Në Itali ka shpërthyer një kacafytje e pazakontë kulturore mes subjekteve të përditshmërisë politike. Në qendër është përvetësimi i figurave të mëdha të mendimit apo arteve, të tilla që çdo parti skërmitet për t’i pasur në portofoglio-n e vet referencial. Është një “mani” e vjetër e fqinjëve kjo.
Qysh herët, palët politike atje shqetësoheshin të përpunonin vizione për të ardhmen dhe botën; mburreshin se kishin një këndvështrim të tyrin mbi drejtimin që duhet të merrte shoqëria, një Weltanschauung – e ky mbarsej nga figura të letrave dhe të shtypit, apo “intelektualë organikë” siç thuhej dikur; të cilët, nga ana e tyre, mbështeteshin mbi supe titanësh të kulturës, personazhe të largët apo të afërt në kohë, të lidhur apo më pak me politikëbërjen konkrete. Kjo vlen për të shkuarën e politikës italiane. E mesa duket, paraqet spazma të ngjashme edhe në ditët e sotme.
Është e vërtetë se sot votat përftohen duke iu vardisur stomakut të elektoratit, jo aq mendjes.
E megjithatë, u bënë ca vite që e djathta në pushtet e kryeministres Meloni nuk është tutur para dëshirës për ta pasuruar biografinë e vet kulturore me figura të mëdha të pendës dhe deri diku veprimit. Mbajmë parasysh që si shumë simotra perëndimore, kjo e djathtë i jep veçanërisht rëndësi pasjes së një identiteti të kristalizuar. Që do të thotë se e ka fort përzemër të dallohet, të përmendë se cilët janë kufijtë mes saj dhe “Tjetrit”, të vendosë një vijë të qartë ndarëse mes mendimit të përveçëm dhe atij “Tjetrit”—ky i fundit është shpesh i majti, e akoma më shpesh ai që nuk ka fare mendim, apo sistem mendimesh: i deideologjizuari.
Një e djathtë identitare pra: emërtesë e cila do të ishte edhe më e saktë, në terma politologjikë, sesa e keqpërdorura “e djathtë ekstreme” (po aq e keqpërdorur sa “e majta ekstreme”, epitete me shije të thatë prej lufte të ftohtë).
Por, siç po thosha, ka ca vite që Meloni dhe entourage-i i saj po përpiqen të dalin nga kuadri tradicional i referencave kulturore që i kanë shoqëruar në dekadat e fundit. Figurave të stërpërmendura të së djathtës identitare në Itali (si filozofët Giovanni Gentile dhe Julius Evola, poeti amerikan Ezra Pound, e deri te emra të shquar të mendimit modern, si ai i Friedrich Nietzsche-s), së fundi u janë shtuar edhe disa personalitete që më e pakta është t’i quajmë, në këto rrethana, të paimagjinuara më parë.
Gjithçka nisi para dy vjetësh kur in causa u thirr emri i Dante Alighieri-t, i dekoruar nga kjo e djathtë identitare si atë i nacionalizmit italian, për habinë e shumë historianëve dhe filologëve që e morën seriozisht një “përvetësim” të tillë.
Më vonë erdhi radha e Pier Paolo Pasolini-t, figurë poliedrike e kulturës italiane në shekullin XX, një intelektual i rrallë për shtyllën kurrizore që kishte para debateve të mëdha bashkëkohore. Tingëllon edhe më çuditshëm se bashkëngjitja e nacionalizmit ndaj emrit të Dantes, ç’është e vërteta, ngase Pasolini ishte një marksist i vetëshpallur, pavarësisht se heretik në sytë e shumë instancave dhe rrymave të Partisë Komuniste italiane. Për të mos folur pastaj për figurën e Antonio Gramsci-t, themelues dhe “truri” i vërtetë i partisë që sapo përmendëm. Edhe në këtë rast, është kërkuar një lloj tapie nga shpura e Meloni-t mbi Gramsci-n, si frymëzues i hershëm i atyre tezave që sot shumëkush në këtë të djathtë identitare rreh gjoksin se i ka të vetat.
Një panteon i zgjeruar, pra, ky i reklamuar prej pasuesve të Meloni-t, që i kalon kufijtë tradicionalë të së djathtës, e madje anashkalon (në mos e hedh poshtë) militancën qartësisht të majtë të personazheve të mësipërm.
Një gjë e tillë nuk duket se ka shumë rëndësi për guru-t e të djathtës italiane. Qoftë i saktë apo i gabuar veprimi i këtyre – këtu do të duhej të hapnim një paragraf më vete, por lypet që shkrimi të mbetet shkrim dhe jo leksion – përvetësimi vjen për shkak se në mendimin e të atillë emrash pikaset një kritikë e atyre dukurive (si konsumerizmi, globalizmi, urbanizmi i shfrenuar, cektësia kulturore) që kjo e djathtë sot i dikton si sëmundje të kohës sonë. (Gjë tjetër është pastaj që këta autorë, posaçërisht këta, ngjyenin me jo më pak kritika edhe dukuri si nacionalizmi dhe ksenofobia, që e djathta identitare, në rastin më të mirë, nuk i shqyrton si patologji të bashkëkohësisë. Por nejse, edhe ky është diskutim më vete, ngase thellësia e Pasolini-t apo Gramsci-t vështirë se mund të përmblidhet në ndoca citime apo perifrazime. Ndaj, shkojmë më tej.)
Pas kësaj, ndodhi që edhe nga e majta u ngritën zëra përvetësues. Vetë kreu i Partisë Demokrate (të qendrës së majtë) italiane, Elly Schlein, bëri thirrje për të marrë mbrapsht Tolkien-in.
Për këdo që nuk e njeh, emri i anglezit J.R.R. Tolkien (1892–1973) i përket plejadës më të shquar të shkrimtarëve të gjinisë fantasy. Ai u bë i njohur për sagën e “Imzotit të unazave” (Lord of the Rings). Në të, Tolkien-i i dha jetë një bote imagjinare aventurash dhe personazhesh të jashtëzakonshëm. Frymëzimi që ai mori nga mitologjia nordike dhe vikinge u kthye në fillin lidhës mes librave të tij dhe të djathtës së skajshme të viteve 1970. Kjo e fundit, e rreshkur nga izolimi kulturor dhe mbështetja thuajse e paqenë në atë kohë, mundi të krijojë, në Itali më shumë se kudo, një lloj përbashkësie të referencave kulturore që Tolkien-i, në sytë e saj, përshfaqte në librat e vet; te një botë e të shkuarës ku virtyte si nderi, heroizmi, sakrifica, ngadhënjenin përkundrejt botës së sotme, të udhëhequr nga interesi, grykësia, individualizmi.
E vetëdijshme për urinë e kësaj të djathtë për të pasuruar panteonin e vet kulturor, me Gramsci-n dhe Pasolini-n siç thamë, duket se njëfarë e majtë në Itali ka marrë përsipër të bëjë një lëvizje “kundërekspansioniste”, duke u përpjekur të përvetësojë edhe ajo përtej gardhit tradicional.
“Më merr ti Gramsci-n? Unë të marr Tolkien-in” e ka komentuar këtë ngjarje Marcello Veneziani, një ndër mendjet më të holla, sot për sot, të hapësirës në të djathtë të boshtit politik italian (që në zhargonin e dikurshëm, këtu te ne, do ta kishin përkufizuar si autor reaksionar). Një boutade e tillë është edhe më e gjetur po të mendosh se marrja peng më e hershme e Tolkien-it, nga e djathta, pak mund të përputhej me botëkuptimin politik të këtij autori. Kjo ngritje krye nga e majta pastaj, që ngjan si hakmarrje për “hapjen e krahut” që bën tjetri, ngjan qesharake fare.
Në shkrimin e tij, Veneziani gjykon se një rendje e tillë, nga të dy krahët, për të mbushur xhepat me guralecë kulturorë, në mënyrë që të godasësh tjetrin me “atë që i dhemb më shumë”, ka pak të bëjë me aktualitetin e sotëm të partive dhe, në përgjithësi, arenës politike. Për Veneziani-n, që është i rreshtuar djathtas por që s’heq dorë nga një kthjelltësi gjithmonë e më e rrallë intelektuale, përpjekja mes palëve në këtë drejtim nuk mund të jetë veçse hipokrite.
Në ditët e sotme, kur fjalori i partive politike është më i varfëruar se kurrë, edhe mendimi nuk mund të ngrihet sigurisht përmbi banalitetin e përditshëm. E duke qenë se partitë e sotme nuk kultivojnë vizione apo paradigma sociofilozofike, e as kanë takat të ftojnë për lexime dhe thellime, se kanë halle të menjëhershme elektorale – çka bën që largpamësia e tyre të ketë, në rastin më të mirë, afat dyvjeçar – do të ishte mirë që politika të mos përzihej me punët e kulturës.
Jo se nuk e mbështes mendimin e Veneziani-t, përkundrazi… Ajo e tij, me aq sa them se e njoh skenën botërore italiane, është lodhja – duam ta quajmë neveria? – e kujt ka derdhur bollshëm bojë shkrimi me kritika për një politikë që, në vend se të rudhosë mendimin, ka marrë të përpjetën e një vezullimi të sipërfaqshëm. Madje, do t’i kisha ca vlerësime edhe më të shkoqura për sa u përket atyre që ia marrin vallëzimit në këtë “spektakël” të politikës së sotme, duke hedhur vicka me citime dhe kategorizime akademike.
Kështu që nuk kam asnjë lloj shpotie për të ndërsyer përkundrejt Veneziani-t nëse do t’i përcillja shpresën se një vend, një tjetër vend, një heterotopi ku politika as që lodhet ta zbukurojë veten me potpuri emrash të shquar, a me panteone mendimtarësh referencialë, ekziston jo larg brigjeve italiane.
Nëse Veneziani do t’i hidhte një sy avanskenës shqiptare të politikës, do të kënaqej me një spektakël të sinqertë zbrazëtie kulturore. Do të dëfrehej duke parë skenografi subjektesh që jo vetëm s’njohin ndonjë vazhdimësi mes mendimit dhe veprimit – mes teorisë dhe praxis-it, do të thoshte Gramsci – por as që e çojnë nëpër mend që në think tanks-et e tyre (think tanks-et, haha!) të bëjnë sikur rrahin ndonjë përpunim të vyer kulturor.
Në rastin më fatlum, përvijohet ideja se ideologjitë kanë vdekur, se e majta dhe e djathta sot janë krejt njësoj, se rëndësi ka pasja në dorë e mekanizmave qeverisës, se këta të fundit nuk kanë kohë për filozofira dhe sociologjira. Dhe kush ia do fajin një përfundimi të tillë?… Që nga koha kur Edi Rama përdorte vargje të Nolit për recitime elektorale (mbaj mend sesi njëfarëlloj e majtë në Shqipëri ende shihte tek i fundit korifeun e socializmit shqip), e deri sot kur në PD valëviten rreshtime trampiste meqë e dikton nevoja e të pasurit një faltore në Amerikë, nyja përbashkuese është ajo e një shkretie dëshpëruese kulturore.
Dhe aty ku nuk lexohet a shfletohet, po aty reklamohet se Inteligjenca Artificiale do t’i zgjidhë problemet – përfshirë qeverisjen, përfshirë zbrazëtinë. Që aty-aty janë, e njëjta gjë, po ashtu si e majta dhe e djathta.
Shënim: Ndonjë mund të replikojë, me të drejtë, se anti-kultura, në kuptimin e një varfërimi të qëllimshëm të kultivimit vetjak dhe bashkësor, është një lloj kulture vetmëvete. Ashtu është, pavarësisht se do të desha ta mbaja diskutimin brenda një kuadri të thjeshtë publicistik, pa pretendime të nja analize sociologjike. Përpos, do të isha i padrejtë nëse nuk do ta përmendja rastin përjashtues, e si të tillë konfirmues të asaj që po thosha, të Lëvizjes Bashkë. Kjo është e vetmja parti politike që, në rrethet e saj dhe në ligjërimin publik, nuk ka hequr dorë nga ideja, mesa duket e gjykuar e vjetëruar tashmë, e subjektit politik si përcjellës të një botëkuptimi të caktuar kulturor. Më saktë, nuk ka hequr dorë nga ideja se duhet të kesh një botëkuptim njëherë, e pastaj t’u premtosh zgjedhësve botën tjetër.
(c) 2026 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.