Kush fiton dhe kush humb?
Vendimi i fundit i Ministrisë së Arsimit për ndalimin absolut të telefonave në shkolla është paraqitur si një hap drejt përqendrimit, disiplinës dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies. Por në fakt, ai ngre pyetje të thella mbi raportin midis shtetit dhe individit, midis autoritetit dhe të drejtës për zgjedhje, midis disiplinës së detyruar dhe edukimit të lirë.
Një ministër mund të thotë: “Nxënësit nuk duhet të marrin celular në shkollë”. E saktë, telefoni shpërqendron, ngushton vëmendjen, i zhyt fëmijët në ekrane që nuk përfundojnë kurrë. OBSH-ja ka raportuar se përdorimi i tepruar i telefonit ndikon në gjumin, sjell pagjumësi, dhimbje koke, lodhje dhe ulje të përqendrimit. Një studim në Liban, i publikuar nën kujdesin e OBSH-së, tregoi se mbi 76% e adoleshentëve flinin keq për shkak të telefonit në shtrat dhe kjo prekte drejtpërdrejt cilësinë e tyre të mësimit ditën tjetër.
Por nga ana tjetër, një ministër nuk mund të mendojë se teknologjia zhduket me një firmë burokratike. Telefoni nuk është më luks, por pjesë e qenies sonë sociale, kulturore, madje edhe arsimore. Të ndalosh telefonin, është njësoj si të ndalosh lapsin dikur, nga frika se nxënësit do të shkruanin poezi të ndaluara. Madje edhe studime të tjera kanë treguar se ndikimi i telefonit nuk është aq katastrofik sa paraqitet. Një analizë ndërkombëtare tregoi se kur kontrollohen faktorët e tjerë (stresi, gjumi, motivimi), përdorimi i telefonit nuk ka aq ndikim negativ sa thuhet shpesh në fjalimet politike.
Por problemi më i madh nuk është vetëm përqendrimi. Shkollat tona janë bërë shpesh vende bullizmi dhe tragjedish. Ka pasur raste kur adoleshentë në botë dhe në Shqipëri janë vetëvrarë sepse janë tallur, kërcënuar apo turpëruar publikisht. Telefonat, në vend që të ndalohen, mund të bëhen vegla për mbrojtje dhe reagim: për të raportuar dhunën, për të dokumentuar abuzimet, për të thënë të vërtetën që ndryshe do të fshihej nën qilim. Të heqësh telefonin, është si t’i heqësh nxënësit edhe zërin.
Shkolla duhet të jetë tempulli i mendimit kritik dhe mendimi kritik lind kur mësuesi nuk e sheh nxënësin si armik të përqendrimit, por si partner në të vërtetën. Në vend të ndalimit, shkolla duhet të ofrojë edukim digjital: si ta përdorim telefonin si mik, jo si armik; si ta shndërrojmë ekranin në libër, jo në kurth; si ta përdorim teknologjinë për të ndërtuar, jo për të shkatërruar.
Kjo mund të bëhet me platforma kodimi si Scratch, ku nxënësit programojnë lojërat e tyre, apo me aplikacione mësimore që instalohen vetëm me lejen e prindërve. Sot ekzistojnë edhe programe që lejojnë mësuesin të kontrollojë ekranin e nxënësve gjatë orës mësimore duke siguruar përqendrim pa e privuar fëmijën nga teknologjia. Pra, zgjidhjet ekzistojnë: vetëm vizioni mungon.
Ky vendim, i nënshkruar me laps politik, ngjan më shumë me një akt dëshpërimi sesa me një strategji vizionare. Ai flet për një sistem arsimor që nuk arrin dot të edukojë me vetëdije, prandaj zgjedh rrugën më të lehtë: ndalimin. Por ndalimi nuk është edukim, është imponim. Dhe imponimi nuk krijon qytetarë të lirë, por subjekte të bindura.
Shkolla e së ardhmes nuk është ajo ku celulari ndalohet, por ajo ku celulari shihet si objekt i të mësuarit. Jo një shkollë që mbyll dritaren ndaj realitetit digjital, por një shkollë që hap dyert e saj, duke i dhënë fëmijës aftësinë të zgjedhë vetë.
Në fund të fundit, një brez që rritet me ndalime rrezikon të bëhet një brez që nuk pyet më, që nuk kritikon më, që nuk ëndërron më. Dhe çfarë është shkolla pa ëndrra? Një ndërtesë me dritare të mbyllura, ku heshtja e detyruar mbyt zërin e fëmijërisë.
Ky shkrim nuk është kundër disiplinës. Është kundër iluzionit se disiplinën mund ta arrish me ndalim absolut.
Një komb i lirë nuk i edukon fëmijët e tij duke ua fikur telefonin, por duke ua ndezur mendjen.
Ky është zëri im, një 15-vjeçar që kërkon drejtësi, arsim të mirë e të modernizuar.
© 2025 Antonio Lushi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Whisk.
Burimet:
1. 76.5% e adoleshentëve në Liban nuk janë të kënaqur me cilësinë e gjumit të tyre *WHO Study, 2018 | https://www.emro.who.int/emhj-volume-24-2018/volume-24-issue-8/assessing-sleep-quality-of-lebanese-high-school-students-in-relation-to-lifestyle-pilot-study-in-beirut.html
2. Përdorimi i telefonave mund të ndihmojë në dokumentimin dhe raportimin e bullizmit dhe dhunës *WHO Report, Maj 2025 | https://www.who.int/europe/news/item/23-05-2025-online-lives–offline-consequences
3. Rritja e përdorimit të mediave sociale dhe lojërave video mes adoleshentëve & Përdorimi i platformave si Scratch mund të integrojë teknologjinë në mënyrë edukative *WHO Report, Shtator 2024 | https://www.who.int/europe/news/item/25-09-2024-teens–screens-and-mental-health
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Pesëmbëdhjetë vjeçar dhe pret të të jap leje ministri a ministrja për të mbajtur celularin tënd “në xhep”?! Shumë i ri për të qenë konformist – veç po ke plan të bëhesh politikan a minister -, ku mbeti shpirti rebel i moshës?
[Flokët e gjata s’kishim ku t’i fshihnim kur bëhej “parada” e çunave të maturës para drejtorit dhe gjithë shkollës, në ditën e qethjes kolektive, si rregull çdo dy muaj… shko prit flokët, pastaj kthehu prapë në shkollë. Ec e gjej berber në orën tetë të mëngjesit që të t’i pres flokët si do ti; mendo pastaj dhe gallatën e vajzave në klasë kur ktheheshim njëri më “king” se tjetri… :)]