nga Lulëzim Shishani
Sot ka mbetur vetëm një pengesë, për bashkimin e ri gjuhësor të shqiptarëve, e ai është kryeministri i Shqipërisë, mik ose armik i gjuhës shqipe, e vendos ai.
Kombi shqiptar, duke qenë i shpërndarë në së paku katër shtete, e ka të vështirë të bashkëpunojë në projekte të përbashkëta kombëtare, siç është projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” për përparimin e gjuhës shqipe, andaj ka zgjedhur rrugën e mosbashkëpunimit, që është rruga më e dëmshme për të ardhmen e kombit dhe të gjuhës sonë, si pasuria më e madhe kombëtare e si tipari më i rëndësishëm i identitetit shqiptar.
Bashkimi i ri gjuhësor ose përçarja gjuhësore do të fillojë ditën që do të ndryshohet drejtshkrimi i fjalës Evropë, në softuerin Kulla e shqipes, varësisht nga procedurat që do të ndiqen për këtë ndryshim në Fjalorin e madh drejtshkrimor sipas standardit që përmban ky softuer, me mbi 300.000 faqe A4 e mbi 8.000.000 forma fjalësh.
Ky softuer është futur tashmë në përdorim zyrtar nga Republika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi, për të gjitha institucionet dhe banorët e këtyre dy shteteve.
Nga premtimet e marra besojmë që jemi shumë afër që të njëjtin softuer ta fusin në përdorim zyrtar edhe Republika e Maqedonisë së Veriut edhe ajo e Shqipërisë.
E thënë simbolikisht, ditën kur softueri të jetë në përdorim zyrtar nga të katër shtetet shqiptare Kryeministri i Shqipërisë duhet të bëjë propozimin, hapin e parë drejt rishikimit të drejtshkrimit të fjalës Evropë, e pse jo edhe të disa fjalëve të tjera!
Drejtshkrimi i një fjale s’do të thotë shumë, por rruga e duhur për caktimin e drejtshkrimit të saj, urtësia që duhet zbatuar, qoftë edhe për drejtshkrimin e një fjale të vetme, do të thotë çdo gjë për të ardhmen e shqipes standarde, përmes krijimit të procedurave politiko-juridike me marrëveshje mbarëkombëtare për ndryshime të vogla në të ardhmen në softuerin e përbashkët – Kullën e shqipes.
Pra, që Evropa të bëhet Europë është i nevojshëm propozimi i kryeministrit Rama!
Para se ky propozim të ndodhë Qeveria e Shqipërisë duhet ta fusë në përdorim zyrtar, nëpër shkolla e në institucione shtetërore, Kullën e shqipes me Fjalorin e madh drejtshkrimor të shqipes standarde që përmban, pastaj rregullat sintaksore që i ka ky softuer, të cilin Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi e përdorin zyrtarisht, e të cilin po përgatitet ta fusë në përdorim edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Vetëm kur kjo të ndodhë fiton vlerë propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, që duhet t’ia bëjë kryeministrit të Kosovës, duke synuar një marrëveshjeje fillestare të qartë, të sinqertë e qëllimmirë. Në atë marrëveshje do të duhej të përfshiheshin drejtpërdrejt edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës etj.
Nga takimet tona të rregullta me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe të atyre në Republikën e Malit të Zi shprehet qartë qëndrimi i tyre politik për bashkëpunim sipas parimit “Një komb, një gjuhë, një softuer”. Kjo marrëveshje duhet të dërgohet për miratim në kuvendet përkatëse të të dy republikave shqiptare.
- Marrëveshja fillestare – Për shkak të rëndësisë e vlerës së madhe që do të ketë, për të qenë e pranueshme për të gjithë, e për t’i mbijetuar kohës, e ndryshimeve politike në të ardhmen, duhet të miratohet nga kuvendet e të dyja shteteve shqiptare, si marrëveshje fillestare, më së paku nga 2/3 e anëtarëve të kuvendeve përkatëse, bashkë me afatet, bartësit e detyrimeve dhe buxhetin e duhur.
- Marrëveshja përfundimtare – Për të pasur siguri të plotë rreth rezultateve përfundimtare dhe për të qenë rezultate të pranueshme për të gjithë, duhet të parashihet e njëjta procedurë edhe për miratimin të marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet arrihet brenda 3-5 vjetësh, bashkë me raportin e detajuar për veprat shkencore përfundimtare: Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe Fjalorin e madh drejtshkrimor digjital (softuerin Kulla e shqipes për morfologji, sintaksë etj.).
- Mënyra e votimit – Në fund qëndrimet e gjuhëtarëve, të arritura me konsensus, duhet të kthehen prapë në secilin kuvend veç e veç për t’u miratuar, prapë me 2/3 për të hyrë në fuqi.
- Bartësit e detyrimeve – Pas miratimit të marrëveshjes fillestare, ministritë përkatëse të të dy qeverive, bashkë me kompanitë private të specializuara duhet të krijojnë kushtet teknike e organizative për punë shkencore të mirëfilltë, të tipit perëndimor, me metoda moderne, për të gjithë ekspertët e gjuhës dhe ekspertët e tjerë që do të angazhohen.
- Organizimi juridik, financiar – Rolin kryesor organizativ, juridik e financiar, mund ta kenë p.sh. ministritë e arsimit, përkatësisht ministrat e arsimit të të dyja shteteve bashkë me dy zëvendëskryeministrat e parë që duhet të kenë kontroll politik mbi çdo gjë teknike, softuerike, juridike dhe financiare, përveç anës shkencore.
- Aspekti shkencor – Ana gjuhësore dhe shkencore duhet t’iu lihet gjuhëtarëve e ekspertëve të gjuhës, sidomos atyre të gjuhësisë kompjuterike. Ndërsa rolin e plotë shkencor duhet ta kenë universitetet, institutet, akademitë, bashkë me një Këshill Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe, që do ta drejtojë punën shkencore.
- Rezultatet përfundimtare – Fjalorin e madh drejtshkrimor digjital, bashkë me Softuerin për drejtshkrim e sintaksë, me Rregullat e plotësuara të drejtshkrimit dhe ato sintaksore, do të duhej t’i kishin falas për përdorim të gjithë shqiptarët kudo që janë, ndërsa ky softuer do të ishte në përdorim zyrtar gjithandej, e do të ishte pronë e përbashkët e qeverive shqiptare dhe e shqiptarëve jashtë territorit të të dyja shteteve.
- Dobia përfundimtare – Në këtë softuer (që do të ishte vetë gjuha shqipe standarde) do të mund të ndërhyhet me konsensus, sipas marrëveshjes përfundimtare vetëm nga qeveritë e të dyja shteteve (ndërsa në materialin gjuhësor të tij, rregullat gjuhësore të tij, vetëm nga institucionet e tyre gjuhësore).
Bashkimi gjuhësor shqiptar i ri i këtij shekulli është në duart e Shqipërisë!
Pra, një synim i tillë për bashkim gjuhësor të mençur e të drejtë duhet të realizohet përmes softuerit të përbashkët “Kullës së shqipes”. Ky bashkim është plotësisht i mundur dhe varet kryekëput nga kryeministri Edi Rama, i cili duhet ta kuptojë se gjuha shqipe është pasuri e përbashkët mbarëkombëtare e shqiptarëve të barabartë.
Duhet ta kuptojë po ashtu se:
- Republika e Shqipërisë ka mbetur shumë prapa, sidomos për punët e gjuhës shqipe, e veçanërisht në fushën e gjuhësisë kompjuterike, e kjo përveç tjerash e pengon të bashkohet me Republikën e Kosovës që ka investuar shumë dhe e ka kapacitetin e plotë për përparimin e gjuhës shqipe, pa u sforcuar.
- Shqipëria nuk ka ndonjë rezultat të theksuar në fushën e gjuhës pas Fjalorit të kohës së komunizmit të viteve 80-ta e asnjë rezultat fare në fushën e gjuhësisë kompjuterike, për dallim nga Qeveria e Kosovës.
- Republika e Kosovës ka Fjalorin e madh drejtshkrimor me 300.000 faqe A4, Republika e Shqipërisë nuk e ka, e për më keq dhe refuzon bashkëpunimin rreth këtij fjalori.
- Kosova e ka futur në përdorim zyrtar tashmë Kullën e shqipes, nëpër shkolla e në administratën shtetërore, bashkë me Republikën e Malit të Zi dhe pret me padurim që Evropa e Enverit të bëhet Europa e Fishtës.
- Republika e Shqipërisë nuk ka sot softuerë të gjuhës, as për drejtshkrim, as për sintaksë, as për sinonime, përveç atyre të financuar nga Qeveria e Kosovës, të integruar në Kullën e shqipes, ndonëse të njëjtit përdoren edhe në Shqipëri duke ua fshehur identitetin e pronarin.
- Është përçarje gjuhësore përfundimtare qëndrimi se një ditë do ta bëjmë edhe në Shqipëri një softuer tjetër sikur ky i juaji “Kulla e shqipes”, vetëm për territorin e Shqipërisë!
- Ka kaluar koha e mospërfilljes, me parulla si: ”për gjuhën shqipe shqiptarët jashtë Shqipërisë japin mendime, e ne në Shqipëri marrim vendime”. Shqiptarët jashtë Shqipërisë, autoktonë në trojet e tyre kudo që janë, edhe kanë qëndrime, por edhe dinë të marrin vendime për përparimin dhe digjitalizimin e gjuhës shqipe, pa kushte, si pasuri e përbashkët e shqiptarëve.
- Ka kaluar koha e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Kosovës nga ndokush i Shqipërisë për përfaqësimin e Kosovës.
- Çdo ndërhyrje politike, jashtë procedurave ligjore të dy shteteve shqiptare, do të ishte me pasoja. Partitë politike shqiptare në Republikën e Kosovës, e prijësit e tyre, për këtë çështje, kanë treguar maturi të madhe, si në të shkuarën, ashtu edhe sot, ndërsa të njëjtën maturi po e tregojnë edhe partitë politike shqiptare në Malin e Zi e në Maqedoninë e Veriut duke u bashkuar rreth kësaj ideje.
- Duhet ta dijë, sidomos Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lideri i saj, se, për të mirën e kombit, kërkohet një shkëputje nga e kaluara, nga “veprat shkencore” propagandistike të komunizmit dhe nga dinakëria si metodë e asaj kohe.
- Duhet ta dijë që kokëfortësia e insistimi për një pozitë monopoliste, që e ofronte sistemi komunist duhet të harrohet, ashtu që bashkimi gjuhësor shqiptar i këtij shekulli të ketë sukses.
A po punon Qeveria e Shqipërisë për një shqipe policentrike?!
Partitë politike në Kosovë kanë pasur dhe kanë një qëndrim të qartë politik për gjuhën shqipe. Nisur nga kjo kanë mbështetur vepra shkencore kolosale, nuk lavdërohen për këtë, kanë financuar e udhëhequr digjitalizimin e shqipes në të shkuarën dhe tani; të gjithë, pa dyshim, shprehin respekt ndaj gjuhës shqipe, duke synuar bashkimin gjuhësor mbarëshqiptar, por jo gatishmëri për çfarëdo nënshtrimi ndaj dikujt në Shqipëri, siç pret Edi Rama. Shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk e kanë marrë gjuhën shqipe me qira nga Shqipëria!
E thënë shkurt:
Qeveria e Shqipërisë, duke refuzuar Kullën e shqipes si një softuer të përbashkët për të gjithë shqiptarët, vetëm pse fillimisht është nisur dhe financuar nga Qeveria e Kosovës, duke refuzuar Fjalorin e madh drejtshkrimor digjital të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, duke mos dëshiruar vepra të përbashkëta shkencore siç është Fjalori i madh shpjegues, në mënyrë të pavetëdijshme ka krijuar rrethana të trajtimit të shqipes si një gjuhë policentike, ku secili shtet do të ketë softuerin e vet, kodin e vet gjuhësor në Microsoft, Samsung, iOS etj., me variantet e veta gjuhësore, rregullat gjuhësore të veçanta, e fjalorin e vet drejtshkrimor të veçantë që vlen vetëm për gjuhën shqipe të atij shteti (Albanian Albania, Albanian Kosovo, Albanian North Macedonia). Me dijeninë e Kryeministrit të Shqipërisë ose jo, institucionet qeveritare kanë bërë tashmë veprime konkrete dhe po punojnë shumë që kjo të ndodhë.
Duke mos e kuptuar se:
Pa një vepër gjuhësore, gjithëpërfshirëse, të përbashkët siç është softueri Kulla e shqipes, që do t’i paraprinte marrëveshjes fillestare, çdo vendim për rishikim, sido që të bëhet ai ndryshim, qoftë me modelin e vjetër sovjetik të trajtimit të shqipes, që refuzohet zëshëm nga Kosova, qoftë me modelin perëndimor të trajtimit të shqipes, që refuzohet në heshtje e djallëzi nga Shqipëria, do të mbetej thjeshtë një ngritje dore, pra, marrëveshja përfundimtare do të mbetej pa asnjë ndikim praktik.
Pa softuerin e përbashkët do të jetë e pamundur të merren vendime cilësore, të drejta, e të mirëpritura nga të gjithë.
Pa softuerin e përbashkët, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, nga pamundësia për të përvetësuar lehtë ndryshimet, e për të ditur lehtë cilat janë ato ndryshime, do të shkaktohej pasiguri e shqetësim, e ndoshta edhe refuzim të plotë të tyre.
Sot, është pothuajse qëndrim mbarëkombëtar që Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe të rishikohet, ndërsa për fjalën Evropë ka konsensus të plotë mes gjuhëtarëve që të jetë Europë.
Si çdo gjuhë e gjallë edhe shqipja ndryshon e zhvillohet gjithmonë, andaj duhet gjetur forcë e guxim që me urtësi të krijohen kushtet për punë e bashkëpunim, me synim të qartë politik, të miratuar paraprakisht nga ligjvënësit shqiptarë, në atë shtet e në këtë shtet, e gjithandej.
Ka një vit që kërkesa jonë i është dorëzuar për shqyrtim Qeverisë së Shqipërisë. Jemi plot shpresë që do të pranohet oferta jonë për fillimin e bashkimit gjuhësor të këtij shekulli.
Ka një vit që gjuhëtarë me dinjitet, përmes një letre të hapur, i janë drejtuar kryeministrit të Shqipërisë dhe e kanë kërkuar këtë bashkim.
Kur e fillova angazhimin tim 20 vjet më parë, rreth problemeve të gjuhës shqipe e për një bashkim të ri gjuhësor, ishin faktorë e grupe të tjera të interesit në Shqipëri që e pengonin me zell këtë synim. Ata që duhej ta siguronin bashkimin gjuhësor shqiptar, pas viteve 90, ishin të lodhur, e nuk kishin aftësi e fuqi mendore çfarë e kërkon kjo punë.
Do këllqe kjo punë, sigurisht. Por, sot janë plotësuar të gjitha kushtet e tjera, e këllqe për bashkimin gjuhësor mbarëshqiptar duhet të ketë vetëm një njeri – ai është Edi Rama. Sot ka mbetur vetëm një pengesë, për bashkimin e ri gjuhësor të shqiptarëve, e ai është kryeministri i Shqipërisë, mik ose armik i gjuhës shqipe, e vendos ai.
O Zot, ndihmomë ta ndihmoj kombin tim!
(C) 2024 Lulëzim Shishani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim i autorit: Shkrimi përmban qëndrime personale, jodomosdoshmërisht janë edhe qëndrime të bashkëpunëtorëve, gjuhëtarëve, apo organizatës ku unë punoj.
TITULLI ORIGJINAL: Bashkimi i ri gjuhësor mbarëshqiptar, i domosdoshëm!
Shënim: Imazhi në kopertinë është krijuar me MidJourney.