Në artikuj të kaluar kemi parë historinë e angazhimit të së Djathtës Fetare në politikën amerikane dhe idetë e saj bazë. Këtë rradhë do të analizojmë disa prej politikave të tyre konkrete e sidomos ndryshimet me sivëllezërit e tyre europianë.
Nëpërmjet veprimtarive të shumta, si fushata për mbledhje fondesh, konferenca, botime, apo paraqitje në mediat, fokusi i organizatave në përbërje të së Djathtës Fetare ka qenë historikisht në ndalimin e abortit dhe në kundërshtimin e avancimit të të drejtave të personave gay. Mirëpo vitet e fundit këtyre u janë shtuar edhe kritikat e ashpra ndaj ligjit për sigurimin shëndetësor (Obamacare), gjë që ka vënë në dukje edhe më tepër ndryshimet në vizionin politik kristian ndërmjet dy anëve të Atlantikut.
Dihet se për besimtarët kristianë që jetojnë në vende demokratike është e natyrshme përpjekja për të përdorur mekanizmin e votës si mjet të shprehjes së vlerave të tyre morale, e për të ndikuar edhe tek qeveritë përkatëse në të njëjtin drejtim. Kemi të bëjmë në fund të fundit me një parim themelor të sistemit demokratik, pra që përparësitë morale dhe etike të shoqërisë të pasqyrohen edhe në veprimtarinë e organizmave shtetërore. Dhe besimtarët modernë s’janë aspak të parët që kërkojnë të afrojnë veprimet e qeverisë me idealet e etikës kristiane, pasi në të dy kontinentet këto përpjekje kanë një histori të vjetër, duke filluar që nga Reforma në Europë (1517-1648) apo nga Zgjimi i Dytë i Madh në Shtetet e Bashkuara (1790-1840). Mirëpo në kohën e sotme janë përvijuar ndryshime të dukshme ndërmjet së Djathtës Fetare amerikane dhe bashkëbesimtarëve të tyre europianë, dhe më i rëndësishmi prej tyre është qëndrimi ndaj varfërisë. Kjo sepse besimtarët kristianë europianë përgjithësisht e shohin ndihmën për të varfërit, dhe luftën kundër varfërisë si plagë sociale, si diçka që ka nevojë edhe për forcën e autoritetit publik. Nga ana tjetër besimtarët amerikanë, dhe këtu e kemi fjalën kryesisht për të Djathtën Fetare, si grupimi më aktiv, mendojnë të kundërtën, pra që shteti s’duhet të përzihet në këtë çështje.
Ky qëndrim nuk është fort konsistent, sepse përpjekjet e së Djathtës Fetare amerikane synojnë në fakt ta përdorin autoritetin shtetëror për arritjen e një sërë objektivash etike kristiane, sidomos në çështjet e familjes e të moralit publik. Ndër më kryesoret e këtyre objektivave kanë qenë dhe janë ndalimi i abortit dhe kufizimi i të drejtave të personave gay, të cilat përbëjnë edhe temat kryesore të fushatave e veprimtarive të këtij grupimi. Nga ana tjetër, kur është fjala për të përdorur të njëjtin autoritet shtetëror për të luftuar varfërinë, politikanët kristianë e kundërshtojnë vendosmërisht një gjë të tillë. Kjo duket edhe në faktin se problemet e varfërisë, të pagave minimale, apo të të drejtave të punonjësve mungojnë thuajse tërësisht nga diskursi i këtyre grupeve dhe politikanëve të përkrahur prej tyre.
Përjashtimi i plagëve sociale me natyrë ekonomike nga programi politik kristian është pothuaj i pakuptueshëm për besimtarët europianë, të cilët janë të angazhuar me të njëjtën forcë si në çështjet e etikës familjare e të moralit publik, ashtu edhe në luftën kundër varfërisë. Ndryshe nga e Djathta Fetare në Shtetet e Bashkuara, kristianët e Botës së Vjetër nuk shpresojnë, e aq më pak të jenë entuziastë, se bamirësia individuale apo mekanizmat e tregut mjaftojnë për zgjidhjen e problemit të varfërisë. Mendimi i tyre është se nëse një autoritet shtetëror, që dëshiron të zbatojë parimet kristiane, mund të ndërhyjë në çështjet e moralit publik apo të familjes, po ai autoritet duhet të ndërhyjë me të njëjtën forcë edhe në çështjet e mirëqenies e të përmirësimit të kushteve ekonomike. Kështu p.sh. programi zgjedhor i Lidhjes së Besimtarëve Kristianë Britanikë (BCPA) përcakton uljen e pabarazisë ekonomike si një objektiv kryesor i cili duhet arritur me anën e rishpërndarjes më të drejtë të pasurisë dhe të të ardhurave. Programi thekson po ashtu se ky qëndrim ndaj pabarazisë rrjedh drejtpërdrejt nga modeli biblik i përparësive shoqërore dhe nga preokupimi kristian për marrëdhënie njerëzore të shëndetshme, të cilat vetëm se dëmtohen nga pabarazia në fjalë.
Në të njëjtën mënyrë edhe Lëvizja Politike Kristiane Europiane (ECPM), grupim që bashkon një numër partish kristiane nga vendet e Bashkimit Europian, parashtron objektiva të ngjashme në programin e saj. Atje shpallet se ”drejtësia shoqërore është parim biblik themelor dhe bazë e programit kristian-demokrat, që kërkon një preokupim të veçantë për nevojat e të varfërve, refugjatëve, të paprivilegjuarve dhe atyre që vuajnë”. Programi po ashtu bën thirrje për të vënë në dispozicion të këtyre kategorive të gjitha burimet e nevojshme, dhe për të krijuar mundësitë e duhura që ”çdo individ të jetë në gjendje të marrë pjesë në jetën e komunitetit”. Ndërsa një dokument studimor i po këtij grupimi, i titulluar ”Pas kapitalizmit” nënvizon se parimet biblike janë ”çelësi për të rindërtuar një sistem që të garantojë mirëqenien ekonomike, qëndrueshmërinë financiare dhe harmoninë shoqërore”
Ajo që duhet theksuar përsa u përket këtyre partive është fakti se ato nuk janë as të majta apo liberale, dhe as aleate të partive socialiste në vendet përkatëse, pavarësisht se objektivat e tyre në fushën ekonomike që përmendëm më lart, mund të etiketohen si ”socialiste” nga kristianët amerikanë. Pra ky mund të cilësohet si thelbi i ndryshimeve në angazhimin politik kristian ndërmjet dy anëve të Atlantikut: besimtarët europianë mendojnë se misioni kristian i luftimit të varfërisë e kërkon përdorimin e mekanizmave politike po aq sa edhe misioni për vlera të shëndosha etike e familjare, ndërsa e Djathta Fetare amerikane vë theksin vetëm tek ky i fundit. Me fjalë të tjera, europianët mendojnë se ”mëkati shoqëror” (që sjell varfërinë apo diskriminimin) është po aq i rëndësishëm sa edhe ”mëkati personal” (që sjell prishjen e karakterit të individit), ndërsa amerikanët i japin përparësi vetëm të dytit.
Kjo lënie e politikave ekonomike e të rishpërndarjes jashtë vëmendjes së etikës kristiane duket jo fort e afërmendshme, dhe fakti është se e Djathta Fetare amerikane flet më tepër për përgjegjësinë personale dhe lirinë individuale në çështjet e bamirësisë. Ata shprehen se janë vetë besimtarët dhe kishat, apo organizma të tjera private para-kishtare, që duhet të ndihmojnë të varfërit, dhe me këtë argumentohet edhe kundërshtimi i tyre ndaj zgjerimit të programeve sociale publike nga ana qeverisë. Mirëpo sipas partive kristiane europiane, një tkurrje e tillë e fushës së veprimit të drejtësisë ekonomike duke e kufizuar vetëm në bamirësinë private, është në vetvete një zgjedhje politike. Nëse autoritetit publik i takon të luajë një rol moral, dhe s’ka dyshim se ky është mendimi i së Djathtës Fetare amerikane, atëherë përse ky rol s’u dashka ushtruar në fushat ku besimtarët individualë pritet ta kenë një rol të tillë?
Nuk ka kësisoj ndonjë justifikim racional për këtë dallim që bën e Djathta Fetare ndërmjet fushave ku duhet të angazhohet shteti, duke thënë se ai duhet të angazhohet në objektiva sociale, por jo ekonomike. Dhe duhet theksuar se dallimi në fjalë përbën një veçori unike amerikane, e cila mund të shpjegohet në mënyrë racionale vetëm duke e parë si një shembull tjetër të ndikimit të besimit kristian nga kultura përreth, si ato që kemi përmendur në artikuj të kaluar (shih ”Shteti dhe kombi kristian”, Peizazhe, 28 janar 2017). Kemi të bëjmë kështu me një grupim që është në rradhë të parë politik, pra me preferencë për politika ekonomike të djathta, të cilat pastaj vishen me retorikë kristiane. Në këtë mënyrë është politika ajo që ndikon besimin, dhe jo e kundërta, që besimi të ndikojë kulturën, siç do të duhej të ndodhte në fakt sipas traditës së gjatë të filozofisë politike kristiane.
Si përfundim mund të themi se do të ishte një gjë sikur e Djathta Fetare të kundërshtonte përdorimin e aparatit shtetëror për çfarëdolloj objektivi të moralit publik (siç bëjnë në fakt disa kisha e bashkësi kristiane sot në Amerikë). Mirëpo ky grupim i fuqishëm nuk shkon deri këtu, ata nuk janë kundër çdo lloj angazhimi të shtetit, por vetëm sa e kufizojnë atë në disa fusha të caktuara, pra morale e familjare, duke lënë jashtë fushën ekonomike. Ky dallim, siç shpjeguam, dhe pavarësisht nga pretendimet për të kundërtën, nuk mund t’i gjejë burimet primare veçse jashtë besimit kristian, në këtë rast tek ”politika në plan të parë”.
Shume thone ata kristianet e kontinentit te ri, e shume te tjera bejne! Me fjale mund te mos jene per perzierjen e shtetit ne projekte sociale, por kur Bush-juniori ndau ndihma per te varferit permes disa kishave, keto te fundit me sa zell i muaren keto ndihma per t’ua shperndare te varferve!