplasjet, sharlatanët dhe gjithçka që e bën qesharake në disa raste këtë jetë, janë në rendin e ditës. Ardian Vehbiu ka meritën se e lexon kohën reale më sytë e një artisti të ndjeshëm dhe me një kulturë të thellë. Atë tekst që ne nuk e deshifrojmë dot, mund ta shijojmë këtu në rrëfimet për Atë Vend.
© Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.