Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Teknologji

A KANË NDRYSHUAR KOHËT?!

nga Klest Dubali

Mbase shumëkujt që lexon titullin e këtij shkrimi mund t’i duket shumë pretenduese dhënia e një përgjigjeje për pyetjen e shtruar. Në fakt, nuk pretendohet diçka e tillë, aq më tepër t’i jepet një përgjigje shteruese pyetjes, pasi një përgjigje e tillë nuk ekziston.

Mendimi për këtë shkrim më lindi dje në mbrëmje, teksa ndiqja emisionet e darkës në televizion, një reklame televizive më tërhoqi vëmendjen. Shkurtimisht reklama bën fjalë për një fushatë publiciteti në lidhje me komunikimin dhe me ofertat për disa pajisje teknologjike. Përmbledhtazi është kjo: në sfond është një fëmijë që luan me lojëra elektronike në kompjuter (video games) dhe e ëma hyn në dhomë dhe e njofton se do të nisen për një piknik. Fëmija shfaqet i trazuar apo i merakosur, ose jo entuziast nga ky njoftim. Për ta bindur dhe për ta qetësuar, e ëma i thotë të mos bëhet merak se do kenë mundësi të kenë lidhje interneti me vete, e si rezultat fëmija mund të vazhdojë të luajë edhe kur të jenë në piknik.

E kisha parë disa herë këtë reklamë, pa ndonjë vëmendje të veçantë, por kësaj here arriti të fitonte vëmendjen, por jo për qëllimin për të cilën po transmetohej, por për diçka tjetër. Në moment mendova: si mund të ndërtosh një publicitet, ku gëzimi apo humori i një fëmije lidhet drejtpërdrejt me aksesin në teknologji, në internet, e pikërisht në kundërvënie me atë çka supozohet të ngjallë gëzimin apo lumturinë e një fëmije, që është një piknik në natyrë ku mund të luajë sa të dojë?!

A nxitet kjo reklamë nga realiteti i përditshëm, ku dihet tashmë se sa thellë ka hyrë teknologjia në jetët tona, apo është një teprim i marrëdhënies që kemi në me teknologjinë? A duhet të përcjellë mesazhin që vetëm teknologjia na bën të lumtur e se pa të jeta nuk është e plotë, apo mjafton të shitet produkti e pak rëndësi ka mesazhi që përcillet apo perceptohet? Të gjitha këto po i mendoja pasi pashë reklamën në fjalë.

Në fakt, ky është sot një debat kudo në botë: fakti se sa na ndikon e sa jemi të lidhur me teknologjinë në jetën tonë të përditshme dhe se si të mbajmë një raport sa më të balancuar mes lidhjes me internetin dhe botës fizike që na rrethon, pavarësisht se sot kemi një ndërthurje gjithnjë e më të madhe të të dyjave. Psikologë, punonjës socialë e ekspertë të fushave të komunikimit, por edhe mjekë, sugjerojnë një kufizim të përdorimit të celularëve, laptopëve apo pajisjeve të tjera, sidomos tek fëmijët. Problem tjetër po kaq i rëndësishëm kur vjen puna për përdorimin e teknologjisë dhe përdorimit të internetit nga fëmijët janë edhe abuzimet dhe ngacmimet online, ku një numër gjithnjë e më i madh të miturish bie pre e mashtrimeve online, abuzimit, pornografisë apo shfaqjeve te dhunës, më pasoja të mëdha emocionale e psikologjike.

E teksa me mendje rendisja gjithë argumentet e mundshme kundër përdorimit të tepruar të teknologjisë, sidomos tek fëmijët, pata një moment një mëdyshje, një dilemë: a mos vallë kanë ndryshuar kohët?! A kemi hyrë në një epokë të re, me një homo technologicus, ku nuk mund të bëjmë dot pa teknologjinë në asnjë hap të jetës sonë? A është më shumë e panatyrshme ta kufizojmë përdorimin e teknologjisë se sa ta lëmë të vërshojë lirisht në jetën tonë?

© 2020 Klest Dubali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin