nga Dr. Emilio Çika
Data 24 shkurt 2022, shënjon fillimin e sulmit ushtarak të Federatës Ruse kundrejt Ukrainës. Një sulm që nga shumë pritej të ishte i shpejtë, por që realiteti po tregon se po hyn në vitin e dytë të tij, madje duke ndërmarrë prej kohësh qartazi karakteristikat e një lufte të mirëfilltë. Luftërat moderne të fuqive të mëdha po vërtetojnë se nuk janë të shkurtra, përkundrazi shtrihen në kohë për të realizuar objektivat e tyre. Si shembujt tipikë mund të përmendim Luftën e Ftohtë, luftën në Vietnam, luftën 10-vjeçare të Bashkimit Sovjetik në Afganistan, por edhe pas saj luftën në Irak, Afganistan, Siri.
Lufta në Ukrainë nxori edhe një herë në pah balancat e brishta dhe problemet e thella të cilat karakterizojnë sistemin ndërkombëtar si edhe marrëdhëniet ndërshtetërore.
Nëse do të shihnim në retrospektivë shkaqet që çuan në fillimin e kësaj lufte, atëherë në mënyrë të padiskutueshme do t’i referoheshim rënies dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Shpërbërja e tij solli dominancën e padiskutueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të së mbiquajturës botë perëndimore, të unifikuar në aleancën ushtarake të NATO-s. Për rreth 30 vite sistemi ndërkombëtar pati një lojtar, paçka rritjes së vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake të Kinës, Rusisë, por edhe shteteve të tjera, të cilat lozin një rol rajonal të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, unifikimi i Gjermanisë erdhi si pasojë e një quid pro quo[1] nga ana e ish-liderit sovjetik Gorbaçov – moszgjerimi i NATO-s drejt lindjes. Kërkesë e cila u pranua nga ish-presidenti amerikan i kohës, George Bush, dhe ish-sekretari i shtetit James Baker, duke sjellë një dakordësi midis aktorëve kryesorë ndërkombëtarë të kohës.
John J. Mearsheimer[2], një prej studiuesve dhe teoricienëve më të rëndësishëm amerikanë, thekson se synimi dhe zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, që me administratën Klinton dhe në vazhdim, në vitet 1999, 2004 dhe më pas me Samitin e Bukureshtit, ku u diskutua mundësia e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, tensionoi marrëdhëniet me Rusinë. NATO, de facto, afrohej në kufijtë e Federatës Ruse. Diçka e tillë ishte deklaruar si e papranueshme dhe casus belli nga ana e Rusisë. Sulmi kundrejt Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014 ishin sinjalet që Rusia jepte kundrejt zgjerimit të NATO-s në zonat e ndikimit (backyard) të saj, por edhe rritjes së vazhdueshme të ndikimit të SHBA-së në ishrepublikat sovjetike.
Qëndrim të përafërt me Mearsheimer-in mban edhe Noam Chomsky. Në analizat e tij rreth agresionit rus në Ukrainë qartëson mendimin se paçka se Rusia thyen rendin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare, duke sulmuar një tjetër shtet sovran si Ukraina, balancat ndërkombëtare janë thyer nga tendenca e zgjerimit të vazhdueshëm të NATO-s drejt lindjes, si edhe humbjes së racionalitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai mbështet idenë e pozicionit neutral të Ukrainës duke ilustruar qëndrimin e tij me kazuse të së shkuarës historike, si Austria dhe vendet nordike, të cilat ishin neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, por të lidhura ngushtë me Perëndimin dhe Bashkimin Evropian[3].
Sulmi i Rusisë në Ukrainë mbështet qëndrimin e hapur të Presidentit Putin se tashmë bota duhet të ridimensionohet dhe sistemi unipolar duhet vënë në diskutim. Aneksimi i territoreve në lindje të Ukrainës, por edhe i rajonit të Krimesë, riformaton kufijtë, por edhe vë në diskutim forcën e së drejtës ndërkombëtare – normës mbi të cilën bazohet sistemi i sotëm ndërkombëtar. Shtetet e fuqishme shpesh e injorojnë të drejtën ndërkombëtare. Akoma më e vështirë është që t’u imponosh të drejtën ndërkombëtare fuqive nukleare. E drejta ndërkombëtare ka ekspozuar reagimin e saj të dobët përballë përdorimit të forcës nga Rusia, gjë që nxjerr në pah edhe një herë realitetin ndërkombëtar.
Reagimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ishte nëpërmjet mbështetjes së rezistencës së armatosur të ukrainasve me pajisje dhe furnizime ushtarake, si edhe me sanksione ekonomike. Realiteti na tregoi se as ndërvarësia e lartë ekonomike nuk ka arritur që të pengojë luftën. Kjo tregon gjithashtu realitetin se e vetmja mënyrë për t’u përballur me përdorimin e paligjshëm të forcës është vetë përdorimi i forcës. Si e drejta ndërkombëtare, ashtu edhe institucionet ndërkombëtare (OKB) të vetme nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë ose të adresojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Kjo ka ndodhur jo vetëm me ndërhyrje të tjera ushtarake të mëparshme, si p.sh., të Rusisë në Gjeorgji, por edhe të Shteteve të Bashkuara në rajone të ndryshme pa miratimin e OKB-së.
Sigurisht, që për Rusinë afrimiteti territorial, gjuhësor, kulturor, fetar, por edhe rëndësia industriale dhe gjeostrategjike e Ukrainës kanë ndikuar në gjykimin se popullatat rusishtfolëse duhet të jenë të bashkuara. Nacionalistët në Rusi e shohin Ukrianën si territor të shenjtë dhe pjesë integrale të botës ruse. Zhvillimet e deritanishme të luftës na kanë treguar se gjykimet e Rusisë në mos ishin të gabuara, do të thosha ishin të pasakta. Pasi rezistenca e Ukrainës me mbështetjen e Perëndimit është domethënëse. Akoma më shumë, Perëndimi dhe specifikisht vendet e Bashkimit Evropian reaguan në unison me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në lidhje me mbështetjen ushtarake, humanitare, por edhe sanksionet e vendosura kundrejt Rusisë.
Racionaliteti dhe kuadri teorik në marrëdhëniet ndërkombëtare
Si një konstrukt social moderniteti na ka treguar rëndësinë e tij, ku dallimet me të shkuarën janë të qarta. Në këtë lëmë, edhe teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare i janë përshtatur modernitetit, duke e interpretuar dhe analizuar atë. Ndryshimet thelbësore në sistemin ndërkombëtar sollën edhe zhvillimin e qasjeve teorike në marrëdhënien ndërkombëtare. Studiuesit modernë të teorive të ndryshme, nga realistët, liberalët, neoliberalët, neo-marksistët, dhe deri tek postmodernistët, sigurisht nëpërmjet metodologjive të ndryshme, filluan t’i japin rëndësi analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare.
E parë në këtë këndvështrim është e udhës që të analizohet kuadri teorik që na çon në arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë, e cila duhet pranuar që nuk është një luftë midis dy shteteve (Rusisë dhe Ukrainës), por është një luftë midis dy botëve. Një luftë e cila ka synim të ndryshojë balancat në sistemin ekzistues 30-vjeçar monopolar.
(1) Duke e marrë të mirëqenë se lufta filloi nga aktorë ndërkombëtarë racionalë, në marrëdhëniet ndërkombëtare aktorët racionalë vlerësohen sipas qasjes që kanë kundrejt teorive realiste dhe neorealiste, të cilët janë të interesuara ekskluzivisht për kostot dhe përfitimet, duke maksimizuar interesin e tyre shtetëror. Sipas Matthew O. Jackson dhe Massimo Morelli[4], dy janë përbërësit e nevojshëm për një luftë ndërmjet agjentëve racionalë. Së pari, kostot e luftës nuk mund të jenë jashtëzakonisht të larta. Të paktën njëra nga dy palët duhet të shohë një përfitim potencial nga lufta. Së dyti, nuk duhet të ketë ndonjë pengesë për negociatat, kështu që mund të arrihet një marrëveshje e zbatueshme dhe e besueshme. Në këtë mënyrë efektive racionale vendimmarrësit peshojnë fitimet dhe humbjet nga lufta duke pasur parasysh objektivat, besimet e tyre, mjedisin ndërkombëtar dhe kufizimet. Duke vazhduar më tej, ata theksojnë se në thelb, nëse agjentët racionalë ulen në një tryezë të ndërsjellë me besimin e qëndrueshëm për rezultatin e mundshëm të një lufte të kushtueshme, atëherë ata duhet të jenë në gjendje të arrijnë në ujdi për ta shmangur atë. Të gjitha luftërat përfundojnë me negociata dhe me marrëveshje të ndërsjella.
(2) Sjellja e shteteve udhëhiqet prej kërkimit të interesave kombëtarë ashtu siç shprehet nga kushtet e fuqisë; se shteti është aktori kryesor i marrëdhënieve ndërkombëtare; se politika e brendshme mund të dallojë qartësisht nga ajo e jashtme; se politika ndërkombëtare është një luftë për fuqi brenda një ambienti anarkik dhe se përqasja realiste ka si dinamikë të saj ndryshimin e balancave të fuqisë midis shteteve. Në teorinë realiste, e cila është edhe më dominantia në lidhje me teoritë e luftës, politika ndërkombëtare mund të përkufizohet si një përpjekje e vazhdueshme për ruajtjen dhe shtimin e fuqisë së shtetit, dhe në të njëjtën kohë në zvogëlimin ose kufizimin e fuqisë së shteteve të tjera. Çdo shtet duhet të llogaritë fuqitë e veta për ruajtjen e interesave duke mos shkuar në anarki nëpërmjet përdorimit të forcës.[5] Realistët modernë e analizojnë luftën, por edhe balancën e pushteteve, si procese që nuk lidhen me zhvillimet sociale, por si një institucion të mëvetëm. Kësisoj, lufta në vetvete, është një formë legjitime e ushtrimit të aktivitetit shtetëror.
Shkolla realiste vlerëson se nuk ka harmoni midis shteteve, madje këto të fundit janë në përplasje që shpeshherë shkon deri në luftë. Realizmi ngre në piedestal “fuqinë” si element kryesor në politikën ndërkombëtare. Si e tillë, fuqia është një fenomen shumëdimensional me derivate ushtarake ose jo, ku përfshihen edhe niveli teknologjik, zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet ekonomike, popullsia, kushtet gjeografike dhe strategjike, forma e qeverisjes, ideologjia etj.
Qëndrimi bazë i kësaj teorie është se politika e jashtme ka si objekt të saj kryesor sigurinë e shtetit. Zgjedhjet në çështjet e politikës së jashtme kanë një karakter ontologjik dhe kryhen në bashkëveprim me interesin kombëtar, i cili nuk ka një përshkrim të qartë dhe ndryshon nga një situatë në tjetrën si edhe nga shteti në shtet. Në teorinë realiste, politika ndërkombëtare mund të përkufizohet si një përpjekje e vazhdueshme për ruajtjen dhe shtimin e fuqisë së shtetit dhe, në të njëjtën kohë, në zvogëlimin ose kufizimin e fuqisë së shteteve të tjera. Çdo shtet duhet të llogaritë fuqitë e tij për ruajtjen e interesave, duke mos shkuar në anarki nëpërmjet përdorimit të forcës.[6]
(3) Nga ana tjetër, teoria e balancës së fuqive parashtron shmangien e hegjemonisë si qëllimin parësor të shteteve dhe ka objektiv parësor ruajtjen e një ekuilibri të fuqive në sistemin ndërkombëtar. Teoria parashikon që shtetet, dhe veçanërisht fuqitë e mëdha, do të balancohen kundër atyre shteteve që përbëjnë kërcënimin kryesor ndaj interesave të tyre dhe veçanërisht kundër çdo shteti që kërcënon të sigurojë një pozicion hegjemonist. Teoricienët e ekuilibrit të fuqisë argumentojnë se mekanizmi balancues – i cili përfshin aleancat e jashtme – pothuajse gjithmonë shmang me sukses hegjemoninë, ose sepse hegjemonët e mundshëm pengohen nga parashikimi i tyre për formimin e një koalicioni ushtarak kundër tyre, ose sepse ata mposhten në luftë. Në teorinë e balancës së fuqisë, kërcënimet serioze të hegjemonisë janë një kusht i mjaftueshëm për formimin e një koalicioni bllokues, i cili çon ose në tërheqje të fuqisë kërcënuese ose në një luftë hegjemoniste[7].
(4) Liberalët, në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare, vlerësojnë se jo përherë bazohen në konkurrencën ndërshtetërore dhe konfrontimin anarkik. Megjithatë, pranojnë se sistemi aktual ndërkombëtar është në një gjendje anarkie dhe se marrëdhëniet ndërshtetërore përmbajnë konkurrencë dhe përplasje të mundshme ushtarake. Megjithatë, mbështetin idenë se me përpjekjet njerëzore, është e mundur të eliminohet ose të paktën të zbutet konkurrenca dhe konflikti ndërshtetëror dhe të shndërrohet bota në një vend më paqësor dhe më të sigurt. Origjina e një linje të tillë të menduari mund të gjurmohet në optimizmin iluminist të shekullit të 18-të, i cili e konsideronte të mundur përmirësimin e botës përmes arsyes[8]. Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim, përfshin zhvillimi i së drejtës dhe rregullave ndërkombëtare, zhvillimi i institucioneve ndërkombëtare dhe avancimi i formave ekonomike dhe formave të tjera të ndërvarësisë.
(5) Perëndimi, sigurisht, u bazua dhe mbështeti shtrirjen e tij edhe nëpërmjet proceseve globalizuese dhe të ndërvarësisë ekonomike. Globalizmi ishte ai i cili, përveçse shtriu ndikimin e tij në zhvillimet teknologjike, ekonomike, u përpoq që të ketë edhe ndikimet politike, kryesisht duke përdorur unisonin dhe njëjtësimin e sistemit ekonomik në një botë tashmë monoideologjike. Sipas Thomas Fiedman-it, globalizmi i ka rrënjët në vendet e pasura të Perëndimit, ku u shndërrua në një sistem ndërkombëtar me një rrjet rregullash dhe parimesh. Përhapja e tij, kryesisht pas rënies së Murit të Berlinit, është e gjithanshme, deri në zonat më të veçuara të planetit. Tashmë bota nuk ka më ndarje dhe përplasje ideologjike. Përplasjet midis shteteve nuk kanë më ndasitë ideologjike, por përplasen brenda të njëjtit sistem, atij dominant, neoliberal.
Shpeshherë, qëllimshëm apo jo, përplasja midis Perëndimit dhe Rusisë në Ukrainë shihet si një rikthim i Luftës së Ftohtë. Një perceptim i gabuar, pasi ashtu si edhe theksova më sipër, fuqitë përplasen brenda të njëjtit sistem ekonomik, paçka derivateve të ndryshme të tij. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të Luftës së Ftohtë, disa elemente të shembullit të imperializmit dhe të ndërvarësisë u gjendën në qendër të analizave dhe të qasjes së shumë kundërshtarëve të procesit të globalizimit dhe të mbizotërimit pa kontroll të liberalizmit. Këtu mbështeten dhe teoricientët e studimeve imperialiste, ku atë e shohin si burim i shumë rreziqeve dhe kostove në lidhje edhe me sigurinë. Kjo rrymë e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehet se sistemi ndërkombëtar përbën shprehje të veprimtarisë, zhvillimit dhe kundërtezave të kapitalizmit. Me fjalë të tjera ky sistem karakterizohet nga dinamika e kapitalizmit. Nëpërmjet imperializmit sulmues dhe përplasjeve (luftërave) rriten buxhetet ushtarake dhe rrjedhimisht edhe shpenzimet publike. Për këtë gjë përgjegjësia është e kapitalit, pasi ata janë përfituesit kryesorë nga përplasja. Përllogaritja është shumë e thjeshtë: nëse kapitalistët janë përfitues ekonomik për arsye të luftërave, atëherë ata do të investojnë vazhdimisht për nxitjen e luftërave imperialiste.
****
Kuadri teorik është përherë i nevojshëm për kuptimin sa më efikas dhe të qartë të realitetit ndërkombëtar. Mbi të bazohen dhe zhvillohen praktikat të cilat formatojnë politikat me ndikim shtetëror, rajonal dhe global. Lufta në Ukrainë shfaqi edhe një herë brishtësinë e balancave dhe të sigurisë ndërkombëtare, duke shtuar rrezikun e një përshkallëzimi me pasoja katastrofike. Në këtë këndvështrim, lufta, por edhe rezultati i saj, do të sjellin pasoja të qenësishme në lidhje me formatimin e sistemit ndërkombëtar të së nesërmes.
© 2023 Emilio Çika. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Quid pro quo, sipas Cambridge Dictionary: diçka që jepet ose merret në këmbim të diçkaje, shprehje latine, që u shfaq kryesisht në mesjetë, tek: dictionary.cambridge.org/dictionary/english/quid-pro-quo.
[2] John J. Mearsheimer, “Why the Ukraine Crisis Is the West’s Fault. The Liberal Delusions That Provoked Putin”, tek Foreign Affairs, September/October 2014.
[3] Chomsky: US Approach To Ukraine And Russia Has “Left The Domain Of Rational Discourse”, tek https://rozenbergquarterly.com/chomsky-us-approach-to-ukraine-and-russia-has-left-the-domain-of-rational-discourse/.
[4] Matthew O. Jackson and Massimo Morelli, “The Reasons for Wars – an Updated Survey”, Revised: December 2009 Forthcoming in the Handbook on the Political Economy of War, ed Chris Coyne, botimet: Elgar Publishing, fq 9.
[5] Kenneth N. Waltz, “Anarchic Order and Balances of Power”, tek Robert O. Keohane ed, “Neorealism and its critics”, New York, botimet: Columbia University, 1986, fq 99.
[6] Kenneth N. Waltz, “Anarchic Order and Balances of Power”, tek Robert O. Keohane ed, “Neorealism and its critics”, New York, botimet: Columbia University, 1986, fq 99.
[7] Jack S. Levy, “THE CAUSES OF WAR AND THE CONDITIONS OF PEACE”, Annual Review of Political Science Volume 1, 1998, fq 147.
[8] Matake Kamiya, “The Ukrainian War Viewed from Theories of International Politics”, tek: http://ssdpaki.la.coocan.jp/en/proposals/109.html