“Ata njerëz që kujtojnë se postet e burrit të shtetit, mbretit, të zotit të shtëpisë dhe administratorit të skllevërve janë të njëjta, nuk kanë të drejtë. Sepse ata besojnë që secili prej këtyre ndryshon nga tjetri jo për nga cilësia, por vetëm nga ajo nëse subjektet që ka nën vete janë pak apo shumë: pra, nëse dikush sundon, për shembull, mbi pak njerëz është administratori i tyre; nëse mbi ca më shumë se kaq, është i zoti i shtëpisë (kryefamiljari); nëse mbi më shumë akoma është burrë shteti ose mbret – duke supozuar këtu se nuk ka ndonjë dallim mes një familjeje të madhe dhe një qyteti-shtet të vogël.”
Aristoteli, Politika
për një kritikë të projektit, banesës dhe raporteve të punës
nga Marson Korbi
1
Përdorimi i psikoanalizës në historinë e artit dhe të arkitekturës nuk ka pasur në përgjithësi një sukses metodologjik të atillë sa të arrijë të shpjegojë format e prodhimit të veprave apo të kushteve që bëjnë të mundur realizimin e tyre. Aq më pak një historian i këtyre fushave i ka kapacitetet e psikologjisë dhe të psikoanalizës për t’i ushtruar në një segment të caktuar të historisë së artit, sidomos në mungesë të dëshmive të “pacientëve” nga e kaluara, qofshin këta individë të veçuar apo subjekte kolektive.
Në këto rrethana, një ndër mënyrat e vetme se si mund të përdoret psikoanaliza për të kuptuar mekanizmat kulturorë, mendimet dhe mentalitetet personale apo të një shoqërie të tërë, është ajo e paraqitjes me shkrim të një sërë hipotezave të bazuara mbi raportet mes individëve të shoqërisë me figurën e autoritetit, në rastin konkret në Shqipërinë e sotme. Hipoteza të cilat mbeten të hapura për hulumtim dhe verifikim të mëtejshëm, si tema të historisë së shoqërisë dhe të qytetërimit, artit dhe arkitekturës, gjithashtu historisë ekonomike dhe politike, dhe, çka është më e rëndësishme, historisë së mentaliteteve dhe gjendjes mendore të subjekteve shoqërore në një periudhë të caktuar kohe.
Figura e autoritetit, e mishëruar kjo te figura e babait, e vëllait, apo, dhe më gjerë, tek eprori apo drejtuesi i një vendi, mbeti, sipas Sigmund Freud-it dhe Herbert Marcuse-s, një ndër subjektet më të dhunshme të shoqërisë perëndimore, sidomos kur Marcuse në librin e tij Erosand Civilization (1955) e ballafaqonte me kushtet e kontekstit në të cilën shkruante, ai i shteteve me orientim të fortë korporativ dhe ekonomi biznesi, siç ishte SHBA-ja dhe Evropa në vitet 1950-70. Prej arsyeve politike dhe ideologjike, që i sollën vendet e lindjes, pas rënies së socializmave, të imitonin Amerikën e viteve të arta, e njëjta formë autoritare e atyre institucioneve gjendet sot e shpërndarë në miniaturë në kontekstin e Shqipërisë, e cila dihet se në tridhjetë vitet e fundit e ka marrë Amerikën si model ekonomik e kulturor të padiskutueshëm: patriarku (babai apo i zoti i shtëpisë), shefi i zyrës, drejtori, kryeministri, jo më kot ende figura me shumicë mashkullore, e mbajnë raportin e individit nën të njëjtin tension dhe vëzhgim prej shekujsh, duke filluar nga hapësira e banesës e deri tek sheshi i qytetit.
Por, në ndryshim nga konteksti perëndimor, i cili pa në vitet 1960 një vrull opozitar nga presioni i lëvizjeve emancipuese, si ato studentore, feministe, punëtore apo dhe të segmenteve të kishës katolike të cilat nuk e pranonin më autoritetin, Shqipëria socialiste e pafe, autoritetin jo vetëm që nuk e rrëzoi, por e përthithi deri në pikën e adhurimit. Këtë e dëshmon dhe historiku politik nga vitet e pushtimit osman, më tej të Monarkisë, Monizmit, deri tek drejtuesit e partive moderne dhe raporti me figurën e liderit. Veprimi i institucioneve ishte nga ana ligjore dhe formale mënyra se si bashkëveprimi i liderit me komunitetin (nga pashai tek kryeplaku i viteve të Socializmit) u jepnin formë edhe organizimit të territorit. Nga pikëpamja hapësinore dhe territoriale, krahasimi mes ndarjes feudale të tokës nën sundimin osman, paraqiste aspekte të ngjashme me mënyrën e ndarjes së tokës pas Reformës Agrare të Partisë së Punës. Edhe për të arritur kolektivizimin e mjeteve të punës dhe të pronës së tokës, komunizmi në Shqipëri vendosi si aparat social për ekzekutimin e kësaj reforme qendrën e fshatit, banesën familjare dhe rolin e kryeplakut apo të kryetarit të kooperativës. Në vizatimin e tokës kjo u shpreh, nga njëra anë, me një sistem në pamje të barabartë, ndarja e parcelave të tokës të njëjta, dhe, nga ana tjetër, nga vendosja e celulave të njësive me orientim të fortë patriarkal të përbërë nga fshati, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një version më modern i qytezave i kohës së turqve apo i atyre mesjetare paraosmane: me shumë mundësi prishja e traditës mund të kishte paraqitur rrezik politik për pushtetin qendror.
Ky ishte dhe ndryshimi i madh mes këtij konteksti dhe diktaturës së proletariatit në Rusi, ku zbatimi i këtyre reformave territoriale u shoqërua në vitet 1920 me shtysa të forta feministe dhe reformuese për zhbërjen e familjes tradicionale dhe për futjen e çështjes së riprodhimit dhe të kujdesit në agjendën e politikës zyrtare. Kështu Aleksandra Kollontaj propozonte ligjin për të lejuar abortin, zhdukjen e familjes, ndërsa kishte edhe arkitektë të cilët propozonin shërbime kolektive në banesa, si kuzhina, kopshte për fëmijët, për të liruar punën riprodhuese nga krahët e grave. Lenini dhe Trotzkij dhe, deri diku, mbase më shumë në fshat, edhe Stalini, i dhanë po ashtu një shtysë kësaj pjese në raport me emancipimin urban dhe atë fshatar.
Problemi i jugut të Ballkanit në vitet e fundit të socializmave, duket të ketë qenë pamundësia e rrethanave kulturore, politike dhe sociale për të mohuar autoritetin që vetë socializmi fundja e përforcoi; një rol thelbësor për zhbërjen e teorive emancipuese mund ta ketë patur patjetër edhe periudha e cila vijoi pas Luftës së Dytë Botërore. Luftërat janë gjithmonë ato të cilat e nxjerrin segmentin patriarkal të shoqërisë si triumfal: aty ku dhuna manifestohet e institucionalizuar dhe e celebruar, do të thoshte Adornoja. Aty ku rindërtimi kthehet në retorikë për të përforcuar dhe shumëfishuar institucionet e së kaluarës.
2.
Disa dekada më parë, një ndër psikozat dhe depresionet më të shpërndara në Tiranën moderne ishte pikërisht tensioni i brendshëm që u lindi një klase të rinjsh kur u përballen me “autoritetin” e prindit, mësuesit apo të shtetit dhe me qortimin prej tyre, kryesisht kur ky kishte pamje burrërore: “mos e bëj këtë!”; “Çfarë bën kështu?”; “U bëre ti të më mësosh mua?”. Psikologët, po vetë pjellë e këtij konteksti kulturor e social, refuzojnë të pranojnë se një ndër diagnozat më të zakonshme të ditëve të sotme vjen pikërisht nga tensioni, që është vështirë i represueshëm, i cili lind gjatë përballjes me autoritetin dhe me qortimin shoqëror. Kësaj i shtohen të tjera aspekte që lidhen me ofertën kulturore të ulët, me mpakjen e rolit të intelektualëve, dhe me zhdukjen e kritikës si mjet kërkimor dhe si armë opozite.
Në të tilla rrethana, rezultat i një akumulimi nga e kaluara, që përfshin mentalitetin dhe zakonet patriarkale, rolet dhe ndarjet e tyre në hapësirën e shtëpisë, lagjes dhe qytetit, sot shfaqen këta përbërës të cilët bëjnë thirrje për dy nevoja intelektuale thelbësore: 1) nevoja kërkimore që të përfshijë historinë e psikoanalizës dhe mentalitetit të shoqërisë në analizën formale urbane dhe arkitektonike; 2) Dhe, si rrjedhojë, vënia në dialog e këtij tensioni me vendimmarrjet ekonomike dhe fizike dhe atyre të planifikimit dhe arkitekturës, pra strukturës fizike të qyteteve, vendeve ku punohet e banohet. Në rastin e parë, kjo teknikë do t’u vinte në ndihmë studimit, për shembull, të banesës tradicionale dhe moderne nga ana tipologjike: korridori, qoshku, çardaku monumental, janë mënyrat se si arkitektura tradicionale iu përshtat në formë skenografike rolit patriarkal të burrit të shtëpisë dhe familjes. Banesa familjare e ka pasur historikisht këtë aspekt, duke filluar nga oikos-i grek: shtëpia duhet të pasqyronte ndarjen e roleve brenda familjes, gruas e burrit, si në zonimin e hapësirave, po ashtu edhe në veçimin e tyre ndaj skllevërve dhe, në kohët moderne, ndaj fëmijëve dhe shërbëtorëve. Në këtë histori të gjatë, banesa historike shqiptaro-osmane, paraqet artikulime të mëtejshme hapësinore, të cilat shërbejnë për t’i përforcuar këto role. Korridori është elementi më i qartë që shërbeu për të pakësuar sa më shumë kontaktet mes të zotit, gruas dhe fëmijëve. Çardaku, nga ana tjetër, ishte hapësira teatrale “publike”: më së shumti me pamje nga hyrja kryesore e oborrit të banesës, roli i këtij elementi, që e konsiderojmë si trashëgimi të çmuar për t’u mbrojtur, ishte ai i përfaqësimit, vënies në dukje të madhështisë së pronarit, burrit dhe të zotit të shtëpisë, ndaj miqve të tij dhe të qytetit. Këtu qëndron dhe kontradikta kryesore e modernizmit në raport me të shkuarën, që në vend të ballafaqimit, zgjodhi celebrimin e monumenteve të patriarkatit.
Siç dihet mirë, historia e hapësirës shtëpiake është një histori akumulimesh, memoriesh dhe traditash, siç do të thoshte Aldo Rossi. Këto tradita trashëgohen sidomos falë strukturës hapësinore të vendit dhe mjediseve ku njerëzit banojnë dhe ndryshojnë me vështirësi, edhe kur forma dhe tipologjia e banesës ndryshon dhunshëm. Në Socializëm, në fakt, roli i shoqërisë së vjetër u luajt nga zvogëlimi dimensional i apartamentit, i cili u shartua me elementet e traditës së ‘odës së miqve’ dhe mitit të mikpritjes nga ana e burrit dhe e amvisës shërbëtore. Në kohët e sotme, tipologjia e pallatit të ri është e bazuar tek fshehtësia e formës urbane, e cila shfrytëzon punën riprodhuese të gruas dhe të gjithë familjes. E ndërtuar pa plan të vizatuar në tokë dhe kryesisht mbi bazë burokratike dhe administrative, e bazuar kryesisht mbi konceptin e ‘ndarjes së pronave’, forma urbane e Tiranës së sotme nuk është gjë tjetër veçse zhvillimi në lartësi i perimetrave të çrregullta të pronave, pra vizatimeve kadastrale të tokës. Prandaj qyteti është i përbërë nga rrugicat e errëta, që ndonëse celebrohen nga ekonomia e turizmit, në realitet fshehin shumësinë e konflikteve shtëpiake dhe ngacmimeve seksuale në rrugicat e lagjeve gjatë natës.
Ironia më e madhe është se akademia, shkollat e arkitekturës dhe industria kreative i celebrojnë këto aspekte duke u thurur artikuj, albume fotografike dhe guida turistike, si Tirana from the Air, apo guida e Tiranës e publikuar nga Dom Publishers. Arkitektët harrojnë se sot janë tërësisht të ndikuar të mendojnë në bazë të asaj që imponon ekonomia e turizmit dhe orientimi drejt kësaj industrie në vitet e fundit: qytetit dhe historia e tij futen në një shtrydhëz, i cili si rezultat jep një lëng të mbushur me ideologji celebruese për atë që se sa atraktiv është qyteti për t’u vizituar nga ata që vijnë nga jashtë. Arkitektët janë konfuzë: nga njëra anë, nostalgjia për të kaluarën, vilat dhe shtëpizat, edhe pa i ditur historinë shoqërore dhe problematikat, nga ana tjetër, kullat, xhami transparent dhe zhvillimi, deri në pikën sa lëngu i shtrydhur për ta përbëhet nga ideja e ikonës: vila, kulla, shtëpiza, të gjitha bashkë janë për t’u muzealizuar.
3.
Vetë termi arkitekturë përbëhet nga dy fjalët me origjinë greke: arché, që do të thotë të fillosh diçka, por edhe të komandosh; dhe fjala tekton, që do të thotë teknikë artizanale, punë me duar. Problemet me këtë disiplinë fillojnë pikërisht kur kjo ndarje bëhet ende më e vetëdijshme gjatë Rilindjes Italiane në shekullin e 15-të dhe 16-të, kur do të theksohej roli dhe kuptimi i komandimit, i mënyrës urdhërore të profesionit. Kjo kulturë e Rilindjes Urbane të Quattrocentos, që sot e admirojmë për artin, format dhe perspektivat e hapësirave, u bë e mundur falë vendosjes së arkitektit (intelektualit) në piedestal dhe nënvleftësimit të punës së kantierit, që nënçmohej si prej punëtorësh të ndërtimit. Deri në kohën e projektit të Filippo Brunelleschit për Kupolën e Santa Maria del Fiore në Firence (vitet 1420-1436), rolet nuk ishin ende të ndara qartazi: ndërtuesi, arkitekti dhe artizani i kantierit ishin i njëjti zanat.
Ndërsa në rrjedhë të shekujve kjo ndarje po përforcohej, duke kaluar nëpër të gjitha etapat që njohim prej historisë (arkitekti humanist: Leon Battista Alberti; arkitekti artist: Francesco Borromini; arkitekti burokrat: Karl Friedrich Schinkel, etj.), përballja me autoritetin e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë ishte edhe më problematike. Lidhja mes arkitekturës dhe kantierit u bë edhe më e largët, kryesisht e kontrolluar në korrespondencë falë vizatimit në letër. Duke e veçuar arkitektin në zyrë, mes arkitektit dhe punëtorëve të kantierit u futën një sërë aktorësh që jo vetëm segmentonin procesin, por shumëfishonin figurat e autoriteteve, eprorëve, shefave dhe menaxherëve. Vetëm si vazhdueshmëri e këtyre proceseve të nisura kur Shqipëria ishte në një sistem socialist, mund të shihen sot aktivitet ndërtimore në Tiranë. Por, në kushtet e një shoqërie që ka vështirësinë historike të refuzimit të autoritetit. Aq sa edhe psikoanaliza e ka të vështirë ta diagnostikojë atë: shefi mbetet më i zoti.
Po t’u referohemi arkitektëve modernë (të huaj dhe vendas) të cilët operojnë në Shqipëri sot, mund të thuhet se ata, në rolin e tyre prej autoriteti, janë mbase të vetmit të cilët e kanë “vrarë babain”, siç do të thoshte Jim Morrison. Heqja dorë nga ana e tyre e problemit të formës urbane, të raportit me kontekstin urban dhe historik të një pjese të qytetit, thjeshtësia e fshirjes të së kaluarës, janë pikërisht elementet që vërtetojnë se si këta arkitektë i kanë prerë lidhjet me praktikat e “baballarëve” të tyre në raport me format klasike, me formën dhe me tipologjinë si aparatura dialogu me qytetin. Duke arritur në këtë stad mendor, këta arkitektë janë të lirë të imponojnë objektet e tyre me po të njëjtën forcë autoritare si të patriarkut apo të shefit brenda mureve të shtëpisë apo zyrës. Si rrjedhojë, kjo bazë mentaliteti, sidomos në Tiranë, krijoi terrenin ideal për të mbjellë plehun e zhvillimit dhe të politikave që ende sot kritika më e ashpër nuk arrin t’i zbërthejë lehtë. Autoriteti vendos dhe vartësit pranojnë, pa asnjë rrezik kundërshtimi, dhe çfarëdolloj kritike mbetet e pamundur. Ky duket se është raporti në Shqipëri si shtet i bazuar mbi vlerat patriarkale dhe autoritare.
Në të njëjtën kohë, vetë pushteti është i vetëdijshëm ndaj benefiteve të të mbajturit të këtij tensioni aktiv: kështu mund t’u japim pjesërisht shpjegim fenomeneve jo vetëm populiste, por edhe atyre ekonomike në vend: lëvizjet pro familjes, madhësia, sasia dhe shkalla ndërtimore e kullave në Tiranë mbi tokën e pronarëve të mëdhenj, vlerat e burrnisë, zakonet e mikpritjes së të zotit të shtëpisë (sot e vënë në funksion të turizmit dhe të retorikës nacionaliste të partive), paralelisht me aspekte më moderne, si rritja e vlerës së pronës private në qendër, ulja e nivelit kulturor në qytet, paraqiten sipas kësaj perspektive pabesueshmërisht të ndërlidhura dhe të shpjegueshme vetëm në bashkëveprim me njëra-tjetrën. Përsëri, një cocktail vlerash që gjejnë gjithashtu konsensusin si të kritikëve, të të emancipuarve, por edhe të njerëzve të thjeshtë, si në fshat, por dhe në qytet.
© 2024 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.