Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

NË SHTËPINË TONË

1.

6 vjet më parë, në një ditë të nxehtë vere kur njerëzit në Tiranë tentonin t’i largoheshin vapës, apo t’i bënin derman asaj me si e me çfarë të mundeshin, i dashuri im më merr në telefon e më kërkon të takohemi në një zonë afër Myslym Shyrit. Kishte kërkuar pa më thënë, për ditë të tëra në gazetën Çelësi ofertat për shtëpi me qira dhe kishte mundur të gjente një shtëpi që kishte një dhomë, një gjysmë banjë, një korridor dhe një gjysmë aneks.

Gjëja e parë që mbaj mend pasi u futëm në atë ambient ishte freskia. Dielli nuk kapte pothuajse asnjë pjesë të shtëpisë.

“Si thua”, mu drejtua, “do e marrim…?”.

Nuk kaluan as dhjetë minuta pasi ishim ndarë nga i zoti i shtëpisë dhe e morëm në telefon për t’i thënë se kishim vendosur ta merrnim me qira gjysmë-apartamentin.

Për herë të parë në jetën time nisa të kuptoj që ndoshta edhe unë mund të jetoja i lirë, pa u dhënë shpjegime njerëzve. Mund të ndjeja gëzimin e të ndërtuarit të një jete që do të ishte vetëm e imja dhe e atij…

Një jetë për ne të dy.

Nisëm ta mobilonim shtëpinë me mjetet e pakta financiare që kishim. Ai ishte ende student, ndërsa unë veç shpenzimeve të mia duhet të ndihmoja edhe nënën time.

Një hapësirë të errët të korridorit që qëllonte të ishte e boshatisur poshtë shkallëve te hyrjes që të çonin në katin e dytë të pallatit, e shndërruam në bibliotekë pasi dy marangozë të cilët punonin privatisht pas orarit zyrtar të punës erdhën e matën dhe e skicuan. E ndriçuam dhe vendosëm përballë një formë divani që ditën dukej si mobilje televizori ndërsa natën mund t’i shtroje një jastëk e të shtriheshe për të lexuar.

Në tavanin e pjerrët nga forma e shkallëve porositëm një pasqyrë tmerrësisht të madhe që ditën pasqyronte ndriçimin nga këndet e pakta ku hynte dielli. Tek e vetmja dhomë e plotë vendosëm një nga ato divanet që natën hapej e bëhej krevat dopio.

Në mure vumë fotografitë e njëri tjetrit (si një deklarim fëminor për të thënë: këtu jetojmë ne) dhe imitimet e pikturave apo fotove artistike të preferuara.

Shtëpiza jonë e parë për pak ditë u shndërrua në oazin më të bukur, sepse u rikrijua falë dashurisë.

Çdo natë ftonim miqtë tanë për darkë (partneri im blinte gjërat që unë i shkruaja në një pusullë, unë gatuaja, një nga gocat më ndihmonte, një tjetër lante enët) dhe papritur ai apartament si shtëpi kukulle u shndërrua në një ambient të sigurt, ku unë, partneri im dhe miqtë tanë gej dhe lezbike mund të ndjenim, qoftë edhe për disa orë bukurinë e të qenit të vërtetë në dëshirat dhe aspiratat tona, të pafrikësuar nga askush e nga asgjë.

Pikërisht gjatë atyre darkave të thjeshta por shumë dashuri vendosëm të themelonim organizatën ProLGBT, pa harruar t’i atashonim edhe një slogan (ndoshta patetik ky): Hapa të vegjël… me dashuri të madhe.

2.

6 vjet më parë as që e mendonim dot se falë përkushtimit tonë për të jetuar të lirë, do të ndikonim direkt ose indirekt që kauza jonë të shërbente si mollë sherri për politikën e madhe të ditës, e madje që kauza jonë të kthehej në 2016 ne një nga kleçkat ku ndoshta ngec miratimi i Reformës në Drejtësi!

Në të vërtetë, propozimet për të plotësuar nenin në Kushtetutë që adreson parimin e mos-diskriminimit nuk rrezikojnë familjen e as shoqërinë shqiptare, ne dhe kushdo që ka minimumin e njohurive ligjore e di mirë.

Aktualisht, Kushtetuta e Shqipërisë mbron nga diskriminimi qytetarët për këto shkaqe: “gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”. Këtë nen të Kushtetutës ose do e bëjmë gjithëpërfshirës, në atë mënyrë që edhe qytetarë si ne të mos diskriminohen për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, ose detajimet në të do i heqim fare dhe do e lemë një nen te hapur e jo specifik që thotë pak a shumë kështu: “Ndalohet në Republikën e Shqipërisë diskriminimi i qytetarëve”.

Kjo mund të debatohet e në fakt, kështu mund të debatohet ky propozim e nen specifik.

Por jo! Zallamahisë i janë shtuar zëra që këtë propozim nuk e kuptojnë e që ky propozim u duket sikur do u ndryshojë konceptin që ata kanë për familjen. Këto zëra kundër janë aq të trashë në logjikën e tyre, sipas mendimit tim, saqë besojnë se nëse i mbron gejtë apo lezbiket nga diskriminimi atëherë ata do na shkatërrojnë familjen! Një Zot e di se si nevoja jonë për t’u konsideruar qytetarë të barabartë e të mbrojtur njësoj si qytetarët e tjerë nga diskriminimi do prishka familjen e … fjala vjen, Nard Ndokës!

Kjo, është hipokrizi në formën më klasike të saj dhe ligësi në formën më tipike.

Koncepti i dytë ligjor i sanksionuar në Kushtetutë ka të bëjë me të drejtën e çdo njeriu për të krijuar familje.

Në nenin 53 të Kushtetutës aktuale shkruhet e zezë mbi të bardhë: “1. Çdokush ka të drejtë të krijojë familje. 2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit. 3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj”.

Ky është neni që ka lidhje me martesën, jo neni më lart kundër diskriminimit. Ky nen i familjes nuk do ndryshohet, nuk është propozuar të ndryshohet dhe nuk ka asnjë nismë për ta ndryshuar.
3.

Atëherë, ç’është kjo frikë ndaj LGBT?

Nëse ndryshimet në Kushtetutë nuk do ndryshuakan dot nenin për familjen e as Kodin e Familjes të miratuar në 2003 (që ka ende mbetje nga Kodi i Familjes i vitit 1992, apo ai i komunizmit në vitin 1982 – viti kur unë linda, apo edhe nga Kodi Civil i 1981), ç’është kjo thuajse histeri kolektive e fetarëve, pseudo-politikanëve apo e ndonjë konservatori të pandreqshëm?!

Unë besoj se nuk e kanë me familjen. As me familjet e tyre, as me familjen e secilit prej nesh.

Unë besoj se e kanë me ne, me LGBTI!

Besojnë se nëse parimi i mos-diskriminimit sanksionohet edhe për komunitetin LGBTI që në Kushtetutë, atëherë u shteron e “drejta” ligjore që ata besojnë se kanë për të vazhduar ta diskriminojnë komunitetin LGBTI!

Nuk duan të mbrojnë familjen, se po të sillnin argumentet tipikë fetarë që vazhdojnë të sjellin (edhe pse jetojnë jashtë çdo parimi fetar në jetën personale) do duhet që Kodi i Familjes të ndalonte edhe divorcin, edhe abortin. Pse nuk kërkojnë edhe anulimin e divorcit?! Pse, fjala vjen, zonja Mesila Doda që thotë se është “pro jetës” nuk kërkon edhe ndalimin me ligj të abortit?! Pse nuk kërkon, për shembull, kriminalizimin e braktisjes së fëmijëve (pra që prindërit që braktisin fëmijët, të përballen me ligjin?!)

Po ata fetarë që argumentet burimorë i kanë në librat e tyre të shenjtë, pse nuk i lexojnë njësoj të gjitha kapitujt, e paragrafët a vargjet e librave të shenjtë? Mua personalisht këta fetarë më kanë lexuar në emisione televizive vargje nga Libri i Levitikut që sipas tyre dënon homoseksualizmin. Pse nuk lexojnë edhe vargjet e tjera të Levitikut që i lejon baballarët të shesin vajzat si skllave? Apo që i lejon njerëzit të marrin skllevër nga vendet fqinjë?

Pse nuk i lexojnë edhe vargjet ku shpjegohet me detaje se si gratë e lagjes kur zihen me njëra tjetrën, duhet të nxirren në sheshin e fshatit a të qytetit e duhen vrarë me gurë nga i gjithë komunitetit?

Po ata myslimanët, pse nuk janë deri në fund të sinqertë me burimin e tyre të argumentit, Kuranin? Pse nuk na thonë se çfarë shkruhet në Kuran në lidhje me format e vrasjes së gejve? Ta thonë, t’i thonë të gjitha, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë më shumë! T’i hedhim nga lartësitë gejtë, apo t’i vrasim me gurë? T’u presim kokën me shpatë, apo t’i mbyllim me gjarpërinjtë?!

Nuk e kanë pra se duan të mbrojnë konceptin e tyre të familjes, ata/ato duan vetëm të mbrojnë “të drejtën” që besojnë se kanë, për të diskriminuar njerëzit apo komunitete të tëra.

E këtu, bëjnë, një gabim thelbësor! Një gabim që u buron nga padija për çështjet ligjore!

Në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht dashurisë që kanë njerëzit e drejtësisë për të punuar me ligje të kodifikuara, burimi i legjislacionit është divers. Në kuptimin, që janë kodet, por janë edhe ligjet. Janë ligjet, por janë edhe VKM-të. Janë VKM-të, por është edhe Kushtetuta. Është Kushtetuta, por janë edhe konventat ndërkombëtare. Dhe në këtë mori, ka një hierarki të qartë: Në krye qëndrojnë Konventat ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, që ne si Republikë i kemi nënshkruar e ratifikuar një për një, pastaj vjen Kushtetuta, pastaj Kodet specifikë, pastaj ligjet e Kuvendit, pastaj VKM-të e kështu me radhë. Dhe parimi i mos-diskriminimit të familjeve gej, është tashmë i sanksionuar të paktën në një nga këto konventat, që është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. E thënë më troç, nuk kemi nevojë të ndryshohet Kushtetuta që ne të shkojmë në Strasburg e të vërtetojmë që Kodi i Familjes, ashtu siç është, ka të paktën dy nene anti-kushtetues, që janë dy nenet e vetme që rregullojnë çështjen e bashkëjetesës.

Mund të shkojmë që nesër në Strasburg e madje mund të vëmë në lëvizje që nesër Gjykatën shqiptare Kushtetuese në atë mënyrë që ndaj Shqipërisë të ketë vendime si ndaj Italisë dhe Greqisë (të dyja këto vende amenduan ligjet e tyre përkatëse për t’u ofruar edhe familjeve të personave LGBTI mbrojtje ligjore).

Këtë të drejtë, nuk na e jep vetëm Kushtetuta, e cila në vetvete është gjithëpërfshirëse dhe e mirë ashtu siç është. Këtë na e jep edhe korpusi ligjor ndërkombëtar, që qëndron në një shkallë më të lartë se Kushtetuta!

Atëherë, pse kemi përfunduar që Nard Ndoka (po e marr si shembull, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtën që ai gëzon si përfaqësues i popullit) të na japë leksione që nuk qëndrojnë mbi të drejtën kushtetuese e mbi të drejtën e çdokujt për të ndërtuar familjen e vet e për t’u mbrojtur nga diskriminimi?

 

4.

Së bashku me partnerin tim, nuk e dinim 6 vjet më parë se jeta jonë modeste ishte e destinuar të shndërrohej si një shembull që ose do e motivonte komunitetin LGBTI, ose do e dekurajonte.

Kur ne ndërtonim shtëpizën e ëndrrave tona, nuk e dinim atëherë se me atë veprim lirie do mund të frymëzonim të tjerë si ne, vajza apo djem në nevojë për të jetuar të lirë.

Fatin ndonjëherë nuk e zgjedh, por kur fati të ka zgjedhur, atëherë mund të vendosësh ta pranosh. E ne tani e dimë që ky paska qenë fati ynë: të luftojmë për veten e për të tjerët përmes shembullit tonë personal. Patetike? Ndoshta! Por kjo është ajo që i shqetëson njerëzit që nuk mendojnë si ne. Ata e dinë që ne kemi armën më të fortë që i duron të gjitha: të qenit vetvetja. Kjo e fuqizon komunitetin tonë, jo thjesht ndryshimet ligjore që herët ose vonë do të ndodhin.

Kështu që, i dashur Nard dhe Nardët e tjerë: Mund të vononi Reformën në drejtësi, por nuk mund ta ndalni dot faktin që qytetarë si ne tashmë e dinë që forcën e kanë mes vetes dhe përkushtimit personal, e jo në mbledhjet me dyer të mbyllura të politikës. Është thjesht një betejë e humbur si me mullinjtë e erës refuzimi patologjik që keni ndaj të drejtës që ka çdo qytetar të jetojë me dinjitet.

10 Komente

  1. Duke hyre e duke dale tre dite ne tre vjet ne Tirane, nuk eshte se kupton shume gjera. Shkrime te tilla ndihmojne per te kuptuar se sa shume ështe çliruar fjala.

  2. A rigor di logica, siç thonë italianët, edhe fjala “racë” duhet hequr nga Kushtetuta, meqë racat nuk ekzistojnë. Në qoftë se kushtetutave të tjera u ka mbetur, ndodh se janë shkruar të paktën 70 vjet më parë. Apo për të qenë brenda…? Apo dru-me-pre?

  3. Z. Pinderi,

    i jeni referuar Levitikut nga Bibla, ndonëse jo shprehimisht caktimit të vrasjes për burrat homoseksualë aty; pastaj keni cekur përgjithësisht Kuranin ku sipas jush jush përshkruhen “format e vrasjes së gejve”, të cilat mbahen sekret nga “ata myslimanët” kundërshtues të nismave pro-LBGT. Ka ndonjë emër, si Levitiku, ky kapitulli nga Kurani ku përshkruhen vrasjet e “gejve”?

    Me sa di, nuk përmenden fare vrasje apo forma vrasjesh a dënimesh për “gejtë” në Kuran (pse sigurisht nuk është fjala për shkatërrimin e Sodomës kur shkruani për dënime me gjarpërinj e shpata). Dhe më duket se nuk duhet të njohësh detyrimisht fetë, sa historikun e debatit rreth LGBT, për të ditur kaq.

    Nëse nuk ka asnjë përmendje të tillë në Kuran, le ta korrigjoni pak pasazhin.

    1. Ne dijenine time teologet nuk bien dot dakort per formen e denimit. Por jo a duhet denuar apo jo me vdekje.

      1. E kishit dhe e keni lirinë ta formuloni krejt ndryshe, pra, polemikën me myslimanët që janë ballafaquar me ju, duke i rënë më shkurt e duke iu përmendur qëndrimin mbizotërues – sado jokonsensual – të juristëve islamikë më shumë se 1000 vjet më parë, për dënim me vdekje. Por jo duke përmendur Kuranin si vendpërshkrim të dënimit e aq më pak të formave të tij. Sigurisht, debatet mes shkollave a personazheve dje a sot, mbi bazat, kuptimin, llojet a kushtet e aplikimit të ligjit islamik në tërësi a hollësi, nuk e keni për detyrë ju t’ua kujtoni.

        Vetëm se, për hir të argumentit që keni ngritur me aq këmbëngulje, në cdo enciklopedi apo rrëfyes të temave a termave të Kuranit, si edhe në cdo monografi mbi LBGT, mund të gjeni lirshëm faktin se në Kuran nuk përshkruhen fare ato që keni provuar deri në variacione t’i përshkruani. (Përsëris se librin e “fetarëve”, sic i keni quajtur, e kurseni nga përmendja fjalë për fjalë e dënimit me vdekje tek Levitiku, dhe përpiqem ta kuptoj drejt pse.)

        Ndërhyra vetëm pse kritika ka të bëjë me botën e faktit, meqë në llojin e PTF-së nuk tolerohen referime të paqena. A ndodh që revistave të tilla “nëpër botë”, qoftë dhe me qendërsinë unikale që ka PTF në shqip, t’u shpëtojnë detaje në artikuj, sidomos kur artikulli propozohet në mirëbesim nga një specialist apo veprimtar? Ndodh patjetër. Thjesht autori bën korrigjimet, dhe, po deshi, revista poshtë artikullit i dokumenton “në kllapa e italik”, e me kaq u mbyll.

        Personalisht, ndonëse lexues amator i fesë dhe kulturave islamike, nuk është për t’u habitur që për pasazhet e Kuranit ndaj asaj që sot quhet homoseksualitet kam mësuar pikërisht nga debatet e literatura mbi LBGT. Pse janë pikërisht veprimtarët dhe akademikët LBGT që kanë popullarizuar fort mungesën e dënimeve ligjore të homoseksualëve në Kuran.

        Ps: Nëse vërejtja ime zbulohet si e drejtë, i lutem redaksisë që pas korrigjimit t’i fshijë mesazhet e mia.

        Mund t’u referoheni burimeve serioze si:
        Enc. of Islam, vol. V (LIWAT), (Leiden:1986), 776
        (“… nuk dënohet specifikisht nga Libri i Shenjtë …”)
        Enc. of Quran, vol. II (homosexuality), (Brill: 2001), 444

  4. Kurani 7:80 – 84 (perseritet dhe ne te pakten tre vende te tjera). Flet per shiun (e gureve?), interpretimi i ketij momenti (qartesisht te frymezuar a te perseritur nga historia biblike e Sodomes) eshte burimi i denimit me vdekje qe (dhe ky eshte fakt) u jepet sot gejve. Ne 10 vende (disa i varin, tani kane filluar i hedhin nga lartesite, apo i gjuajne me gure etj). 10 vende ku Kurani nuk eshte vetem burim frymezimi por burim i legjislacionit.

    A po e interpretojne gabim? Miq te mi qe jane edhe gej edhe muslimane me thone qe po, po e interpretojne gabim! Po pyetjet e mia ne ate paragraf (kane te gjitha shenjen e pikpyetjes) bazohen te ky fakt: sot mund te te vrasin po te jesh gej ne te pakten 10 vende te botes

  5. Falemnderit Krist për kurajon dhe artikulimin e argumentit. Shoqëria nuk do të mund të emancipohet thjesht dhe vetëm sense ndonjë a dy ambassada perëndimore organizojnë maratonën e filmave pro LGBT. Është përvoja e jetuar në Shqipëri që më së pari sjell në vëmendje të publikut faktin që djemtë e vajzat LGBT janë shokët tanë të shkollës a punës, kalamajtë tanë, të miqve tanë, njerëz me aspirata për përparim shoqëror e profesional…shkrime si ky normalizojnë debatin dhe i japin qytetari me të drejta të plota argumentit.

  6. E di që është e rëndësishme, por nuk po diskutonim dënimin me vdekje të gejve nëpër botë, thjesht po zgjasim një diskutim që lindi nga pyetje të thjeshta që ju ua drejtoni, retorikisht, disa bashkëqytetarëve tuaj:

    -Pse nuk na thonë se çfarë shkruhet në Kuran në lidhje me format e vrasjes së gejve?

    Rezultate për kërkimin tuaj për format e vrasjeve të gejve në Kuran nuk ka, jo thjesht pas ndonjë leximi me sy të lirë, por mbështetur në verdikte burimesh të njohura akademike, joapologjetike, si ato që solla për konsultim, e mekanikisht mund të sillja dhjetëra.

    Meqë e mbajtët hapur diskutimin, jam i detyruar të vërej se po flisni për cka nuk keni shumë njohuri. Meqë në dialogun e civilizuar ndershmëria e bashkëbiseduesit nuk mund të vihet në dyshim, mbetet thjesht të themi se me citimet nga Bibla e Kurani tregoni se nuk i njihni këta libra.

    Pse po do ta njihnit Biblën nuk do përmendnin dot Levitikun në kontekstin e homoseksualitetit, pa përmendur elefantin në dhomë, Levitikun 20:13, ku shprehimisht ceket dënimi me vdekje për burrat e përfshirë. Kësaj ju i kaloni anash, duke ua mveshur si një dënim abstrakt pretendimeve të “fetarëve”. Ndërkohë që po këmbëngulni se pasazhe të njëjta ose të ngjashme, me “forma vrasjesh për gejtë” gjenden patjetër në Kuran. Ku? Në fillim përmendët si argument “teologët”. Tani dolët tek pasazhi me shkatërrimin e Sodomës…

    Format (shumës) e vrasjes të cilat kërkoni dhe pastaj i rreshtoni po vetë (mure, gurë, shpata, gjarpërinj) në shkrimin tuaj nuk i referohen dot historisë së njohur të Sodomës.

    Sepse po flisnit për ligje e rregulla fetare: ndalime, lejime, urdhëresa, si parashkrim apo caktim, konkretisht dënimesh me vrasje, tek Levitiku.

    Historia e Sodomës, si përshkrim, jo parashkrim, nuk hyn dot këtu. Zaten nuk jua përmenda kot që në fillim shkatërrimin e Sodomës, jo thjesht për të dalluar një kategori qartësisht tjetër teksti, por edhe për t’u siguruar se as që i referoheshit dot asaj, qoftë dhe gabimisht – cka e vërtetuat edhe në përgjigjen e parë, kur dënimin me vdekje ua kthyet teologëve, jo frymëzimit prej shkatërrimit të Sodomës.

    Meqë kjo e fundit është histori-rrëfim, sado frymëzuese të jetë, dhe jo ligj-urdhëresë; shkatërrohet një vendbanim, një herë, në një formë, dhe jo nga njerëzit. Po përpiqem t’ua milimetroj logjikisht hap pas hapi, sa mundem, argumentin tim, pasi mund t’i bie dhe më shkurt: dihet se urdhëresat në Kuran shprehen haptas, jo me aluzione. Haptas fare, mu si vargu mbi “homoseksualët” tek Levitiku.

    Në ndarjen tuaj retorike me “ata fetarë” dhe “ata myslimanët” respektoj etikën dhe strategjinë e moskundërvënies së hapur me një tekst a grup fetar, dhe e kuptoj disi pse hezitoni ta bëni të njëjtën rrumbullakosje me palën tjetër; por sërish nuk ju ndjek dot deri në fund. Pse kërkoni me insistim një gjë që nuk gjendet, kur pak më parë keni ditur të mos gjeni atë që është para syve? Po fjalën e miqve tuaj myslimanë, që mbështet tërthorazi argumentin e mungesës, pse nuk e numëroni?

    Nëse keni pasur guximin e admirueshëm shumë herë më të madh të dilni publikisht e të identifikoheni me kauzën pro-LBGT, mendova se muhabeti nuk do zgjatej pse nuk do ju duhej shumë mundim të pranoni se një referencë nuk e paskeni gjetur saktë. Gjithkujt i ndodh.

    Pranoj tani, duke hequr fishën, se nuk kisha dëshirë fare të debatoj: thjesht në lexim e sipër të artikullit tuaj ceka dicka që nuk qëndron, duke menduar se një referencë e gabuar nga një libër kaq i njohur është e pavend për cdo mjedis serioz. Gabimi m’u duk edhe më i rëndë sepse rreshtohej si sfidë.

    Megjithatë e ndjej veten në gabim që hyra në diskutim, gabim dhe që po e vazhdoj diskutimin jashtë dëshire, ndonëse vazhdoj të mendoj se është mirë të nënvizohet mungesa e asaj që kërkoni në Kuran.

    Ps: Mund ta përdorni që tani pranimin e gabimit tim për hyrjen në debat si një lloj fitorje të vogël, dhe kështu nuk keni pse bëni më asnjë korrigjim.

    1. Nuk kam asnje problem, as kompleks te pranoj te kem shkruar dicka gabim. Dhe po, nuk e njoh mire, madje nuk e njoh fare Kuranin. Ndaj cdo sugjerim i joti qe qartazi vjen nga nje njohje me e mire apo me e thelle e Kuranit eshte mese e mirepritur.

      Botuesit/Botuesve do ju kujtoja sugjerimin qe ne rast se ne tekstin tim hasin ne referime qe nuk jane te sakta, apo te paplota, le te bejne nderhyrjet e duhura.

      Vetem se, ceshtja eshte qe une nuk bej referime!

      Mos po me thoni qe duhet te permend vargjet ne Levitik qe urdherojne vrasjen e gejve? Mos po thoni qe meqe spo i permend keto, po mbaj nje qendrim me pro bibles e me diskriminues ndaj kuranit?

      Shume gabim ta mendosh kete. Per mua, si nje i krishtere besimtar dhe praktikant (nese mund te quhet keshtu), roli i kishes ne kriminalizimin e homoseksualizmit eshte me i rende, me i qenesishem e me hipokrit!

      Ama nuk me rezulton qe vende te botes te denojne me vdekje komunitetin gej bazuar ne bibel. Ka disa kisha amerikane te pushtetshme qe sipas disa mediave (sidomos MSNBC) mund te kene ndikuar permes fondeve ne Uganda qe te mendohej e votohej seriozisht denimi me vdekje aty. Po nga ana tjeter ke plot 10 vende anetare te OKB qe e interpretojne kuranin ndryshe e fale atyre interpretimeve te Kuranit, i varin, i qellojne me gure, i vrasin me shpate apo i hedhin nga ndertesat e larta gejte.

      Ne fund fare, me duket njesoj hipokrizi te kerkosh interpretime shkencore apo teologjike ne nje shkrim qe nuk synon te denoje as islamin, as krishterimin, por hipokrizine e kujtdo qe kerkon te perdore emrin e perendise, cilado a cilido qofte, ne emer te shenjterise dhe vertetesise se “librave te shenjte”.

  7. Per dijenine e lexuesve ketu (per te kuptuar qe hipokritet e kamufluar nga interpretimet e “shenjta” skane ndonje dallim nga njeru tjetri), nje sherbim shume i sakte i Rachel Maddow qe tregon si te krishteret e Prayer Breakfast (ku qellon shkon tere qejf edhe nje politikan shqiptar, Fatmir Mediu), frymezojne e paguajne, literalisht paguajne, vende si Uganda qe te vrasin gejte:

    https://www.youtube.com/watch?v=V10frgsoB54

    Dhe se dyti, referenca ne Kuran (pershkruese apo jo, e huazuar nga bibla apo jo) te cilen te pakten 10 vende te OKB perdorin per te vrare gejte (anglisht, meqe nuk e gjeta dot ne shqip online):

    7. Sura Al-A’raf (The Heights) (https://www.thereligionofpeace.com/quran/noble/sura7.html#80)

    80. And (remember) Lout (Lot), when he said to his people: “Do you commit the worst sin such as none preceding you has committed in the ‘Alamin (mankind and jinns)?

    81. “Verily, you practise your lusts on men instead of women. Nay, but you are a people transgressing beyond bounds (by committing great sins).”

    82. And the answer of his people was only that they said: “Drive them out of your town, these are indeed men who want to be pure (from sins)!”

    83. Then We saved him and his family, except his wife; she was of those who remained behind (in the torment).

    84. And We rained down on them a rain (of stones). Then see what was the end of the Mujrimun (criminals, polytheists, sinners, etc.).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin