KUSH SIMULON-MANIPULON?

nga Iris Toto

Më datë 23 dhjetor 2021 në portalin e gazetës TemA është publikuar një recension që mban firmën e historianit Artan Puto, me titullin “Lea Ypi ”Të lirë – të rritesh në fund të historisë”, ose të shohësh veten në pasqyrë.”

Ndoshta i vetëdijshëm se aparati i partisë-shtet nuk është më në gjendje të diktojë e kontrollojë totalisht shijet e qytetarëve dhe në nevojë për t’i dhënë më shumë substancë e besueshmëri recensionit të tij, Artan Puto zgjedh të flasë në një pjesë jo pak të rëndësishme të recensionit përmes Fatos Lubonjës, duke postuluar se libri Free (Të Lirë) i Lea Ypit, është „shembull se si mund të luftohet kultura e simulim manipulimit” e artikuluar shpesh dhe gjerë nga Fatos Lubonja. Puto shpjegon çfarë është kultura e simulim manipulimit, por nuk shpjegon në çfarë mënyre kjo kulturë e simulim manipulimit luftohet me librin Free. Puto mjaftohet me postulimin e kësaj teze, duke e pranuar si një të vërtetë që i shërben atij, ndoshta për t’i dhënë peshë recensionit. Por për fat të mirë, shqetësimi i Putos se shkrimet e Lubonjës mbi kulturën e simulim manipulimit nuk kanë pasur jehonën e merituar, qëndrojnë vetëm pjesërisht. Fatos Lubonja dhe mendimi i tij gëzojnë sigurisht simpatinë dhe dashurinë e shumë shqiptarëve që janë çliruar nga mitet e jehonës së simuluar, ose nuk kanë qenë peng i saj. Do përpiqem më poshtë të analizoj postulatin e Artan Putos, se libri Free është shembull i luftës “Kundër kulturës së simulim manipulimit” si dhe postulatet se autorja Lea Ypi “flet sinqerisht” dhe se “libri është shkruar me një sinqeritet dhe ndershmëri të thellë!”

Më shumë se elozhe të kësaj natyre bulevardeske, prisja në fakt nga një historian zbulimet e të pavërtetave të shumta historike në librin Free, i cili NUK po shitet si ROMAN por si ESSAY i një profesoreje të London School of Economics, çka krijon tek lexuesi iluzionin (=manipulim) e një VËRTETËSIE HISTORIKE.

“Babai i Leas, Zafo, është ndoshta personazhi më i veçantë i krejt librit”, thotë Artan Puto. Mendoj dhe unë se ky personazh është vërtet i veçantë, por në një kuptim ndryshe nga ai i Putos. Krahasuar me qytetarin e thjeshtë të kohës, Zaferi ka njohuri dhe interes të mbizakonshëm rreth zhvillimeve politike të globit në fundin e viteve ‘70 dhe vitet ‘80. Sipas autores ky interes i spikatur ushqehej nga shikimi i stacioneve të huaja televizive. Këtu për lexuesin që njeh mirë ato kohë dhe Durrësin shtrohet pyetja, si ishte e mundur që Zaferi, lindur e rritur në regjim dhe me biografinë e tij tepër të keqe, të kishte burimet materiale dhe intelektuale për të ndjekur me zell politikën ndërkombëtare dhe stacione të huaja?

Historiani i njohur Idrit Idrizi në artikullin “RAI apo “Dyshi i Jugosllavit”? Shikimi i stacioneve të huaja në Shqipërinë komuniste mes memories publike dhe kujtimeve personale përforcon dyshimet e lexuesit kur del në përfundime si:

“Dokumentet statistikore vërtetojnë se deri të paktën 2-3 vjet para rënies së regjimit komunist pjesa më e madhe e popullsisë nuk posedonte aparat televizori. […] Në vitet 1970-të televizori filloi të hynte në shtëpitë e segmenteve të privilegjuara të shoqërisë si kuadro të lartë, anëtare të PPSH-së dhe drejtues të ndryshëm të organeve të parti-shtetit. Për shkak të numrit shumë të vogël të televizorëve në dispozicion dhe aplikimit të sistemit të kontrolluar hierarkik në shitjen e tyre, edhe në gjysmën e parë të viteve 1980-të u pajisen me televizorë familjet lojale ose te paktën “pa cen politik” […] Qytetari “i thjeshtë”, i edukuar në socializëm, i izoluar nga bota e jashtme dhe kultura politike në vendet e tjera, e kishte të kufizuar si guximin, ashtu edhe interesin, horizontin mendor dhe deri imagjinatën. Këto të fundit vërtiteshin rreth kapërcimit të vështirësive të jetës së përditshme dhe shmangies së dënimeve nga shteti represiv. Kryesisht pas tyre ishte “i kapur mendërisht” shqiptari në komunizëm. Stacionet e huaja dhe kultura perëndimore ishin – nëse bazohemi tek kujtimet e bëra publike në postkomunizëm – interesante vetëm për një segment të vogël të shoqërisë: elitën komuniste dhe shtresat e edukuara.” 

A mund të ishte Zaferi pjesë e këtij segmenti të vogël të shoqërisë, sepse si shkruan Puto, ai është njëkohësisht “një personazh i ndrydhur, me një shqetësim të përhershëm për të mos rënë shumë në sy, për të qenë në rregull si gjithë të tjerët për sa i përket respektimit të disa normave të sjelljes në shoqërinë e asaj kohe. […] “me biografi të keqe” i kishte mjaft të mprehur receptorët për të detektuar edhe rrezikun më vogël që mund të vinte nga çdo drejtim”.

Gjykoj se këta dy Zaferë nuk mund të bashkëjetojnë brenda të njëjtit personazh dhe se përpjekjet akrobatike të autores dhe Artan Putos për të simuluar këtë bashkëjetesë karakteresh inkompatibël brenda të njëjtit personazh janë pikërisht produkt i kulturës së simulim manipulimit.

Jam shumë e interesuar të kuptoj si shpjegon Puto në pikëvështrimin e historianit personazhin e gjyshes Nini që ai shkruan “Vinte nga një familje e rëndësishme funksionarësh të Perandorisë Osmane. Me pavarësinë e vendit kthehet në atdhe”. Meqenëse në krye të librit ka një dedikim për gjyshen nuk mund të shpëtojë një detaj jo pak i rëndësishëm për një historian: viti i lindjes 1918. Duke pasur parasysh këtë rrethanë, jo vetëm një historian, por dhe lexuesi i vëmendshëm e ka të vështirë të rritë heroinën e Lea Ypit mes privilegjeve funksionarësh të perandorisë osmane dhe ta kthejë në atdhe me pavarësinë, sepse ajo nuk kishte lindur në perandori dhe aq më pak para pavarësisë.

Një fakt tjetër kontrovers, mbi të cilin një historian do duhej të hidhte dritë, është dhe figura e stërgjyshit të autores, Xhafer Ypi, që në libër përshkruhet si një Quisling shqiptar që ka mbushur librat e historisë së shkollave. Xhafer Ypi NUK ka qenë i pranishëm në librin e historisë për moshën e autores. Historia fillonte në klasë të 6-të dhe nuk fillonte me historinë e Shqipërisë të vitit 1939. Pra dhe fragmenti i librit “Në shkollë po mësonim për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë LIIB dhe për bashkëpunimin e ish-kryeministrit të dhjetë të vendit” rezulton historikisht i pavërtetë.

Më tutje historiani Artan Puto, që supozohet të ketë disa njohuri minimale edhe mbi historinë e vendeve me tradita liberale, shkruan se libri “Në thelb është përpjekja për të deshifruar konceptin e lirisë … në komunizëm dhe në ekonominë liberale të tregut”. Por a mund të kishte në Shqipërinë e viteve ‘91-97 trajtuar nga Lea Ypi ekonomi liberale tregu? Historia e vendeve me ekonomi liberale të tregut mëson se liberalizmi nuk lind nga hiçi, por presupozon tradita qindravjeçare të shtetit të së drejtës, që në Shqipëri ende nuk e kemi as sot. Artan Puto duhet ta ketë të qartë çfarë traditash trashëguam nga aparati i shtetit i komunist dhe mund t’i krahasojë lehtësisht ato me traditat liberale, të cilat Lea Ypi dëshmon se nuk i ka kuptuar ende. Së fundi ajo mban një profesurë teorie politike dhe ndjek agjenda që deklaron hapur tek falënderimet në versionin anglisht të librit. Nga falënderimet, që çuditërisht mungojnë në versionin shqiptar, duket qartë se hulumtimet historike nuk kanë qenë fokusi i autores. Shumë më i rëndësishëm, për të simuluar objektivitet shkencor, siç e kërkon shtëpia botuese Allen Lane, është profesura në London School. Theksoj se teksti i publikuar është një essay filozofike, JO roman i profesores. Prandaj edhe meriton hulumtim pyetja, pse Allen Lane merr përsipër të botojë një libër pa asnjë referencë, përveç falënderimeve të këtij apo atij agjenti marketingu ose profesori shkencash politike. Nuk është tipike për standardet e kësaj shtëpie botuese, librat e së cilës kanë zakonisht dhjetëra faqe referencash bibliografike.

Artan Puto shkruan se “të flasësh ndershmërisht për komunizmin duhet JO të nisemi nga një pikëvështrim finalist”. Por paradoksalisht thuajse të gjitha ngjarjet e librit  janë të nxjerra pikërisht nga  këndvështrimi finalist i profesores së teorisë politike normative. E vetmja rrethanë objektive e veprës duket të jetë profesura në London School of Economics. Këtë gjetje e bën dhe autorja britanike NS Ford, e cila në blogun e saj shkruan “Some of the content seemed like lectures and indeed I later found out that the author is a political theory professor.” Ky produkt është ekzemplar i kulturës së simulim manipulimit dhe mendoj se nuk ka më nevojë fare të shqetësojmë Fatos Lubonjën për të na e shpjeguar. Me keqardhje gjykoj se Artan Puto ka përdorur emrin e Fatos Lubonjës me qëllimin e vetëm të manipulimit të publikut, duke simuluar se qasja e autores mund të përputhet me shijet e Lubonjës, gjë që mua nuk më rezulton dhe është në kundërshtim të plotë me përpjekjet e tij për të kontrastuar kulturën e simulim manipulimit. Tentativa e Putos për të marrë monopolin e interpretimit të mendimit të Fatos Lubonjës vetëm sepse ai ka pasur mundësinë të jetë bashkëpunëtor i Përpjekjes më duket akt abuziv dhe i papërgjegjshëm, sepse Fatos Lubonja jeton dhe është aktiv në jetën publike. Lea Ypi pati “jehonën që meriton” në Shqipëri dhe do harrohet shpejt në zhurmën e kohës, sepse përfaqëson kulturën inflacionare të simulim manipulimit që nuk bën më ndonjë përshtypje. Ndërsa vlerësimet e ekzagjeruara dhe postulatet e papërgjegjshme të Artan Putos mbi librin do të mbeten dhe për mendimin tim janë shërbimi më i keq që një historian mund t’i bëjë vetes.

© 2022 Iris Toto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin