Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

BUNKER

Aventurat e mëdha nisin nga një ngjarje e vogël. Kështu ndodhi edhe për grupin muzikor shqiptar, tashmë të famshëm në të gjithë globin, “Bunker”.

Ideja nisi tek lokali “Albanian Music”, përballë një kafeje makiato. Gjashtë djemtë shqiptarë po flisnin për Bun’art-in, ekspozitën e realizuar në mjediset e bunkerit anti-bërthamor totalitar. Pastaj u kthyen nga televizori, që po jepte në atë çast disa njoftime për bunkerët. U panë në sy dhe vendosën ta quajnë grupin “Bunker”.

Ndryshe nga grupet e mëparshme si Kallashat, TT, Katiusha, Tuneli, Shashka, Zbori, Gambalet dhe Qaforja, grupi “Bunker” pati sukses të menjëhershëm. Pasi fituan Festivalin “Kënga mahnitëse”, me këngën origjinale “Dashuri në bunker”, shkuan menjëherë në Eurosing për të përfaqësuar Shqipërinë në Europë.

edua bunkerinPas performancës së mrekullueshme në Gent të Belgjikës, kënga me melodi folk shqiptare dhe me ndikime hip-hop, u bë hit në shumë vende të botës. Videoja e saj, vetëm në Indi, u klikua nga miliona vetë brenda dy javësh.

Ndërsa djemtë shqiptarë Beni, Urani, Niti, Kujtimi, Ermali, Rolandi u bënë idhujt e femrave anekënd globit, tregu muzikor u pasurua me albumin e tyre të parë me të njëjtin emër të grupit. Sipas faqeve internet të specializuara në muzikën moderne, ishte albumi më i dëgjuar i shekullit.

Kur djemtë shqiptarë u paraqitën në skenën mbarëbotërore të Golden Clef, të veshur kuqezi dhe me flamurin shqiptar në krahë, arritën kulmin e suksesit në të gjitha trevat shqiptare.parfum-bunker

Menaxheri i grupit, Hekuran Çeliku, e kuptoi që grupi muzikor tashmë ishte kthyer në brand, ndaj edhe hodhi idenë e krijimit të markës Bunker në fushën e veshmbathjeve. Linja e re e modës u paraqit në Kukës e më pas në Paris, ku morën pjesë stilistë nga e gjithë bota. Logoja me bunkerin me frëngji u bë e famshme në të gjithë botën, duke filluar nga të rinjtë.

Reklama e veshjeve fliste për lirinë e lëvizjeve, modernitetin e cohës, zhdërvjelltësinë e stilit… Bunker u bë një nga markat e veshjeve më të kërkuara në botë. Flitet se së shpejti do të dalin në shitje edhe veshmbathje intime me të njëjtën markë. Edhe pse agjencia që kuron grupin ende nuk është prononcuar.

gote-bunkerNjë nga konsulentët e marketingut, Lisian Betoni, i kërkoi grupit të krijonin parfumin e tyre. Tek e fundit të gjithë këngëtarët e famshëm, herët e vonë, krijojnë markën e tyre të parfumit. Kështu u bë, dhe suksesi mori dhenë. Parfumi Bunker, për femra e meshkuj, u cilësua si aroma e lirisë, flagranca e tokës, buqeta shumëngjyrëshe, ëndrra rinore, etj.

Grupi shqiptar u bë aq i njohur, saqë souvenir-et, që u shitën fillimisht në aeroportin e Rinasit, u përhapën në të gjithë Europën dhe në Azinë Juglindore. Pjata porcelani, filxhanë, gota, tasa, sapllakë, buste, çakmakë, mbajtëse çelësash, stilolapsa, poster, kapele, bunkerë mermeri, orë, prerëse thonjsh, flash, lapsa, thika, shishe me verehapëse shishesh, vizore, çadra, madje edhe jastëkë me emrin Bunker sipër.

Të dashuruar siç ishin me natyrën dhe tokën pjellore, grupi Bunker dha pëlqimin për ndërtimin e kantinës me të njëjtin emër, që do të merrej me prodhimin e promovimin e verës shqiptare. Vera Bunker, që shitet në çdo dyqan, u prezantua për herë të parë gjatë nismës “E kuqe brenda, e kuqe jashtë”, dhe u vlerësua menjëherë nga konsumatorët e nga pijedashësit.

Nuk mund të harrohet suksesi i rrjetit të hipermerkatave me emrin Bunker, ku shitet gjithçka nga kërpudhat deri tek çimentoja. Pati sukses dhe një rrymë në pikturë, me ngjyrime impresioniste të propozuara rishtas, që filloi me piktorin Frëng Frëngjia, i cili e kishte zakon të pikturonte peizazhe me bunkerë.

Tur pas turi, hit pas hiti, grupi shqiptar u bë frekuentues i rregullt i emisioneve perëndimore, ku kureshtja ndizej nga titulli i grupit e konsolidohej tek muzika e kultivuar. Shqipëria dhe shqiptarët u vunë në qendër të vëmendjes, natyrisht edhe për ekzotikën që fshihte nga pas fjala Bunker.

Botimi i albumit të dytë (Tabelë qitjeje) dhe të tretë (Barut i njomë), shënoi nga një anë kthesën e grupit muzikor drejt muzikës pop dhe më pas turbofolk, e nga ana tjetër koleksionimin e pafund të çmimeve anembanë botës. Bunker u bë sinonim i suksesit, modernitetit, modës, bukurisë, luksit, ëndrrës, lumturisë.

Me motivimin e përhapjes së kulturës shqiptare në botë dhe të përmirësimit të imazhit të vendit, grupi muzikor u nderua nga Presidenti i Republikës me vlerësimin “Krenaria shqiptare”. Qeveria, me të njëjtin motivim, vendosi të rindërtonte bunkerin afër Ministrisë së Brendshme, që ishte djegur shumë vite më parë pas një incidenti. Vendimi u prit me brohoritje nga fansat dhe dashamirësit e grupit. Thuhet se po aty, do të zhvillohet një koncert me pjesët më të famshme të grupit, që do të quhet Bunker mbi bunker.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin