nga Arb Elo
Fryn tollumbacet, koma
31 Dhjetor 2015 17:06
Në rrethinat e Tiranës, në Kombinat më saktësisht, festimet e Vitit të Ri kanë marrë një nuancë tragjike.
Artemisa Kokomani, 27 vjeç, mbesa e gazetarit të njohur të News 24, ka rënë në koma, ndërsa po frynte tollumbace, me të cilat synonte të dekoronte banesën e prindërve, ku do të festonin sëbashku Vitin e Ri.
Me sa duket, tollumbacet kanë patur membranë të trashë e qenë të destinuara për t’u mbushur me helium, ndërsa Kokomani ka tentuar t’i fryjë ato me forcën e mushkërive, gjë e cila ka çuar në kolapsin e këtyre të fundit. Ndihma e shpejtë, pa çka se është dhënë menjëherë, nuk ka mundur të parandalojë rënien e saj në koma.
Sidoqoftë, mjekët janë optimistë e pohojnë se Artemisa ka shumë të shanse ta marrë veten brenda disa javësh. Këtë ia uron edhe redaksia jonë, shoqëruar me urimin edhe më të gjerë për lexuesit tanë: Gëzuar Vitin e Ri 2015! Qoftë ky viti i sukseseve dhe mbarësive personale!
Rroftë jeta!
Fuck Xhu!
08 Shkurt 2018 24:06
Ca tinguj pianoje, Shuman, Shubert, Shopen, pikë-pikë-pikë, mu si shiu i kohës që merr të mirë e të ligj e zhbën gjithçka, foto fëmijësh, në sfond libra; dy duar fisnike, të rreshkura e të paqme nxjerrin nga rafti një libër me kapak lëkure me ngjyra të errëta e ca të kuqe, një fotografi e vjetër bardhëezi: një çift romantik, ai i mbushur edhe i lartë; ajo, delikate dhe e brishtë. Menjëherë të ndërmendet „Për kë bien kambanat“ e zemra zbutet nga çiltërsia e fisme e kësaj dashurie në kohëra luftërash e të vjen keq që nuk ke qenë edhe vetë aty; të luftoje me kulturë perëndimore për shporrjen e fashizmit nga këto vise të lashta me vajza e djem si zogj.
Xhunga – Si erdhi njohja, si ndodhi kjo dashuri në kohë lufte?
Xhuglini – (pak a shumë) – Sapo ishte themeluar grupimi ynë artistik „Të kuqtë“ dhe kështu u njohëm. Unë isha një pianiste e re, e brishtë, e hajthme e nuk flisja shumë, parapëlqeja romantikët, në dallim nga D., e cila ish ku e ku më e hedhur, me ekspresioniste. Ai ishte i hijshëm, – më vonë, kur kam lexuar dhe parë fotot e Frida Kalos dhe Diego Riverës, më ka goditur ngjashmëria, ndonëse ata merreshin me pikturë e ne me muzikë. Por fillimisht as nuk më shkonte mendja; thjesht mendova dhe më erdhi shumë mirë që paskëshim një udhëheqës kaq të kulturuar e të pjekur. Ndërsa Q. ishte më i hapur, hidhte e priste, ishte më gazmor; fundja ishte i ri akoma, ishte gjimnazist. E., nga ana tjetër, e mbante humorin, porse ngjante më i përqendruar, më i rrahur me jetën. Kur u hodha në ilegalitet, më mori me një biçikletë; hip më tha, anash, mua më vinte turp; hip tha se po erret e nis ndalim-qarkullimi. E kisha vendosur me veten time që nuk do të angazhohesha me një dashuri e, aq më shumë, të martohesha gjatë luftës. Po mirë, tha ai.
Foto bardhezi nëpër të. Ajo, e veshur me të errëta, me syze, e ëmbël, e hajthme, dhe ai, i qeshur, por edhe serioz njëkohësisht, i thellë, i vetëdijshëm për misionin që i ka ngarkuar jeta për t’u ardhur në ndihmë të mjerëve e për të vrarë ata që e kanë njohur.
Xhuglini – Ndenjëm atë natë te Syrja Selfo, natyrisht në dhoma të ndryshme. Syrjanë e vrau Koçi Xoxe, ndërsa Koçin e vrau pastaj pushteti popullor; nuk ishte i kulturuar, teneqexhi. U përvesha me gjunjët përdhe të laj dërrasat me furçë, a thua sikur ta parandjeja gjakun që do të derdhej më vonë, si të Syrjasë, ashtu edhe të Koçit.
Xhunga – Sa libra kishte E. dhe në çfarë gjuhësh lexonit?
E kështu një orë të tërë; romantikë krimi, po hë mo se të shkuara e të harruara, se telespektatori, se gazetaria. Fuck Xhu!
Del për gjah, e përdhunojnë
30 Dhjetor 2015 12:04
Horror në komunën e Divjakës.
Iljaz G. ka tentuar të vrasë me paramendim rojen e rezervatit të njohur Çelo M., të vëllanë e tij Zeqir M., si edhe të birin minoren të këtij të fundit me inicialet L.M., por nuk ia dalë, pas ndërhyrjes së forcave të rendit në moment deçiziv.
I pyetur në hetuesi për motivet e tij Iljaz G. ka pohuar se është nisur për të gjuajtur, pa leje, në rezervatin e Divjakës dhe ka vrarë atje një derr të egër. Ndërsa po kthehej ai është kapur në flagrancë nga të lartpërmendurit, është lidhur pas një pishe e më pas edhe dhunuar prej tyre, mes të tjerash edhe seksualisht.
Poqën derrin dhe e hëngrën duke e shoqëruar me raki, ndërsa mua më kishin lidhur me litarë e më tallnin – rrëfeu Iljaz G. për prokurorinë. Pastaj më morën dhe nderin.
Të pandehurit kanë dëshmuar se e kanë zënë Iljaz G. ndërsa kryente aktin e paligjshëm të gjuetisë pa leje dhe janë sjellë konform ligjit me të.
Hetimet vazhdojnë në disa pista.
I mbetet mjekësisë ligjore të hedhë dritë mbi pretendimet e të dyja palëve.
Iljaz G. mbahet në paraburgim, ndërsa farefisnorët M. ndodhen në gjendje arresti të lirë.
Udhëton katër orë e gjysmë me mahetë në kokë
17 Dhjetor 2016 11:40
Një brazilian udhëtoi me makinën e tij për katër orë e gjysmë drejt spitalit, ndërkohë që kishte një mahetë 78 centimetra të ngulur tejpërtej në krye.
Juacelo Nunes, 39 vjeç, u godit me mahetë tri herë gjatë festimeve tradicionale të Pavarësisë nga një i njohur i dehur për motive të dobëta.
Por ai qe më fat që shpëtoi gjallë, pasi maheta i kishte hyrë deri në gojë, në pjesën e djathtë të nofullës, kish prekur një arterie në qafë, duke mos prekur për një fije nervin central që ushqen trurin me vetëdije dhe kish përfunduar në gjoks, në një zonë të parrezikshme për trupin.
Nunes do t’i duhet këtej e tutje të hajë me tuba e të mos flasë dot.
Përndryshe ai e ka marrë veten dhe e ia ka falur të njohurit, ndaj të cilit nuk ka ngritur as padi.
Raste të tilla nuk janë të pazakonta në stinën e festimeve tradicionale në Brazilin Jugor, ku lënë jetën çdo vit duzina pjesëmarrësish.
Kur tërbohet një shofere ruse
13 Dhjetor 2017 11:27
Ky është momenti kur një shofere e tërbuar ruse shtyp me makinën e saj disa herë një të moshuar, pasi ai i kishte gërvishtur pak me majën e çadrës padashje makinën e re Kia Sorento.
37- vjeçarja Marina Skhurina nuk u ndal në tërbimin e saj as kur forcat speciale të policisë dhe një helikopter rrethuan vendin e ngjarjes.
Një ambulancë e dërgoi të moshuarin pas arrestimit të saj në spital. Ai nuk mundi të mbijetonte, falë plagëve tejet të rënda që i kish shkaktuar Skhurina.
Policia ka ngritur menjëherë akuzat ndaj shoferes.
Procesi do të bëhet në pranverë; ndërkohë qytetarë të revoltuar janë hedhur në protesta masive, ku kërkojnë që të mbrohet më fort jeta e tyre nga pushtetmbajtësit.
Një hipopotam qan nga dhimbja
63 Dhjetor 2016 11:20
A janë këto lotë të vërtetë, apo krokodili?
Në Tajvan, një hipopotam, nga paniku, u hodh nga një makinë në lëvizje.
Ai theu dy këmbë.
Pamjet tregojnë se krijesa nisi të qajë me dënesë.
Banorët që e kanë parë skenën kanë mbetur të shokuar.
Të gjitha kafshët mund të derdhin lotë në kuptimin biologjik, pasi kështu i përgjigjen stimujve të mjedisit ose nxjerrin papastërtitë nga sytë.
Por kjo është hera e parë kur kjo ndodh në publik.
Harron të shoqen në bodrum, fishket
00 Dhjetor 2016 03:67
Çarli Mek Donovan po bënte, sëbashku me bashkëshorten, sauna në bodrum.
Ai ngjitet sipër për të marrë diçka për të pirë dhe ia tërheq vëmendjen një lojë tenisi që po zhvillohej në televizorin e ndezur në dhomën e ndenjes.
Çarli Mek harrohet duke e parë; ndeshja zgjati mbi 5 orë, ndërkaq e shoqja nuk dilte dot nga sauna, pasi Mek Donovan e kishte mbyllur derën nga jashtë.
E gjejnë të fishkur e të rrudhur fare nga kontakti me avullin dhe e dërgojnë menjëherë në reanimacion.
Ajo ka ngritur padi për Çarlin.
Pritet vendimi i gjykatës, që do të mblidhet në fund të marsit.
Monstra e Loch Ness-it fotografohet në tokë
30 Dhjetor 2073 02:67
Për herë të parë qysh nga vëzhgimet e para, që datojnë në Mesjetë, monstra i Loch Ness-it është fotografuar në tokë.
Aparatin e shkrepi në nëntor Leonarda Pizzikato që po nxirrte të fejuarin.
Në sfond dallohet qartë qafa e gjatë dhe e përkulur e Nessie-t.
Kjo ndodhi në gëmushat që rrethojnë liqenin e njohur mbarëbotërisht.
Forumet paranormale po ziejnë qysh atëherë, ndërsa banorët e fshatit aty afër i ka mbërthyer paniku, në një kohë që numri i turistëve sa vjen e shtohet.
Hap tunel, e bën rrethor
26 Dhjetor 1967 19:45
Duke mos ditur ç’të bënte në qytetin e rrethuar nga rebelët Aleppo, ku po luftohet çprej dy vitesh, Ismael Kurasani, një pensionist shiit, nisi të hapte tunel veç me duar dhe disa lugë.
I del padashur rrethor, duke përfunduar po aty ku e kish nisur.
I pyetur nga gazetarët e huaj nëse ish i zhgënjyer nga kjo Kurasani u përgjigj: Nejse…
Mend për herë tjetër.
Tashmë ai po punon në një tunel të dytë, këtë herë vertikal.
Shkruan haiku, e rrahin
26 Dhjetor 2016 13:34
Brigada e femrave xhihadiste al-Khansa kanë rrahur në provincën Raqqi një të ri sirian, të cilit i pëlqente të shkruante e të deklamonte haiku, me akuzën se nëse vargjet i përmban Kurani, nuk kanë sepse të shkruhen e nëse nuk i përmban janë sidoqoftë të tepërta, pasi në librin e shenjtë gjendet gjithçka. Të rejat xhihadiste i përmbahen kështu rigozorisht një shpalljeje të vezirit të shek. të tetë, Khalil al Qoumrani, që dogji asokohe të gjitha tekstet jokuranore.
Ato e kanë torturuar të riun me një pajisje për kapjen e arinjve.
Xhihadistet e reja janë akuzuar se në një rast tjetër kanë dhunuar një femër me ferexhe të tejdukshme plastike.
“Do të ndëshkojmë këdo që nuk i bindet rregullave islamike”, ka deklaruar më herët Selma Buhari, njëra prej xhihadisteve të reja më aktive.
Macja e shtëpisë mbyt një leopard
01 Janar 2016 21:47
Pas një rasti në Kosovë, ku një qen shtëpiak mbyti një ujk mëse të egër, ja ku vjen edhe një tjetër i freskët nga Afrika Qëndrore.
Ngricat e forta të këtyre ditëve kanë bërë që një leopard të afrohet pranë zonave të banuara në një fshat pranë qytetit të Kinshazës.
Por macja e familjes N’dour e ka mbytur leopardin e lodhur nga uria, siç tregojnë fotot e shpërndara masivisht në rrjetet sociale.
Në Afrikën Qëndrore mishi i leopardit çmohet si delikatesë, sidomos bishti, ndaj dhe banorët e shtëpisë ia kanë hequr maces nga kthetrat dhe kanë bërë selfies me kërmën, të cilën pastaj e kanë gatuar.
Fotot e tryezës festive, të hedhura edhe ato në rrjetet sociale, janë komentuar rëndë nga online-sat perëndimorë, ndërkohë që banorët e zonës dhe komunitetet aziatike kanë treguar admirim për fatin e familjes N’dour dhe kanë postuar receta të ndryshme.
Pornot më të kërkuara për Krishtlindje
04 Janar 2016 12:03
Portali i njohur pornografik PornHub shpalli se ka patur një rritje prej 2,69 përqind përsa i përket termit më të kërkuar në videot pornografike.
Termi i kërkimit “Ndihmësi tekanjoz i Babazotit” ka qenë ndër më të kërkuarit dhe ka pësuar rritje të ndjeshme, krahasuar me një vit më parë.
Ky term kryeson 20 termat kryesorë të kërkimit.
Në vend të tretë ishte “F*ck Christmas”, ndërsa në vend të pestë, çuditërisht në shqip: “Rilindaset”.
Vendin e nëntë e mban prej kohësh “Proteza dentale e Santa Klausit”.
Megjithatë PornHub-i pati një rënie me rreth 36 përqind përgjatë Krishtlindjeve në Suedi, më shumë se çdo sajt tjetër pornografik, në Australi 45 përqind dhe 30 përqind në Kanada.
Ndërkohë pati rritje në : Siri, Ballkan dhe Madagaskar.
Përse fokat kryejnë seks me pinguinët?!
KUJDES! Pamjet mund të jenë shqetësuese
02.01.2016 | 9:26
Katër foka janë kapur duke kryer marrëdhënie me pinguinët. Fenomeni i ngrohjes globale po shoqërohet me forma të skajshme të sjelljes seksuale të kafshëve në Antarktik, të cilat nuk mund të quhen ndryshe veç sodomike dhe çoroditëse.
Në një ishull të largët, kryesisht të shkretë, fokat janë kapur nga studiuesit duke kryer marrëdhënie seksuale me pinguinë më shumë se një herë, gjë që i ka tronditur ata.
Ata publikuan detaje të incidentit, duke spekuluar se akti seksual në atë kohë mund të ketë qenë sjellja e frustruar e një foke të papërvojë në aspektin sensual ose akt agresiv grabitqar.
Porse videot e reja, të botuara në studimin “Dukuri të shumta të pinguinit mbret (Aptenodytes patagonicus) dhe ngacmimit seksual nga foka me gëzof (Arctocephalus gazella)”, i kanë habitur studiuesit, duke dëshmuar pikërisht të kundërtën e hipotezës së tyre. Ekipi i hulumtimit, udhëhequr nga William A. Haddad, ka pikasur foka meshkuj duke kryer seks të detyruar me pinguinë të shëndetshëm të një gjinie të panjohur.
Incidentet e njohura kanë ndjekur një model të përbashkët. Çdo herë një fokë e ka ndjekur, e ka kapur pinguinin me dhëmbë në zverk dhe i ka kryer seksin që zgjat rreth pesë minuta, me periudha pushimi në mes. Më së shumti foka e lë të shkojë pastaj pinguinin e dërrmuar. Por në një nga rastet më të fundit, foka e vrau dhe e hëngri pinguinin, pasi ishte përpjekur të çiftëzohej me të.
Vëzhgimet e reja sugjerojnë se të kryerit seks me pinguinë mund të bëhet sjellje konstante në mesin e fokave të ishullit.
“Fokat kanë kapacitet për të mësuar, ne e dimë këtë nga sjellja e tyre”, shpjegoi studiuesi për BBC.
“Ndoshta kjo është një shprehje e frustrimit seksual, duke patur parasysh shpërthimin hormonal përgjatë sezonit mbarështues fokal”, shton studiuesi.
I pirë dhe i vdekur?!
26 Tetor 2016 18:05
Skuadra e autopsisë u thirr në vendin e ngjarjes pasi Xhemal Kopliku u diagnostikua si i vdekur pa shpresë. Siç njoftojnë organet policore të zonës së Lumbardhës në njoftimin për shtyp, i ndjeri kish festuar me raki dhe meze me dy-tre shokë xhenazenë e tij pa e ditur; ajo që miqtë nuk patën marrë parasysh nuk kishte qenë vetëm përqindja e lartë e rakisë (së maresë, siç do të zbulonte më vonë ekipi i lartpërmendur), porse edhe fakti që Kastriot Çaçka, një i njohur i mikut të Xhemal Koplikut, që kishte qëlluar rastësisht në ftesën që ky i fundit i pat bërë mikut Përparim Zyka në kodrat e Liqenit Artificial në tavolinën e improvizuar të dominosë. Për fatin e tij të keq Kopliku pat ftuar edhe Çaçkën në kësoll, meqë ishte ndodhur aty.
Rakia e maresë nuk ishte në të vërtetë e tillë: pas një telefonate të atypëratyshme që Çaçka kishte kryer me nipin e tij të sapokthyer nga emigrimi i gjatë në Siçili, – inicialet e tij nuk mund të jepen këtu për arsye hetimore – , ky paskësh patur në fuoristradën e tij dy shishe të ngjashme me përmbajtje po ashtu të ngjashme në dukje, por që nuk qenë ashtu, siç do të rezultonte edhe nga autopsia e Koplikut.
Nga intervista e shkurtër që mundëm t’i shkëputim kreut të skuadrës autopsike, pasi ai gjendej ende në punë e sipër, do të mund të thuhej, ndonëse shqyrtimi i çështjes vazhdon, se Kopliku dyshohet të ketë dhënë shpirt për motive të ulëta cinike: nipi i Çaçkës, me sa dihet deri më tani, ndonëse ai ngul këmbë me të madhe në pafajësinë e tij, ka patur në planifikim e sipër asgjësimin fizik të ungjit të tij Kastriot, por kjo pistë nuk është vërtetuar ende në formë fundore, ndonëse të dhënat flasin për një ndërlikim të Kastriot Çaçkës në aferën korruptive të dhënies së një tenderi për Gadishullin e Karaburunit. Porse nipi ngul këmbë se dy shishet pa etiketë i ka blerë për arsye nostalgjike, pasi i është thënë nga shitësi se bëhej fjalë për konjak të bardhë të përftuar nga druri i panjës.
E vërtetuar deri më tani është vetëm vdekja përfundimtare e Xhemal Koplikut; pasi pritën tri ditë se mos i dilte pija, të afërmit vendosën më në fund ta varrosin, pasi t’i ish bërë autopsia e të ishte vërtetuar edhe shkencërisht që ishte vërtet ashtu. Po, ashtu qe: ai kish vdekur vërtet. Ngushëllime të afërme u uron redaksia e Rradake-s. Ua shpërblefshim në raste të tilla e të rroni e të na kujtoni. Hetimet vazhdojnë.
*(lajmet u përzgjodhën, u filtruan dhe korrigjuan nga ana gramatikale dhe drejtshkrimore, nga gazeta MaSa, Dekada, Subjekti, Muaji, Viti, Futurama, Vizioni, Gazeta 69 dhe e përjavshmja Çaçka)
Kur e kishim bërë gati materialin e mësipërm për shtyp, na erdhi lajmi i freskët se zonja Xhuglini, në shenjë solidariteti me intervistuesen e saj më të fundit, vendosi ta modifikojë lehtë mbiemrin e saj, duke ia shtuar një “n”, në mënyrë që tash e tutje ai të shkruhet – dhe të shqiptohet – si XhuNglini.