A. «Ti deshe të më vrasësh».
B. «Nuk është e vërtetë».
A. «Unë kam prova».
B. «Prova?»
A. «Kam një video».
B. «Kjo është farsë».
A. «Jo, është video me dëshmi».
B. «Edhe unë kam një dokument që dëshmon se videoja jote është e rreme».
A. «Kam dy dëshmitarë që vërtetojnë se deshe të më vrasësh».
B. «Po të duash të nxjerr tre dëshmitarë që pohojnë të kundërtën».
A. «Kam fotografi që flet qartë».
B. «Edhe unë kam selfie-n tënd me atentatorin mashtrues».
A. «Telekamera e sigurisë ka kapur pamjet kryesore. Duket sheshit…».
B. «Çfarë pamjesh?»
A. «Ato që i di ti».
B. «Di që ti je parë duke hipur tek makina e Ambasadorit të Sajestanit».
A. «Kujtoja se ishte benzi i Ambasadës së Habistanit».
B. «Por kur dëgjove gjuhën që flitej brenda nuk e kuptove»?
A. «Lëri këto paçavure të kaluara. Kam prova që do t’ia jap prokurorisë. Ti deshe të më vrasësh».
B. «Në prokurori do të shkoj personalisht e do t’u them se janë veçse përralla».
A. «Kërkoj hetim ndërkombëtar».
B. «Për mua nuk ka problem. Kam fakte tronditëse».
A. «Së shpejti do të bëj publike një video të dytë».
B. «Nuk mund ta them se është sekret hetimor, por kam në kompjuterin tim një video seksi».
A. «Kurse unë kam video me seks, ku rezulton qartë plani kundër meje. Donin të ma fusnin».
B. «Nuk ka pasur asnjë plan për të të vrarë. Ka të penduar që e konfirmojnë këtë gjë».
A. «Po tritoli?»
B. «Cili tritol?»
A. «Ai që plasi, në apartamentin tim».
B. «Po ti pse i dhurove një apartament atij tipit»?
A. «Çfarë the? Apartament? Këto janë shashka».
B. «Pra e pranon që ke lëndë plasëse».
A. «Por nuk kam tritol. Ti doje të më bëje varrin».
B. «Nuk kam as tritol, as pistoletë».
A. «Kam video të pabotuar me pistoletë në kokë».
B. «Jo, këtë video e kam unë. Ti i vure telekamerës pistoletën në kokë».
A. «Deshe të më vrisje e ta nxirrje sikur ishte vetëvrasje».
B. «Kjo është e vjetër, shko e shitua kumbarëve të tu. Ata të pisnesit, jo biznesit».
A. «Ti qenke për t’u vrarë me bukë në gojë».
B. «E shikon që deshe të më vrasësh»?
A. «Jo, ishe ti ai që donte të më vriste».
B. «Në asnjë mënyrë, kam një përgjim audio që vërteton të kundërtën».
A. «Cilin përgjim?»
B. «Ja këtë që po themi».
Shënim: Ky tekst u transkriptua nga shiriti regjistrues në arkivin e Shtëpisë me Gjethe fiku nëpërmjet softuerit të vënë në dispozicion nga mediat.