nga Bujar Meholli
Në ditët e sotme teknologjia ka lehtësuar shumë gjëra, qoftë nga ana e komunikimit, qoftë në kërkimin e materialeve/informacioneve që janë me qindra-mijëra sall me një klikim në Google e sajte tjera të panumërta – por haraçi që po e paguajmë si njerëz është zhveshja nga ndjenjat, rrjedhimisht humbja e durimit dhe venerimit të diçkaje ashtu siç i ka hije. Çfarë dua të them me këtë? Jemi dëshmitarë se sot njerëzit, një masë e madhe e tyre le të themi, nuk kanë dot durim fjala vjen për ta dëgjuar/ndjekur fund e krye një operë të Verdit, për ta lexuar me nge një roman të Proust-it apo për të parë një film të kohëve të shkuara. Kam përshtypjen se njerëzit bashkëkohorë vuajnë nga mikrobi që po e quaj padurim. Pra, mikrobi i padurimit. Sapo i hedh një sy ekraneve televizive do të shohësh dendur emisione të formatit entertainment ku shoqi-shoqit, si të thuash, ia bën “rrafsh” duke qeshur me zor me shakatë, duke u munduar që me sforcim t’i bëjnë gjërat më të bukura, “spontane”. Ky vërshim i falsitetit kolektiv nuk është veçse pasojë e këtij mikrobi; nuk denjon askush të shpenzojë kohë për të organizuar diçka të mirë, ngase sot gjërat funksionojnë, mesa duket, për mrekulli edhe kështu siç janë, sipërfaqësore e të gënjeshtërta! Të flitet për librin është trend, por jo të lexohet. T’i propozosh dikujt ta lexojë këtë roman apo atë përmbledhje poezish, proporcionalisht do të thotë se tjetri ka për të ta bërë “rrafsh” duke thënë “po, patjetër që do ta lexoj, faleminderit për sugjerimin!” kurse më vonë do t’i lexojë dy-tri fjalë në ndonjë “review” për të pasur material që të flas rreth autorit dhe librit që i ke propozuar. Në masë të madhe ndodh kështu rëndom. Asaj që dua t’i mëshoj është kjo: situata e tillë ku padurimi bëhet qenësor në shoqërinë tonë, i kushton rëndë kulturës, artit, në përgjithësi jetës socio-politike. Sepse krijon njerëz-robotë! Krijon pedagogë, nxënës, artistë, shkrimtarë, politikanë të nesërm që udhëhiqen nga e lehta, sipërfaqësorja, që bren gjithçka të arrirë me mund, gjithçka që ka themel, shkurt: gjithçka të rëndësishme!
Kur takohem me profesorët e mi të letërsisë jam shumë kureshtar ta di si ka funksionuar jeta shoqërore gjatë viteve ’70-’80. Në Prishtinë kur ekzistonte “Rilindja” – promotori më i madh i përhapjes së librit, zhvillimit të kulturës, ura më e fortë dhe e qëndrueshme e lidhjes me botën përmes artit dhe letërsisë – jeta kulturore ishte jashtëzakonisht e pasur. Mënyra se si funksiononte “Rilindja” ishte shëmbëllimi i gjithë hierarkisë shtetërore e sociale. Rend, rregull, punë e përkushtuar, rezultat i pabesueshëm: gjithë ata autorë shqiptarë të nxjerrë në pah, gjithë ata shkrimtarë të huaj të përkthyer për lexuesin shqiptar; pra, te “Rilindja” bëhej punë serioze dhe e durueshme, secili kishte detyrat e veta dhe puna filtrohej në mënyrë që produkti final të jetë sa më i realizuar. Po t’i përmend emrat e autorëve të huaj që “Rilindja” ka sjellë për lexuesin shqiptar, lista do të ishte e gjatë: Daudet, Tagore, Sartre, Camus,… janë vetëm disa nga ta. Durimi profesional është krucial në arritjen e diçkaje! Në të kundërtën s’ka veçse nguti që mandej transkriptohet në konfuzion, keqinterpretim e përfundimisht kaos. Pse kemi degraduar në këtë masë mu tani kur paradoksalisht gjithçka është e lehtë, e kam fjalën te shkrimi, lehtësia e sotme nuk mund të mohohet – shkrimi, korrektimi, bëhen lehtë në kompjuter, por rezultati lë shumë për të dëshiruar! Në Radio Prishtinën e atëhershme, këngëtarët prisnin për t’u futur në studio dhe për të incizuar, sot kjo gjë bëhet me shpejtësinë e dritës, këngëtarit nuk i merr më shumë se 2-3 orë. Megjithatë padurimi bashkëkohor, ky mikrob, na ka sjellë një aradhe të tërë këngëtarësh “pa mikrofon” meqë shumë nga ta kryejnë intervenime vokale për t’u tjetërsuar e për të tingëlluar gjoja më mirë te veshët e dëgjuesve, por shkurt fjala: nuk dinë të këndojnë! Kanë hyrë në skenë, një djall e di se si, dhe nga padurimi i trendit bëjnë këngë çdo javë, për cilësinë e së cilave besoj s’është nevoja të ndalem më gjatë! Po t’u hedhësh një sy teksteve të këngëve të mëhershme, po t’i dëgjosh, në çastin e parë ngjizesh me tingujt, vokalet, tekstet e atyre artistëve që kanë pritur me orë e javë për ta zënë një vend në studio për të incizuar. Durimi, serioziteti, dhe pasioni i tyre përkthehet në produktin final artistik: ka grupe të tëra shqiptare e këngëtarë solo që e kishin të qartë çka donin, cilit zhanër i përkisnin, çfarë vokali posedonin, çfarë tekstesh këndonin (për tekstet përkujdeseshin poetët e njerëzit e zanatit: ata që dinë të thurin vargje këngësh, lyrics). Kurse sot nga padurimi këngëtarët e tekstshkruesit thurin dy-tri fjalë dhe i shkëmbejnë në Viber për t’i kënduar më pas shpejt e shpejt nën një rrëmujë tingujsh të njohur si vijë melodike, pjesët tjera përfshijnë itinerarin e videoklipeve sepse këtu rrah çekani, këtu është poenta – t’i dehin pseudodëgjuesit me pamje potente, vajza të bukura nudo, plazhe, makina super të shtrenjta, shampanja e çka tjetër jo – mandej vjen qershia mbi tortë, milioni i ëmbël, shikimet/views në Youtube, i cili në kohë rekord shumëfishohet, bëhet 5, 10, 20, 40… 100 milionë views. Ky është eteri i artistit të sotëm meskin dhe masës pa kurrfarë shije, pa sens kritik, thjesht ndihmuese që aksh “këngëtari/artisti” të krijojë pasuri të patundshme, koncerte të mbushura ku “interpretohet” live me DJ, makina, gardërobë… t’i ikë pagesës së tatimit, t’i mbushet mendja se është yll dhe ta ftojnë nëpër studio për t’i treguar peripecitë në “krijimtarinë artistike” derisa jo rrallë herë çohet natën dhe pickon veten duke mërmëritur “vallë a mos jam në ëndërr, e vërtetë është gjithë kjo?” (!)
Njëjtë ndodh edhe në pedagogji e letërsi: aty po ashtu ka lëshuar rrënjët padurimi. Mund të hasësh profesorë tek flasin për librat por kanë harruar cili është libri i fundit që kanë lexuar fund e krye, ngase të njëjtit preokupohen me gjëra tjera, nuk ju premton koha për një libër voluminoz. Profesorë janë ata tekefundit, dinë, kanë aftësi të flasin për librin edhe pa e lexuar deri në fund! Një pjesë e atyre që sot thirren shkrimtarë i kanë larë duart me librin: ata shkruajnë duke lexuar paralelisht pak fragmente aty-këtu, ndonjë “poezi instagramiane”, ndonjë thënie “motivuese”, bëjnë ndonjë vizitë të shpejtë në internet për aksh shkrimtarin sa për ta ditur kur ka lindur dhe ka vdekur e çfarë ka shkruar dhe për të thënë mandej se e kanë model; e gjithë kjo është e mjaftueshme për t’iu futur procesit të shkrimit, sepse padurimi i sotëm nuk lejon t’u hysh me nge autorëve, t’ua lexosh krijimtarinë, të lexosh kritika për veprat, të gjurmosh stilin, të punosh me gjuhën që ajo të jetë poetike, kështu ta rritësh bagazhin intelektual. Kjo punë është e rëndë, dorën në zemër, sfilitëse, merr kohë dhe mund – të fitosh dije nuk është asnjëherë lehtë! Përkundrazi. Duket se është njëfarë “mallkimi” që i zë njerëzit mendimtarë, ata që kanë durim dhe merren me këso gjërash, fjala vjen, shohin të gjithë filmat e Charlie Chaplin-it xhiruar këtu e 100 vite më parë, dëgjojnë kompozimet e Bach-ut, dërrmohen nga filozofia e Schopenhauer-it e Nietzsche-s, lodhen nga përshkrimet e hollësishme të Balzac-ut apo Schulz-it, lexojnë poezitë komplekse simbolike të Baudelaire-it e Mallarmé-s. Studiuesit e letërsisë e dinë se gjëja themelore është të lexohet teksti letrar, është idiotësi të mendohet për çkado para se të lexohet teksti origjinal; mendoj se shpëtimi i kulturës është te dezinfektimi nga mikrobi i padurimit që po na kalbëzon kolektivisht; njeriu duhet të dijë se ç’do, qoftë profesor, qoftë student; pas përcaktimit vjen puna e madhe, e palodhshme, vetëmohuese, për përmbushjen e aspiratave që i ke vënë vetes.
(c) 2022 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.