Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

XHIHAD

nga Besnik Sinani

Për sa mundem të mbaj mend, hera e parë që kam ndeshur në median amerikane që fjala “jihad” (xhihad) të përdoret, jo për të përshkruar veprimtarinë e luftëtarëve fanatikë, anti-perendimorë të fshehur në malet e Afghanistanit, por si fjalë e integruar në leksikun e anglishtes për të përshkruar një qëndrim social organik, konservator e me ngjyrim fetar ishte më 1999, kur kryetari i Bashkisë së New York-ut në atë kohë, Rudy Giuliani, hodhi në gjyq Muzeun e Brooklyn për ekspozimin e Holy Virgin Mary të Chris Ofili, të kompozuar me bajga elefanti, ekspozim që u konsiderua fyes nga besimtarët katolikë në Amerikë. Një gazetë New York-eze e quajti përplasjen e Giulianit me Muzeun dhe përpjekjen e tij për të ndalur fondet shtetërore për muzeun si “xhihadi i Giulianit.”

Aktiviteti politik i Giulianit është përshkruar dhe në raste të tjera si “xhihad” dhe jo vetëm nga liberalët që këmbëngulnin në lirinë e shprehjes artistike, si në rastin e konfliktit me Muzeun e Brooklyn, por edhe nga konservatorë të pakënaqur me qëndrimin e tij liberal në çështje si aborti, cilësuar në fjalët e një komentatoreje si “Giuliani’s unholy jihad.”

Fjala “xhihad” vjen nga rrënja e foljes arabe (xha Ha da) që do të thotë të përpiqesh dhe vetë fjala xhihad do të thotë përpjekje. Si term në terminologjinë fetare të Islamit ajo mbart tre nuanca kuptimore. Kuptimi më njohur që i ka dhënë fjalës reputacion botëror është ai i luftës së armatosur “në rrugë të Zotit,” trajtimi i të cilit është detajuar në librat e jurisprudencës islame, koncept ky që kufizohet e administrohet nga një sërë konsideratash etike më së shumti të neglizhuara në kohët moderne nga promovuesit e tij.

Së dyti, sipas një thënieje të Profetit Muhamed, xhihadi më i lartë është thënia e së vërtetës përballë një sundimtari tiran, thënie që ka patur hisen e vet në frymëzimin e aktivizmit politik. Së treti, duke u kthyer nga një betejë, Profeti Muhamed raportohet të ketë thënë se ishin kthyer nga xhihadi i vogël për të filluar xhihadin e madh, përpjekjen për zotërimin e vetes. Edhe pse i pranishëm në gjithë suazën e literaturës mainstream të Islamit, ky koncept i fundit ka dalë më shumë në pah në literaturën dhe doktrinën e mistikëve, sufive, që theksuan luftën (xhihadin) kundra egos, epsheve e grykësisë personale si xhihadi i madh në reformimin personal. Në arabishten moderne të kodifikuar (fusHa), fjala mbart kuptimin e përpjekjes pa mbartur detyrimisht konotacion fetar apo ushtarak dhe emri Xhihad përdoret dhe si emër njeriu.

Veçanërisht pas 11 Shtatorit, xhihadi është bërë i njohur për shumë si dhunë irracionale e fanatikëve muslimanë, evidencë e intolerancës së Islamit, reagimi i kësaj feje ndaj modernitetit dhe evidencë e pamundësisë së Islamit për të bashkëjetuar me demokracinë dhe globalizmin. Ndoshta në një përpjekje për të kthyer kokë-poshtë retorikën kundra ekstremizmit fetar që duket të etiketojë vetëm muslimanët, Timothy J. Winter (aka Abdel Hakim Murad) një profesor i studimeve Islame dhe Osmane në Universitetin e Cambridge, titullon një artikull mbi perceptimet e muslimanëve të Lindjes së Mesme rreth “teo-politikës moderne amerikane” si “America as a Jihad State: Middle Eastern perceptions of modern American theopolitics.” (Amerika si shtet xhihadi). Reportazhe se lajmet nga frontet e luftës i prezantoheshin Preidentit Bush me citime nga Bibla, një zv. Sekretar i Mbrojtjes, që i veshur me uniformë ushtarake deklaronte nga podiumi i një kishe se tashmë dihej fytyra e djallit, se ajo ishte në Faluxha [Irak] dhe se do mund të mposhtej vetëm nëse shkohej dhe luftohej në emër të Jezusit, influenca në ritje e fundamentalistëve të krishterë në vendimarjen amerikane, të gjitha këto prej vitesh kanë krijuar shqetësime në mes të një numri të madh intelektualësh e analistësh në botën arabe.

Por teksa fjala ‘xhihad’ është bërë e njohur në anglisht në kuptimin e vet luftarak, e kuptuar si “lufta e shenjtë” e muslimanëve (një lloj simetrie me Holy War në Krishtërim, edhe pse qoftë si shprehje nuk ekziston barasvlera që në arabisht do ishte el harb el mukaddas), ajo po mer në gjuhën angleze një kuptim më organik edhe pse përherë keqësues.

Lexuesit e datës 18 Korrik të gazetës Financial Times në faqe të parë do shihnin një fotografi të kandidates republikane për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe e preferuara e lëvizjes ultra-konservatore Tea Party, Michele Bachman, nën diciturën “Michele Bachman and constitutional jihad,” e cila vlente si kallauz për artikullin në faqen 9 të analistit të njohur Gideon Rachman me titull, “Fundamentals Lost Among Zealots.”

Rachman shkruan:

Bëj kujdes prej kujtdo që beson se zgjidhjet për problemet e botës mund të gjinden në një libër të vetëm. Marksistët e kërrusur në studimin e Das Kapital, Maoistët duke valvitur Librin e Vogël të Kuq, mullatë që kërkojnë besnikëri ndaj Kuranit – nuk është asnjëherë lajm i mirë.

ShBA është tashmë vatra e një lëvizjeje politike që kërkon frymëzim nga një tekst i vetëm historik – në këtë rast, kushtetuta e ShBA. Kushtetuta, sigurisht, është baza e sistemit ligjor amerikan. Por Lëvizja Tea Party dhe pasuesit e Michele Bachmann, yllit në ngritje të partisë republikane, e shohin si shumë më tepër se kaq. Ata duan që kushtetuta të frymëzojë një rikthim tek principet e lashta e të shenjta – mbi të gjitha, idenë e një qeverisjeje të kufizuar që lë rehat në punë të vet qytetarin e shtetit që i përngjan një fermeri të pavarur.

Më tutje ai vazhdon:

Tea Party është duke promovuar një formë fundamentalizmi kushtetues që mbart një ngjashmëri të madhe me fundamentalistët fetarë – dhe u apelon shumë prej këtyre votuesve. Fundamentalistët kushtetues flasin rreth etërve themeltarë dhe kushtetutës në të njëjtën mënyrë që ata që janë thellësisht fetarë flasin për Jezusin dhe Biblën… Por fundamentalizmi kushtetues është në mënyrë të rrezikshme një qasje mendjelehtë ndaj qeverisjes. Etërit themeltarë ishin njerëz të mëdhenj, por ata po përballeshin me problemet e shekullit XVIII.

Askund këtu nuk përmendet fjala “xhihad,” por mund të kuptojmë nga sa thuhet  se “xhihadi” i njoftuar në kreun e gazetës, ndryshe nga konstrukte të së djathtës ekstreme evropiane si “xhihadi demografik,” ka humbur jo vetëm karakterin ushtarak, por edhe ekskluzivitetin fetar në lidhje me Islamin dhe është kthyer në shënues të zellit dhe aksionit politik të të gjithë formave të fundamentalizmave, qysh nga ai Marksist, sigurisht prototipi musliman, e gjer tek të devotshmit e Bible belt, përfshi kushërirën e tyre të re, lëvizjen Tea Party. Në këtë kuptim të ri, fjala “xhihad” qëndron për çfarëdolloj zelli të tepruar, simpliciteti pezhorativ, mungese sofistikimi, anti-moderniteti, e sigurisht mbetet i rezikshëm.

Por megjithëse Lëvizja Tea Party ka ngulmuar të paraqesë një imazh publik të fokusuar në kërkesën për një kufizim të funksioneve dhe shtrirjes së qeverisë, kjo nuk përbën shqetësimin themeltar të masës që energjizon këtë lëvizje. Në një artikull të botuar në The New York Times, David E. Campbell dhe Robert D. Putnam, profesorë në universitetet e Notre Dame dhe Harvard, shkruajnë se ajo çfarë pasuesit e lëvizjes së Tea Party kanë të përbashkët është se janë në mënyrë dominante të bardhë, kanë qëndrim negativ ndaj emigrantëve dhe njerëzve me ngjyrë, janë në mënyrë dominante konservatorë në çështje sociale dhe kërkojnë të shohin një rol më prominent të fesë në politikë. Ata kërkojnë që politikanët që zgjidhen në funksionet publike të jenë “thellësisht fetarë,” ata janë për përfshirjen e udhëheqësve fetarë në politikë dhe kërkojnë të sjellin fenë në debatet politike. “Gjeneralët e Tea Party mund të thonë se shqetësimi i tyre dominant është një qeveri e vogël, por nuk është kështu për bazën e pasuesve të cilët janë më të shqetësuar që të sjellin Zotin në qeverisje. Ky inklinim për pasuesit e Tea Party që të përziejnë fenë me politikën shpjegon mbështetjen e tyre për përfaqsuesen e Minesotës, Michele Backman dhe governatorin e Texas, Rick Perry.”

Përfytyrimet e perëndimorëve për fanatikët fetarë në Kabul a gjetkë që zellshëm kërkojnë të imponojnë qëndrime normative puritane ndaj shoqërive të tyre ka shtyrë drejt zbulimit të simetrive të zhvillimeve e ideologjive të ngjashme në shoqëri perëndimore si në ShBA. Duke etiketuar pasuesit e Tea Party si pasues të xhihadit ‘made in the USA,’ kritikët liberalë përdorin njëkohësisht ngarkesat negative të investuara nga islamofobia dhe orientalizmi për të deligjitimuar këto lëvizje. Lëvizje si Tea Party dhe udhëheqsit e tyre, batalione të luftës kulturore amerikane, shohin veten si bartës të këtij xhihadi (apo crusade!) kundra vlerave liberale, kundër pushtetit të qeverisë për të ndërhyrë në jetën e individëve, drejtuar dhe kundra emigrantëve që perceptohen të rezikojnë të ndryshojnë ‘esencën’ e jetës amerikane. Por sipas Campbell dhe Putnam, mbi të gjitha kemi të bëjmë me një përpjekje (xhihad / crusade) për të formuluar politikën, shoqërinë dhe kulturën sipas një vizioni biblik.

një artikull në revistën The New Yorker, me titull “Leap of Faith,” Ryan Lizza shkruan rreth itinerarit intelektual dhe fetar të përfaqsueses së preferuar të lëvizjes Tea Party në garën presidenciale amerikane, Michele Bachman. Midis ndikimeve intelektuale të Bachman, ndeshur pas përfshirjes në grupe faljesh gjatë studimeve universitare, ishte Francis Schaffer.

I vendosur në një qendër misionare në malet e Zvicrës, Schafferit i njihet merita e sjelljes së një gjenerate të tërë njerëzish fetarisht të dedikuar në fushën politike, teksa kundërshtonte trendet më liberale në teologjinë e krishterë. Në një serial leksionesh të regjistruara që u bënë shumë influencues, Schaffer dënon Darvinizmin, humanizmin sekular, Rilindjen evropiane, Iluminizmin dhe post-modernizmin. Duke folur për pagabueshmërinë e Biblës, Schaffer thekson se ka vetëm një zgjidhje të krizës njerëzore që ai kërkon të evidentojë, “kthimin mbrapsht aty [në pozicionin] ku ishte kisha e hershme.”

Duke folur për një dokumentar rreth Schaffer, i biri shpjegon: “Nuk ishte thjesht se ne ishim kundra Gjykatës së Lartë; por ata janë djallëzorë. Nuk është thjesht se qeveria federale mund të jetë duke marë shumë pushtet; tani po e abuzojnë. Ne kishim paralajmëruar se humanizmi po të pasohej drejt konkluzionit të vet logjik pa absolutet biblike do përfundojë në teritore të tmershme dhe, shiko, po ndodh mu përpara syve tanë. Kur kjo ndodh, çdo gjë bëhet një lloj lufte e shenjtë…”

Schaffer konsiderohet një nga kontribuesit më të rëndësishëm të Dominionizmit, përkufizuar nga studiuesja Sara Diamond si filozofia se “Të krishterët, dhe vetëm të krishterët, janë të mandatuar nga Bibla për të okupuar të gjitha institucionet sekulare gjer në rikthimin e Krishtit.” Në “Manifestin e Krishterë,” shkruar para vdekjes së tij më 1981, Schaffer shkroi edhe për mundësinë e rrëzimit me dhunë të qeverisë nëse nuk rrëzohet ligji që lejon abortin

Një artikull investigativ i Revistës Time rreth grupeve militante në ShBA, shumë prej tyre me tendenca fundamentaliste të krishtera, vinte në dukje se numri i këtyre grupeve është shtuar sidomos pas zgjedhjes së Obamës si president i ShBA. Në lojrat përgatitore ushtarake ka grupe që po përgatiten për një skenar të mundshëm ku Shtëpia e Bardhë ka rënë në dorë të një presidenti miqësor ndaj radikalistëve muslimanë. Shëmbëlltyra me botkuptimin e terroristit norvegjez, Breivik, nuk është e rastësishme.

Në librin e tij After Jihad: America and the Struggle for Islamic Democracy (2003), Noah Feldman, një profesor i shkencave juridike në Universitetin e Harvard, i cili mbart dhe një doktoraturë në studimet Islame, argumenton se xhihadi si projekt politik për shoqëritë bashkohore muslimane është i vdekur. Në fakt, pushtimi i Irakut i mundësoi të vazhdonte të ishte në skenë dhe për ca kohë, por gjithsesi, një lëvizje që u dedikua në rrëzimin e qeverive të Lindjes së Mesme, duke deklaruar xhihadin si bazën e vet metodologjike, qe krejtësisht e margjinalizuar në lëvizjet e mëdha që sollën fundin e diktatorëve si Husni Mubarak.

Lëvizje si al Kaida, të cilat pretenduan të mbartnin flamurin e xhihadit në kohët moderne, motivuan egzistencën e tyre në kauzën e rrëzimit të qeverive si ajo e Arabisë Saudite dhe Egjiptit dhe vendosjen e një vizioni puritan pushteti të motivuar me gjuhën e rikthimit në një periudhë të artë. Megjithë humbjen e jetës dhe ankthin që shkaktoi al Kaida, ajo ishte totalisht e margjinalizuar dhe larg skenës politike të botës arabe. Afghanistani i kish shërbyer si azil pas dështimit të përpjekjeve në Arabi Saudite dhe Egjipt. Megjithë dëmin e shkaktuar, si projekt politik xhihadizmi modern ishte i dështuar. Ideja e xhihadit vazhdon të mbartë në Lindjen e Mesme mes muslimanëve një etos kalorsiak të lidhur me beteja si ato të Salahadin Ejubit, sulltanit kurd që çliroi Jeruzalemin pas pushtimit të kryqtarëve. Timothy J. Winter, profesori në Cambridge i përmendur më parë, tha në një rast se terrorizmi është ndaj xhihadit çfarë kurvëria është ndaj martesës. Në kohët moderne xhihadi pati një moment popullariteti si mbartës i idealeve të solidaritetit ndërmusliman në luftë kundra sovjetikëve në Afghanistan apo dhe serbëve në Bosnje. Por pak kush në Lindjen e Mesme ka oreks për xhihadin si projekt politik.

Nuk mund të mos vihet re se në dallim të xhihadit të margjinalizuar edhe pse tejet të dhunshëm të grupeve si al Kaida, xhihadi amerikan, sigurisht pa dimensionin e dhunës në frontin e brendshëm si xhihadi i al Kaidas, synon, gjithsesi, të fitojë fronin qeveritar më të fuqishëm në botë dhe imponimin e qëndrimeve puritane të motivuara si rikthim në parime primordiale amerikane të shprehura në gjuhën e fesë dhe lirisë nga qeveria. Karl Rove, ish-këshilltari i ish-Presidentit Bush, është akredituar se solli në arenën e votimeve fundamentalistët e krishterë amerikanë duke paraqitur Xhorxh Bushin si kandidatin e tyre. Tashmë, kur shoqëria amerikane jeton nën frikën e pasigurisë ekonomike, a ka gjasa që xhihadistët e variantit amerikan të fitojnë në garën elektorale? Na lejohet të kujtojmë këtu se nuk është hera e parë që zgjedhjet sjellin në pushtet udhëheqës me axhenda autoritare dhe nuk është rastësi që krizat ekonomike ku e tanishmja ngjasohet shpesh me Depresionin e Madh, qëndrojnë si sfond i këtyre tensioneve.

Por Campbell dhe Putnam shkruajnë se është pikërisht ky infuzion i fesë në politikë i promovuar nga lëvizje si Tea Party që kundërshtohet më së shumti nga shumica e amerikanëve. Sipas tyre, në pesë vitet e fundit amerikanët janë bërë më konservatorë në çështjet ekonomike, por janë distancuar edhe më shumë nga përzjerja e fesë në politikë. Campbell dhe Putnam shkruajnë se për këtë arsye, për shumicën e amerikanëve, Tea Party gjendet në të njëjtën shkallë të ulët popullariteti si e Djathta e Krishterë. Campbell dhe Putnam shkruajnë se duke përqafuar lëvizjen Tea Party, republikanët rrezikojnë të humbasin zgjedhjet. Shumica e amerikanëve krenohen si njerëz fetarë, por qëndrimet e të Djthtës së Krishterë nuk përfaqsojnë vizionin dominant mbi fenë, shoqërinë dhe politikën. Amerikanët nuk kanë oreks për versionin amerikan të xhihadit.

Pa Komente

  1. Tea Party me duket mua se eshte konservatore ne sensin fiskal e jo fetar. Sidoqofte ajo shprehja e T J Winter I duhet percjelle Fatos Lubonjes meqe fletorja e tij periodike quhet Xhihadi (me fal, desha te them perpjekja)

  2. Por megjithëse Lëvizja Tea Party ka ngulmuar të paraqesë një imazh publik të fokusuar në kërkesën për një kufizim të funksioneve dhe shtrirjes së qeverisë, kjo nuk përbën shqetesimin themeltar të masës që energjizon këtë lëvizje.

    Ne kete rast masa nuk ngre peshe pervec votes. Eshte udheheqja ajo qe negocion me establishmentin ortodoks republikan. Me sa kam pare kjo udheheqje eshte pragmatike. Feja e tyre eshte ajo e Ayn Rand e Von Mises, jo e atj shoferit ne maje te malit. Rand et al sic mund ta dish jane shume larg ekuivalentit xhihadist.

    1. Në fakt Besniku ka shkruar vetëm këtë:

      “Duke etiketuar pasuesit e Tea Party si pasues të xhihadit ‘made in the USA,’ kritikët liberalë përdorin njëkohësisht ngarkesat negative të investuara nga islamofobia dhe orientalizmi për të deligjitimuar këto lëvizje”.

      Nuk duket se autori beson që birrapirësit me flamur të Tea Party-t janë ndonje ekuivalent i tea-totalitaristëve të Al Kaidës.

      ps: po pse e dija që në fillim se kë do gjeja këtu?

      1. Po pra, masa ‘san qillote’ eshte dominioniste, udheheqja eshte objektiviste. Ketu kemi te bejme me efektin e humbjes te besimit ne sistemin ekonomik dhe demokratik, dhe ky fakt perben kercenimin me i madh qe i kanoset Perendimit. Indeksi i kesaj humbje besimi eshte cmimi i 1 onzi ar.

  3. Xhihadin islamik eshte kollaj te hidhet poshte. Se ai vret, merr jete njerezish.

    Xhihadin e krishtere, eshte ca me e veshtire. Por i gjehet ana edhe atij.
    Mjafton ti pozicionosh dhe pershkruash elementet e tij, me Tea Parti, ngjyra me e dukshme, si nje tufe injorantesh intelektual, pa edukaten, shkollimin e nevojshme, formimin dhe kulturen e nevojshme per tu marra me ceshtje te tilla te medha sic eshte qeverisja e nje shoqerie. Kjo pavaresisht se krishterimi ka nje pervoje rreth 2 mije vjecare ne qeverisje dhe manaxhim te shoqerive, e cila me eksperiencat e veta, te keqia dhe te mira, eshte me jetegjate se cdo sistem tjeter qe mund te kete ekzistuar para saj, apo paralel me te.

    Xhihadistet e krishtere te Amerikes jane shkrepja e pare e armes ne ate qe une do ta quaja “Common sense” revolution. Argumenti i konservatorizmit te djathte amerikan s`e ka ate sex-appeal-in intelektual te lirezimit (liberalizmit ) te te gjitha bojrave, nuk ka ph.d-te, autoret, librat, bibliotekat e tij, ku liria, ne permasa gati absolute, si nje molok qe ka nevoje per gjak te sakrifikuar, pa fund, eshte ngritura ne piedestalin e nje perendie te re, me natyre pagane.
    Tea Party e zevendeson kete mungese pedigree-je intelektuale duke e kthyer diskursin mbi lirine me kokeposhte: ajo hidhet nga e drejta pozitiv(iste)e ne te drejten natyrale. E para spjegohet. E dyta kuptohet, sepse njeriu lind me te.

    Por nese deri tashti xhihadi islamik eshte hedhur poshte me lehtesi, dhe xhihadi tea-partist amerikan eshte bere loje e subjekt talljesh per elitat kulturale ne Perendim, dicka jashte radarit ngelet xhihadi i krishtere europian. E ketu s`e kam fjalen per norvegjezin e rreshqitur nga binaret.

    Me date 7 shtator gjykata kushtetuese gjermane do te deklaroje vendimin e saj nese mekanizmat financiare qe merren me manaxhimin e krizes se borxheve publike ne Bashkimin Europian, te ndertuara nga Brukseli, ne baze te te ciles Banka e Europes blen pa pushim borxhet e vendeve me te varferat te BE, duke pasur e ofruar per garanci kreditin e vendeve me te pasura, jane ne kudershtim me Kushtetuten gjermane apo jo.Nese ato jane, atehere e gjithe struktura europiane do te duhet te rimendohet nga e para.
    Ironia e fatit eshte se opinioni mbi vendimin po pregaditet prej nje prej gjykatesve – Udo di Fabio – i cili eshte brezi i pare i gjermanizuar i nje familje fisnike abruceze te rene nga vakti, qe mbas lufte levizi ne Gjermani per te punuar ne fonderite e celikut.
    Ne vitin 2005 Dr. di Fabio botoi nje liber me titullin “Kultura e Lirise”, ku ai stigmatizon shoqerite e dobesuara te Perendimit, arrin ne perfundimin se multikulturalizmi dhe shteti “welfare”-ian ka deshtuar ne menyre spektakulare.
    Receta e tij per te dale nga nje dobesi e tille sociale eshte “rilindja e institucionit te marteses dhe familjes”, dhe kthimi tek ideja baze e “kombit si fat i perbashket”. Po te lexosh komentet apo artikujt ne internet mbi librin, do te shohesh te njejten gjuhe shperfillese, ironizuese, tallese te shume gazetareve, sic behet sot ne USA apo Europe ne lidhje me idete e perfaqesuara nga Tea Party. Gati sikur autori te mos kish pasur idene se per cfare po fliste, pavaresisht se eshte nje nga juristet me eminent ne Gjermani.
    Mbas “The Culture of Freedom” te Udo Di Fabios, ne 2010 doli “Germany Abolishes Itself” i Thilo Sarrazin, te cilin , per shkak te librit, brigada e PC e nxorri ne pension.

    The rest is history.
    Kapitulli i ri i saj, ne opinionin tim, fillon ne 7 Shator 2011, me fjalet e Udo di Fabio.
    Ne kemi per te pare, lexuar e degjuar per “perpjekje” apo “xhihad” gjithe jeten tone. Cfare mund te zgjedhim eshte vetem pozicionin e karrikes ne salle.
    Asgje tjeter.

    1. ipare ti shkruan: “Xhihadin islamik eshte kollaj te hidhet poshte. Se ai vret, merr jete njerezish.

      Xhihadin e krishtere, eshte ca me e veshtire. Por i gjehet ana edhe atij.”

      Artikulli ne fakt me duket i varfer ne referencat per xhihadin luftarak amerikan, nje platore e tere evangjelistesh entuziaste per luften ne Irak e gjetke qe kane bere te tyre kauzen e “luftes ne emer te Zotit.” A nuk besonte dhe George Bush se i ishte dhene pushteti dhe qe thirur ne detyre nga vete Zoti?

    2. Kapitulli i ri i saj, ne opinionin tim, fillon ne 7 Shator 2011, me fjalet e Udo di Fabio.

      Udo sapo na dha lajmin e gezuar, me refren te ngjashem me opinionin juridik per luften e Kosoves tip “it is not legal, but it is legitimate’. Per ‘akrobaci juridike’ ketyre j’u del mbane vec Al Azhari. Boton tjetri ‘The Culture of Freedom” po pastaj thote qe ‘he mo, le te mbajme DERRAT (PIIGS) me buke, se lejohet”.

      1. Qafir,

        Shenje tjeter qe “top-down” approach nuk funksionon. Si i thone muhabetit, as te mbas as te leshon.
        Rruga e vetme qe ngelet eshte “bottom-up”.

        Megjithat gjykata gjermane rikonfirmoi primatin e parlamentit gjerman mbi cdo ceshtje europiane. Deri tashti te gjitha parlamentet ne Europe jane pro-Europe e Bashkuar, perfshi edhe opozitat. Por po qe se gjerat shkojne me keq ( e po ti besosh doctor doom-it, N. Rubini-t, gjasat jane ) nje gjendje e tille nuk eshte e garantuar perpetualisht, si gjate dhjetevjecareve te fundit.

        @ E:
        Mendoj se do diferencuar midis Amerikes se 2001 dhe asaj te 2011.
        Situata krejt te ndryshme, me protagonist, ideologji dhe objektiva te ndryshme.
        Feja e Bushit derin ne Shtator te 2001 e bente ate te kalonte kohen me te madhe duke luajtur golf se sa te meresh me Irakun apo tjeter.

        1. Feja e Bushit e bent ate tu linte punet e Irakut D. Rumsfeld (ku kujdesej qe raportet e luftes te kishin ne krye citimet biblike te raportuar nga NYTimes) D.Cheney, etc.

          1. Ngjarjet e Tunizise/ Egjyptit/Libise/Sirise/Bahrain, fillimi i te cilave dihet por mbarimi s`u dihet, i japin te drejte ( nje e drejte aspak konveneniente kjo, per shume nga prifterinjte e perendise se lirise) George Bush dhe bandes se tij. Ndofta Bush, ne fund te fundit, nuk ishte aq budalla sa c`pretendonte…

            Eshte nga ato inconvenient truths apo inconvenient consequences.

            Si i thone fjales, rruget e Zotit jane te cuditshme…

            1. Ipare duhet shkruar nje artikull i tere per te komentuar se sa i diskretituar eshte ky pretendim i cili eshte permendur ndonje here keto kohe. Une nuk e di sa e ndjek median arabe, debatet e tyre etj, etj, por rasti i Irakut eshte perdorur nga diktaturat per te trembur miletin me kaosin dhe dhunen qe ka prodhuar. Iraku nuk eshte modeli atraktiv por friksues ne Lindje te Mesme.

  4. Por po qe se gjerat shkojne me keq ( e po ti besosh doctor doom-it, N. Rubini-t, gjasat jane )

    Po citoj himin imperial austriak qe me ka ngelur ne kohe qe kur lexova Ushtarin e Mire Shvejk per here te pare: “Gjerat jane si jo me mire”

    http://www.voxeu.org/index.php?q=node/6942

    Per mua ka ardhur koha e zgjedhjes te fashizmit te preferuar: islamik, kristian, ose korporatist (fashizmi i njohur ne Itali qe i tille).

    Por habitem kur shoh besimtaret ti bien kokes besimtareve te tjere (si ne kete artikull te Besnikut per te cilin kam rrespekt gjithsesi), ne nje kohe qe te gjithe jemi te rrethuar nga nje atmosfere mbytese mosbesimi (loss of confidence i thone andej nga Bloomberg News)

    1. Qafir faleminderit per shprehjen e respektit. Dy verejtje: une nuk besoj se jemi para zgjedhjeve te tilla fataliste midis llojesh fashizmi. Kete jam munduar ta shpreh dhe ne artikull. Ndoshta vjen nga besimi, pergjithesisht, tek common sense i njerezve qe shpesh tregon se di te tejkaloje ideologjite. E dyta, kam problem me ata si Podhoretz me shoke qe formesuan togfjalesha ku i bashkangjisin fese (islamit ne rastin e neocon-eve) brand-in ideologjik te fashizmit. Jo vetem se vuajne ne kredenciale kredibiliteti, por edhe se mund te krenohen per kontributin e tyre ne venien e flakes botes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin