Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

JO SHANTAZH MËSUESVE

nga Alvi Singer (Tiranë)

Ndoshta për të kaluar në heshtje faktin që arsimtarëve nuk u dhanë as shpërblime dhe as rrogë të trembëdhjetë për këtë vit dhe për të mbajtur ata nën presion e në tension këto orë po veprohet me djallëzi “të tensionuar” në një drejtim tejet joligjor.

Nga televizioni mësojmë se ata mësues që nuk janë në rregull pas thirrjes për rregullimin /likuidimin e pagesave të energjisë elektrike brenda orëve të ardhshme do të pushohen menjëherë nga puna.

Edhe unë jam mësues. Por jo në Shqipëri. Edhe unë kam detyrime nga kontrata ime e punës në vendin ku jetoj. Madje edhe mua shpesh punëdhënësi gjatë 15 viteve të punës ma “ka kënduar” duke më ndryshuar pjesë a nene të kontratës në dëmin tim duke shfrytëzuar ligje a rregullore të modifikuara gjatë kohës. Edhe unë para disa muajsh u detyrova të ndjek një kurs azhornimi njëditor kundër korrupsionit, edhe pse nuk menaxhoj as shkumësat dhe stilolapsat në klasën ku bëj mësim. Pra, edhe unë jam i detyruar, si shumëkush, të përballem çdo minutë me absurditete burokratike në kufirin e ligjit.

Por… lajmi i televizioneve shqiptare më kalli datën, më futi frikën, më çoi nga kriza në terror.

Për mësuesit në radhë të parë që po i nënshtrohen një shantazhi që shumica e tyre as edhe duhet ta kuptojnë dhe ta dëgjojnë.

Kush jeton në Shqipëri e njeh situatën e pagesave.

Ka klientë hajdutë që nuk e kanë paguar asnjëherë në jetën e tyre faturën e energjisë elektrike. Ka klientë hajdutë që vjedhin vetëm një pjesë të saj. Ka një sistem shpërndarjeje ku deri dje mungonin edhe sahatët e korrentit. Ka një sistem pagesash ku bankat dhe postat po nuk i mbajte sytë hapur as t’i kalojnë paratë e paguara në llogarinë e entit që merret me shitjen e energjisë elektrike. Ka një sistem shpërndarjeje e furnizimi me plot mangësi: emisionet e lajmeve gjatë festave të fundvitit fillonin me emrat e pjesëve të qyteteve dhe të fshatrave që ishin pa drita. Ndërkohë ndryshon edhe sistemin e llogaritjes së çmimit të tarifës së energjisë elektrike.

Në këtë situatë ç’bën?

Shan S. Berishën që çonte nxënësit e shkollave nëpër manifestime elektorale partiake (duke u bërë apelin në rresht arsimtarëve si dikur prindërit fëmijëve u numëronin këpucët në darkë që të ktheheshin në shtëpi pa rënë errësira jashtë) dhe i thërret nxënës e mësues në parakalime fizkulturore në qendër të Tiranës me rastin e ditës së pavarësisë a të festës së zogjve.

Dhe bën edhe një presion tjetër: një testim i planifikuar pas disa muajsh për mësuesit që janë në marrëdhënie pune. Nëse ka arsimtarë që janë në punë në mënyrë të parregullt mjafton një verifikim i kritereve a i dokumenteve, s’është i nevojshëm ky shantazh! Këto kontrolle duhet të jenë pjesë e punës normale e organeve kompetente.

Të kthehemi tek dritat e papaguara: shteti të mos u bëjë shantazh mësuesve: mjafton, si rregullator i marrëdhënieve në treg midis palëve, të garantojë zbatimin e ligjit në këtë fushë: kush nuk paguan, si në pjesën më të madhe të vendeve të BE ku duam të hyjmë më zor, të përballet me zbatimin e ligjeve e rregulloreve, kamatat për vonesat, paralajmërimin për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, dhe pastaj ndërprerjen e saj.

Pastaj, po të kemi parasysh varfërinë e skajshme që hasim shpesh në Shqipëri, një pjesë e atyre që nuk i kanë paguar dritat, as nuk kanë më drita se ua kanë prerë me kohë, siç shohim në shumë skupe televizive. Këto kategori për muajt e dimrit duhet të kishin një kuotë të caktuar të garantuar nga shteti pa kurrfarë pagese, sidomos për familjet me të ardhura të ulta, më fëmijë, të sëmurë e pleq me e pa pension.

Nuk e di pse, por këto fushata dritëshume më kujtojnë keqas ditët e Enverit, kur dilnim për punë vullnetare të dielave.

Nëse qeveria ka ndërmend të ashpërsojë kontrollet për këtë lloj pagese, duhet ta bëjë për të gjithë dhe jo vetëm për buxhetorët.

Një specialist gjatë një emisioni lajmesh mbështeti tezën se me këtë masë ka shkelje ligjore. Nuk jam jurist, por mbaj mend se para tetë vjetësh, në qytetin europerëndimor ku jetoj, nuk kisha paguar një faturë të gazit. Më erdhi një lajmërim, pasi fatura nuk rezultonte e paguar. Pas dy-tri telefonatash sqaruese kërkova falje, sepse gjeta faturën e papaguar në sirtar. Por nëpunësja me mirësjellje gjatë telefonatave vetëm më kujtoi këtë mungesë timen dhe me ofroi mundësinë që të ma riniste faturën sërish. Kurse punëdhënësi im edhe sot e kësaj dite nuk do t’ia dijë nëse unë i zjej fasulet në kuzhinën që ka vatrat e gatimit me gaz apo me… energji elektrike.

Nëse kjo masë drastike mbetet në fuqi, siç kam frikë se do të mbetet, unë bëj një propozim, për të cilin dua patentën e autorësisë: propozoj një masë drastike për politikanët tanë, duke filluar nga të nderuarit deputetë:

të kemi çdo legjislaturë në parlament një numër deputetësh në përpjestim me zgjedhësit që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Dmth, nëse vetëm 60% e shqiptarëve kanë shkuar të votojnë, vetëm 60% e deputetëve të zënë vend të parlament. Të tjerët kush i zgjodhi?

Propozimi im nuk ka kurrfarë llogjike? Po kërcënimi i mësuesve dhe i buxhetorëve me pushim pune sepse nuk kanë paguar dritat ku e ka logjikën?

Pa Komente

  1. Mesueset, mjeket, policet, oficeret, dhe disa kategori te tjera, jane te punesuar ne shtet.
    Eshte krejt normale qe punedhenesi te jete pak me kembengules per borxhet e punetoreve te tij se sa per borxhet e, te themi keshtu, klienteve te tij, ne rastin tone, njerez jo te punesuar ne shtet.
    I thjeshte, si koncept, me duket mua, por mbase e kam gabim.

    1. ka kontrata dhe disa kritere ligjore per punesimin dhe largimin nga marredheniet e punes, nuk mund te zbatohen te tjera. Nga pikepamja juridike eshte ne kundershtim te plote me ligjin e arsimit parauniversitar, udhezimet e ministrise se arsimit per punesimin dhe kontratat kolektive te punes qe jane miratuar me ujdi te sindikates (urdherit) te mesuesve.

      Kjo nisme e qeverise ne parim duket e mire, se i shtyn buxhetoret te paguajne dhe te japin shembullin. Por jemi shtet demokratik, ku parimet jane perkthyer ne procedura dhe askush nuk ka te drejte te zgjase shkopin e pushtetit per te ndeshkuar, pervec se nepermjet procedurave ligjore. Quhet “due process” ne anglisht. Nese qeveria mendon se duhen ndryshuar keto procedura, bujrum, parlamentin dhe ministrite i ka. Por nuk mund te veproje ne kundershtim me ligjin dhe te minoje institucionet.

      Arbitrariteti i pushtetit politik, edhe kur romantizohet si ne rastin e pushimit nga puna te nje nepunesi te shtetit, ka edhe anen e kundert te saj. Kujtoni VKM-te dhe ligjet e qeverive te meparshme qe favorizonin biznese te caktuara. Dmth. mos-respektimi i procedurave ligjore krijon hapesira per ndeshkimin e te pafajshme dhe favorizimin e korrupsionit. Procedurat demokratik kufizojne arbitraritetin.

      Kam frike se kjo fryme politike popullore (demagogjike), ku gjykates telefonohen per te denime te ashpra (Blair me siguri ka keshilluar dic te tille, por shqiperia nuk eshte sistem common law), e administrates qe vendoset ne trysnin e hipokrizise etj, eshte shume e demshme ne afat gjate per sistemin politik. Krijon terren per frike dhe ndeshkime arbitrare (njesoj si dikur Berisha e Nano qe kercenonin me dosjet qe pergatisnin per korrupsionin e vartesve te tyre). Dhe ne vazhdojme ti qasemi me idhujtari kultit te individit: e njeriut te forte qe fshin pengesat administrative dhe ja del me shpaten e aleksandrit te zgjidhi te gjitha problemet me nje te rene.

      1. Nuk ka due process ne marredhenie pune sepse nuk cenohet ndonje e drejte e ndonjerit nga te pushuarit nga puna.
        Kontrata e punes nuk mund te parashikoje cdo rrethanrpotencialisht te mundur dhe mos permendja e nje situate si arsye per heqje nga puna nuk perben pengese qe kjo arsye te perdoret per pushim nga puna, persakohe kjo arsye eshte e arsyeshme, racionale, joarbitrare.
        Borxhi ndaj punedhenesit mua nuk me duket as irracionale as arbitrare si arsye pushimi nga puna.

        1. arsyetimi eshte pa lidhje. OSHEE -ja nuk eshte punedhenese e mesuesve, per me teper qe nuk eshte shtet por shoqeri aksionere (sh.a). Punedhenes jane drejtorite arsimore dhe ministria e arsimit. Nese kane borxhe ato zgjidhen me vendimet e gjykatave, zyrat e permbarimit dhe konfiskimin e pjesshem i te ardhurave. Nuk hiqet njeriu nga puna se ka borxhe me nje biznes, qofte kjo edhe ndermarrje publike. Keto jane procedura ligjore te percaktuara ne nje qerre me ligje (kodi civil, kodi i punes, kodi i procedurave administrative etj.).

          Problemi eshte se nje pjese e atyre te larguareve i kane gjyqet e fituara me qeverine, dhe kush do e paguaje gjithe kete barre financiare? prape ti edhe une. Prandaj gjerat, edhe kur situata eshte e ndere, duhen kryer duke respektuar procedurat. Ky eshte shteti demokratik qe kemi zgjedhur.

          Shoqeria Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. eshte nje person juridik i se drejtes qe funksionon ne formen juridike shoqeri aksionare. Organizimi i Shoqerise eshte ne perputhje me parashikimet e Ligjit Nr. 9901, date 14.4.2008 “Per tregtaret dhe shoqerite tregtare”. Shoqeria Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. eshte krijuar dhe ka fituar personalitet juridik me Vendimin Nr.38587, date 19.06.2007 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane. Gjithashtu eshte rregjistruar prane Qendres Kombetare te Rregjistrimit dhe eshte pajisur me certifikaten e Rregjistrimit te Personit te Tatueshem me NIPT-i K72410014 H. Me Vendim te Bordit te Komisionereve te Entit Rregullator te Energjise Elektrike, Shoqeria eshte licensuar per ushtrimin e aktivitetit te shperndarjes dhe furnizimit me pakice te energjise elektrike per konsumatoret tarifore.

  2. Alvi shkrim qe vendos sic duhet pikat mbi “i”. E ke thene ne fund, ne pyetjen qe ben: …ku e ka logjiken? 🙂

  3. Vetem disa dite me pare Financial Conduct Authority (FCA) – Autoriteti i Mbikeqyrjes Financiare ne Britanine e Madhe – i hoqi aprovimin dhe i ndaloi per gjithe jeten punesimin ne sektorin e finances nje manaxheri te financave ne Londer, i cili per 5 vite rresht perdorte trenin per te shkuar ne pune, por nuk paguante bileten, duke i shkaktuar shoqerise se transportit nje dem total prej mbi 40mije paund. Arsyetimi i vendimit te FCA: “mungese ndershmerie dhe integriteti” i personit ne fjale, per te vazhduar qe te punoj ne sektorin e financave.

    Lajmi mund te lexohet ketu: http://www.bbc.co.uk/news/business-30475232

    Shikoj ketu disa paralele, por dhe shume dallime, me rastin (e supozuar) te mesuesve ne Shqiperi, qe nuk paguajne korrentin. Paralelet jane ne rolin qe luajne dhe figuren -shembull- te mesuesit ne shoqeri. Nje mesues qe vjedh korrentin – qe e ka mundesine ta paguaj, por refuzon me ndergjegjie qe ta bej kete per nje kohe te konsiderueshme – pa dyshim qe nuk eshte as i ndershem, as integer per te qene mesues, qe te mesoj dhe te edukoj femijet apo te rinjte ne shkolle.

    Problemi i ultimatumit te qeverise, ne anen tjeter, qendron tek arbitrariteti i nje urdheri “te verber”, qe te gjithe “i fut ne nje thes”. Qe nuk dallon midis atyre, qe nuk duan te paguajne, dhe atyre, qe mund te mos kene paguar per shume shkaqe te tjera (vonesa banale, keqkuptime me operatorin apo te qenurit ne proces ankimimi, prane OSHEE apo gjykatave per vleren e faturave etj – e kujt nuk i ka ndodhur, qe te mos kete paguar ne kohe nje here, nje fature cfaredo?!)

    Dhe me kryesorja, jo vetem qe cdo rast duhet qe te trajtohet me vete, por kjo gje duhet te behet nga organet kompetente dhe ne perputhje te plote me ligjet dhe procedurat ligjore, qe ndiqen ne keto raste – heqja nga puna eshte hapi i fundit ne kete proces, jo i pari.

    FCA vertet i hoqi te drejten e punes zotenise, por ajo e beri kete vetem pas nje shqyrtimi te hollesishem, disa mujor, te ngjarjes, pas intervistave, si me palen e demtuar (shoqeria hekurudhore), ashtu dhe me punedhenesin (nje shoqeri financiare) dhe me vet personin e ne fjale. Dhe me kryesorja: FCA eshte brenda kompetencave te saj ligjore per ta marre nje vendim te tille.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin