Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Libri Shqip

SHTËPIA QË HUMBI NË METAFORË

(Shënime për librin «Shtëpia te selvia[1]», Çabej 2022, të Anisa Markarianit).

nga Ilir Yzeiri

Ka disa emra që në imazhin kolektiv ruhen për një lloj ngjyrimi të veçantë. Të gjithë ata që e njohin narrativën e Tiranës së pasluftës, kanë vënë re që semantika urbane është ruajtur me shenja që, në shumë raste, janë produkt i ndërtimeve strukturore të cilat vijnë nga emërtime që duket sikur shprehin një lloj opozicioni me mbulesën toponomastike të vendosur nga instancat e ndryshme zyrtare. Selvia, Bërryli, Xhamlliku, Derri janë vetëm disa prej tyre. Por ka edhe ndonjë emër që ruhet në memorien kolektive si shënjues i një kohe të caktuar. Anisa Markarian është një prej tyre. Përveç famës që fitoi në moshë të re si aktore, ajo, në një shoqëri tejet të unifikuar dhe të homogjenizuar, i tërhiqte të gjithë jo vetëm me vështrimin ngulitës dhe sytë që dukej sikur vinin nga një realitet tjetër, por edhe me mbiemrin. Ata më të informuarit e dinin që Anisa është vajza e dentistit të njohur me origjinë armene, Agopit dhe, nën zë, të gjithë tregonin edhe për shtëpinë te Selvia.

Tani, me librin e fundit, ne kemi në dorë jo vetëm historinë dhe identitetin rizomatik të Markarianëve, por, përmes rrëfimeve të saj, ne shfletojmë një pjesë të tekstit në të cilin jemi të gjithë nga pak edhe autorë edhe lexues.

Nortrop Frye, esteti i famshëm kanadez në librin e tij « Anatomia e kritikës »[2] duke cituar Aristotelin thotë se rrëfimi letrar ka dy anë është i jashtëm në kuptimin që tregon ngjarjet që kanë ndodhur në një kohë të caktuar dhe i brendashkruar në gjuhë, pra i ndërtuar me anë të fjalëve. Në këtë rast, thotë ai, autori nuk bën tjetër por rishkruan një tekst të hartuar më parë përmes arketipeve dhe simboleve që janë gjenden në rrëfim.

Sapo lexova këtë vëllim me rrëfenja të Anisës menjëherë më erdhi në vështrim Musine Kokalari. Dhe e çuditshme këto të dyja kanë të përbashkët edhe vështrimin. Musine Kokalari, në vitet ’30, në librat e saj « Sa u tunt jeta » (Mesagjeritë shqiptare, Tiranë 1944) apo « Rreth vatrës » (Tiranë 1944), rrëfen historinë e vajzës që lind në një familje patriarkale të qytetit të Gjirokastrës. Në rrëfimet e saj, me ironi dhe me një buzëqeshje të hidhur, ajo tregon se si fati i femrës ishte i parashkruar dhe se, duke u rritur, familja hidhte mbi trurin e saj gjithë rrobën e trashë të kufizimit dhe përjashtimit shoqëror duke e shndërruar nga një fëmijë apo nga një engjëll të pafajshëm në një kategori sociale të emërtuar që më parë nga instancat e ligjit të sheriatit dhe e bënte atë një monedhë shkëmbimi. Gjithë ky shndërrim kryhej nën ritualin e bukur të dasmës apo të fejesës të cilat, në krahasim me heroinën kishin më tepër vlerë sepse ajo, duke u martuar, përjashtohej nga qarkullimi shoqëror.

Këtë rrëfim të këputur këtu duket sikur vazhdon Anisa, por tani në një kontekst tjetër.

Askush nga ne nuk e zgjedh identitetin, por të gjithë jemi një përsëritje në ligjërim e asaj që është shkruar më parë nga ata që na kanë sjellë në jetë. Anisa është e pajisur me tri cilësi që e bëjnë atë shkrimtare dhe autore të spikatur. E para, ka një aftësi vëzhguese dhe një kujtesë filmike të veçantë. Është nga ata shkrimtarë që në rrëfim përdor stilin e kamerës filmike duke qenë trashëgimtare e një identiteti të dyfishtë dhe e dyta fati desh që ajo të lindte në një shtëpi që do të bëhej metafora dhe alegoria e një sistemi dhe e një kohe absurde dhe e treta zotëron një ndjeshmëri gjuhësore të tillë sa të duket që ajo nuk ka nevojë të mendohet, mjaft të ulet të shkruajë dhe suksesin e ka të garantuar.

Nëse në rrëfimin e Musine Kokalarit teksti ishte brendashkruar në simbolikën e kohës që zotërohej nga shtypja dhe prapambetja shoqërore që e shihte femrën si një shenjë që i duheshin mbuluar të gjitha kuptimet, që duhej zhveshur nga të gjitha përmbajtjet, në rrëfimin e Anisës fëmija që lind te Markarianët e ka të përcaktuar që në fillim kuptimin e saj. Qysh në bark, thotë ajo, unë isha ëndërrimtare dhe pak dembele dhe ashtu, me stilin e Musinesë, e tregon ardhjen e saj në këtë botë me modelin e bisedës familjare – si një përgjigje për një pyetje që ia bën dikush. Ajo nis kështu të rrëfejë dhe ka ndërtuar para saj një publik imagjinar, ka një bashkëbisedues të cilit jo vetëm do t’i tregojë sekrete që nuk ia ka thënë askujt, por edhe do ta zbavisë me absurdin që e pret këtë fëmijë ashtu sikundër edhe do ta trondisë kur t’i rrëfejë tmerrin që ajo pa me sytë e saj kur u kthyen në shtëpinë që ua patën marrë. Ajo shtëpi, për disa vite, ishte kthyer në një vend tmerri për shkak se regjimi i sapovendosur e kishte përdorur si hetuesi kriminale.

Tani, ashtu si në rrëfimin frojdian, vetëdija e rrëfimtares do të ndahet në dysh dhe poshtë në nënvetëdije do të qëndrojnë jo vetëm imazhet e katit të përdhes, por edhe historia e dhomës së mbyllur në një kat sipër dhe enigma e babait të saj.

Megjithëse duket si një lojë fëmijësh, por shqiptimi i saktë i mbiemrit bëhet një metaforë që nis e ndërton në vetëdijen e autores një asociacion tjetër. Origjina, babai, prejardhja dhe pastaj jeta e dyfishtë. Tradita në familje, hiri aristokrat dhe korrektesa e babait, nga njëra anë, por dhe bota e standardizuar jashtë. Tani heroina e librit shkëputet nga rrëfimi si në ditar dhe me stilin kinematografik, pra me rrëfimin si një kamera që ndizet dhe xhiron e sjell pamje të montuara në memorien e një artisteje me ndjeshmëri të posaçme, rrëfen një botë të mbuluar me zakone të një kohe që kanë brenda mallin dhe melankolinë. Kështu është tepsia e fatit që i vënë përpara dhe çudia që ajo zgjedh stetoskopin. Fati i parathënë si në rrëfenjat e lashta mban gjallë drejtpeshimin në familje përballë absurditetit të jetës kolektive që është jashtë. Në fjalorin e fëmijës që të kujton disa herë rrëfimtarin e Kadaresë te « Kronikë në gur » futet fjala sekuestrim, pastaj vjen shpejt fëmija i dytë : është vëllai edhe ai me emër të çuditshëm, por të dashur për familjen se riporodhon gjyshin. Jetët paralele, prifti që pagëzon vëllain e atë vetë dhe atmosfera jashtë që ndizet me emrat Syzjarr, Dëfrim apo Guximtar e mbajnë rrëfimin në një nivel të ngrohtë e ironik. Ironi dhe butësi që shtjellohet më tej me kujtimet e fëmijërisë dhe të adoleshencës që ruhen në nofkat me të cilat emërtohen të gjithë si një formë që riprodhojnë në ligjërim atë që psikologët e quajnë si shkak të parë të humorit dhe që është përqeshja e tjetrit përmes një tipari ose ajo që Frojdi do ta quante më vonë emërtimi i një defekti përmes thyerjes së tabusë sidomos seksuale : bufja, quksja, gozhda, qerosi, fantazma veshllapushi, gjirafa, symiu, tartabiqja për të mbërritur te autoironia që Markarian e përdor lirshëm si : Topolakja, Miss Domatja, Gjirafa apo Qafëlejlekja.

Sado që ne përpiqemi ta vendosim veten tonë në kategoritë që na përcaktojnë të tjerët dhe sado që diktatura përpiqet të rrafshojë të gjitha dallimet në emër të ndërtimit të një rituali tjetër, njerëzit janë të dënuar të jetojnë dhe të ndiejnë emocionet apo dëshirat që prodhon mosha në rritje e sipër. Anisa ka një lehtësi të admirueshme për të treguar hartën e ndjenjave që përjetojmë të gjithë nga fëmijëria e hershme në pubertet e në adoleshencë. Por, ndryshe nga një ditar i zakonshëm, ajo, me zotësinë një artisteje të formuar, e përzien rrëfimin me copëza nga historia e familjes së saj. Si padashur zbulon se kjo e babait qenka kurora e dytë, pastaj merr vesh se i ati ka qenë i martuar, por e shoqja i ka vdekur. Me qenë se parimi që organizon rrëfimin e saj është adhurimi dhe dashuria për prindërit, ajo rrëfen se tragjedia në këtë familje i ka bërë këta njerëz që të besojnë në disa parime të veçanta që vijnë nga një realitet tjetër. Vëllai i gruas së parë që jeton në Egjipt, historia tragjike e të atit që ka shpëtuar nga masakrat e turqve mbi armenët, ardhja në Shqipëri, vëllazërimi që kanë gjetur këtu dhe mirëkuptimi me shqiptarët, e ka bërë këtë familje të besojë se në jetë mirësia, paqja, dashuria dhe përunjësia janë vlera universale dhe Anisa Markarian e quan veten me fat që ka lindur në një familje të tillë. Adhurimi i saj për babain ka diçka prej adhurimit kristian e mistik për atin.

Jeta ikën shpejt dhe kujtimet tragjike ia lënë vendin jetës në absurd ku të gjithë janë bërë si lodra të një fati qesharak. Habeamus kanaçe, vjen pas gëzimit për një aparat televiziv. Plazhi në Durrës evokon një jetë ku thjeshtësia dhe paqja në mjerim ruajnë një nostalgji që nuk ka të bëjë me kohën ideologjike.

Kur po lexoja këto rrëfime të Anisës kam shfletuar edhe një herë romanin « Bretkosa » të shkrimtarit kinez fitues i Nobelit në vitin 2012 Mo Yan dhe aty kam gjetur të njëjtën ironi në riprodhimin e jetës përmes sloganeve. Anisa e ritregon atë anë të jetës sonë si një realitet të një kohe kur te gjithë ishim të mbështjellë në ligjërim me parulla të drunjta të cilat ripërsëritnin tekstin e autorit suprem.

Jashtë është mbulesa e trashë e tekstit ideologjik, ndërsa mbrëmjet në shtëpi, sidomos në dimër, janë të ngrohta dhe në një prej tyre flitet për Musa Dagun dhe tragjizmi i popullit armen rri në sfond të rrëfimit si një lajtmotiv i trishtë.

Rrëfimet e këtij libri janë të mbushura me atë koloritin e papërsëritshëm familjar që është në themel të çdo familjeje qytetare. Por këtu ne mësojmë jetën e një komuniteti intelektual që i ka dhënë shkëlqim Tiranës me dinjitetin dhe praninë e tyre. Anisa Markarian bëhet kështu alter egoja e një hapësirë të kryeqytetit që identifikohet me urtësinë, talentin, përunjësinë dhe bëhet, po ashtu, dëshmitare e një virtyti të shkëlqyer të kryeqytetasve, por edhe të shqiptarëve në tërësi, që është dashuria për tjetrin dhe jo urrejtja, vëllazëria dhe jo armiqësia. Këto virtyte janë vizatuar në atmosferën e një kohe që është shenjuar nga diktatura që zotëroi për gati gjysmë shekulli. Mirëpo rrëfimi i Anisa Markarian të bën për vete me aftësinë për të rrëfeyer në të njëjtën kohë dashurinë universale, mirëkuptimin mistik, nga njëra anë dhe jetëm e ideologjizuar dhe të mbytyr nga dhuna, në anën tjetër. Këtë realitet ajo e ka traguar me tragjizmin tronditës në romanin e saj « 15 ditë prilli ». Në atë roman ajo e ka vizatuar diktaturën me një rrëfim të pamëshirshëm. Duke treguar historinë e kadavrave në fakultetin e mjekësisë ajo, jo vetëm ka bërë autopsinë e asaj shoqërie, por ka treguar indet e atij sistemi që, për fat të keq, për kundërshtarët e tij politikë, ishte i pamëshirshëm.

Si përfundim, nëse ti hap faqen e parë të romanit duhet të jesh gati se para teje fiken dritat, ndizet projektori lart mbi kokën tënde dhe ti duhet të ulesh sepse atë ndjesi ke : sikur je në një kinema dhe filmi që ti sheh është makabër, i vërtetë, ngjethës por edhe realist, jo patetik.

Ndërsa me rrëfimet e « Shtëpisë te Selvia », ti ke ndjesinë se po sheh një film pa zë të xhiruar nga një kamera amatore 8 mm që po tregon historinë e një familjeje të qetë, herë brenda në një shtëpi të madhe, herë në një plazh  ku ka pak çadra dhe shumë njerëz të shtrirë në rërë dhe pastaj në fund, një vajzë e gjatë në një qytet të bukur po absurd që vrapon me një biçikletë për të shpërndarë ftesa, si një lajmëse që na fton në një takim që presim të bëhet ndoshta vitin tjetër.

© 2022 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Anisa Markarian, « Shtëpia te Selvia » Rrëfime nga e kaluara e afërt ÇABEJ 2022, Tiranë.

[2] Northrop Frye, Anatomie de la critique, nrf, Éditions Gallimard, 1969, p. 47.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin