Ka shkaktuar debate të ashpra gjetja e dokumentit të pagëzuar si “Receta e videoklipit” në lokalin “Music qejfi” të kryeqytetit.
Thuhet se bëhet fjalë për një listë idesh për realizimin e një videoklipi muzikor, që përmbledh esencën e të gjitha videoklipave shqiptare në qarkullim mediatik. Flitet se lista me elemente ideore, shkruar me dorë me stilograf të paidentifikuar, është përpiluar nga regjisori i njohur Sabah Ahengu, i cili ka në CV me dhjetëra videoklipa të firmosura prej tij.
Por ka edhe nga ata që ia atribuojnë autorësinë e shënimeve këngëtares Xhesika Halldupi, alias “Maliheri”, që ka pasur së fundi dy hite sipas klasifikimit të faqes www.kengetenxehtafare.al dhe i shoqi i saj biznesmen i njohur nga diaspora, Mërgim Sepeti, ka blerë shtëpinë botuese diskografike “Kënga magjepsëse shqiptare”.
Nuk mungojnë ata që e konsiderojnë listën me mendime për realizimin e një videoklipi si apokrife, me argumentin se “regjisorët nuk shkruajnë në këtë mënyrë”. Ndërkohë që ka plot të tjerë që e kërkojnë sikur të ishte një farë lapis philosophorum për videoklipet, ndaj edhe flitet për sasi marramendëse parash të ofruara për ta shtënë në dorë, siç bëri pronari i televizionit FFB-MED që transmeton videoklipe 24H në ditë.
Më poshtë po japim pjesë të shënimeve, që na ranë në dorë nëpërmjet burimeve tona të fuqishme pranë bibliotekës së Urdhrit të Maltës. Fotokopjen do ta botojmë së shpejti.
SI BËHET NJË VIDEOKLIP PËR HIT
– Gjetja e një vajzë të pashme e moderne. Bionde, por edhe brune, pa problem.
– Përgatitja e skenave ku do të xhirohet videoklipi.
– Ideja e parë: deti. Ideja e dytë: plazhi
– Skena 1: Diell, nxehtësi, plazhistë, vajza të reja, motoskafë të shpejtë.
– Skena 2: makinë luksoze Porsche ose Ferrari, e zbulueshme, duke ecur në rrugë buzë detit. Sipër vajza e djem që kërcejnë me shishe pijesh në dorë.
– Koreografia sa më e nxehtë, me lëvizje seksi dhe erotike. Imitime skenash të tjera hot e tërheqëse. Duhet të gjendet koreograf modern, pa përvojë klasike.
– Gjetja e një djali të shëmtuar por të veshur mirë, ose të pashëm por të veshur keq, që fut nja dy fjali hip-hop gjatë videoklipit. Kuptimi i fjalëve nuk ka rëndësi. Si figurë duhet për kontrast me vajzën, por edhe sepse bën figurë vetë. Në pamundësi të gjendet një djalë fotomodel që të dalë gjysmë lakuriq.
– Veshja e këngëtares: nuk është nevoja fare. Ose më mirë duhet veshje minimale, si në plazh. Pakë e saktë. Vajza i ndërron mbathjet e plazhit vazhdimisht, dhe shfaqet me të ndryshme herë mbi motoskaf, herë në plazh, herë buzë detit, herë në studio. Por mund të shtohet edhe ndonjë minifund, sipas dëshirës së kostumistit.
– Grimi: sa më i rëndë. Maska është më e rëndësishme se fytyra.
– Skena 3: përdredhje në shezlong. Telekamera (ngadalë, shumë ngadalë) ia përkëdhel të gjitha pjesët e trupit të këngëtares.
– Skena 4: në rrugët e qytetit por me veshje plazhi. Pamjet kopjojnë idenë e selfie-t lëvizës (ide origjinale).
– Veshja: me transparenca mikluese. Loja “shoh e nuk shoh” me veshje të tejdukshme, por vetëm pak, se pastaj duhet të duket mirë.
– Skena 5: lëvizje erotike mbi motor të fuqishëm. Buzët e vithet në plan të parë. Djem e vajza në një vilë fantastike me pishinë e lule përreth.
– Në titull ose gjatë videoklipit nuk duhet të mungojnë fjalë angleze. Që të eskportohet jashtë shtetit e në diasporë.
Këto ishin disa nga shënimet që na ranë në dorë pas shumë kërkimesh. Në fund të tyre gjendet edhe një post scriptum e shkruar nga e njëjta dorë.
P.S. Ah, gati harrova, duhet edhe pak muzikë ose melodi çfarëdo, mundësisht me shumë ritëm. Sa për t’i shoqëruar pamjet e videoklipit.