Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

RRUGAÇI MES KATËR RRUGËVE

nga Gjeto Bashari

Të çafsha ballin – histori e shkurtër e rrugaçërisë në Shqipëri (Botime Uqbar, Prizren 2020) është një ese e thukët në trajtë libri, që i vjen lexuesit nga pena e publicistit Ajdin Luto. I njohur edhe më parë nga lexuesi qibar, për trajtimin ballazi të temave të kithta, Luto kombinon, në esenë e tij, këndvështrimin historik me atë linguistik, duke ndjekur paralelisht konceptin e rrugës, në Shqipëri, si vend publik të ndryshëm nga ai i një hapësire që përdoret për t’u zhvendosur nga një pikë në tjetrën dhe zhvillimin e jetës qytetare (urbane), ku rruga shërben edhe si vendi ku riprodhohen normat e bashkëjetesës qytetare. Luto e vë rrugaçin në kontrast me pelegrinin, dhe më tej me endacakun dhe vagabondin, duke u kujdesur të saktësojë se ky personazh i qytetit dallohet ngaqë e ndien rrugën si shtëpinë e vet, duke u rebeluar ndaj moralit urban. Jo më kot, thotë ai, rrugaçi u përftua si epitet që zbatohet ndaj një të treti të pamiratuar dhe jo si instrument vetidentifikimi; duke e quajtur tjetrin rrugaç, klasa e mesme qytetare konstituohet si borgjeze, me normat e veta strikte, që parashikojnë ndarje të prerë mes jetës publike dhe asaj private; duke e parë kështu rrugaçin si person që nuk është në gjendje të negociojë si duhet mes atyre dy hapësirave (jo rastësisht rrugaçi i kundërvihet, në rrafshin semantiko-sociologjik, bariut shtegtar; dhe jeta e rrugaçit nomadizmit).

Rrugaçi vishet ashtu si nuk duhet, flet ashtu si nuk duhet, vepron ashtu si nuk duhet – duke sharë, duke ngritur zërin, duke ngacmuar vajzat, ndonjëherë edhe duke u zënë me grushte ose duke vjedhur – dhe vë në rrezik stabilitetin e hapësirës publike. Kësisoj, vëren Luto, rrugaçi shërben si kundërfigurë e edukatës së mirë qytetare, ose si kundërshembull i dikujt që (nuk) sillet “mirë” – duke qenë mirësjellja mishërim i pastërtisë në jetën publike (këtu Luto nuk lë pa përmendur edhe raportet, jo aq të tejdukshme mes rrugaçërisë dhe pranisë urbane të pakicave rom dhe egjiptiane, të cilat refuzuan për një kohë të gjatë që t’u nënshtrohen modeleve të shtangëta të qytetit borgjez). Duke iu referuar një antropologjie të pisllëkut, në kornizën e përcaktuar nga një Mary Douglas, Luto e përcakton rrugaçin si “materje qytetare jo në vendin e vet”, duke shënuar pastaj edhe morinë e fjalëve mohuese që përdoren në përkufizimet: ai që nuk sillet mirë, që nuk respekton të tjerët, që nuk ndjek normat e bashkëjetesës… (dhe eventualisht, ai që nuk është si ne, çfarë i hap rrugën edhe racizmit, në raport me pakicat urbane). Rreziku i rrugaçit, për komunitetin, ka të bëjë me cenimin e stabilitetit urban.

Rrugaç është jo vetëm ai që rri në rrugë, vazhdon autori, por edhe ai që e përvetëson rrugën (e uzurpon, do të thoshin moralistët), duke e bërë qytetarin të ndihet i pasigurt, në një hapësirë publike që përndryshe do t’i përkiste. Ky tension, mes qetësisë publike (mikro)borgjeze dhe lirisë negative që mishëron rrugaçi përdoret pastaj nga pushteti, për ta paraqitur rrugaçin si rrezik publik dhe për të përligjur policimin e rendit publik. Duke u zhvendosur edhe në leksik, Luto vëren se termi “rrugaçëri” shfaqet në Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, neni 129 i të cilit flet për “sjellje të padenjë në shoqëri për motive rrugaçërie”, të dënueshme edhe me heqje të lirisë; në një kohë që ideologët e regjimit të Hoxhës i kishin përcaktuar rrugaçët si kontingjent të ekspozuar ndaj shfaqjeve të huaja – nga parazitizmi (papunësia), te bixhosi dhe prostitucioni. Nga ana tjetër, thotë Luto, kjo fjalë, rrugaçëri, në togje të tilla si akte rrugaçërie, sjellje rrugaçërie, shfaqje rrugaçërie shërbente si shenjë dalluese e diskursit të dikujt në pushtet, i cili kishte titullimin që ta dënonte rrugaçërinë në publik.

Kërcënimi i rrugaçit, për një regjim totalitar si ai i Hoxhës, vazhdon Luto, ka të bëjë me vetë natyrën logocentrike të pushtetit totalitar – në kuptimin që marrëdhëniet sociale publike, përfshi ato të nënshtrimit politik, ai pushtet i artikulonte ekskluzivisht në hapësirën diskursive, e cila disiplinohej nëpërmjet kodeve të rrepta edhe diskursive edhe performative. Rrugaçi, duke qenë gjithnjë në prag të krizës, i gatshëm për të shpërthyer vargonjtë e moralitetit publik edhe konvencional edhe ideologjik dhe për një passage à l’acte, në kuptimin lakanian të termit, gjithnjë mund ta çekuilibronte balancën e rrugës, nëpërmjet dhunës verbale ose fizike, veshjes së papërshtatshme dhe akteve të tjera sfiduese të rendit – qoftë edhe aq banale, sa edhe ndezja e një cigareje në kinema. Pavarësisht nga pesha reale e aktit rrugaçëror, regjimi e vinte theksin te shembulli i keq i sfidës që përfaqësonte rrugaçi dhe tek mesazhi që u kumtohej qytetarëve – dhe pikërisht, që rendi publik, si cipë makijazhi e rendit ideologjik, mund të kundërshtohej dhe të futej në krizë me lehtësi të papërballueshme.

Nga ana tjetër, vazhdon Luto, specialistët e rendit publik të regjimit gjithnjë kujdeseshin të dallonin rrugaçin nga rebeli – i pari deri diku edhe mund të vihej në shërbim të përditshmërisë, duke u ofruar masave (grigjës) një dordolec, përballë të cilit të organizonin qetësinë; i dyti duhej shfarosur me çdo kusht. Aq më tepër që, siç e ka parë autori në dosjet që ka shfletuar, rrugaçi gjithnjë preferohej, nga organet e Sigurimit të Shtetit, për t’u rekrutuar, si informator por edhe më tutje; dhe jo vetëm ngaqë sillej rrugëve gjithë ditën, por edhe ngaqë jeta që bënte e sillte në kontakt me elemente potencialisht armiqësore për regjimin.

Mes rrugaçëve, thotë Luto, gjeje gjithfarë psikopatësh dhe sociopatësh madje personalitetesh skizoide, njerëzish me prejardhje nga familje problematike, ose që janë abuzuar seksualisht në fëmijëri; sikurse gjeje edhe të rinj të deklasuar, ose të përjashtuar nga mundësia për karrierë sociale. Por çfarë i dallon rrugaçët, nga moshatarët e tyre, shkruan autori, është gjithnjë personaliteti i fortë, refuzimi i pushtetit të tjetrit dhe, last not least, paranoja. Për këtë arsye, konkludon ai autor, rrugaçët jo rrallë përfundojnë në krye të protestave dhe të rebelimeve, të lëvizjeve politike dhe të kryengritjeve, duke u shquar për trimëri, makiavelizëm dhe mizori. Pas një kapitulli inkursiv që ia kushton Stalinit, Luto kthehet në Shqipëri, për t’u ndalur në rrugaçët e famshëm që kanë bërë Historinë e Shqipërisë, ashtu siç janë portretizuar prej atyre që i kanë njohur personalisht; dhe pastaj e përfundon librin me lëvizjen e madhe të “rrugaçëve” në vitin fatal 1990, i cili shënjoi fundin e regjimit totalitar në Shqipëri. Jo më kot, thotë ai, regjimi Alia në fillim i trajtoi refugjatët e ambasadave si rrugaçë dhe lëvizjen e tyre politike u përpoq ta likuidojë si problem të rendit publik; jo më kot, vazhdon ai, gjatë gjithë viteve 1990, por veçanërisht në gjysmën e parë të dekadës, kufijtë mes rrugaçëve, refugjatëve dhe emigrantëve erdhën duke u mjegulluar.

Kapitullin e fundit të librit, Luto ia kushton “rrugaçërisë në pushtet”, duke analizuar disa dukuri të reja, të viteve 2000 e këtej, në sjelljen publike të politikanëve dhe të figurave të njohura (celebriteteve), për të arritur në përfundimin se mesazhi që i përcillet sot qytetarit të Republikës, nga mediat, është se të jesh rrugaç mund të mos jetë virtyt, por mund të shërbejë si pakçka tjetër, në garën për të dalë në krye. Por rrugaçi i sotëm publik, vëren autori, nuk rebelohet më ndaj normave të vendosura nga pushteti, por i krijon vetë, normat e reja, në udhë e sipër. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, thotë ai, në një jetë publike dhe sociale e cila e merr forcën nga rruga, ose pikërisht nga ai mjedis ku rrugaçi është mbret.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin