Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Libri Shqip

PSE NUK SHKOJ NË PANAIR

nga Ilir Yzeiri

U bë disa vjet që nuk shkoj në Panairin e Librit. Më tremb atmosfera e pazarit që zotëron aty dhe më kujtohen vende si Ura e Milotit apo Këmba e Urës në Rrogozhinë, ku të gjithë sjellin gjithçka për të shitur dhe, po ashtu, po aq, ndoshta dy herë më të shumtë, janë ata që vijnë për ta parë këtë pazar dhe vendi aty kthehet në një skenë groteske. U shtyva më tej dhe kërkova të di kuptimin e kësaj fjale dhe më orientuan te Çabej dhe te Topalli. I pari e nxjerr këtë fjalë vjen nga greqishtja e re ose e mesmja πανηγύρι, që ka hyrë edhe në të tjera gjuhë ballkanike duke përfshirë edhe turqishten. Është fjalë e mbarë gjuhës dhe del që te Buzuku. Ndërsa K. Topalli, po ashtu, e shpjegon si fjalë të mbarë shqipes, me kuptimin « Pazar i madh që zgjat disa ditë ». Është e çuditshme se si ky kuptim i pazarit është ruajtur edhe sot në këtë shfaqje që bëhet çdo vit në Tiranë. Panairi ose Pazari i Librit është një shfaqje që krijon iluzione të rreme për kulturën dhe librin në një vend si Shqipëria, sa kohë që rrafshon hierarkitë dhe e bën librin një mall konsumi që blihet për përdorim si ato pllakat majolike, për t’i shtruar në dyshemenë përtace të trurit të zbrazur. Kompozimi i panairit imiton pazarin dhe në thelb të tij është tezga ose tavolina ku autori shtron mallin, teksa thirrjet për të blerë ( « hajde libra ! ») i kanë zëvendësuar imazhi dhe buzëqeshja.

Forma e paraqitjes së autorit.

Në atë Pazar është e vështirë të kuptosh se çfarë botohet dhe çfarë rrëfehet, sepse vendin e përmbajtjes së librit e zë forma e paraqitjes së autorit dhe komisioneve të Panairit. Panairi është një festë për fëmijët nga mosha 5 vjeç e lart. Edukatoret e kopshtit, mësueset e letërsisë e të gjuhës të shkollave e planifikojnë që një vit më parë si aktivitet artistik vizitën në Panair ose në Pazarin e Librit dhe aty numri i atyre që vijnë vërdallë në katet e Pallatit të Kongreseve është marramendës : të gjithë shëtisin nga kati i poshtëm në atë të sipërmin duke krijuar e rikrijuar imazhin e të gjitha qendrave tregtare dhe tipologjinë e pazarit apo të supermarketit. Pazari i librit apo Panairi edhe kështu nuk ka asgjë të keqe, por na duhet të pranojmë se më këtë mënyrë shpërfaqim një nga anët më të dukshme tonat, që është të qenit sipërfaqësor.

Forma e paraqitjes së autoritetit kritik

Raporti ynë me librin është i vështirë. Sapo mbaron panairi apo pazari të gjithë veshin cepat e mureve me mallin e ri që kanë blerë dhe truri ose ajo pjesë e trurit që duhet të merret me kulturën dhe me librin bie në gjumë. Në qoftë se mes mallrave që konsumojmë përditë dhe nesh vendoset në mes një filtër që është reklama, të dhënat kimike, vlerat ushqyese, cilësia e certifikuar etj., mes librit dhe nesh, pra konsumatorëve ka kohë që nuk ka asnjë ndërmjetës. Institucionet shtetërore që paguhen për të analizuar letërsinë, historinë dhe gjuhën ka kohë që nuk e bëjnë këtë punë. Gjithkush boton dhe vlerëson mallin e tij si t’i vijë. Më qesharake janë ato komisionet që ndërtohen nga panairaxhinjtë që shpallin librin më të mirë të pazarit dhe më groteske pastaj bëhen shifrat që publikon i vetmi ent shtetëror për librin që thotë se shqiptarët në masën 82 % lexojnë libra. Pra, ndër dhjetë shqiptarë që keni rrotull në pallat, në punë, në kafe, në autobus, në rrugë, vetëm dy nuk lexojnë nga dhjetë shpirtra që ecin. Pazari i librit jep një panoramë të shëmtuar edhe për tregun e librit në vendin tonë. Thuhet se pjesa më e madhe e botimeve financohen nga palë të treta, duke filluar nga autorët vetë. Pra botimi i librit është formë e tregtisë private. Cilido mund të botojë një libër dhe mund ta paraqesë atë si të dojë. Mungesa e kritikës letrare dhe e hierarkisë së pranuar nga publiku ka bërë që libri të kalojë në vështrim si rrobat që veshim apo si ushqimet që hamë dhe memoria jonë mbetet bosh.

Edhe në këtë kaos që krijon Pazari i Librit mund të shquash botime dhe autorë me vlerë. Nga larg më kanë tërhequr dy prej tyre, Ilir Ikonomi me librin « Fan Noli- Apostulli » (UET PRESS) dhe një libër i një prej artistëve dhe poetëve më të kulturuar shqiptarë, Skënder Sherifi me librin « Welcome to Paris » (ILAR). Jam i sigurtë që ka edhe libra të tjerë me shumë vlerë, sepse, siç më deklaronte me të drejtë Bashkim Shehu në një intervistë për emisionin tim « ADN », sot letërsia shkruhet më mirë dhe më me cilësi. Ilir Ikonomi, sa për të përmendur një shembull, është ai që e ridimensionoi letërsinë dokumentare biografike dhe botimet e tij për Faik Konicën, Esad Toptanin, Ismail Qemalin e tani në fund për Fan Nolin po krijojnë një traditë të re të letërsisë biografike që i tregon personazhet tona historike me të gjitha dritëhijet e tyre duke kapërcyer kështu modelin e narrativës socrealiste që tregonte jo njeriun, por personazhin e ndërtuar më parë nga megateksti i autorit suprem. Ndërsa libri i Skënder Sherifit është një ditar i jashtëzakonshëm që autori ka mbajtur në takimet e tij në Paris me gjithë ajkën e filozofëve, poetëve, kineastëve këngëtarëve të Parisit të viteve ’80. Me këtë botim vjen jo vetëm historia e tij personale, por edhe ajo që mungon në kulturën tonë- përmbajtja dhe kuptimi i të gjitha rrymave filozofike, letrare e avanguardistë të Parisit rrëfyer nga një autor me një kulturë mbi mesataren e njohur prej nesh, që ka pasur fatin të jetojë me një nga kritikët, poetët dhe personalitetet më të mëdha të kulturës franceze si Pierre Seghers.

Mirëpo, pazari i librit nuk të mundëson evidentimin e vlerave të njëmendëta që ka kjo anë e kulturës shqiptare. Ashtu siç na ka ndodhur rëndom në historinë tonë, ne jemi armiqtë më të mëdhenj të memories sonë kolektive. Nuk e pranojmë atë si entitet më vete që qëndron mbi ne dhe që përfaqëson dhe duhet të përfaqësojë në kohën që vjen imazhin dhe identitetin tonë kulturor. Arketipi ynë i kulturës është harresa sistematike. E shënjuar sidomos pas pushtimit otoman, harresa jonë u mjekua nga Rilindja dhe letërsia e Pavarësisë, por menjëherë pas Luftës Nçl dhe ardhjes së komunistëve ndodhi revizionimi i saj, një pjesë u hoq nga memoria jonë dhe pjesa e mbetur u modelua sipas tekstit të autorit suprem. Pas viteve ’90 memoria jonë u shthur dhe liria nuk na ndihmoi që të ndërtonim institucione që do të na mjekonin memorien kolektive dhe do të krijonin mundësinë që në të të ndërtohej hierarkia e vlerave. Sot pazari i madh i librit shet me të njëjtën lehtësi si librat që përmenda ashtu edhe ato të sharlatanëve të albanologjisë. Madje këta të fundit botojnë me luks më të madh e ftohen edhe jashtë për të përhapur marrëzitë e tyre. Pazari i Madh si Panairi nuk shërben për të bërë këtë vlerësim, sepse libri i vendosur aty në ato tezga njëherë në vit kthehet më shumë në një mall si ato që shiten në supermarketet që janë hapur me shumicë në Tiranë. Ndaj unë nuk shkoj në Panair.

© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

3 Komente

  1. Panairi i librit është një vlerë, ku autorët që nuk përfillen nga publiku dhe e kanë provuar më herët këtë, në vend që të ndjehen si mumje në atë panair, bëjnë mirë që nuk marrin pjesë në të. Unë e shijova shumë panairin e fundit

  2. Industria e librit eshte industri me scarcitet te larte .Vetem 0.025% e librave te botuar shiten me teper se 1000 kopje .Me fjale te tjera nje ne 4000 tituj ngjall nje fare interesi.Por kjo nuk i tremb robt te shkruajne libra pasi secili mendon se ka dicka te rendesishme per ti treguar njerezise.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin