Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

DY FJALË PËR REZULTATET E “PISA 2022”

nga Bledi Filipi

E nis këtë shkrim duke marrë shkas nga shkrimet në portale, medie dhe emisionet televizive për rezultatet e “PISA 2022″.

Të shumtët kritikojnë mësuesit, një pjesë kurrikulën dhe tjetra nxënësit.

Është e vërtetë që rezultate të tilla janë alarmante jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Kosovën e RMV-në pasi bëhet fjalë për të ardhmen e kombit.

Kam ndjekur me vëmendje opinione e komente të ndryshme rreth rezultateve, dhe dua të theksoj, se është mirë që ka frymë reaguese, por cila është zgjidhja?!

Le të flasim me këmbë në tokë dhe mendje në kokë!

Në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe RMV, ka sindikata arsimi, ka specialistë arsimi, të cilët e kanë mendjen të rrëmbejnë fonde nga BE dhe eksperimentojnë me arsimin. A kanë dhënë ndonjëherë llogari për këto ulje?

Specifikisht do të ndalem në problematikat që hasen në Shqipëri, por para se të kaloj në mendimin tim le t’i hedhim një vështrim raportit të PISA-s 2022:

Gjatë 4 viteve pas rezultateve të programit PISA 2018, aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar, sipas rezultateve të “PISA 2022” të vendeve të OECD.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

Nga ndarja e vlerësimeve për perfomancën e nxënëseve në 3 fasha (fasha e parë përfshinte shtetet me perfomancë më të lartë se mesatarja e vendeve të OECD, fasha e dytë në vendet me mesatare të njëjtë me OECD, fasha e tretë me perfomancë nën mesataren e OECD) Shqipëria u rendit në fashën e tretë, ku u kategorizuan vendet me performancë të ulët nën mesataren e OECD.

Në matematikë, Shqipëria mori vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikët e mundshme në matematikë. Nga vlerësimi i ecurisë së nxënëseve në matematikë krahasuar me programin PISA 2018 Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh më e lartë ndër 80 shtetet e testuara.

Për aftësitë e nxënësve 15- vjeçare në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme. Edhe në lexim krahasuar me rezultatet e 2018-s rënia është 47 pikë.

Për aftësitë e nxënësve në shkencë Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 pikë e mundshmet. Vlerësimi për aftësitë e nxënësve në shkencë rënia është 41 pikë krahasuar me rezultatet e PISA 2018.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria pozicionohet më poshtë, Serbia pozicionohet në vendin e 38-të, me përkeqësim 8 pikë të performancës së nxënësve në matematikë, përmirësim 1 pikë në lexim dhe 8 pikë në shkencë. Mali i Zi renditet në vendin e 50-të me përkeqësim 24 pikë në matematikë, në lexim 16 pikë dhe 12 pikë në shkencë.

Maqedonia e Veriut pozicionohet në vendin e 56-të me përkeqësim 6 pikë për aftësitë e nxënësve në matematikë, 34 pikë përkeqësim në lexim dhe 36 pikë përkeqësim në shkencë. Kosova pozicionohet në vendin e fundit me përkeqësim përkatësisht 11 pikë në matematikë dhe lexim dhe 8 pikë në shkencë.

Ndërsa në pozicionimin botëror vendin e parë në Europë vijon ta mbajë Estonia. Në renditje vendin e parë e mban Singapori, më pas Kina, Hong-Kong dhe Japonia.

PISA është një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, u administrua për herë të parë në vitin 2000 dhe tani mbulon mbi 80 vende. Studimi kryhet çdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi performancën e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rezultatet PISA 2022 do të publikohen në pesë vëllime (2 prej vëllimeve janë bërë publike, ndërsa 3 të tjerët pritet të publikohen në vijim).

Vëllimi I përfshin rezultatet për gjendjen e të mësuarit dhe barazia në arsim. Vëllimi shqyrton performancën e vendeve dhe ekonomive në matematikë, lexim dhe shkencë dhe si ka ndryshuar performanca me kalimin e kohës. Përveç kësaj, kapitali në arsimi analizohet nga këndvështrimi i përfshirjes dhe drejtësisë, duke u fokusuar në gjininë e studentëve, statusin socio-ekonomik dhe prejardhjen e emigrantëve.

Vëllimi II shqyrton të mësuarit dhe karakteristikat e nivelit të sistemit, dhe analizon se si këto lidhen me rezultatet e nxënësve, si p.sh performancën, barazinë dhe mirëqenien e studentëve. Vëllimi gjithashtu paraqet të dhëna se si është organizuar mësimi kur shkollat ​​u mbyllën për shkak të COVID-19.” (B-PISA, 2022:15)

Tani le të kthehemi tek pika që cekëm më sipër, cili është problemi, dhe a ka zgjidhje?

Në radhë të parë në Shqipërinë postkomuniste, pati reforma të thella në çdo fushë, kështu dhe arsimi. Specialistë të arsimit u munduan kaq vite të përshtatnin kurrikulën tonë me atë të vendeve Evropiane. Por a pati rezultat?

Për mendimin tim aspak! Përse? Kaq shumë eksprimentime e kanë katandisur në gjendje alarmante arsimin në vensin tonë.

Patëm një traditë që shumica e kujton me nostalgji, por tashmë ajo i përket të shkuarës.

Ndryshimet në arsim filluan ka herët me gjimnazet duke i ndarë në profile: natyror, shoqëror ky hap dështoi. Më pas u bë një tjetër ndarje, e pa menduar dhe e pastudiuar, ndarja e arsimin parauniversitar në 5+4+3.

Këtu u bë dhe ai hap që unë do ta quaj masakër e lëndës së gjuhës amtare, shkrirja në një. Ka kaq vjet që nxënësit dhe mësuesit i trajtojnë të alternuara dy lëndët: gjuhën amtare dhe leximin letrar (letërsinë).

Kohët e fundit tekstet e shkencave ekzakte a natyrore po vijnë të përkthyera, dhe kjo le për të dëshiruar. Tekstet hartohen nga pedagogë, të cilët më vjen keq ta them, por nuk e njohin botëkuptimin e moshës së fëmijëve dhe në gramatikë paraqesin teori të shumta sa nxënësi lodhet. (Ka raste në gjuhën shqipe kur ata parashtrojnë dhe mendimin e tyre për një çështje, që bien ndesh me Gramatikat e AShSh).

Alterteksti qe dhe mbetet një dështim i cili po çakordon mësues, prindër dhe nxënës. Teksti duhet të jetë i njëjtë dhe në hartimin e tij të marrin pjesë dhe mësues të lëndës, të paktën si sugjerues.

Problematikë tjetër ka qenë dhe mbetet, tejngarkimi i mësuesve me letra të panumërta, si evidenca, regjistër personal, regjistër ditor etj.; kjo u zhduk. Tashmë ka dalë SMIP-i, platformë gjoja e suksesshme, por që nuk është më shumë se sa stërngarkesë për mësuesin.

Tashmë kemi një mësues “modern” afër digjitales, i cili hyn në klasë me laptop dhe nëse ka rrjet të bëjë apelin, të hedhë notat, të kontrollojë detyrat dhe më pas të shpjegojë. Shpjegon me mendjen që të shohë nëse ka rrjet të hyjë në sistem. Kjo është çudia e fundit, mbase ka dhe ndonjë tjetër, por po ta lëmë kaq.

Sa nuk është vonë duhet të ngrenë zërin sindikatat që të mos lejohen më eksperimentime me arsimin, por të lihen të punojnë të qetë mësuesit, pasi e kemi pasur një traditë. Po modernia? Ajo nuk duhet të vijë me furi, por natyrshëm. Nuk ishte momenti që të hynte pas pandemie SMIPI, pasi duhej të rikuperoheshin prapambetjet.

Mbase u zgjata shumë, por për çështjen e arsimit duhet të mendojmë dhe kontribuojmë të gjithë, pasi është e ardhmja e kombit.

© Bledi Filipi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

13 Komente

  1. Jam dakord me shume ide ne shkrim. Por mendoj se para se mesuesit te lirohen nga eksperimentimi i detyruar, duhet te pergatiten si duhet, te jene profesionistë dhe njerez etikë.

  2. Zonja Eda, para se t’u kërkosh të përgatiten si duhet mësuesit të jenë profesionalë, duhet t’i paguash më shumë sesa militantët e zyrave të shtetit e t’u japësh kushtet e duhura për të fituar liri e personalitet profesional… Sa per sindikatat, Bledi, ato duhet t’i kishin ngritur arsimtarët në grevë tashmë…, por ato vetë jane thembra e Akilit… jo more jo janë kancerri i arsimit se e kanë lënë qeverinë e cdo kohe të tallet me mësueist, arsimin e gjithcka qe lidhet me te…

    1. “Keni shume te drejte”, se te gjithe mesuesit gjate diktatures paguheshin fiks sa e kane rrogen sot militantet

      1. Pagat ishin barabar gjate diktatures , por statusi social i mesuesve ishte i larte .Ishin personalitete te komunitetit , te pakten ata/ato qe kam njohur une.Ishte e dhimbshme ne vitet 1990-2000 te shikoje ata qe dikur kishin qene per ne “authority figures”apo “role models” te shnderruar ne pensioniste varfer te cilet numeronin qindarkat ne treg .

    2. Jam dakord qe pagat jane te uleta. Por nuk jane keshtu vetem per mesuesit. Ndoshta duhen krijuar mekanizma shperblimi te diferencuara, por ky lloj diskutimi thjesht rrotullon rrotën e fajit. Eshte e rendesishme te evidentohet niveli i ulet profesional i mesuesve dhe i kategorise studentore qe shkojne ne mesuesi. Pastaj gjenden rrugedaljet. Mesuesit edhe ne vende shume me te pasura e me me tradite se Shqiperia paguhen relativisht keq, ne cdo nivel te mesimdhenies. Por kane tjeter pergatitje dhe sjellje profesionale.

  3. Me falni, une kisha nje pyetje per cilindo qe do te begenise te me jape pergjigje. E kuptoj fare mire testim ne matematike, apo shkence per nje 15 vjeçar. Ajo qe nuk kuptoj, seriozisht, eshte testimi ne lexim…Çfare do te thote kjo egzaktesisht, çfare testohet, shpejtesia e leximit, toni qe perdor lexuesi, se nuk e besoj qe nje nxenes i zakonshem 15 vjeçar te mos dije te lexoje, sepse neqoftese eshte keshtu, atehere me fal, po shkollen e paska mare lumi dhe e ka nxjerre ne det.

    1. Keto rezultate jane te habitshme, pasi ata adoleshente qe takova ne Tirane d.m.th niperit ,mbesat e shoqeria e tyre flisnin anglisht shkelqyeshem (fale netflix) dhe mu duken te dijshem e teper te etur per sukses.Ndonese 20-30 vete nuk perfaqesojne gjithe vendin prape mund te ndihet fryma e pergjithshme e shoqerise e reflektuar ne ta.

      1. Shko neper klasa universitare ne dege te ndryshme dhe do shohesh qe gjendja e anglishtes nuk eshte ajo e mbesave te tua. Nje pjese e Tiranes vazhdon te jetoje ndryshe nga restoja e vendit. Pastaj aftesia e te menduarit te pavarur, e shtrimit dhe zhvillimit te nje ideje, e paraqitjes logjike me goje dhe shkrim te nje teze sado te thjeshte, si edhe bagazhi faktual me njohuri bazike qe jane kusht i nevojshem per mendimin e pavarur, jane po aq te rendesishme sa gjuha e huaj. Une ne te kundert konstatoj nivel shume te ulet dhe mungese busulle per te avancuar dijen. Sido qe ka energji dhe deshira mes te rinjve.

        1. “Pastaj aftesia e te menduarit te pavarur, e shtrimit dhe zhvillimit te nje ideje, e paraqitjes logjike me goje dhe shkrim te nje teze sado te thjeshte, si edhe bagazhi faktual me njohuri bazike qe jane kusht i nevojshem per mendimin e pavarur, jane po aq te rendesishme sa gjuha e huaj”

          Diku lexova se keto cilesi qe pershkruani i zoteronin vetem 10-15% e studenteve ne Indi dhe Kine vende me ekonomi kompetitive ne shkalle globale e cila krijon vende pune dhe ka uri te madhe per njerez me cilesi te tilla. Shqiperia per arsye te ndryshme kuptohet e ka shume me te ulet kete koeficient.
          Reforma e arsimit K-12 pas 1990 duhej fokusuar ne zhvillimin e cilesive te cituara me lart prej komentit tuaj.Universisteti ne ato plus te tjera .

    2. Testohet aftesia per te kuptuar nje tekst, jo leximi si akt.

      1. Flm Ervin, a domethene kjo qe nxenesit qe testohen e shkruajne edhe nje here tekstin me fjalet e veta? Po te jete keshtu, si faktorizohet veshtiresia e tekstit ne vleresimin e nxenesve? Se psh nje proze e Teodor Laços ka nivel tjeter veshtiresie, nga nje proze e James Joyc-it, e kam fjalen ne te kuptuar. Dhe sa me i veshtire teksti aq me veshtire eshte te percaktohet te kuptuarit korrekt te tij. Po qe keshtu, ky test nuk eshte objektiv. Just saying.

        1. Nxenesve u behen pyetje rreth permbajtjes se tekstit apo u kerkohet te shpjegojne me fjale te tjera (te parafrazojne) shprehje te caktuara. Shkalla e veshtiresise se tekstit sigurisht qe nuk mund te matet me peshore farmacisti, por ama eshte e pershtatur me grupmoshen e nxenesve. Pastaj, teksti i dhene, sado i veshtire te jete, eshte po ai per te gjithe te testuarit, ndaj dhe sherben fare mire si nje test objektiv per vleresimin krahasues te nxenesve nga vende te ndryshme.

        2. Flm perseri Ervin. Me fal, por shpiegimi juaj nuk me bind, jo aq sepse me duket i gabuar, por sepse po te jete me te vertete siç thoni ju testi ne vetvete eshte nonsens. Nqs teksti eshte i njejte per te gjithe te testuarit, i bie qe duhet te jete i perkthyer ne gjuhet perkatese. Qe ketu fillon divergjenca objektive ne te kuptuarit e tekstit qe vetvetiu e ben subjektiv vleresimin. Se dyti, besoj se teksti duhet te jete i nje veshtiresie relative, sepse perndryshe do te perbente nje nivel te ulet testimi qe do te rezultonte i pavlere. Vete fakti qe jepen perqindje relativisht te ulta ne kete test tregon qe tekstet nuk jane edhe kaq te thjeshta, gje qe patjeter rrit subjektivitetin e interpretimit te rezultateve. Sigurisht e kuptoj qe nuk behet fjale per kandar farmacie, por nqs statistikisht dritarja e interpretimit te rezultateve eshte e gjere, atehere behet e veshtire te dallosh ndryshimin midis, po themi 56% dhe 72% (shifra arbitrare, kuptohet).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin