Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Filozofi

BOTA ME TJETËRI DHE BOTA PA TJETËRI (II)

nga Eris Agolli

(ese krahasuese e personazheve Robinson të Daniel Defoe-s dhe Premti (Vendredi) të Michel Tournier-it)

Pjesa II: Bota pa tjetëri[1]

Tensioni mes botës dhe jo-botës që prodhon një botë.

“Por, pak nga pak, në gjysmë-errësirën e gjelbër objekti u tjetërsua në një lloj cjapi të egër, me qime shumë të gjata. Robinsoni pati një drithërimë frike supersticioze, teksa ftillonte se do të duhej të përballej me këtë kafshë të çuditshme, pa arritur të paktën të bënte një gjysmë –kthesë. Ishte qenia e parë e gjallë që Robinsoni kishte takuar në ishull. E kishte vrarë”.[2] Robinsonada e Tournier-së është një përmbysje e robinsonadës së Defosë në planin e tjetrit. Pasazhi i cituar e shpreh qartë që Robinsoni i Tournier-së kategorikisht nuk e pranon tjetrin dhe as tjetërinë. Cjapi për të simbolizon armikun, i cili duhej shfarosur, ndërsa tek romani i Defosë, Kruzoi shpalos ndjenja miqësie ndaj cjapit. Një prerogativë e parë kjo që bën të krijosh një mënyrë të lexuari të të gjithë romanit. Vijueshmëria në ishull i Robinsonit të Tournier-së do të reflektojë mungesën e botës. Ai konstaton se ishulli ishte i pabanueshëm, por nuk shfaq ndjesinë se do ta banojë atë. Robinsoni i Tournier-së e ka kuptuar se banimi i tokës, kthimi i saj në territor, do të sillte një botë të re dhe sa më tepër ai të ndërtonte këtë botë, aq më shumë do të shkërmoqej bota prej nga vinte, krejt në qasje të kundërt nga Robinsoni i Defosë. “Jo vetëm këmbëngulte të besonte që qëndrimi këtu nuk mund të ishte me afat të gjatë, por, përmes një frike supersticioze, i dukej se duke bërë çfarëdo qoftë për të organizuar jetën mbi këto brigje, hiqte dorë nga gjasat që priste t’i vinin së shpejti. Duke i kthyer shpinën tokës me kryeneçësi, nuk i kishte sytë veçse në sipërfaqen e kërcyer dhe me shkëlqim metalik të detit, prej nga ku do të vinte së shpejti shpëtimi.”[3] I zhytur në këtë tokë ishullore mendimi i parë ishte shpëtimi, largimi prej saj. Kjo jo për faktin e një optimizmi të çartur për një shpëtim të shpejt nga ndonjë mrekulli, por vetja e tij nuk mund të ngrinte dot një botë, sepse shkëputja nga vetëdija për botën e mëparshme ishte e pamundur. Si një subjekt me defekt, ai nuk e kuptonte ose më mirë e kuptoi më vonë se mund të mbrunte një botë të mbartur tek bota e re. Si i pa botë, konsumonte ushqimet e ish-botës dhe mendonte për ndërtimin e një anije shpëtimi.

Leximi i biblës të mbetur nga përmbytja e anijes sjell ngjyresat e jo-botës. Përplasja me qenin dhe egërsia e treguar prej këtij të fundit, vërtetojnë sërish se bota mungonte. Ndihet mungesa e kohës, një botë pa kohërrjedhje si një botë e cunguar nga dimensioni i saj. Toka e huaj ishte e vështirë për t’u territorializuar, sidomos kur nuk ishte ky qëllimi. Dështimi në lëshimin e barkës në det e bëri Robinsonin të reflektonte për metamorfozën që pësonte duke qenë vetëm, por përsëri mendon se tjetri përbën një hutesë, na vështirëson të menduarin dhe na shqendërzon vazhdimisht. Si tek robinsonada e Defosë dhe këtu, përjetimi i situatës kufi të vdekjes nxit vrullin e bërje së botës. Pas tensionit të përjetuar në brendësi të vetes, ku përplaseshin fort bota prej nga vinte dhe bota ku perspektivisht do të ndodhej, ashtu si dhe halucinacioni me motrën e vdekur, do të shpërthejë në një forcë bërjeje. “Ishulli ishte mbrapa, i madh dhe i virgjër, plot me premtime të kufizuara dhe me mësime të ashpra. Do t’i dilte zot fatit të vet. Do të të punonte. Do të ushqehej pa ëndërruar më dasma me nusen e vet mizore, vetminë.”[4] Gjatë bërjes së botës dhe aktualizimit të vendimit të marrë, arrin të krijojë një botë të mendjes, që është log-book. Në vijim do të shihet sesi mendimet, refleksionet, ngjarjet e shkruara aty tentojnë të na japin ndjesinë e tjetrit, veçanërisht në rrjedhën kuptimore të leximit të romanit. Në disa raste, Tournier e vendos bërjen e banimit dhe të botës së re në ishull më radikal se Defoi, duke krijuar një Robinson që i vendos emër ishullit. Po i njëjtë si tek Robinsoni i Defosë banimi i ishullit bëhet me reminishenca nga bota e largët, prodhimi i grurit, kalimi në fazën e bujqësisë dhe blegtorisë tregojnë qartë që bërja e botës ishte kryer e ishte banuar prej tij.

Me gjithë arritjen e këtij stadi ku me durim Robinsoni ka ndërtuar, organizuar dhe urdhëruar, përsëri në mendime e gjendje reflektohet një atmosferë vetmie. Robinsoni i Defosë ishte vetëm por jo i vetmuar, ndërsa Robinsoni i Tournier-së ishte i vetmuar por jo vetëm. Reflektimet në log-book tregojnë për një mendje të kthjellët që po e kupton se ka nisur procesi i dehumanizimit. Marrëdhënia e tij me gjërat përreth ndihet e denatyruar. Mbetja si një subjekt i vetëm, veç me një pikëpamje që buron prej këtij ishulli. Një e vetmuar që prodhon dyshime për realitetin dhe për sendet që zotëron.

Nga gjithë kjo vetmi kalohet më pas te përplasja me një gjurmë, që çuditërisht nuk sjell aludime të shumta për tjetrin. Një çinteresim jo total, por i ndjeshëm. Tjetëria si botë e mundshme nuk përmbushej, me sforcim arrihej deri tek mendimi për tjetrin. “U shkëth me një gaforre të vogël kokëkrisur që ngriti drejt tij dy kanxhat e pabarabarta, ashu siç ngre një kalorës kamën dhe shpatën, por u shokua si i goditur nga rrufeja, kur pa gjurmën e një këmbe të zbathur. Po gjurma që kishte përpara syve ishte futur tek vetë shkëmbi. Mos ishte fjala për një tjetër njeri?”[5] Kjo gjendje ndërpritet këtu, si një mos pasje dëshire për të vendosur botë të mundshme. Rikthimi në botën e re të Robinsonit, ku të korrat, të vjelat, e para tregojnë se bota e re i referohet botës së shkuar (perëndimore) dhe nuk bën referimin të botës me jo-botën por të tokës më territorin. Rikthimi i Tennit (qeni i egërsuar në fillim të romanit) shihet si një shpresë për pranimin e tjetrit. Veten e shikonte si një pikë ku i gjithë ishulli merrte një lloj energji nga të shprehurit përreth pikës <<unë>>, ku tregohet se çdo gjë buronte prej tij, i gjithë ishulli që materializohej dhe çdo tjetër që mund të perceptohej do të derivohej nga po kjo unë.

Vetja-tjetri dhe mos prania e tjetërisë.

Vetmia intensifikohet e rritet aq shumë në gradë saqë paradoksalisht nuk prodhon tjetrin po sjell vetëm një unë. Si vështrues i të shprehurit në log-book, vetja është zhytur në një rrëfim të një tjetri. Vetja e vetmisë si vetja me tiparin e rrallë ontologjik. E shoqëruar me një heshtje që personifikon një pamundësi. Vetmia si tjetri që nuk duron një tjetër dhe nuk njeh tjetërinë. “Vetmia e kishte bërë të ndjeshëm ndaj gjithçkaje që mund t’i shëmbëllente si shpërfaqje e një ndjenje armiqësore ndaj tij, edhe sikur t’i vinte kjo nga pjesa më e përbuzshme e kafshëve.”[6] I pranishëm Kruzoi në një duel mes minjve, me prejardhje të ndryshme e kuptoi se ai që territorializon atë që nuk duhej ta territorializonte mposhtet. Ngordhja e të gjithë minjve, që ishin të ngjashëm me humbësin e duelit, sjell dy perspektiva: së pari, vetja që e sheh tjetrin si kërcënim dhe fiton mbi të, është një vete në vetmi, dhe së dyti kërcënimi i tjetrit është aq i madh saqë na zhduk të gjithë ne si vete. Ndjesia e një vete që nuk ka se çfarë të perceptojë veçse veten ndjell një tepri që sjell dyshime po mbi këtë vete. Një pyetje që ngrihet në këtë çast: a është unë vërtet ky unë, dhe ky unë është uni që përbën po një unë?

Dalja nga vetja për të folur për veten, prania e një tjetri që më duhet të më flasë po për veten. “Kjo do të thotë të mbaj larg veten një individ që e ka mbiemrin Kruzo, emri Robinson, që është gjashtë këmbë i gjatë etj.”[7] Narcisti tek Robinsoni i Tournier-së fillon t’i neveritet vetja sepse çdo gjë është për veten edhe meditimi, imagjinimi, deliri, çdo gjë. Nis për të përfytyruar tjetrin dhe përfytyron një fytyrë që në pamje të parë ngjanë me veten, por kur e ripërfytyron sheh që ngjashmëria është kthyer në identike.

Gjithë kjo ngopje e vetes sa e largon nga tjetri aq e imponon me forcë njohjen e tij, por si një pamundësi. E kthyer si një çështje gnoseologjike, tjetri kërkon një kohë dhe një mundësi të tijën për të njohur këtë vete. Ngritja e një frike konstante, jo nga njohja me tjetrin por nga e njohura e tjetrit të kësaj vete. Vetmia e ka mësuar se njohja vjen nga tjetri. Kështu, po vendosen në skemë dy njohje, përmes vetes dhe përmes tjetrit. Vetmia e vetes e bërë njësh me vetmin e Speranzas (ishullit) është një indicie se po bëhen njësh Robinsoni me Speranzën duke sheshuar ndërgjegjen e vetes. Refleksioni i lindur e shton frikën sepse tjetri duke perceptuar Speranzën si tokë do të më perceptojë dhe mua si gjë të tillë. Duke perceptuar tokën si gjësend do të më perceptojë dhe mua si gjë të tillë. Edhe nëse do të bëjë një shkrehje si subjekt i shkëputur nga toka përsëri providencës së kërcënimit subjekt-objekt, objekt-subjekt, dhe vetja-tjetri, tjetri-vetja, nuk do t’i shpëtojë dot. Po në jetën e kësaj vete qëndronte dhe një tjetër, po që nuk shquhej si tjetri por si një vete, dhe kjo ishte Speranza, e cila tregonte se vetmia kishte prodhuar një vete qendrore dhe një vetmi bërthamë. Kishte filluar një endo-ekzistencë, që kërkonte të kthehej në një origjinore të vetes, në kujtimin e mëmësisë. Metamorfoza e përjetuar në brendësi të guvës (si figurë e nënës) tregon për një lindje të re të Robinsonit një vete e re, një vete e ishullit. Kjo vete e re e lindur nuk është më një vete e njeriut, po një vete e elementit. Me këtë gjendje të re prania e tjetrit bëhet i zëvendësuari i çdo të pazëvendësueshmes dhe nëse ka një problem, ai është i njeriut dhe jo i tij. Dehumanizimi (që nuk duhet të mendohet si animalizim) e largon gjithmonë e më shumë nga hapat e para të banimit të ishullit si qenie njerëzore.

Vetmia binte ndesh me çdo faktor të ri të sjellë prej tij në ishull, një vetmi që nuk e lejonte që me prodhimet bujqësore, blegtorale të ushqente tjetrin, një vetmi që kodin penal të ngritur prej tij e bënte të pavlefshëm, pasi tjetrin nuk e ka që ta dënojë, një botë që nuk ka as premisën për mundësinë e tjetrit, një botë pa tjetëri. Mungesa e tjetrit e bën të kuptojë që po in-siston dhe nuk po ek-siston, sepse në një kuptim heidegger-ian të ekzistosh do të thotë që ek-ziston të qënit jashtë, e jashtmja ekziston, e brendshmja jo. Me duhet tjetri së jashtmi për të më vërtetuar ekzistencë, pra deri sa nuk e kam më mbetet të insistoj, po për çfarë? Për të ek-zistuar. Në këtë situatë me dehumanizimin në rritje dhe reduktimin e ekzistencës, Robinsoni është shndërruar nga pjesë e botës në element të jetës së ishullit.

Shfaqja e tjetrit i perceptuar si i egër ndodh, edhe pse vetëm për një çast. Tjetri i ardhur perceptohet si i ulët, primitiv, po i parë në këtë këndvështrim shihet si më i lehtë për t’ju bindur urdhrit. Edhe pse një, ai është një tjetër, nuk është një tjetër si qenie njerëzore për Robinsonin, madje dhe emrin që i vendos është i diçka sendi, i ditës kur ai ka shpëtuar. Tek Kruzoi gërshetohen dy mendime: së pari, që ai nuk e pranon tjetrin dhe së dyti tjetri nuk e pranon atë. Tjetri kërkon të bëhet si tjetri dhe kjo ndihet në veprimet e Premtit, dhe vetja si tjetri e parë përmbysur në të kundërtën e asaj që Kruzoi shpreh. Premti si vete bëhet zot, nuk është më i bindur, rregulli ka rënë dhe pezulli i kësaj natyre sjell dy vete që perceptojnë dy të tjerë. Të dy vetet ose vetja dhe tjetri janë tashmë hapur armik.

Perceptimi i tjetrit si i egër fillon e zvenitet nga veprimet e tij. “Ajo po gabon, vëzhgoi Premti me qetësi, nesër do ta hanë gaforret. Ndërkaq fërkoi me rërë brendësinë e zhguallit të dystuar. Asnjë shigjetë nuk mund ta shpojë këtë mburojë, i ftilloi Robinsonit, madje dhe sikur vetë topuzë të rëndë t’i hidhesh përsipër nuk mund ta thyenin.”[8] Mendimi për një mburojë të nxjerrë nga zhgualli i breshkës evidenton se edhe i egri mendon, dhe ai di ta njohë dhe ta perceptojë sesi mund të shfaqet rreziku, sesi mund të mbrohet prej tij. Robinson Kruzoi i të dy autorëve mendon gati në mënyrë karteziane, qoftë si subjekt solipsist në një terren të hapur, qoftë dhe në përdorimin e metodës. Ndarja në pjesë e çdo aspekti shihet tek metoda e ushtruar, e parë në organizimin e ishullit, kurse egri shihet si i dhënë mbas dëshirave, impulseve.[9]

Në të gjithë këtë raport mes vetes dhe tjetrit mes Kruzoit dhe Premtit pati një shkëndijë për një botë të mundshme, për tjetërinë. Edhe pse veçse një moment. Gjithçka harrohet sikur mos kishte fishkëlluar kurrë, Premti bëhet sërish një kërcënim që duhet tashmë dënuar për çdo gjë që ka bërë si vete. Premti që me pakujdesinë e tij dhe duke vepruar si vete, bën që të kishte humbje në barut, në të mbjella dhe deri tek shkatërrim i guvës me simbol mëmësie. Humbja e çdo gjëje prej tjetrit ishte një dimension ku tjetri më cenon botën time. Vetëm duke sheshuar çdogjë nga botët në vete, mund të lindte mundësia për ndërtimin e një bote mes Premtit dhe Kruzoit. Nga vetja në vete, po kalonte në një vete për vete, me sforcimin e rrugëtimit të ri. Një lloj sinkretizmi mes vetes dhe tjetrit për të qenë në proces humanizimi dhe asgjë më shumë, raportet mbeten të pandryshueshme. “Marrëdhëniet midis Robinsonit dhe Premtit ishin thelluar e humanizuar, ishin bërë më të koklavitura, por duket se ishin pa mërira. Dikur – përpara shpërthimit mes tyre nuk kishte grindje të vërteta. Robinsoni ishte zotnia dhe Premti s’kishte ç’të bënte tjetër përveçse të bindej. Robinsoni mund ta qortonte, madje edhe mund ta rrihte Premtin. Tashmë që Premti ishte i lirë dhe i barabartë me Robinsonin, ata mund të zemëroheshin me njëri-tjetrin.”[10]

Për të qenë të dy vete dhe për të mos pasur kërcënimin e tjetrit, në mënyrë qesharake secili i ndërton tjetrit një tjetër. Nga njëra anë, Robinsoni i vërtetë dhe një kukull bambuje, nga ana tjetër, Premti i vërtetë dhe një statujë prej rëre. Simbolika e ngjashmërive si për të thënë se jemi dy vete dhe kërcënimi nuk na vjen nga asnjëra prej veteve. Në këtë linjë zhduket raporti vetja-tjetri, tjetri-vetja, dhe po ashtu nuk është më objekti që shndërrohet në subjekt dhe subjekti që shndërrohet në objekt. Ardhja e anijes angleze me të tjerët do ta vendosë hipotetikisht Kruzoin përsëri nën petkun e një perëndimori. Për Robinsonin, këto njerëz perceptohen si një botë e mundshme e cila sapo themelohet po aty shthemelohet. Të ardhurit po ashtu nuk e perceptojnë tjetrin dhe tjetërinë, kjo duket në praninë e Premtit që për ta nuk përbën ndonjë problem. “Secili prej këtyre njerëzve ishte një botë e mundshme mjaft koherente, me vlera, me vatrat e ngashënjimit dhe neverisë, me qendrën e graviteti.”[11] Po Kruzoi e shihte këtë botë të mundshme si një vete e gdhendur në elementët e Speranzës. Të gjithë këta të tjerë mund të shihen si të mundshëm, që realitetin nuk do e arrijnë kurrë, ata vetëm do të ngulmojnë për të qenë të tillë. Për Kruzoin këto botë, kthimi i tyre në realitet dhe bërja e këtij realiteti, realiteti i tij, do të kërkonte asgjësimin e Speranzas, sërish figura e tjetërisë si kërcënim.

(vijon)

© 2022 Eris Agolli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Termin Autrui e kam lënë në përkthimin siç ka ardhur në shqip në veprat e mëparshme të përkthimeve të filozofisë franceze si tjetëri (që do të thotë tjetri si botë e mundshme, jo tjetri si fytyrë), kjo në kontekstin filozofik dhe e njëjtë me përdorimin në përkthimin e esesë të Gilles Deleuze “Michel Tournier dhe bota pa tjetëri” që ndodhet në fund të veprës së Tournier të përkthyer në shqip. Për një argumentim më të hollë të përkthimit të konceptit Autrui me termin tjetëri shih shënimin e përkthyesit A.Muho të esesë në fjalë te: Michel Tournier, Premti ose limbat e paqësorit, Zenit Editions, Tiranë, 2012, fq. 227.

[2] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 15.

[3] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 18.

[4] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 39.

[5] Po aty, fq. 52.

[6] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 77.

[7] Po aty, ff. 79-80.

[8] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 150.

[9] Për më tepër rreth të menduarit tek primitivi dhe perëndimori në një qasje antropologjike shih: C. Levi-Stauss, Myth and Meaning, Schocken books, New York, 1978, ff. 15-24.

[10]M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 184.

[11] M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 208.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin