Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

GJYKIMI I SHIJES

Nga ndjeshmëria vetjake te pretendimi për universalen

I. Gjykimi estetik ndërmjet normës filozofike dhe kushteve shoqërore

Si mund të pretendojmë vlefshmëri universale për një gjykim që buron nga një përjetim thellësisht subjektiv? Kur themi se një vepër arti është “e bukur” apo një tjetër është “banale”, a është kjo thjesht një shije personale, apo kemi të drejtë të presim që të tjerët të pajtohen me ne?

Ky është thelbi i problemit filozofik të gjykimit estetik: a mund të ketë universalitet në një përvojë që është vetjake dhe ndijore? Mendimi modern ka ofruar disa përpjekje për ta zgjidhur këtë tension. David Hume përpiqet të gjejë një standard të shijes te ndjeshmëria e kultivuar dhe përvoja e përbashkët e kritikëve idealë. Immanuel Kant e kërkon atë në strukturën a priori të fuqisë së gjykimit, në një harmoni të lirë ndërmjet imagjinatës dhe të kuptuarit, që prodhon kënaqësi pa interes dhe pa koncept, por me pretendim universal.

Këto përpjekje, megjithatë, përballen me një kritikë të fuqishme nga Pierre Bourdieu, i cili argumenton se shija nuk është subjektive, por formohet nga pozita klasore dhe kapitali kulturor. Ajo që Kant e përshkruan si “gjykim i paanshëm” është, sipas tij, një mënyrë për të maskuar një përvojë klasore si normë universale. Gjykimi i shijes, për Bourdieu-n, është një mjet për të dalluar dhe përjashtuar, një mënyrë për të legjitimuar hierarkitë shoqërore në emër të së bukurës.

Në këtë mënyrë, pyetja mbi legjitimitetin e gjykimit estetik nuk është thjesht teorike; ajo shndërrohet në një problem politik dhe kulturor. Të thuash se një vepër është “e mirë” nuk është një akt i pafajshëm – është një gjykim me pasoja. Prandaj, figura e kritikut nuk është as e padiskutueshme dhe as neutrale: ajo përfaqëson një tension të vazhdueshëm ndërmjet pretendimit për universalen dhe kushteve shoqërore që e mundësojnë atë pretendim.

Ky artikull ndjek këtë tension filozofik dhe sociologjik, duke eksploruar kontributet e Hume-it, Kantit dhe Bourdieu-t si tri mënyra për ta menduar gjykimin estetik. Synimi nuk është të zgjidhet përfundimisht problemi, por të kuptohet më mirë natyra e tij: çfarë e bën një gjykim të vlefshëm dhe si mund të ruajmë integritetin kritik përballë kushteve shoqërore që e rrezikojnë atë.

II. David Hume dhe standardi i shijes: midis sentimentit dhe autoritetit kritik

Në esenë e tij të famshme Of the Standard of Taste (1757), David Hume ngre një problem të ngjashëm me atë që do të trajtonte më vonë Kant-i: nëse gjykimi estetik është themeluar mbi ndjenjën subjektive të kënaqësisë, si mund të ekzistojë një standard që e ndan shijen e mirë nga ajo e keqe? Por ndryshe nga Kant, i cili kërkon një bazë transcendentale në strukturën a priori të mendjes, Hume mbetet brenda kornizës empiriste dhe psikologjike të filozofisë britanike, duke i trajtuar gjykimet estetike si të ngulitura në përvojë, ndjeshmëri dhe arsye praktike.

Në fillim të esesë, Hume paraqet skepticizmin radikal mbi mundësinë e një standardi: “Ka një lloj filozofie që e mohon mundësinë e një standardi të shijes, duke theksuar se çdo ndjenjë është e drejtë, sepse i referohet vetvetes dhe nuk mund të jetë e gabuar” (Hume, 1757/1985, fq. 230). Në këtë rrafsh, çdo shije është legjitime për aq sa është e sinqertë dhe e përjetuar, dhe çdo përpjekje për të vendosur standarde do të ishte arbitrare. Por Hume e refuzon këtë përfundim si jo bindës, sepse në praktikë, njerëzit e gjykojnë njëri-tjetrin për shijet që kanë – dhe e dallojnë një kritik të stërvitur nga një amator i rastësishëm.

Pra, Hume e pranon se shija është subjektive, por kjo nuk përjashton mundësinë e një standardi që formohet përmes përputhjes së ndjeshmërisë së kultivuar. Ky është tensioni thelbësor i esesë: si ta ruajmë subjektivitetin e përvojës estetike, pa e hequr mundësinë e gjykimit të argumentuar dhe të vlefshëm? Për Hume-in, zgjidhja është të dallojmë ndjesinë si përjetim të çastit nga gjykimi si akt reflektiv, krahasues dhe i justifikuar.

Sentimenti dhe gjykimi: ndarja e sferave

Ndjenja është themeli i përjetimit estetik: “E bukura nuk është cilësi e vetë gjërave; ajo ekziston vetëm në mendjen që i sodit ato” (Hume, 1757/1985, fq. 230). Por ndryshe nga një relativizëm i thjeshtë, Hume ndan ndjesinë spontane nga gjykimi i arsyetuar: ky i fundit kërkon përvojë, krahasim dhe pjekuri mendore. Kështu, Hume kërkon një universalitet empirik: një përputhje e ndjeshmërive të kultivuara që nuk është e garantuar apriori, por që mund të arrihet përmes kulturës dhe edukimit.

Ky është një koncept i ngjashëm në funksion me sensus communis-in kantian, ndonëse rrënjësisht i ndryshëm në themel: për Kantin ai është një strukturë e brendshme a priori, ndërsa për Hume-in është një rezultat historik dhe psikologjik i përvojës së ndarë.

Gjykuesi ideal dhe pesë kriteret për autoritet estetik

Në një nga pjesët më të rëndësishme të esesë, Hume përshkruan pesë cilësi të gjykuesit ideal – figurë që mishëron ndjeshmërinë e hollë dhe arsyen e pjekur. Ky subjekt kritik nuk ka autoritet për shkak të pozitës shoqërore, por përmes përvojës, ushtrimit dhe reflektimit.

  1. Ndjeshmëri e hollë (delicacy of taste): Një nga shembujt më të famshëm që Hume sjell për të ilustruar idenë e ndjeshmërisë së hollë është ai i Sancho Panza-s nga romani Don Quixote. Ai rrëfen historinë e dy degustuesve të verës: njëri thotë se vera ka një shije hekuri, tjetri ndjen një aromë lëkure. Të tjerët qeshin me ta, por në fund të fuçisë gjendet një çelës i ndryshkur i lidhur me një rrip lëkure – duke vërtetuar saktësinë e shqisave të tyre. Për Hume-in, ky është ilustrimi i ndjeshmërisë së vërtetë estetike: jo një shije e zakonshme dhe spontane, por një aftësi e ushtruar për të perceptuar nuanca të imëta dhe shpesh të padukshme për syrin e zakonshëm. Shembulli nuk ka të bëjë me verën si të tillë, por me parimin se gjykimi estetik i vlefshëm nuk lind nga emocione të papërpunuara, por nga një ndjeshmëri e formuar përmes përvojës, ekspozimit dhe krahasimit. Ashtu si në rastin e verës, edhe në vlerësimin e veprave artistike kërkohet një “shije” që është rezultat i stërvitjes dhe kultivimit të ndjeshmërisë – dhe është pikërisht kjo që i jep gjykimit të kritikut autoritet dhe pretendim për vlefshmëri universale. (Hume, fq. 232).
  2. Praktika dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj artit: Hume këmbëngul se ndjeshmëria estetike nuk është e lindur, por formohet përmes një kontakti të vazhdueshëm dhe të reflektuar me artin. Vetëm duke u ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj veprave të ndryshme dhe duke përballuar një gamë të gjerë përvojash estetike, gjykuesi zhvillon një ndjeshmëri që mund të dallojë veprat e mëdha nga ato të zakonshmet. Në këtë kuptim, gjykimi estetik është një aftësi praktike – ashtu si mjeshtëria në muzikë apo kuzhinë – që formohet përmes ushtrimit të vazhdueshëm. Kjo përvojë e grumbulluar i jep gjykuesit një sens të brendshëm të shkallës, rendit, dhe kompleksitetit të veprave, të cilin gjykuesi i papërvojë nuk e zotëron.
  3. Krahasimi (comparison): Krahasimi është një akt thelbësor i gjykimit kritik. Nuk mjafton të reagosh ndaj një vepre në mënyrë të izoluar – kritiku i mirë e vendos atë në raport me të tjera, qoftë të të njëjtit autor, të së njëjtës epokë, apo të traditave të ndryshme. Përmes krahasimit gjenerohet një ndjenjë përmasash dhe shkallësh: kritiku mund të dallojë më të arrirën nga më e dobëta, origjinalen nga imitimi, harmoninë e brendshme nga shtirja e jashtme. Pa këtë aftësi për të parë një vepër në kontekst, gjykimi mbetet i varfër dhe i pambështetur. Krahasimi është akti që lidh ndjeshmërinë me arsyen dhe që e ndihmon gjykuesin të ndërtojë një vlerësim të argumentuar.
  4. Liria nga paragjykimi (freedom from prejudice): Ky është një ndër kriteret më të rrepta dhe më të vështira për t’u përmbushur. Gjykuesi duhet të jetë i çliruar nga ndikimet që vijnë nga moda, patriotizmi, ideologjia, klasa, raca apo afërsia personale. Hume është i qartë: paragjykimi e deformon gjykimin estetik ashtu siç e dëmton edhe arsyen (Hume, fq. 231). Një kritik që e vlerëson një vepër vetëm sepse i përket vendit të tij, ose sepse përputhet me shijet e klasës së tij, nuk është më një gjykues i shijes, por një zëdhënës i pozicionit të tij shoqëror. Pa këtë liri, çdo pretendim për universalen bie – sepse gjykimi bëhet një instrument për të afirmuar një interes të veçantë, jo një akt reflektiv i ndershëm.
  5. Arsye e shëndoshë (good sense): Ndjeshmëria, për Hume-in, nuk është e mjaftueshme pa një aftësi për të analizuar, për të ndarë elementët përbërës të veprës, dhe për të artikuluar arsyet pse një vepër është më e arrirë se një tjetër. Arsyeja e shëndoshë nuk është një arsyetim formal apo logjik, por një aftësi praktike për të vëzhguar, për të reflektuar dhe për të dhënë një gjykim të pjekur. Ajo lejon kritikun të artikulojë atë që të tjerët mund ta ndjejnë, por nuk janë në gjendje ta shprehin. Arsyeja shëndoshë është ura ndërmjet përvojës estetike dhe komunikueshmërisë së saj – ajo që e bën kritikën të dobishme dhe të kuptueshme për të tjerët.

Kur këto cilësi përmbushen, gjykimet e këtij kritiku nuk janë thjesht mendime personale, por shfaqin një pretendim të justifikuar për vlefshmëri universale – një standard i bazuar në ndjeshmëri të kultivuar dhe arsye të pjekur.

Vepra që qëndrojnë në kohë: prova e përputhjes ndërsubjektive

Hume përforcon këtë pretendim për standard përmes një kriteri empirik: qëndrueshmëria e vlerësimeve për veprat madhore. “I njëjti Homer që pëlqehej në Athinë dhe Romë dy mijë vjet më parë, admirohet ende në Paris dhe Londër” (Hume, fq. 234). Kjo sugjeron se ndonëse ndjeshmëritë janë subjektive, përputhja e tyre në kohë dhe hapësirë është e mundur – dhe kjo është baza e një normativiteti të arsyeshëm.

Megjithatë, Hume mbetet i vetëdijshëm për rolin e modës dhe autoritetit: vepra të mbivlerësuara nga entuziazmi i çastit bien kur nuk i rezistojnë vlerësimit të pasardhësve. Kjo është “prova e kohës”, një verifikim empirik i qëndrueshmërisë së gjykimit kritik.

Standardi si normë e fituar, jo si strukturë e lindur

Në përfundim, Hume nuk na jep një formulë për të gjykuar artin, por na jep një koncepsion të empirik dhe praktik të mënyrës se si formohet gjykimi estetik: përmes një ndërveprimi të ndjeshmërisë së stërvitur dhe arsyes së matur, të liruar nga paragjykimet. Standardi i shijes, për të, është një produkt historik i mundshëm i kulturës kritike, jo një normë absolute, por një horizont për të cilin duhet të synojë kritiku.

Kjo e bën Hume-in një pararendës të rëndësishëm në debatin për gjykimin estetik: ai nuk e mohon subjektivitetin, por nuk dorëzohet para tij. Ai ruan mundësinë e një gjykimi të vlefshëm dhe të ndershëm në një botë të ndryshme dhe të pabarabartë – një pikë që do të sfidohet më tej nga Bourdieu, i cili do ta lexojë këtë figurë të gjykuesit ideal si një përfaqësim të një habitusi të privilegjuar.

III. Kant dhe gjykimi estetik: paanshmërira, universaliteti dhe sensus communis

Në pjesën e parë të Kritikës së fuqisë së gjykimit (Kritik der Urteilskraft, 1790), Kant ndërmer një analizë të thelluar dhe të rafinuar të gjykimit estetik, duke synuar të shpjegojë se si mund të lindë një pretendim për universalitet nga një përjetim krejtësisht subjektiv si kënaqësia estetike. Ndryshe nga Hume, i cili e mbështet standardin e shijes te ndjeshmërisa e edukuar dhe përvoja, Kant kërkon të themelojë gjykimin estetik në kushtet a priori të vetë fuqisë së gjykimit – jo në përmbajtjen empirike të ndjesisë, por në formën se si mendja jonë e përpunon përvojën në mënyrë reflektuese.

Qasja e Kantit është transcendentale, që do të thotë se ajo nuk merret me përmbajtjen e veçantë të përvojës estetike, por me kushtet e mundësisë që një qenie si ne (që mendon, ndjen dhe gjykon) të jetë në gjendje të formojë një gjykim estetik të vlefshëm. Ai nuk e mohon rolin e ndjeshmërës ose të subjektivitetit, por përpiqet të tregojë se ka një strukturë të brendshme në mendje që e bën të mundur një gjykim reflektues, i cili, edhe pse nuk është i konceptueshëm, megjithatë pretendohet si i vlefshëm për të gjithë.

Gjykimi reflektues dhe struktura e gjykimit estetik

Për ta kuptuar më thellë natyrën e gjykimit estetik te Kant, është e nevojshme të ndalemi në konceptin më të gjërë të gjykimit reflektues(reflektierendes Urteil), në të cilin ai e vendos gjykimin e shijes. Në Kritikën e fuqisë së gjykimit, Kant dallon dy forma të fuqisë së gjykimit: gjykimin determinus (vendimtar) dhe gjykimin reflektues. Ai shkruan:

Kur e përgjithshmja (rregulli, parimi, ligji) është e dhënë, atëherë gjykimi që e nënshtron të veçantën nën të… është gjykim determinant. Por nëse është e dhënë vetëm e veçanta… atëherë gjykimi është vetëm reflektues. (KU, §5, AA 5:179)[1]

Gjykimi reflektues, pra, nuk ka në dispozicion një koncept të dhënë paraprakisht dhe për këtë arsye duhet të gjejë një universal për të veçantën, duke reflektuar mbi përfaqësimet që i jep ndjeshmëria. Kjo detyrë është e mundur vetëm në sajë të një parimi që gjykimi ia jep vetes a priori, siç e shpreh Kant në mënyrë të qartë në §60:

Fuqia reflektuese e gjykimit ka nevojë për një parim që e merr prej vetes, të cilin ajo duhet t’ia japë vetes a priori… (KU, §60, AA 5:403)

Kjo është veçanërisht e qartë në rastin e gjykimit estetik, ku gjykimi nuk mbështetet në ndonjë koncept të së bukurës, por përkundrazi bazohet në një ndjenjë kënaqësie që lind nga harmonia e papërcaktuar midis imagjinatës dhe të kuptuarit. Kjo përputhje nuk është e detyruar nga ndonjë koncept, por as nuk është krejt rastësore: është një lojë e lirë e fakulteteve, një ndërveprim spontan që prodhon një ndjesi subjektive, por që pretendohet si e vlefshme për të gjithë.

Në këtë kuptim, gjykimi estetik është një formë paradigmatike e gjykimit reflektues: ai nuk është as konceptual, as arbitrar, por një përpjekje për të gjetur kuptim në përvojën e përfaqësimit përmes një kapaciteti të brendshëm reflektues të mendjes. Ky kapacitet nuk është as ndjesor, as njohës në kuptimin tradicional, por përben një mënyrë të veçantë të ndërveprimit me botën, e cila shpreh jo çfarë është objekti në vetvete, por si ai i përputhet strukturës tonë njohëse në mënyrë që duket sikur është “për ne” – por pa qëllim.

Pikërisht për këtë arsye, analiza që Kant ndërmer mbi gjykimin estetik është e ndërtuar mbi këtë strukturë reflektuese, e cila i jep asaj statusin e një forme të veçantë të arsyes, që nuk është as teorike (njohëse) dhe as praktike (morale), por një mënyrë e tretë e të menduarit:arsye reflektuese, që përpunon përvojën në emër të kuptueshmërës, jo të njohjes.

Në vijim, Kant ndan gjykimin estetik në katër “momente”, që korrespondojnë me funksionet themelore të fuqisë së gjykimit si të tillë – cilësinë, sasinë, marrëdhënien dhe modalitetin – dhe për secilën prej tyre ai zbulon nga një tipar themelor të gjykimit të shijes.

1. Momenti i Parë – Për cilësinë e gjykimit: Paanshmëria (Interesselosigkeit)

Në kuadrin e gjykimit reflektues, ku gjykimi nuk orientohet nga një rregull i dhënë, cilësia e aktit të gjykimit është e para që duhet shqyrtuar. Në rastin e gjykimit estetik, cilësia e tij dalluese është çinteresimi: gjykimi i shijes nuk bazohet në ndonjë interes personal, praktik apo moral për ekzistencën e objektit. Ndjenjat e kënaqësisë që shoqërojnë përvojën estetike nuk burojnë nga ndonjë përdorim apo funksion që objekti ka për ne, por nga mënyra si ai na paraqitet nëpërmjet formës së tij, në një përputhje të lirë të imagjinatës me intelektin. Ky çinteresim e vendos gjykimin estetik në një pozitë të veçantë – si një kënaqësi reflektive që nuk kërkon as zotërim, as shfrytëzim të objektit.

Kant e shpreh këtë qartë në §2 të Kritikës së fuqisë së gjykimit:

Kënaqësia që e lidhim me përfaqësimin e ekzistencës së një objekti quhet interes. Kjo kënaqësi, pra, presupozon referimin e përfaqësimit te fakulteti i dëshirës… Por nëse çështja është nëse diçka është e bukur, atëherë nuk duam të dimë nëse ne apo ndokush tjetër është, apo edhe mund të jetë, i interesuar për ekzistencën e saj, por si e gjykojmë atë përmes soditjes së pastër (intuitës apo reflektimit). (KU, §2, AA 5:205)

Kjo do të thotë se kur themi për një objekt se është “i bukur”, ne nuk jemi të udhëhequr nga dëshira për ta pasur, për ta përdorur apo për të përfituar prej tij. E bukura nuk vlerësohet për shkak të ndonjë funksioni apo dobishmërie, por për mënyrën si duket në vetvete – në formën e saj, harmoninë, apo simetrinë që shfaqet në marrëdhënien me imagjinatën tonë.

Në këtë sens, gjykimi i së bukurës është një reflektim mbi përfaqësimin, jo një gjykim mbi vetë objektin apo përdorimin e tij. Është një akt ku subjekti përjeton kënaqësi jo nga ndonjë marrëdhënie interesi me objektin, por nga mënyra se si përfaqësimi i tij aktivizon fakultetet e njohjes në një harmoni të lirë.

Kjo paanshmëri (Interesselosigkeit) është ajo që e ndan gjykimin estetik (ästhetisches Urteil) nga gjykimi mbi të këndshmen (das Angenehme) ose të mirën (das Gute). Në të këndshmen[2], objekti na jep kënaqësi përmes ndjesisë shqisore (p.sh., shija e një çokollate), dhe ne kemi interes për ekzistencën e saj – duam ta konsumojmë. Në të mirën[3], ne gjykojmë mbi bazën e një koncepti moral apo instrumental (p.sh., një ilaç është i mirë sepse na shëron). Por gjykimi i të bukurës (das Schöne) është i lirë nga të dyja këto lidhje: ai është një gjykim reflektues, që nuk mbështetet në ndonjë koncept të mëparshëm, dhe nuk lidhet me ndonjë interes.

Ky karakter i paanshëm e bën gjykimin e shijes një formë unike të kënaqësisë – të tillë që nuk është as ndjesi e thjeshtë, as vlerësim moral, por një reflektim mbi formën e një objekti që duket sikur është për ne, por pa qenë për ndonjë qëllim të caktuar. Në këtë kuptim, gjykimi estetik, për Kantin, ka një status të ndërmjetëm: nuk është thjesht një ndjesi personale, por as një gjykim i bazuar në koncept. Është një mënyrë e veçantë e ndërveprimit të njeriut me botën, që nuk është e udhëhequr nga dëshira, por nga një kënaqësi e pastër reflektive – një mënyrë për të përjetuar botën në një mënyrë që na përfshin si qenie njohëse, por që nuk kërkon zotërim apo përdorim të saj.

2. Momenti i Dytë – Për sasinë e gjykimit: Universaliteti subjektiv (subjektive Allgemeingültigkeit)

Pas sqarimit se gjykimi i shijes është pa interes dhe i lirë nga qëllimet subjektive, Kant kalon në shqyrtimin e sasisë së këtij gjykimi, pra të pretendimit për vlefshmëri. Paradoksi qendror i këtij momenti është se, edhe pse gjykimi estetik është thelbësisht subjektiv – ai bazohet në ndjesinë e kënaqësisë – ai pretendon të vlejë për të gjithë. Ky pretendim për universalitet nuk mbështetet në ndonjë koncept objektiv apo ligj të arsyes, por në një strukturë të përbashkët subjektive të fuqisë së gjykimit te të gjithë njerëzit.

Kant e shpreh këtë në mënyrë të prerë në §6 të Kritikës së fuqisë së gjykimit:

E bukura është ajo që, pa koncept, përfaqësohet si objekt i një kënaqësie të përgjithshme. (KU, §6, AA 5:211)

Ky universalitet nuk është deduktiv dhe as i garantuar, por është një pretendim reflektiv: kur themi “kjo vepër është e bukur”, ne nuk shprehim vetëm një ndjenjë personale, por presim (apo kërkojmë) që të tjerët të pajtohen me ne. Ky pretendim nuk vjen nga ndonjë ligj i mendjes teorike, por nga ajo që Kant e quan komunikueshmëri universale e ndjeshmërisë – ideja se të gjithë njerëzit, për sa kohë gjykojnë lirshëm dhe pa paragjykime, do të përjetojnë të njëjtën kënaqësi estetike.

Në §8, ai thekson:

Ai që e quan diçka të bukur, pretendon që të gjithë duhet ta miratojnë objektin në fjalë dhe ta përshkruajnë gjithashtu si të bukur. Ai nuk gjykon vetëm për veten, por për të gjithë, dhe flet për të bukurën sikur të ishte një cilësi e gjërave. (KU, §8, AA 5:212)

Ky pretendim për vlefshmëri universale, ndonëse i paprovueshëm, është për Kantin element përbërës i vetë strukturës së gjykimit të shijes. Ai nuk mund të shpjegohet nëse e reduktojmë gjykimin estetik në preferencë subjektive apo në opinion personal. Kjo është arsyeja pse njerëzit debatojnë për bukurinë dhe kritikojnë njëri-tjetrin – sepse e konsiderojnë të arsyeshme që të gjithë duhet të pajtohen me një gjykim të shijes, edhe nëse nuk kanë ndonjë provë objektive për ta mbështetur atë.

Kjo është ajo që Kant e quan universalitet subjektiv – një universalitet i kushtëzuar nga përbashkësia e strukturës njohëse te njerëzit. Ajo nuk buron nga ndonjë koncept i bukurisë, por nga fakti që imagjinata dhe intelekti janë fakultete që ndodhen te çdo qenie njerëzore, dhe që mund të bien në një marrëdhënie harmonike në përvojën estetike. Ky universalitet i përjetuar – dhe jo i deduktuar – është bazamenti i mundshëm për komunikueshmërinë ndërsubjektive të gjykimeve estetike.

Në këtë mënyrë, Kant na ofron një rrugëdalje nga relativizmi: edhe pse nuk ka një standard objektiv për të bukurën, ne mund të ruajmë pretendimin për universalitet në bazë të një përvoje të përbashkët të fuqisë së gjykimit. Ky është një universalitet që nuk zbatohet nga jashtë përmes normave, por që paraqitet nga brenda përmes reflektimit të lirë të një subjekti që mendon si pjesë e një bote të përbashkët.

3. Momenti i Tretë – Për marrëdhënien në gjykim: Qëllimshmëri pa qëllim (Zweckmäßigkeit ohne Zweck)

Në këtë moment, vëmendja kalon nga ndjesia dhe pretendimi për vlefshmëri, te forma e objektit dhe marrëdhënia e tij me fuqinë tonë të gjykimit. Si gjykim reflektues, gjykimi i shijes nuk vendos objektin nën ndonjë koncept funksional, por e përjeton atë sikur ai të ishte i bërë për ne, pa pasur ndonjë qëllim të caktuar. Ky përjetim i qëllimshmërisë pa qëllim nuk është pohim për ndonjë qëllim real në objekt, por një ndjesi e përshtatshmërisë formale për strukturën tonë njohëse.

Kant e formulon këtë ide qartë në §17:

E bukura është forma e qëllimshmërisë së një objekti, për aq sa ajo perceptohet në të pa përfaqësimin e një qëllimi. (KU, §17, AA 5:236)

Pra, kur themi se diçka është e bukur, nuk mendojmë se ajo ka ndonjë funksion apo synim të caktuar – as qëllim moral, as qëllim përdorimi. Përkundrazi, ajo na duket sikur është krijuar posaçërisht për të përputhur strukturën tonë njohëse, ndonëse nuk mund të themi përse ekziston apo çfarë synon. Kjo është mënyra se si shfaqet qëllimshmëria në përvojën estetike: si një përshtatshmëri e papërcaktuar e formës së objektit me lojën e lirë të imagjinatës dhe intelektit.

Ky përjetim i formës, pa ndonjë përmbajtje konceptuale, nuk është i bazuar në ndonjë ide të përsosmërisë (si në rastin e së mirës morale apo funksionale), por në mënyrën se si një objekt na paraqitet si i përputhshëm me ne në një mënyrë e cila nuk i referohet ndonjë funksioni të brendshëm ose të jashtëm. Pikërisht kjo mungesë qëllimi është ajo që i jep gjykimit estetik karakterin e tij të lirë dhe jo teleologjik.

Në këtë moment bëhet e qartë se gjykimi i shijes nuk përfshin vetëm një ndjenjë, por një reflektim mbi formën: forma si e tillë, pa përmbajtje të konceptueshme, na duket e përshtatshme për fuqinë tonë të gjykimit. E bukura, thotë Kant, na flet sikur të ishte krijuar për ne, por pa qenë për ne.

Ky përjetim është rezultat i lojës së lirë mes imagjinatës dhe të kuptuarit – një marrëdhënie që nuk është as e detyruar, as e përshkruar nga ndonjë ligj, por që sjell kënaqësi vetëm për faktin se fakultetet tona bashkëveprojnë në mënyrë të harmonishme. Kjo përputhje pa koncept është baza për pretendimin e universalitetit, dhe në të njëjtën kohë, shfaqja e qëllimshmërisë pa qëllim është shenja dalluese e gjykimit estetik.

4. Momenti i Katërt – Për modalitetin e gjykimit: Nevojshmëri shembullore (ekzemplare?) (beispielhafte Notwendigkeit)

Momenti i fundit trajton një pyetje thelbësore për gjykimin estetik: çfarë lloji domosdoshmërie përfshihet në të? Nëse gjykimi i së bukurës është subjektiv dhe nuk mbështetet në ndonjë koncept objektiv, si mund të pretendojë ai domosdoshmëri? Kant përgjigjet se gjykimi i shijes nuk pretendon domosdoshmëri logjike apo morale, por një nevojshmëri shembullore – një domosdoshmëri që buron nga sensi i përbashkët estetik (sensus communis).

Në §18, Kant përkufizon kështu:

E bukura është ajo që njihet pa koncept si objekt i një kënaqësie të përgjithshme. (KU, §18, AA 5:237)

Kjo do të thotë se kur gjykojmë se diçka është e bukur, ne nuk shprehim vetëm një preferencë personale, por bëjmë një pretendim që kërkon pajtimin e të gjithëve – një pretendim normativ, por jo objektiv në kuptimin tradicional. Nevojshmëria e këtij gjykimi nuk është logjike, por reflektive: ajo mbështetet në një kapacitet të brendshëm të arsyes për të menduar nga këndvështrimi i të gjithëve.

Kjo është arsyeja pse Kant e lidh këtë moment me konceptin e sensus communis – një ndjeshmëri e përbashkët që e bën të mundur universalitetin e ndarë të përvojës estetike. Në §40, ai shkruan:

Sensus communis është pra ideja e një ndjeshmërie të përbashkët, pra një aftësi gjykimi që në reflektimin e vet merr parasysh mënyrën e të menduarit të të gjithë të tjerëve (sikur të ishte në një komunitet me fuqinë gjykuese të të tjerëve). (KU, §40, AA 5:293)

Dhe më tej në të njëjtin paragraf, thekson:

…për të mbajtur gjykimin e vet si të thuash përballë arsyes së përgjithshme njerëzore dhe për të shmangur kështu iluzionin që, nga kushtet subjektive private që lehtësisht mund të merren për objektive, do të ndikonte në mënyrë të dëmshme mbi gjykimin. (KU, §40, AA 5:295)

Ky vetë-korrigjim i mendimit individual në funksion të një mendimi të ndarë është baza për domosdoshmërinë shembullore: ne gjykojmë sikur të ishim pjesë e një komuniteti të lirë të arsyes reflektive. Kjo domosdoshmëri nuk buron nga ndonjë koncept, por nga mënyra se si mendja abstrahon nga interesat e veta dhe mendon nga perspektiva universale, jo teorike, por komunikuese.

Kur themi: “kjo është e bukur – dhe ti duhet ta shohësh si të tillë”, ne nuk e imponojmë mendimin tonë, por kërkojmë pajtim përmes reflektimit. Ky është një pretendim që mbështetet në bindjen se të gjithë kanë kapacitetin për të gjykuar në mënyrë të ngjashme, nëse lihen të lirë nga paragjykimet dhe interesat.

Kjo nevojshmëri shembullore përmbyll strukturën katërpalëshe të gjykimit estetik sipas Kantit. Ajo tregon se, ndonëse gjykimi për të bukurën është subjektiv, ai është i çinteresuar, universal në pretendim, qëllimor pa qëllim, dhe normativ në mënyrë shembullore – një formë gjykimi që kundërshton relativizmin estetik dhe mbështet mundësinë e kritikës estetike si akt komunikimi ndërmjet subjekteve të lirë dhe të barabartë në gjykim.

Analiza kantiane e gjykimit estetik na ofron një strukturë të fuqishme për të kuptuar se si mund të themelohet një pretendim për universalitet dhe domosdoshmëri mbi bazën e një përvoje thelbësisht subjektive. Përmes katër momenteve të gjykimit të shijes — paanshmëria, universaliteti subjektiv, qëllimshmëria pa qëllim dhe nevojshmëria shembullore — Kant shpalos një mënyrë të menduari që është njëkohësisht personale dhe universale, ndjesore dhe reflektive, e lirë dhe normative.

Ky gjykim nuk mbështetet në ndonjë përkufizim të së bukurës, as në ndonjë karakteristikë empirike të objekteve, por në strukturën e brendshme të fuqisë së gjykimit si të tillë. E bukura nuk mund të deduktohet apo vërtetohet, por mund të pretendohet si e vlefshme, përmes një akti reflektimi që i bën thirrje mendimit të përbashkët. Në këtë kuptim, gjykimi estetik bëhet shprehje e arsyes reflektive në veprim, e cila nuk përpiqet të zotërojë botën, por ta ndajë atë në mënyrë të lirë dhe të argumentueshme.

Kjo perspektivë, sipas Kantit, ka jo vetëm domethënie estetike, por edhe implicime thelbësore për komunikimin, edukimin, dhe bashkëjetesën kulturore. Ajo na tregon se edhe atje ku s’kemi njohuri objektive, mund të kemi gjykime të vlefshme, të ndershme dhe të arsyeshme, të cilat nuk imponojnë por ftojnë, nuk urdhërojnë por propozojnë. Ky është kontributi i Kantit ndaj mundësisë së një kritike estetike universale pa dogmatizëm, e cila shpreson të gjejë miratim në sensin e përbashkët të njerëzimit.

IV. Pierre Bourdieu dhe kritika sociologjike e gjykimit estetik

Nëse Hume dhe Kant përpiqen të justifikojnë gjykimin estetik përmes kritereve filozofike – qoftë përmes përvojës së rafinuar, qoftë përmes strukturave transcendentale të mendjes – Pierre Bourdieu i sheh këto përpjekje si mënyra të natyralizimit të një habitusi të privilegjuar kulturor. Për Bourdieu-n, gjykimi i shijes nuk është thjesht një akt i ndjeshmërisë personale apo një ushtrim i arsyes së paanshme, por një akt shoqëror, që pasqyron pozitën, interesin dhe formimin kulturor të individit në një strukturë klasore.

Në veprën e tij monumentale La distinction: Critique sociale du jugement (1979), Bourdieu argumenton se shija nuk është një shprehje spontane apo universale e ndjeshmërisë njerëzore, por një konstrukt shoqëror i formuar përmes kapitalit kulturor dhe edukimit. “Syri është një produkt i historisë i riprodhuar nga edukimi” (Distinction, fq. 3), shkruan ai. Shijet tona – qoftë në muzikë, letërsi, ushqim apo veshje – janë formuar nga pozita jonë klasore, dhe shërbejnë si mjete për klasifikim shoqëror. Gjykimi estetik është një mënyrë për të bërë dallim dhe për të afirmuar statusin përmes preferencave kulturore.

Kjo kritikë është veçanërisht e mprehtë ndaj teorive që, si ajo e Kantit, pretendojnë të jenë të çliruara nga çdo ndikim empirik apo shoqëror. Sipas Bourdieu-t, Kant nuk gabon sepse është tepër abstrakt, por sepse universalizon një përvojë klasore të veçantë – atë të borgjezisë së kultivuar – duke e paraqitur si një formë të pastër të gjykimit estetik. “Analiza e Kantit për gjykimin e shijes e ka themelin real në një grup parimesh që janë universalizimi i qëndrimeve të lidhura me një pozitë të caktuar sociale dhe ekonomike” (Distinction, fq. 493).

Bourdieu i kundërvihet idesë kantiane të gjykimit të “pastër” të shijes, i cili nuk bazohet në interesa personale apo përfitim. Ai argumenton se vetë ky ideal i paanshmërisë është një luks i klasave që janë të largëta nga nevoja. Ajo që Kant e quan interesselos është, sipas Bourdieu-t, një shije që lind vetëm në distancën nga detyrimet materiale, një privilegj që vetë e mohon kushtin e tij shoqëror. Aftësia për të gjykuar një objekt thjesht për formën e tij, pa marrë parasysh funksionin apo dobinë, nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë – është një dispozitë që kultivohet përmes edukimit të avancuar dhe kapitalit kulturor të akumuluar.

Në këtë kuptim, gjykimi estetik është gjithmonë një akt i legjitimimit simbolik. Ai nuk është thjesht një shprehje e ndjeshmërisë personale, por një akt që përforcon rendin ekzistues shoqëror, duke paraqitur si “universale” ato shije që përputhen me pozitat dominante në fushën kulturore. Kritiku që gjykon një vepër si “e lartë” apo një tjetër si “e ulët” shpesh nuk bën gjë tjetër veçse afirmon rendin e klasës së tij. “Shija klasifikon, dhe ajo klasifikon edhe klasifikuesin”, shkruan Bourdieu: “Subjektet shoqërore, të klasifikuara nga klasifikimet që bëjnë, dallohen nga dallimet që bëjnë” (Distinction, fq. 6).

Megjithatë, kjo kritikë e fuqishme nuk përbën një mohueshmëri të plotë të mundësisë së gjykimit estetik. As Hume dhe as Kant nuk e përjashtojnë ndikimin e përvojës ose të ndjeshmërisë së kultivuar. Përkundrazi, Hume thekson rëndësinë e përvojës së stërvitur dhe të reflektimit të lirë nga paragjykimet, ndërsa Kant kërkon një sensus communis – një sens të përbashkët që e tejkalon interesin vetjak. Këto janë mekanizma për të mbrojtur gjykimin estetik nga kthimi i tij në një mjet të pushtetit simbolik.

Për më tepër, një mbrojtje e fuqishme ndaj kritikës së Bourdieu-t vjen pikërisht nga Kant vetë. Në Kritikën e fuqisë së gjykimit, ai bën një dallim të rëndësishëm mes një gjykimi që është i paanshëm dhe një gjykimi që është “interesant”. “Një gjykim për një objekt të kënaqësisë mund të jetë plotësisht i paanshëm, dhe megjithatë shumë interesant, dmth. nuk bazohet në interes, por prodhon një interes; të gjitha gjykimet morale të pastra janë të tilla. Por gjykimi i pastër estetik i shijes nuk themelon vetvetiu asnjë interes. Vetëm në shoqëri bëhet interesante të kesh shije” (KU, §41).

Pra, Kant nuk mohon që gjykimet estetike mund të bëhen interesante dhe të kenë vlerë shoqërore, por ai thekson që vetë baza e gjykimit – ajo që e bën atë të vlefshëm si estetik – nuk buron nga interesi. Kjo do të thotë se gjykimi i shijes mund të instrumentalizohet shoqërisht, por nuk është në thelb një instrument i klasës. Pikërisht këtu ndahet Kant nga Bourdieu: për Kantin, ekziston një nivel më i thellë – një strukturë a priori e ndjeshmërisë dhe arsyes – që e bën të mundur një gjykim estetik të vlefshëm për të gjithë. Për Bourdieu-n, çdo universalizim është i dyshimtë, sepse nuk merr parasysh rrënjët shoqërore të njohjes dhe ndjeshmërisë.

Këtu ndodhemi përballë një kundërshtie metodologjike: Kant është një filozof transcendental, ndërsa Bourdieu është një sociolog empirist. Kant është i interesuar për kushtet e mundësisë së gjykimit – çfarë duhet të jetë e vërtetë për që ne të mund të gjykojmë fare. Bourdieu është i interesuar për kushtet reale dhe historike që prodhojnë një gjykim të caktuar. Këto janë dy qasje të ndryshme, secila e fuqishme në sferën e vet, por të papajtueshme në themel.

Në njëfarë mënyre, Bourdieu e zgjidh problemin e universalitetit të shijes duke e zhvendosur atë në një plan krejtësisht social. Shija nuk është subjektive, siç pretendojnë Hume dhe Kant, por ajo është e përshkuar në mënyrë thelbësore nga struktura dhe ndarjet shoqërore. Prandaj, për Bourdieu-n, problemi filozofik i shijes, ashtu siç është trajtuar nga mendimi filozofik, është një pseudo-problem – një problem i rremë që lind vetëm kur abstragohet nga konteksti shoqëror. Kur analizohet në mënyrë sociologjike, bëhet e qartë se një shije subjektive nuk ekziston në vetvete: ajo është gjithmonë e formuar dhe e strukturuar nga pozita klasore dhe përvoja arsimore. Si rrjedhojë, as pritshmëritë për vlefshmëri universale nuk janë të justifikuara. Ato nuk janë as subjektive e as universale, por relative ndaj përkatësisë klasore dhe kapitalit kulturor të akumuluar nga secili individ.

Kritika e Bourdieu-t duhet të merret seriozisht si një korrigjim i rëndësishëm për naivitetin e pretendimeve universale, por nuk është e mjaftueshme për të rrëzuar përpjekjet e Hume-it dhe Kantit për të dhënë një përkufizim normativ të gjykimit të shijes. Këta të fundit nuk ofrojnë një sociologji të shijes, por standarde për ta gjykuar atë në mënyrë të ndershme, të reflektuar dhe të hapur ndaj të gjithëve.

Në këtë kuptim, Kant dhe Hume mbeten të rëndësishëm jo sepse kanë dhënë përgjigje të padiskutueshme, por sepse kanë ndërtuar një gjuhë kritike dhe një model gjykimi që mund të përdoret për të vlerësuar, për të sfiduar dhe për të përmirësuar vetë gjykimin estetik. Në fund, pikërisht tensioni mes Kantit dhe Bourdieu-t, mes universales dhe shoqërores, e bën gjykimin estetik një fushë të hapur për reflektim filozofik dhe përgjegjësi kritike.

V. Universaliteti i gjykimit estetik dhe sfida e kushteve sociale

Çfarë përfundimesh mund të nxjerrim nga reflektimi i mësipërm mbi natyrën e gjykimit estetik?

Së pari, nuk duhet të përjashtohet lehtësisht mundësia e standardeve universale të shijes. Edhe pse gjykimet estetike nuk janë objektive në kuptimin e aplikimit të koncepteve determinuese – një përpjekje që, siç thotë Kant, do të ishte e “pashpresë” (AA 5:231) – ato mbeten megjithatë universale në pretendim dhe të hapura për çdo subjekt të arsyeshëm dhe të ndjeshëm. Ky pretendim nuk buron nga zotërimi i ndonjë pozite apo përvoje të privilegjuar, por nga kapaciteti i reflektimit të paanshëm, një aftësi që i përket të gjithë subjekteve që gjykojnë lirshëm dhe pa paragjykim.

Ky pretendim për universalitet përjashton idenë se vlerësimi estetik është i rezervuar për klasat e larta, apo për ata që gëzojnë privilegje kulturore dhe qasje të veçantë ndaj artit. Një ndarje e tillë do të hapte rrugën për një hierarki të shijes, e cila nuk është në përputhje me kuptimin filozofik të gjykimit estetik që mbrojnë Hume dhe Kant. Është e vërtetë që Hume lejon një formë të hierarkisë, por ajo nuk i përket ndonjë grupi social të privilegjuar – ajo mbështetet te përvoja, reflektimi dhe ndjeshmëria e hollë. Megjithatë, për shkak se këto cilësi shpesh janë më të aksesueshme për klasat e privilegjuara, kjo i jep peshë kritikës së Bourdieu-t mbi lidhjen midis shijes dhe strukturës së pushtetit kulturor. Kjo është arsyeja pse mbrojtja e standardit të shijes kërkon jo heqje dorë nga kriteret, por zhvillimin e strukturave më të barabarta, ku mundësitë për formim estetik dhe gjykim të paanshëm janë të shpërndara në mënyrë më të drejtë.

Nuk ka ndonjë lidhje të brendshme apo të domosdoshme midis artit të madh dhe preferencave të klasave të larta. Lidhja midis artit dhe pozitës shoqërore është historikisht kontingjente, jo konceptualisht e domosdoshme. Klasat dominuese nuk kanë asnjë të drejtë ekskluzive mbi gjykimin estetik në bazë të statusit të tyre klasor, dhe çdo përpjekje për të identifikuar artin “e mirë” me atë që pëlqehet nga shtreast e privilegjuara është vetëm një formë e paragjykimit të institucionalizuar. Pikërisht për këtë arsye, kritika sociale dhe analiza filozofike duhet të takohen: njëra për të zbuluar mekanizmat e përjashtimit, tjetra për të ruajtur idealin e paanshmërisë dhe vlefshmërisë universale.

Kjo bëhet veçanërisht e qartë në teorinë kantiane të gjykimit reflektues, e cila është thelbësisht egalitare. Kant-i nuk mohon rëndësinë e edukimit dhe përvojës, por ai nuk e lidh kurrë vlefshmërinë e gjykimit me klasën shoqërore. Ajo që e bën një gjykim estetik të vlefshëm nuk është pozita e folësit, por gjykimi estetik i saktë. Gjithkush, nëse është i liruar nga paragjykimi dhe flet nga një pozitë e përbashkët ndjeshmërie, është në gjendje të ushtrojë gjykim estetik. Prandaj, detyra jonë nuk është të braktisim idealin e universalitetit, por të krijojmë kushtet shoqërore që ua mundësojnë të gjithëve ta arrijnë atë.

Së dyti dhe së fundmi, gjykimi estetik mbetet një fushë tensioni të vazhdueshëm ndërmjet arsyeve normuese dhe kushteve empirike të shoqërisë, ndërmjet dëshirës për universalitet dhe realitetit të ndarjes klasore dhe gjinore. Por pikërisht ky tension është frytdhënës, për aq sa nuk degjeneron as në formalizëm dogmatik, as në relativizëm kulturor. Nëse e ruajmë të hapur këtë tension, filozofia dhe sociologjia nuk janë kundërshtare, por mund të ndërveprojnë për të ndriçuar më mirë çka nënkuptojmë me “shije” dhe, më thelbësisht, me gjykimin mbi të.

Në këtë dritë, mbetet e mundur të ruajmë një ideal kritik të gjykimit estetik – jo si një normë absolute, por si një hapësirë ndërsubjektive, ku subjekte të lirë dhe të barabartë përpiqen të gjykojnë jo vetëm mbi artin, por edhe mbi vetë kushtet që e bëjnë të mundur atë gjykim. Analiza kantiane, nëpërmjet katër momenteve themelore të gjykimit të shijes – paanshmëria, universaliteti subjektiv, qëllimshmëria pa qëllim dhe nevojshmëria shembullore – na ofron një strukturë të fuqishme për të kuptuar se si mund të artikulohet një pretendim për universalitet mbi bazën e një përvoje thellësisht subjektive. Në këtë mënyrë, gjykimi estetik shfaqet si një akt që është njëkohësisht personal dhe universal, ndjesor dhe reflektiv, i lirë nga interesi dhe i lidhur me përgjegjësinë normative.

 

© 2025 Sead Zimeri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


Referenca
Bourdieu, P. (1984). Distinction: A Social Critique of the Judgement of Taste (R. Nice, Trans.). Cambridge, MA: Harvard University Press.
De Certeau, M. (1984). The Practice of Everyday Life (S. Rendall, Trans.). Berkeley: University of California Press.
Hume, D. (1757/1985). Of the Standard of Taste. In E. F. Miller (Ed.), Essays: Moral, Political, and Literary (pp. 226–249). Indianapolis: Liberty Fund.
Kant, I. (1790/2000). Critique of the Power of Judgment (P. Guyer & E. Matthews, Trans.). Cambridge: Cambridge University Press.


[1] Në këtë artikull, citimet nga veprat e Kantit i referohen edicionit standard kritik Akademie-Ausgabe (Gesammelte Schriften, botuar nga Akademia e Shkencave e Berlinit që nga viti 1900), i cili përdoret gjerësisht në literaturën ndërkombëtare. Ky edicion jep çdo vepër me numrin e vëllimit dhe faqes (p.sh. AA 5:236), duke siguruar një sistem referimi të qëndrueshëm pavarësisht përkthimit ose botimit të përdorur. Kjo praktikë ndihmon në identifikimin e saktë të pasazheve në tekstet origjinale të Kantit, veçanërisht kur krahasohen versione në gjuhë të ndryshme.

[2] “Das Angenehme ist, was den Sinnen in der Empfindung gefällt. (E këndshmja është ajo që i pëlqen shqisave në ndjesi.) (KU, §3, p. 91, Cambridge ed.).

[3] “Das Gute ist das, was durch Vernunft, vermittelst eines Begriffs, gefällt.” (E mira është ajo që i pëlqen arsyes, përmes një koncepti). (KU, §3, p. 91, Cambridge ed.)


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin