Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

DIKTATURA TË IMAZHIT

nga A.A.B.

Takimi i parë i Ronald Reganit me udhëheqësin e sapozgjedhur sovjetik, M.S. Gorbaçovin, do të zhvillohej në Gjenevë në nëntor të 1985-s. Samiti i parë mes dy superfuqive që nga nënshkrimi i traktatit SALT II në Vjenë në 1979-n, përveçse nuhatje e ndërsjelltë e të pasmeve e udhëheqësve të dy botëve dhe tentativë e parë pajtimi pas shpalljes së bujshme të Nismës së Mbrojtjes Strategjike, kishte për të qënë photo-op-i i vitit. Një rast që, mirë a keq, do të hynte në librat e historisë.

Për palën amerikane kjo përbënte problem. Në fund të 1985-s Regani ishte shtatëdhjetë e katër vjeç dhe kryente mandatin e tij të dytë presidencial—sot e kësaj dite presidenti më i moshuar i SHBA—, ndërsa Gorbaçovi ishte vetëm pesëdhjetë e katër vjeç dhe kishte më pak se një vit në pushtet. Perceptimi i të dyve do të ishte një nga faktorët kryesorë në trajtësimin, së paku në nivel imagjinativ, të fazës më të re të Luftës së Ftohtë dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të dilnin nga ky ballafaqim pamor si dede.

Fati e desh që amerikanët të mbërrinin një ditë më herët dhe të ishin të parët në vendin e takimit. Ishte planifikuar që Regani të dilte e ta priste Gorbaçovin para derës kryesore, në këmbë të shkallëve. Fotografitë e parë do të bëheshin pikërisht aty. Megjithatë, amerikanët ende nuk e kishin gjetur zgjidhjen e problemit të tyre. Pastaj, pikërisht në çastin e fundit, teksa autokolona e udhëheqësit sovjetik  mbërrinte dhe presidenti bëhej gati të dilte jashtë, në një çast djallëzie të vetë Reganit apo të njërit prej ndihmësve të tij—rrëfimet nuk bien dakord mbi këtë pjesë—ajo u gjet.

Xhirimet e skenës tregojnë ZIL-in e Gorbaçovit që ndalon pak në të djathtë të shkallëve dhe derën e shtëpisë që hapet njëkohësisht. Ndërkohë që truprojat e KGB-së hapin derën e veturës dhe vendosen rrethepërqark, Regani ka dalë dhe pret me durim në krye të shkallëve. Gorbaçovi i sapozbritur nga avioni del dhe ecën ngadalë drejt Reganit, i cili zbret shkallët lehtë-lehtë dhe i afrohet sovjetikut. Përshëndeten. Në ngricën e nëntorit plaku ka lënë brenda pallton e zezë dhe shallin, ndërsa homologu i tij riosh pothuajse nuk dallohet, veshur me borsalinë e rroba të gjera dimri siç është.

Metafora pamore për marrëdhënien e Gorbaçovit me Reganin e, rrjedhimisht, mbulimi i saj në shtypin ndërkombëtar, vendoset në ato çaste. Shtatëdhjetë vjeçari riosh dhe pesëdhjetë vjeçari që kanë plakur me zor ngjisin shkallaret bashkë dhe ndalen para vetratave të katit të parë për fotografitë e rastit. Aty, Gorbaçovi nuk e përmban dot veten dhe, pavarësisht se nuk flet anglisht, kërkon të pyesë Reganin se përse e ka lënë pallton brenda.

Dy minuta film mjaftuan për të vendosur një ekuilibër të ri mes dy superfuqive të Luftës së Ftohtë në sytë e botës.

 

Gjatë një vizitë shteti në gusht të 1958-s, e dyta herë që Hrushovi shkonte në Pekin, kinezët bënë çmos që të theksonin mosmarrëveshjet mes tyre e Bashkimit Sovjetik. Hrushovi, të cilit nuk i pëlqenin kinezët, u prit në një aeroport pa protokoll zyrtar a dashuri vëllazërore për sy e faqe, u vendos në një hotel pa ajër të kondicionuar, ku të plaste vape dhe më në fund u prit nga Maoja, i cili e trajtoi, thotë një prej biografëve të Hrushovit, «sikur të ishte ndonjë nxënës veçanërisht i mefshtë».

Duke arritur me të shpejtë në përfundimin e paevitueshëm që marrëdhëniet mes dy gjigandëve midis tyre e kinezëve po shkonin për dreq, sovjetikët habiten kur, në fund të takimit, Maoja propozon që punimet e nesërme t’i vazhdojnë në shtëpinë e tij në Zhongnanhai. Nuk ishte e padëgjuar që Maoja të ndërronte taktikë mu në mes të bisedimeve për të hutuar palën tjetër, por nuk ishte as e pritshme që ai të shprehte këtë ngrohtësi të papritur ndaj palës sovjetike, me të cilën kishin vite që shkonin keq.

Kështu, me një lloj pasigurie, shkojnë në shtëpinë e Maos, ku ai po i priste mbathur me pantofla plazhi e veshur me robdëshambrë, anës pishinës. Kur e shohin, sovjetikët kuptojnë hilenë pas ftesës bujare të të zotit të shtëpisë. Ndryshe nga Maoja, që e kish kthyer në kryelajm propagandistik notin e tij nëpër lumenjtë e Kinës, Hrushovi nuk dinte të notonte. Jo vetëm kaq, por ai ishte një gjashtëdhjetë e katër vjeçar në formë aspak të mirë fizike dhe, i gjatë 1,60 m e me një peshë prej 90 kg, larg së qenit modeli i «Njeriu të Ri sovjetik».

Sidoqoftë, u gjetën diku një palë brekë të mëdha banjoje ngjyrë të gjelbërt, që iu ofruan Sekretarit të Parë të PKBS, i cili, duke qënë bujtës te Maoja, i pranoi, i veshi, u fut në pishinë dhe pluskoi nga ana e cekët e pishinës. Maoja ndërkohë, që ishte mësuar të punonte në këtë mënyrë, vazhdonte bisedën duke notuar sa nga njëra anë në tjetrën, me përkthyesit që i vraponin përbri në buzë të pishinës, sikur të mos kishte asgjë të pazakontë.

Pas pak, për ta çuar deri në fund poshtërimin e mysafirit, Maoja e ftoi Hrushovin t’i bashkohej nga ana e thellë e pishinës. Në atë çast, që do të futej pothuajse menjëherë në legjendë, Hrushovit iu ofrua ose një kamardare plazhe ose një palë krahëzash noti, të cilat ai sërish i pranoi dhe mandej u përpoq, me një not të ngathët, të ndiqte bujtarin e tij që, kur e vuri re sikletin e mikut, gjeti rastin të shiste mend me disa lloje të ndryshme noti e të zhytej në ujë.

Para përfundimit të vizitës, Hrushovi urdhëron largimin e këshilltarëve sovjetikë nga Kina dhe dy vjet më vonë unitetin socialist do ta marrë lumi.

 

Dy historitë janë, në thelb, të ndryshme. Aty ku Regani e shfrytëzon imazhin në mënyrë racionale, për të mos thënë të pritshme, për fair game propagandistik, Maoja e përdor për të turpëruar personin që e konsideron veten epror të tij ideologjik në rrethana tepër intime. Rasti i parë nuk ndryshon asgjë mes dy vendeve apo në botë, përveç perceptimeve, ndërkohë që i dyti do të jetë instrumental në rrokullimën e marrëdhënieve kinezo-sovjetik drejt humnerës e fundin e bllokut komunist, me pasoja historike globale, pa çka se nuk do të ndryshojë asgjë në dukjen e BRSS si ortak kryesor në sipërmarrjen gjeopolitike të revolucionit.

Ajo që i bashkon, është nevoja për të krijuar metaforën pamore. Për Reganin dhe Gorbaçovin kjo ishte me gjasë nevojë për një difuzion sa më të gjerë të asaj që po mundoheshin të përcillnin, edhe pse vetëm njërit do të mund t’i ecte. Për Maon ishte ndoshta një nevojë për ta poshtëruar Hrushovin në «gjuhën» e tij, kujtesë e mungesave të thella që kishte në arsimim dhe flash-back dashakeq i viteve të kaluara si gaztor i Stalinit. Pse jo edhe një përmbysje katartike rolesh nga ana e dikujt që ishte trajtuar me arrogancë prej sovjetikëve dhe kritikuar për marksizëm-leninizëm primitiv?

Nevoja për të shprehur haptazi të pashprehshmen, herën e parë për shkak të largësisë ende të pakapërcyeshme mes të folmeve të dy shoqërive dhe herën e dytë për shkak të trysnisë së jashtëzakonshme të një ideologjie unifikuese e standardizuese për të mos lejuar shprehjen e pikëvështrimeve alternative, shpuri në zgjedhjen e një mediumi më të vjetër se gjuha, të cilin asnjëri prej pjesëmarrësve nuk ishte i përgatitur që ta përdorte në mënyrë ideologjike. Protagonizmi i secilit prej të katërve ishte shumë më tepër i lidhur me pozicionin e gjithësecilit në hierarkitë të pushtetit ku bënin pjesë sesa me funksionet e tyre në sistemet përkatëse të ushtrimit të këtij pushteti.

Pushteti, në këtë pikëvështrim, imponon mbi ushtruesit e tij një lloj robërie të formës, e cila i detyron këta ta shprehin pushtetin që ushtrojnë në disa trajta të paracaktuara, qofshin këto gojore apo pamore. Përsëritja mekanike e këtyre formulave bëhet për nevoja funksionale po aq sa për ato rituale e është një nga fijet kryesore të vazhdueshmërisë së pushtetit. Mise en scène-a, ama, duke qënë më e vjetër e rrjedhimisht më e thjeshtëzuar në shënjues (signifier), mbart një jehonë përpjestimisht më të madhe, së paku në ato pjesë të globit që kanë përjetuar format konvencionale të sundimit.

«Pushteti», thuhet të ketë thënë Napoleoni, « është para së gjithash dukja».

 

© 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Në vend të bibliografisë

https://www.theblaze.com/news/2014/05/14/ready-why-some-say-ronald-reagans-wardrobe-choice-on-this-trip-helped-end-the-soviet-union

https://www.vanityfair.com/news/2009/02/reagan-excerpt200902

https://www.smithsonianmag.com/history/khrushchev-in-water-wings-on-mao-humiliation-and-the-sino-soviet-split-80852370/

 

3 Komente

  1. Ne 1958, Hrushovi dispononte disa qindra mbushje berthamore (Amerika disa mijera), ne 1985 Gorbaçovi dispononte 40 mije e kusur mbushje berthamore, Amerika sa gjysma. Megjithese Maoja ishte aventurier, per fatin e Kines, BS-ja eshte terhequr mbrapsht, si ne 1958, por edhe sidomos ne 1968 (megjithese u parashikua nje bombardim me arme berthamore i te gjitha qyteteve te rendesishme kineze).
    Ne te kater individet e permendur 3 ishin edhe diplomate, ndersa Maoja i lajthitur.

    Napoleoni mund te kete thene qe pushteti eshte mbi te gjitha dukja, por besoj para vitit 1812, meqenese ne 1813 i duhej te zevendesonte 650 mije ushtaret e lene ne Rusi dhe ne 1814, i duhej te zevendesonte edhe 350 mije te tjere, qe u vrane, dezertuan apo nderruan flamur gjate vitit 1813. Thirri 900 mije franceze per mobilizim e perfundoi me vetem 80 mije ushtare ne fushaten e pranveres 1814.

    Pushteti mund te jete shume gjera, por edhe Maoja qe ishte aventurier, si ne 1958 ashtu edhe 1968, ne vitin 1972 shkoi e beri marreveshje me Ameriken dhe takoi Niksonin me shume perzemersi.

    1. Po ia nis për së prapthi.

      Për citatin e Napoleonit nuk gjeta dot datë të saktë, por ka shumë të ngjarë ta ketë thënë nga fundi i Konsullatit, kur mendonte të bëhej perandor. Ndoshta duhet të kisha shkruar “Bonaparti”, për të qënë korrekt në pikëpamje historike.

      Nuk i vë në diskutim shifrat që citoni. Duken të sakta, pavarësisht se vetë nuk jam njohës i mirë i historisë së proliferimit të armëve bërthamore.

      Megjithatë, nuk di sesa bie dakord që Maoja ishte tamam i lajthitur. Megaloman, sigurisht. Aventurier, padyshim. I rrjedhur, po deshët, me kalimin e viteve. Po i lajthitur? Nuk më mbushet mendja. Madje ato kthesa diplomatike që përmendët, sidomos afrimi me amerikanët nga ’71-shi e mbrapa, më duket sikur rrëfejnë që ishte më pak i rrezikshëm nga ç’hiqte veten.

      Të themi këtu edhe që politika e jashtme e Nikita Sergejeviçit nuk është se mund të konsiderohet një nga arritjet e tij të mëdha. Historira të tipit të Revolucionit Hungarez, Murit të Berlinit dhe Krizës së Raketave në Kubë, për të mos folur pastaj për të uruarën këpucë në OKB dhe atë “Мы вас похороним!” që lëshoi nga Varshava.

      U mor vesh për bukuri me Indinë, po, dhe u pajtua me jugosllavët.

      Kjo meqë i kishit përmendur mësipër, jo se shkrimi e ka fare për qëllim të japë ndonjë mendim për diplomacinë e njërit krahasuar me të tjetrit.

  2. Tani dallimi mes Bonaparti dhe Napoleoni I eshte i holle, por eshte sqarues, meqenese ideja ime ishte qe kur gjenerali s’ka ushtri s’ka as pushtet, dmth substancialja per nje gjeneral eshte dukja kur e ka ushtrine, perndryshe substancialja per çdo gjeneral ne pushtet eshte pikerisht ushtria.

    Kur them qe Maoja ishte i lajthitur (e aventurier), nuk nenkuptoj nje diagnoze mjekesore, se nuk e kam idene e diagnozave psikiatrike ( gjithsesi nuk besoj se ka diagnoze psikiatrike, i lajthitur ), por flas per veprime shpesh te papergjegjshme, qe shkaktojne demete medha. Perpos ngjarjeve te permendura, Maoja ka bere lajthitje te tjera te medha, nder te cilat dy me kryesoret:

    1- reformat ekonomike qe jane me skandalozet ne boten komuniste, pas atyre te Pol Potit ne Kamboxha (ky ishte aq idiot, saqe donte ta kthente Kamboxhan ne vend 100% fshatar). Ne fakt, nje nga arsyet qe Kina ka 40 vjet me rritje 10% eshte edhe sepse reformat ekonomike te Maos, ishin aq skandaloze saqe e lane Kinen me keq se ne mesjete. Ne fakt GDP e Kines ne mesjete llogaritej ne 500 dollare (vlera e dollarit internacional te vitit 1990), kurse kur vdiq Maoja diku tek 400 dollare ( 330 dollare te vitit 1978).

    2- Revolucioni kulturor maoist mund te konceptohet vetem nga nje mendje e semure, sepse aq miliona te vdekur kot me kot, per motive fare te parendesishme, ishin gjera fare pa lidhje ( mund te vrasesh gjithe te pasurit, ka kuptim qe lidhet me pushtetin e te varferve, por te denoncoje femija prinderit, sepse kane mbeturina mikroborgjeze apo anakronizma kulturore, kjo s’ka bythe ku te rrije).

    Maoja eshte nje nga shume individet historike qe u jepet rendesi e pamerituar, ne nje kohe qe gjestet jane prej te lajthituri. Mund te kujtoj Pjetrin e Rusise qe e quajne reformator te madh, ne nje kohe qe e vetmja reforme e tij ishte prerja e mjekres se aristokrateve ruse, venia e parukes ne koke dhe lyerja me puder. Nje shekull me vone, moda ndryshoi dhe aristokratet hoqen paruket e pudren dhe lane prape mjekren, keshtu qe edhe reforma e madhe e pesoi. Per te tjerat, muzhiku i shkrete rus ngeli bujkrob me shume se cdo vend tjeter europian dhe kur aristokratet u kujtuan per ta çliruar, e lane pa toke, diçka si puna e zezakut ne Amerike, qe u be i lire realisht vetem 100 vjet pasi e shpallen te lire.

    Nikita u detyrua te bente veprimet e permendura, sepse nuk mund ta leshonte Hungarine, ishte pa kuptim ( po te vepronte ndryshe do e kishin pushkatuar vete komunistet ), ne Kube ishte i detyruar te çonte raketat, sepse Kenedi (nje tjeter qe ka reklame te pamerituar), çoi raketat ne Turqi dhe u perpoq te rrezonte qeverine e Kastros duke organizuar forca rebele. Reciprociteti i raketave ishte akt i detyrueshem, nuk eshte se u zgjua nje dite Nikita dhe tha, ore po sikur t’ia çoj ca raketa berthamore Amerikes tek oborri i shtepise, ca behet.

    Perfitova nga rasti qe te veçoja diplomacine sovjetike, e cila ka qene ne nivele jashtemase te larta dhe amerikanet kane mesuar prej saj, nderkohe qe Maoja ishte derdimen fare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin