nga Burri i Tezes
– Një tufë penelatash mbi peizazhin e një vendi që e ka flakur me kohë diktaturën
1
Megjithë kontrollin e rreptë mbi skafet, raportohet se duke u gdhirë 31 dhjetor, një skaf i ka shpëtuar rrethimit dhe është larguar nga Shqipëria me shpejtësi marramendëse. Në bord ishin parë katër persona. Nuk ka asnjë dyshim në Ministrinë e Rendit: janë ata katër delegatët që në Kuvendin e PD votuan kundër Berishës!
2
Një katundar zbriti në kryeqytet dhe pyeti se si mund të bëhej milioner. I thanë që bëhej ashtu, po të merrej me politikë. Katundari pyeti se çfarë na ishte politika. I thanë që është një zanat që ushtrohet duke u kujdesur për fatet e kombit.
U bënë dhjetë vjet tani, që katundari kujdeset pa pushim për fatet e kombit.
3
Ndryshe nga Vjena, Tirana do të bëjë çdo vit një Koncert Simfonik Tradicional të sajin, por do ta bëjë atë një ditë para, më 31 dhjetor. Koncerti i parë ku asistonte dhe kryetari i Bashkisë Edi Rama dështoi, pasi instrumentistët nuk bindeshin të hapnin kutitë e veglave muzikore. “Ka një vendim gjykate që nuk e lejon këtë” thanë disa nga violinistët. “Ne nuk e shkelim në asnjë mënyrë vendimin e saj!”
4
Politikanët e sotëm shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët jo si objekte për t’i hetuar, por si objektiva për t’i tejkaluar.
5
Atdheu ynë sot është vendi ku një turp i kombit jeton me mirë se ai që është “Nder i Kombit”
6
Ne i urrejmë guximtarët, sepse ata të pacipë, e bëjnë më të dukshme frikën tonë.
7
Amerikanët mund të na mësojnë edhe se si kursehet koha. Këta përdorin shumë germat e para në vend të emrit të plotë. P.sh., thonë JFK, në vend të John Fitzgerald Kennedy. Pastaj përdorin CNN, FBI, CIA e shumë iniciale të tjerë. Për drejtues automjetesh të dehur shënojnë statusin DWI (Driving While Intoxicated). Dhe, ja, me anën e këtyre akronimeve, me 10 germa, mund të të tregojnë një histori të tërë si kjo:
“CNN tha sot se CIA dhe FBI fshehin një raport të vjetër policie mbi JFK të kapur në DWI”
Po të futeshin akronimet në Shqipëri, Sali Berishës do t’i thoshin SB. Duket si shaka, por a e merrni dot me mend sa bojë do të kursenin përditë gazetat atje?
8
Dje në Pezë, në shtëpinë e një deputeti të atjeshëm, u mblodh në një konferencë grupi parlamentar i bojkotit, i cili vendosi t’i shtrijë protestat në tërë Shqipërinë, pa dallim feje, krahine dhe ideje, deri në çlirimin e plotë të vendit. Vendimi është historik dhe kjo mbledhje u quajt Konferenca e Dytë e Pezës.
9
Dihet, institucionet më të rëndësishëm në Shqipëri janë Instituti i Kulturës Sportive dhe Fakultetit i Mjekësisë. Pranimi i studentëve atje sot bëhet me shoshë të hollë. Tashmë është kuptuar, se studentët nuk shkojnë atje për t’u bërë trajnerë, pediatër dhe kardiologë, por deputetë, ministra dhe kryeministra.
Kështu, pas vitesh fatet e vendit do jenë në dorën e mundësve!
10
Fatos Nano po boton veprat e plota. Interesante është vepra e tij e 19-të: është një libër i trashë me fletë të bardha, boshe! Shumë e kanë menduar këtë si defekt të makinerive të shtypshkronjës. Është e sigurt që kjo vepër do të blihet brenda ditës, sidomos nga brezi i ri. Shtëpia botuese doli me njoftimin se nuk do ta heqë atë nga tregu. Zëdhënësi i saj tha se vepra e 19-të e shokut Fatos Nano nuk është me fletë të bardha, as si pasojë e gabimeve teknike të shtypshkronjës dhe as e destinuar si bllok shënimesh për shkollarët, por një botim i plotë, besnik dhe i hollësishëm i heshtjes së Fatos Nanos në gjyq kur akuzohej për vjedhjen e ndihmave italiane. Heshtja botohet për herë të parë.
11
Ai që zgjidhte kandidatët për kryesinë e dinte mirë kërkesën e Kryetarit: ata duhet të ishin të bindur, besnikë dhe kurrsesi më të mençur se Kryetari. Me dy cilësitë e para gjendeshin plot. Me cilësinë e tretë nuk gjeje dot një për be.
12
Në votimin për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit pas votimit të fshehtë, doli se nga 74 deputetë, vetëm njëri votoi kundër. U kuptua: është po ai i vjetri, po ai armik që në kohën e Hoxhës nuk na linte të arrinim 100 përqindëshi!
13
Shpesh, monarkët iknin nga kreu i shtetit dhe duke fshehur identitetin, shkonin të bënin punë të rëndomta, si hamej dhe si kamerierë që të njihnin jetën poshtë. Tek ne, në Shqipëri,ndodh e kundërta: njerëz të rëndomtë, duke fshehur identitetin venë në krye dhe udhëheqin punët e shtetit, që të njohin jetën lart. E pastaj, aha, nuk kthehen më poshtë!
14
Në dramaturgjinë tonë të realizmit socialist, tekstin e personazhit negativ, ne na e shkruante gjithmonë pozitivi.
15
Një polic për kilometër! E skandalizuar nga numri gjithnjë në rritje i aksidenteve nëpër rrugë, qeveria shqiptare paska urdhëruar që në çdo kilometër të vendoset një polic! Një polic në çdo kilometër, kjo është direktiva!
A do ta zgjidhin vallë problemin këta policë të vendosur në çdo kilometër? Nuk është e sigurt. Ajo që është e sigurt është ndërrimi i gjuhës tradicionale të popullit. Tani e tutje do të dëgjosh të moshuar që nxjerrin kokën nga dritarja e veturës dhe të pyesin: – Edhe sa policë larg, është Skrapari që këtu, more bir? Apo në një anë të autostradës një shef i Policisë Rrugore t’i ulërijë një shoferi: Si guxon, more maskara, të më fluturosh me njëqind e tetëdhjetë policë në orë?! Kurse në sheshin ku shiten e blihen veturat e vjedhura do të dëgjosh: – Ta gëzosh Benzin e ri! Vetëm mos harro t’i ndërrosh rregullisht vajin, në çdo katër mijë policë!
__________________________________
* Unë e di që ju do të habiteni kur t’ju them se Burri i Tezes, është një pseudonim. E pra, është! Di, gjithashtu, që kundërshtari kryesor i vendosjes së këtij pseudonimi do të jetë Xha Xhai, i cili, pranohet, është Blogu i tij, ka dhe gurin dhe arën. Por unë ngul këmbë se ky Blog më duket si familje dhe shpresoj që do të ma lejojë që unë të jem i shoqi i tezes! Atmosfera bëhet më intime. Aq më shumë ka vite që nuk po gjej një pseudonim të përshtatshëm. I lutem Xha Xhait të ma lerë. Hajde, se Viti i Ri e zbut Xha Xhanë. Me që ra fjala: Gëzuar të gjithëve Vitin e Ri 2010!
Xha Xha, po te pakten sheno ne krye “by Burri i Tezes” dhe jo by Xha Xhai, se per ate pronesi po behet lufta dhe caktohet Shedi i legalizimit te pronave, Memia
Atë nuk e rregulloja dot mbrëmë – sepse e vendos automatikisht blogu. Megjithatë, “by Xha Xhai” tregon se kush e ka vendosur shkrimin aty, jo doemos autorin.
Megjithse në linjën farefisnore xhaxhai është diçka më direkte se burri i tezes, ironia e hollë dhe sarkazma e mprehtë e këtij të fundit në këtë artikull, e bën atë një person që meriton t’i heqësh kapelen.