Nisma e qeverisë shqiptare për të arkëtuar sa më shpejt detyrimet e qytetarëve për energjinë elektrike po jep frytet e duhura, jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe në atë filozofik, kulturor e juridik.
Aksion forever
Rezultati i parë ka të bëjë me rivitalizimin e konceptit të aksionit. Për më shumë se dy dhjetëvjeçarë kjo fjalë u persekutua pa të drejtë, duke u lënë në harresë nëpër libra me kapak të fortë e zakonisht të kuqërremtë. Sot këta libra shiten në trotuare rrugësh me pluhur, kurse dikur lexoheshin edhe në aksione. Dihet që aksionet nuk ishin vetëm aksione, por shkollë jete, sidomos kur ishin me goditje të përqendruar. Kush i mban mend fushat e misrit le të mos heshtë. Arkëtimi i detyrimeve për korrentin e papaguar bëhet preteksti për ta rimarrë hovin e aksionit dhe për ta projektuar atë drejt viteve të ardhshme, si e vetmja mënyrë për t’u integruar me shpejtësi në Europë.
Rryma e ligjit ose ligji i rrymës
Aksioni për pagesat është akt juridik, para se të jetë administrativ. Ndëshkimi është edhe mësim. Për ata që nuk duan, është e kundërta, sepse mësimi bëhet ndëshkim. Por mbi të gjitha faturat e fundit të dritave nuk jepnin vetëm kilovat orët e harxhuara. Po t’i lexoje në filigran kishin të shtypur fjalinë e fjalive: “Ligji është i barabartë për të gjithë”, ose “Para ligjit jemi të gjithë njëlloj”. Megjithëse tek disa ishte shtypur gabimisht: “T’i paguhet prurësit me të parë”.
Parimi demokratik e modern i zbatimit të ligjit nuk ishte i qartë në Shqipëri, derisa u bë aksioni për pagesën e faturave të dritave. Kishte paqartësi në popull, në elita e tek të fortit. Këta të fundit, duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se korrentin që përdorin për pisllëqe duhet ta paguajnë deri në sekondën e fundit. Përdryshe do të kenë punë me shtetin.
Fakti që faturat filluan t’i paguajnë të gjithë, i madh e i vogël, i pasur e i varfër, tregon se dajaku ka dalë nga xheneti. Kështu thoshin njerëzit në kafene. “Ky milet kështu e do”, “Mushka kështu i do drutë”, komentuan tek pazari i vjetër. “Barazia nuk qëndron tek shifra e faturës, por tek akti i pagesës. Egalitarizmi nuk është barazi, çka vërteton se ekuacioni i kundërt nuk qëndron”, u shpreh filozofja Drita Shtylla, që jep mësim në Universitetin e ri “Energjia”. Me këtë shprehje mbresëlënëse u mbyllën edhe polemikat për pagesën sipas të ardhurave, kategorive, ose fashave siç i quajnë kohët e fundit.
Silogjizmi i hidrocentralit
Operacioni për pagesat e dritave nuk krijoi vetëm pështjellim midis figurës së policit dhe elektricistit. Problemi tjetër ishte habia e njerëzve për veprimin e qeverisë. “Po pse dritat duhen paguar?” pyesnin njerëzit me çudi në lagjen nr. X duke parë faturat e energjisë. “Po pse ku jemi në komunizëm akoma?” ia kthente operatori i operatorit të operacionit të shpërndarjes, duke shkaktuar polemika të tjera ngaqë kishte plot të tjerë që e akuzonin për mosnjohje, sepse në komunizëm të hidhnin hekurat po të mos paguaje dritat. “Edhe sot të hedhin hekurat, pra nuk kemi ndërruar sistem” e mbylli diskutimin dikush që u prezantua me emrin Teli.
Konfuzioni u shtua veçanërisht nga interpretimet e gabuara për hidrocentralet. Meqë uji në Shqipëri përgjithësisht nuk paguhet, e meqë energjia elektrike prodhohet nëpërmjet hidrocentraleve, atëherë nuk ka përse të paguhen faturat e dritave. Kjo u hodh poshtë nga disa ekspertë të Ministrisë përkatëse, të cilët morën mundimin të dilnin me çadra mes shiut rrebesh, me argumentin se thatësira bën të vetën, se rezervuarët janë të zbrazët. Kur dikush kujtoi se edhe librat e gjeografisë thonë se Shqipëria është e pasur me ujëra, debati u zhvendos përfundimisht tek korrigjimi i teksteve shkollore.
Qiriu apo qiriri?
Gjobat kundër kundërvajtësve, arrestimet e paralajmërimet publike i dhanë forcë të paparë e prestigj social faturuesit të energjisë. Njerëzit që jetojnë në apartamente dëgjojnë me frikë prapa derës zhurmën e takave të faturuesit/faturueses. Nga një gabim i tij/i saj varet liria e gjithkujt. Tani gjithë shqetësimi është si t’i fusësh mik faturuesit të dritave.
Nga ana tjetër, sipas statistikave kombëtare, shitjet e qirinjve janë rritur me 1000% për një orë. Këtu interpretimet luhaten si flaka e qiriut në erë. Disa thonë se blihen nga ata që janë aktualisht pa drita, sepse operatori ua ka prerë energjinë. Të tjerë mendojnë se qirinjtë shërbejnë në rast nevoje, ngaqë po afron dimri, ca janë të bindur se qirinjtë kanë efekt romantik, ca të tjerë pohojnë se është çështje ekonomie, sepse qirinjtë kushtojnë më pak se energjia.
Si gjithnjë debati rrëshqiti në tema gjuhësore, ngaqë dikush pyeti për trajtën e shquar të fjalës qiri. Por kur dikush pyeti se ku bie theksi, tek rrokja e parë apo tek e dyta, polemikat dolën nga binarët e normales, për të kapur rrëmujën, sidomos kur u fol për etimologjinë e fjalës.