nga Alen Bejko
Problemi i përhershëm me dr. Jordan Petersonin është papërcaktueshmëria – psikolog, pedagog, autor, intelektual publik, demagog? E njëjta vështirësi vlen dhe për sistemin – apo ndoshta koleksionin – e besimeve që predikon në libra, ligjërata e intervista. The Atlantic e përshkruan si “model krejt të ri intelektuali publik, diku ndërmjet Mark Aurelit dhe Martha Stewartit” e “avatar të klimës sonë të polarizuar mediatike”, ndërsa The New Yorker si “një lloj të pazakontë celebriteti, ligjërues i rreptë e trillan që mban fjalë me orë, duke përzierë polemikat me pep talks”.[1][2]
Fakti mbetet që dr. Petersoni është shndërruar njëkohësisht në autor e ligjërues i dashur e tmerrësisht popullor i self-help dhe gjithashtu në viellard terrible e zëdhënës i rrymave të diskutueshme të së djathtës alternative anembanë botës. Kjo pse filozofia e tij disi tradicionaliste e mbështetjes te vetja dhe përgjegjësisë individuale është tejet e zhdërvjellët ideologjikisht. Pa marrë detyrimisht pozicione koherente, kundërvënia e tij ndaj korrektesës politike dhe politikave gjinore e identitare integrohet lehtësisht dhe i jep lustër akademike mesazhit të së djathtës autoritare.
Kështu, është e papritur që dr. Petersoni të shfaqet një ditë të bukur, në zyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës e që ky i fundit ta lajmërojë në rrjetet sociale me këtë tekst shoqërues:
Ishte kënaqësi ta nisja ditën me Dr. Jordan Peterson – një nga mendjet brilante të kohës sonë, me të cilin ndava shumë ide për transformimin e Tiranës, zhvillimin e qytetit apo hapësirat pedonale, por e njoha edhe me harmoninë unike fetare që ne shqiptarët e mbrojmë prej vitesh.
Përse kjo dëshirë për t’u asociuar publikisht me dr. Petersonin? Sigurisht, ai mund të ketë një perspektivë të vyer për urbanistikën e Tiranës apo për afterthought-in e harmonisë sonë ndërfetare me nam – edhe pse nuk ka bërë emër në këto lëme – por kjo nuk e sqaron mikpritjen. Fundja, bashkia, njëlloj si qeveria qendrore, i përket një maxhorance nominalisht socialiste e liberale – pra, pikërisht atij kahu politik i cili ka nistuar ndërkombëtarisht shumë prej politikave që kundërshton doktori i mirë. Madje, pozita ka bërë vijimisht bujë me një ndër to, përfaqësimin e grave në Kuvend e në poste qeveritare, sado që në rastin konkret kjo është në thelb masë estetike.
Duke gjykuar tekstin e varfër të njoftimit, ka plot të ngjarë që të ketë qenë një photo-op i atypëratyshëm dhe që kushdo ta ketë organizuar, të mos u ketë hyrë nuancave ideopolitike të çiftit Veliaj-Peterson. Ka po ashtu dhe një element të shkarkimit të bagazhit ideologjik nga ana e një shumice që ka hyrë në vitin e nëntë të qeverisjes – pas një kohe kaq të gjatë qëndrimi në pushtet kthehet në synim thjesht funksional. Nga ky këndvështrim, pjesëmarrja e dr. Petersonit në pritje nuk ka aq rëndësi sa krijimi e shpërndarja e eventit të takimit me një figurë të huaj të shquar, çka mund ta kryente po aq mirë Noam Chomsky apo Slavoj Žižeku, për të kaluar majtas.
Personalisht, prirem të anoj nga leximi i këtij kolazhi ideologjik si lojë interesi. Në mungesë të ideve të reja a dallimeve të mirëfillta me opozitën, neoliberalizmit kockëdalë të administratës i duhet të performojë për galerinë. Karizmën e liderit e zëvendëson pranueshmëria e gjerë e tij, të qenit “gjithçka për të gjithë”, për ta thënë me Shën Palin. Kjo nënkupton, mes tjerash, braktisjen e asaj pjese të ideologjisë e programit që i ka dalë boja me kohë – bie fjala, socializmin anakronik third way të importit – dhe ndërrimin e saj me atë çka ngjit në zeitgeist-in shoqëror, si dr. Petersoni. Në këtë mënyrë, eurosocialisti cool e progresiv i mbrëmjes gdhihet kryqtar i vlerave tradicionale e iniciativës vetjake, pa shkarë asnjë çast nga kolltuku.
Kureshtar këtu nuk është kooptimi nga pushteti i vlerave që bien formalisht ndesh me të, por valenca e dr. Petersonit dhe mënyrës self-help që e përligj këtë qasje. Qartas, një cep i botës thuajse i paprekur nga political correctness e culture wars nuk mund të shfaqë të njëjtën rezonancë shoqërore ndaj një polemisti që i trajton gjerësisht këto tema. Rrethanat ekonomike dhe kulturore e pamundësojnë heqjen e paraleleve të mirëqena ndërmjet jetës politike të shoqërive perëndimore dhe asaj shqiptare. Ndërsa përpjekjet e herëpashershme të disa figurave të djathta për të krijuar lidhje me rrymat alternative të partive simotra, janë veçse tentativa inorganike për të riformuluar identitetin e tyre politik përmes kopjimit.
Jo; popullariteti i tij qëndron pikërisht te librat dhe leksionet që përbëjnë veprimtarinë kryesore të tij: predikimin e ungjillit të vetë-realizimit dhe të kontrollit individual mbi ngjarjet. Kjo mbart plot kuptim, pavarësisht dallimeve që cekëm më lart, në një shoqëri të hyrë në fazën terminale të pashpresës, në të cilën thuajse nuk ekziston perspektiva për zhvillim vetjak dhe ku çdo përparim varet shumë nga marrëdhëniet shtypëse me strukturat e pushtetit. Në këtë drejtim, self-help-i lejon racionalizimin e vështirësive dhe të zgjidhjeve të tyre në nivel individual, çka lehtëson e qetëson njerëzit dhe ndoshta mbron pushtetin nga kritika më e thellë e sistemike e shkaqeve të problematikës.
Fakti është se, ndër elementet thelbësore të qasjes së dr. Petersonit, është dhe “infrastruktura” që mundëson kushtet që e lejojnë zgjidhjen – shoqëria relativisht e zhvilluar, e drejtë dhe e pakorruptuar perëndimore. Në mungesë të saj, përpirja e librave dhe leksioneve të tij nga ana e një pjese të shqiptarëve kalon nga një suazë disi idiosinkratike për jetën në cargo cult, ku agency-në e përftuar kësisoj nga individi e zëvendëson një besim iluziv në zgjidhjet e gatshme.
Problemi nuk qëndron te zgjedhja e këtij besimi apo te vlefshmëria e tij – të dyja këto janë çështje subjektive. Shqetësues është leximi i qëndrimeve të dr. Petersonit në lente thuajse përjashtimisht alt-right e autoritare, çka ai e kundërshton, por që nuk e ndryshon perceptimin publik. Përkimi i një zbrazëtie kulturore të shtyrë nga kriza e besimit në të ardhmen me nevojën politike për t’u rishpikur krijon lloj-lloj mundësish për ardhjen e formave dhe rrymave të reja autoritare. Duke parë ndikimin e tyre shkatërrimtar në demokraci të mëdha perëndimore, është krejt me vend të shqetësohemi për pasojat që mund të kenë në Republikën tonë tejet të brishtë. Në mos, diç ka për t’u kalbur vërtet në mbretëri të Danimarkës.
© 2022 Alen Bejko. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
[1] Lewis, Helen. “What happened to Jordan Peterson?” The Atlantic, prill 2021. Web: https://www.theatlantic.com/magazine/archive/2021/04/what-happened-to-jordan-peterson/618082/
[2] Sanneh, Kelefa. “Sort yourself out, bucko.” The New Yorker, 5 mars 2018. Web: https://www.newyorker.com/magazine/2018/03/05/jordan-petersons-gospel-of-masculinity