Gjatë javëve të fundit, flukset e refugjatëve që nisen nga brigjet libiane janë zhvendosur në mënyrë të dukshme drejt ishullit grek të Kretës[1].
Incidenti i parë i rëndë u shënua në qytetin e Rethymnos, ku autoritetet greke vendosën një grup refugjatësh në stadiumin lokal. Aty, persona të ekstremit të djathtë, sulmuan të saposhpëtuarit nga deti duke hedhur fishekzjarrë brenda ambienteve ku ndodheshin gra, fëmijë dhe të rinj[2]. Ky është një akt që nuk mund të mos ngrejë alarmin mbi radikalizimin e diskursit politik dhe banalizimin e dhunës ndaj të pambrojturve, fenomen panevropjan tanimë të paktën qysh kur filloi lufta civile ne Siri. Këto imazhe të forta dhe të dhimbshme sollën menjëherë në kujtesë një episod tjetër të hidhur të historisë moderne të emigracionit në Mesdhe: eksodin shqiptar të fillimviteve ’90.
Në mënyrë të veçantë, ngjarja e gushtit 1991 me anijen Vlora[3], kur mijëra shqiptarë mbërritën në portin e Barit dhe u izoluan në stadiumin “Della Vittoria”, është një precedent që për fat të keq duket se po përsëritet.
Edhe atëherë, autoritetet italiane nuk ishin të përgatitura për fluksin e papritur, siç deklaronin në media. Refugjatët u mbyllën në kushte të pasigurta, pa infrastrukturë bazë, ndërsa ushqimi u hidhej me helikopter nga lart! Kjo ka qënë një skenë që sot përbën pjesë të pandarë të kujtesës kolektive mbi mënyrën si Evropa, dhe veçanërisht Italia, përballet me krizën e emigracionit.
Ajo që i bën këto dy ngjarje të krahasueshme nuk është vetëm vendndodhja por edhe mungesa sistematike e dinjitetit në trajtimin e njerëzve në nevojë.
Në të dy rastet, stadiumi shndërrohet nga një hapësirë për grumbullim kolektiv sportiv në një simbol të përjashtimit, frikës dhe përkohshmërisë së zgjidhjes.
Është tanimë e njohur se retorikat ksenofobike sjellin përfitime të drejtpërdrejta, jo vetëm në planin politik-partiak, por edhe në atë ekonomik.
Nëse nuk ofrohet një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme politike, tregu i zi dhe ekonomia e paligjshme lulëzojnë si pasojë e mungesës së integrimit dhe keqtrajtimit sistematik të refugjatëve. Shembulli më i mirë është mospaisja me dokumente emigrantëve shqiptarëve në Greqi për gati një dekade[4].
Është bërë pothuajse rregull i pashkruar përdorimi i politikave të frikës nga lloj-lloj politikanësh duke nisur nga Greqia e deri në Mbretërinë e Bashkuar. Ata ndërtojnë karrierën mbi traumat kolektive, ndjenjat e pasigurisë dhe mosbesimit shoqëror.
Këta aktorë politikë, shpesh me mbështetjen e pakushtëzuar të një pjese të madhe të mediave, mobilizojnë votat e klasave të ulëta përmes një diskursi alarmist, që paraqet refugjatët si kërcënim ndaj rendit, sigurisë dhe ekonomisë vendase.
Kjo histori nuk është e re. Ajo nisi qartësisht që në vitin 1991 me shqiptarët, dhe siç duket, ende funksionon.
Retorika që përdorej atëherë për shqiptarët është ringjallur sot për sirianët, afganët, afrikanët dhe çdo grup tjetër të pambrojtur që guxon të kërkojë strehim brenda kufijve të Europës.
Kjo ngre pyetjen thelbësore:
A ka mësuar Europa nga përvojat e saj të mëparshme?
Apo do të vazhdojë të përsërisë, me një shtrëngim dhëmbësh, të njëjtat modele të përkohshme, represive dhe shpesh çnjerëzore në emër të “menaxhimit të krizave”?
Kur marrëveshja Meloni-Rama po anulohej[5] nga prokurorët italianë Kryeministria e Italisë filloi sulmet personale ndaj tyre dhe deklaronte se kampet në Shengjin do hyjnë në funksion. Gjithashtu Meloni vazhdon me retorikën e saj kundër refugjatëve në çdo rast. Fjalime të tilla, duke nisur që në 2014-2015 nga Viktor Orban, janë tanimë një normalitet në shumë shtete të Bashkimit Evropian. Në Greqi një politikan që vjen nga ekstremi i djathtë, Thanos Plevris, zevendesoi Makis Voridis, që po ashtu vjen nga parti neofashiste, në Ministrinë e Emigracionit dhe Azilit[6]. Me marrjen e postit Plevris sugjeroi dhe u miratua nga Parlamenti grek pezullimi i përpunimit së kërkesave për azil nga të sapoardhurit nga Afrika e veriut[7].
Disa prej refugjatëve të tjerë në Kretë u lanë të rrethuar nga forcat policore në ambientet e portit, mbi çimento, pa asnjë mbrojtje nga dielli apo kushte minimale jetese.
Një nga videot që qarkulloi gjerësisht tregon një polic grek me shkop gome në dorë, duke bërtitur me zë të lartë ndaj refugjatëve të sapoardhur nga Libia. Vetëm ato britma aq të ftohta, aq të frikshme, aq të egra do të mjaftonin për të më sjellë në mend kujtimet e viteve ’90, kur në vend të tyre ishim ne, shqiptarët, ata që kalonim detin ose malet, të rraskapitur, të trembur, të uritur.
Atëherë, as vetë nuk e dinim si ta quanim përvojën tonë. Nuk ishim “refugjatë” në kuptimin formal të fjalës, por as nuk kishim ndonjë status të njohur. Vetëquheshim “refugjatë”, sepse aq dinim dhe aq na dukej e drejtë[8]. Ka shumë imazhe, fatmirësisht të ruajtura që mos i harrojnë as brezat në vijim, sidomos nga Italia, por edhe nga Greqia, ku fytyrat e rraskapitura, të uritura, të trembura dhe me atë shikim bosh, si një shikim i zgjuar nga ëndrra e keqe nuk ishin të panjohura. Ishin pikërisht baballarët tanë, xhaxhallarët, komshinjtë, njerëzit tanë. Ishim ne[9][10]!
Por ajo që ndryshon sot është mënyra si përjetohet e njëjta dramë njerëzore, duke e parë nga jashtë.
Nga njëra anë, solidariteti publik ka rënë në minimum; nga ana tjetër, politika i ka kthyer valët e emigracionit në mjet për përçarje, frikë dhe manipulim elektoral.
Ndërkohë që historia na ka mësuar se emigrimi nuk është krizë, por proces i pashmangshëm shoqëror, institucionet evropiane vazhdojnë të sillen sikur janë gjithmonë të papërgatitura dhe si gjithmonë, reagimi i tyre është më shumë ndëshkues sesa përfshirës. Flitet më shumë për sigurinë e Evropës e jo për vlerat humanitare të saj.
Kujtesa kolektive e viteve ’90 nuk duhet të shërbejë vetëm si nostalgji për vuajtjet tona, por si paralajmërim:
asnjë popull nuk ka imunitet nga nevoja për të ikur, dhe mënyra si i trajtojmë të tjerët sot do të jetë pasqyra ku do të shohim veten nesër.
Videoja e sapopërmendur shoqërohet me tekstin: “Nuk e di çfarë do bëjë qeveria (greke) por pushtimi në Kretë duhet të ndalojë dje. PS: Të gjithë (janë) burra, siç e shikoni”. Të njëjtat komente gjenden dhe në artikuj si në Gjermani por edhe në Shqipëri madje, sidomos mbas marrëdhënies Rama – Meloni për kampet e refugjatëve në Shëngjin[11]. Pra, përse nga Libia me varka e anije copë-copë nisen kryesisht burra të rinj? Por nëse ato dhe ata që komentojnë në Gjermani nuk kanë eksperienca emigracioni në memorien e tyre dhe ato dhe ata që bëjnë të njëjtën gjë në Greqi kanë harruan emigrimin masiv grek në SHBA, Australi, Gjermani të vitëve ‘60[12], çfarë mund të themi për ato dhe ata që bëjnë komente të tilla në Shqipëri? Një Shqipëri që nuk ka akoma emigrantë me shumicë në territorin e saj po që po boshatiset, nga emigrimi, kryesisht, deri dje, i paligjshëm?!
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, të mbajtura në shkurt, emigracioni u shndërrua në temën qendrore të fushatës zgjedhore për shumicën dërrmuese të partive politike.
Ajo që fillimisht ishte një axhendë e ekstremit të djathtë, e promovuar nga Alternativa për Gjermaninë (AfD), u përvetësua dhe u amplifikua edhe nga partitë kryesore tradicionale. Në përpjekje për të fituar terren elektoral, ato vendosën të ndjekin retorikën e frikës dhe pasigurisë, duke e kthyer çështjen e emigracionit në prioritetin absolut të diskursit publik. E vetmja forcë politike që refuzoi të ndjekë këtë narrativë ishte partia e së majtës, Die Linke. Ndryshe nga të tjerat, ajo zgjodhi të përqendrohet në problemet reale të shoqërisë gjermane: rritjen e kostos së jetesës, mungesën e banesave të përballueshme, pabarazitë sociale dhe përkeqësimin e kushteve të punës.
Dhe ironia këtu qëndron në faktin se Gjermania ka nevojë për krahë pune[13] por retorika e AfD-së e ka kthyer emigracionit si rrezikun numër një për shoqërinë gjermane, siç u theksua. Rreth 4 milionë refugjatë nga Ukraina u shpërndanë në Bashkimin Evropian kur Rusia pushtoi vendin e tyre. Pra, BE-ja ishte e përgatitur për këta refugjatë dhe veproi shumë mirë. Numri i refugjatëve që vijnë nga Azia dhe Afrika Veriore është shumë më i vogël, nëse dikush u referohet shifrave. Kjo është e kuptueshme sepse udhëtimi për këta njerëz nuk është aspak i lehtë; Ata duhet të paguajnë një shumë të madhe parash dhe e vënë jetën në rrezik për të hyrë në Evropë dhe kjo po ndodh sepse nuk ka asnjë mënyrë ligjore për ta siç ishte për ukrainasit. Ja pse deti Mesdhe është shndërruar në një varr të madh dekadën e fundit[14].
Sipas ekspertëve, ishte pikërisht kjo strategji e qëndrueshme dhe e fokusuar në çështje konkrete që çoi në rritjen surprizë të mbështetjes për Die Linke, e cila brenda vetëm dy muajsh arriti të trefishojë rezultatet e saj elektorale në krahasim me sondazhet e mëparshme. Ky rezultat tregon se, edhe në klimën e sotme politike të polarizuar, ekziston ende hapësirë për një diskurs racional, të përqendruar tek përmirësimi i jetës reale të qytetarëve, dhe jo vetëm tek manipulimi i frikës kolektive.
Për fatin tim, isha shumë i vogël dhe nuk më ra të përballesha drejtpërdrejt me ato situata si në videon nga Kreta, por i kam parë skena të tilla me sytë e mi: në kufirin shqiptaro-grek të Kapshticës, kur autobusët e policisë greke zbraznin qindra emigrantë shqiptarë me rrobat e punës ose me “rrobat e rrugës”, të arrestuar nëpër male, nëpër ara, apo në ndërtim. Apo në fshatin ku jetonim familjarisht kur vinin me shpejtësi të madhe xhipat e policisë dhe i shtrinin emigrantët shqiptarë me dhunë poshtë në tokë para se t’i fusnin në bagazh njërin mbi tjetrin sikur të ishin plaçka. Ishin aksionet e famshëm me emrin “fshesa”.
Ata emigrantë shqiptarë kishin të njëjtin shikim si refugjatët e Kretës. Të njëjtin dëshpërim si ata shqiptarët që arrestoheshin nga autoritetet italiane dhe grumbulloheshin kryesisht për t’u deportuar në Shqipëri.

Foto: Spyros Staveris. Emigrantët shqiptarë sapo kaluan maleve dhe u futen në territorin grek gjatë viteve ‘90
Komentet poshtë asaj videoje janë tmerrësisht të ngjashme me ato që dëgjoheshin apo lexoheshin në gazetat greke të viteve ’90 për shqiptarët: “Po na pushtojnë”, “jemi në luftë”, “janë vetëm burra të rinj, ata kanë ardhur për të vjedhur e përdhunuar”.
Por ja që ata burra të rinj shqiptarë nuk pushtuan Greqinë, as Italinë. Por, siç ndosh zakonisht, burrat e rinj, si më të fortë fizikisht, nisen në emigrim, gjejnë një vend punë, një strehë, dhe pastaj sjellin pjesëtarët e tjerë të familjes. Pikërisht kështu ka ndodhur në rastin tim në Greqi. Dhe ishin ata burra të rinj që si në Itali[15][16] por edhe në Greqi[17] u përballën me stigmatizimin e portretimin e tyre si pushtues e banditë deri sa ia dolën.

Foto: Balkan Insight. Rreth 1000 emigrantë shqiptarë të cilët janë “strehuar” në një strukturë depoje në këtë vendpushim italian të Adriatikut.
Komente të ngjashme gjen sot edhe në mediat shqiptare, kur bëhet fjalë për refugjatët që Meloni i dërgon në Shëngjin[18]. Pikërisht për këtë, besoj se nuk duhet ta harrojmë historinë tonë, pavarësisht se ku ndodhemi dhe si jetojmë sot: në Greqi, në Shqipëri, në Gjermani apo gjetkë. Si mund të fshihen nga memoria ynë këto pamjet e videos së vitit 1991, që gjenden në fund të artikullit “Clandestino Albanese”[19]? Më duken akoma shumë të afërta; si të ishte praktikisht dje!
Në tilla raste më vjen gjithmonë ndërmend ajo fraza nga “Prilli i thyer” i Kadaresë:
“Miku për shqiptarin është gjysmëperëndi”.
Do ishte mirë ta kujtonim këtë frazë në këto kohëra plot trazira. Se koha kur të zbrazen njerëz me një shpresë për një jetë më të mirë në Shqipëri nuk e është më një imagjinatë.
“Popujt që harrojnë historinë e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë”, thoshte dikur George Santayana[20].
Korriku shënon një vit nga vdekja e Kadaresë. Po e mbyll këtë shkrim me një thënie të tij:
“Harresa është një nga krimet më të mëdha që mund të bëjë një komb ndaj vetvetes.”
(c) 2025 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është punuar me Midjourney.
Referencat:
[1]https://mia.mk/al/story/vazhdojn%C3%AB-val%C3%ABt-e-emigrant%C3%ABve-n%C3%AB-ishullin-e-greqis%C3%AB-kret%C3%ABM2R
[4]https://peizazhe.com/2025/06/02/letrat-%cf%87%ce%b1%cf%81%cf%84%ce%b9%ce%ac/
[6]https://peizazhe.com/2025/07/17/identitete-te-dukshme-dhe-te-padukshme/
[9]https://balkaninsight.com/2023/04/13/how-fear-of-albanians-went-mainstream-in-1990s-italy/
[10]https://snfphi.columbia.edu/events/my-parents-photographer/
[11]https://abcnews.al/qeveria-miraton-marreveshjen-me-italine-per-emigrantet/
[13]https://www.dw.com/en/germany-needs-288000-foreign-workers-annually-until-2040-study/a-70885279
[14]https://tvklan.al/tjeter-tragjedi-me-emigrante-ne-mesdhe
[15]https://balkaninsight.com/2023/04/13/how-fear-of-albanians-went-mainstream-in-1990s-italy/
[16]“La Scoperta dell’ Albania”, Ardian Vehbiu & Rando Devole, Paoline Editoriale Libri, 1996.
[18]https://peizazhe.com/2024/10/18/koha-jone-per-racizem/
[19]https://peizazhe.com/2016/03/02/clandestino-albanese/
[20]“The Life of Reason” (1905), George Santayana.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.


Pertej njerez pale dhe tjetres:
Kemi “te djathte ekstreme” dhe “te majte”. Kemi pershkrim emocional te situates migratore, detaje mbi dinjitetin e munguar, shikimin ne syte e refugjateve, whatabout-ism me shqiptaret, dhe thirrje ndaj emocioneve. Kemi gishtin e drejtuar ndaj “diskursit alarmist” dhe “populizmit”, pa u thelluar as te njera, as te tjetra, madje as pa i perkufizuar mire termat.
Mungon vetem arsyetimi logjik. Mungojne llogarite logjistike, analiza ne kohe e valeve migratore, analiza sasiore e ketyre valeve dhe impakti sociologjik dhe kulturor i tyre mbi shoqerite pritese. Mungon analiza mbi ligjet e migracionit dhe te azilit qe jane shkruar ne nje kohe tjeter te kaluar. Mungon arsyetimi numerik i kostove financiare per mikpritjen e prezumuar. Mungon diskutimi ne rrafshin me bazik, me nje shembull te thjeshtuar: nese kemi nje familje me 5 anetare qe mezi ja del te mbijetoje ekonomikisht, sa miq mund te mikprese kjo familje? Cfare miqsh? A e kemi me akoma konceptin e te zotit te shtepise dhe mikut, apo jemi te gjithe njesoj perpara pergjegjsise ndaj shtepise, vendit qe kemi mbrojtur per te jetuar, e qe e kemi zhvilluar me mund e me gjak e me djerse. Jemi te gjithe njesoj nen qiell, si ne gjeneze, bij te barabarte me kufij artificiale e te imponuar, apo kane ndonje kuptim kufijte. Nese nuk kane, ta dime dhe te biem dakort t’i heqim.
Nese njerez NGO-sh qe paguhen per te analizuar keto gjera qe jane evidente dhe per nje njeri mesatar, te pashkolluar ne shkencat sociale, apo politike, apo te politike-berjes, nuk i bejne keto analiza qe mungojne, atehere cfare ndodh? Lindin interpretime dhe hamendesime “te pashkolluara”, te cilat mund t’i hedhim poshte kollaj, sepse sic e thashe, jane “te pashkolluara”. Mirepo logjika nuk ka gjithmone nevoje per kredenciale akademike; ajo mund te vleje dhe te qendroje besnike ndaj se vertetes, edhe e pa-akredituar, dhe ketu lind nje problem i madh :).