Albumi L’arca di Noè i kantautorit italian Franco Battiato, që doli në vitin 1982, përmbante edhe këngën Voglio vederti danzare, e cila pastaj doli në qarkullim si single, u rreshtua në Hit Parade dhe pati sukses të madh, në Itali dhe gjetiu në botë.
E sjellë nga valët e detit të radios edhe në brigjet tona, kënga tërhoqi vëmendjen edhe ngaqë në tekst përmendej Radio Tirana:
Voglio vederti danzare
come le zingare del deserto
con candelabri in testa
o come le balinesi nei giorni di festa.
Voglio vederti danzare
come i dervisches tourneurs
che girano sulle spine dorsali
o al suono di cavigliere del Katakali.
E gira tutt’intorno la stanza
mentre si danza, danza
e gira tutt’intorno la stanza
mentre si danza.
E Radio Tirana trasmette
musiche balcaniche, mentre
danzatori bulgari
a piedi nudi sui bracieri ardenti.
Nell’Irlanda del nord
nelle balere estive
coppie di anziani che ballano
al ritmo di sette ottavi.
Gira tutt’intorno la stanza
mentre si danza, danza.
E gira tutt’intorno la stanza
mentre si danza.
Nei ritmi ossessivi la chiave dei riti tribali
regni di sciamani
e suonatori zingari ribelli.
Nella Bassa Padana
nelle balere estive
coppie di anziani che ballano
vecchi Valzer Viennesi
Battiato i i shpalos një gruaje (?) dëshirën për ta parë të vallëzojë – duke ndjellë imazhe vallesh ekzotike të ciganeve “të shkretëtirës”, të balinezeve, të dervishëve rrotullues, valltarëve tradicionalë indianë të Katakalit, valltarëve bullgarë që hidhen zbathur mbi prushet e ndezura e deri irlandezëve të Veriut, pistave verore të dansit dhe çifteve të pleqve italianë që lundrojnë në valse të lashta vjeneze…
Ky kolazh vallëzimesh e çon pastaj këngën te Radio Tirana, stacion enigmatik i mveshur në mjegull nga bregu përballë Italisë, që transmeton “muzikë ballkanike” (origjinali e ka në shumës), duke u bërë pjesë e kësaj vorbe ekzotike ku valojnë ritmet frenetike dhe obsesive të “riteve tribale”.
Në atë kohë – fillimvitet 1980 – Shqipëria ishte po aq e largët për italianët sa edhe Bali, Katakali dhe vise të tjera përrallore, që i përkisnin botës përtej. Muzika që mbërrinte në Itali prej Radio Tiranës ishte aq mirëfilli shqiptare sa ç’ishte italiane muzika që mbërrinte në Shqipëri prej valëve të RAI-t. Po në fillimvitet 1980, publiku i muzikës perëndimore filloi edhe të interesohej seriozisht për world music – një kategori kryesisht e marketingut diskografik.
World music, ciganë, valle tribale: duket sikur kënga e Battiato-s është kyçur në një kafaz orientalist, në thelb banal, ku bota ushqen me ritëm trupin – edhe pse sot ky lexim nuk do t’i bënte nder këngës, që i përket një epoke disi ndryshe; dhe ku origjina e kulturës së Tjetrit përzihej e përshtjellohej me përfytyrimet e Tjetrit në mass mediat.
Për ata që e dëgjuan Battiato-n në Shqipëri, identifikimi i muzikës të Radio Tiranës si “ballkanike” erdhi disi papritur – ne nuk e njihnim veten si ballkanas në ato vite, edhe për shkak të ndërprerjes së kontakteve të natyrshme ndërkufitare dhe izolimit kulturor.
Tekstit të një kënge pop nuk është për t’i kushtuar shumë vëmendje, përtej interpretimit të shenjave të Zeitgeist-it, kohës kur është shkruar; por arsyeja pse Battiato-ja e quan “ballkanike” dhe jo “shqiptare” muzikën e Radio Tiranës meriton mbase vëmendje.
Ne ishim mësuar ta quanim rigorozisht kombëtar folklorin, përfshi këtu edhe “muzikën popullore”, paçka se në muzikë nuk e ndan dot me thikë çfarë është e jotja, nga çfarë është e tjetrit.
Vetë Ballkani – i muzikës ballkanike – është produkt historik i një bashkëjetese shekullore diversitetesh gjithfarësh: popujsh, gjuhësh, fesh, perandorish, besnikërish; bashkëjetesë që i jep gadishullit identitet jo vetëm gjeografik, por edhe kulturor, për mirë dhe për keq.
Këtë e ndien veçanërisht në muzikën folk të vendeve të ndryshme të Ballkanit, ku përzihen dhe harmonizohen fillesa bizantine dhe mbishtresa osmane, mbi një substrat më të lashtë, mbase vendës.
Asnjë nga këto përzierje nuk do të ishte e mundur, pa rolin e muzikantëve shëtitës, të cilët lëviznin lirisht nga një rajon në tjetrin, duke marrë dhe duke dhënë motive, rregullsi dhe ndikime.
Ndryshe nga gjuhët, të cilat ndajnë, muzika bashkon; duke u bërë kënga e ngjashme me një dritare, e cila nga jashtë lejon të shihet brenda, ndërsa nga brenda lejon të shihet jashtë.
Këtë qarkullim të pandërprerë klishesh, shkallësh, ritmesh, motivesh, klishesh në Ballkanin osman e mundësuan ciganët (Romët); një popullsi shtegtare, e cila luajti, në muzikë dhe në spektakël, një rol të ngjashëm me atë të barinjve – arbër, arumunë – në konsolidimin identitar të gadishullit.
Nga kjo pikëpamja, edhe “muzika ballkanike” që transmetonte Radio Tirana, edhe vallja që evokon Battiato-ja në këngë, si modalitet ekzistence i dëshiruar për vajzën e gruan që ka përpara, imponohen si alternativa ndaj gjuhëve – sepse ndryshe nga gjuhët, që krijojnë vetvetiu barriera, muzika dhe vallja i përshkojnë këto barriera në mënyrë osmotike, pa i rrëzuar përdhé.
La danza në vargjet e këngës është edhe ajo një lloj gjuhe, e cila lejon komunikimin – visceral, qoftë edhe mistik – anembanë planetit.
Radio Tirana, në ato vite, synonte të përhapte në botë imazhin unik të Shqipërisë “socialiste”, si kombinim i gjakimit politik revolucionar universal me një formë kulturore thellësisht kombëtare, të mishëruar nga folklori.
Zëri i Shqipërisë, zëri i së vërtetës – ky slogan e përmblidhte mirë efektin e synuar.
Battiato-ja, në bregun përballë, e dëgjonte muzikën shqiptare si lajmëtare të universalizmit të world music, ku diversiteti pritej të shprehte edhe të përbashkëtën mistike, njerëzore, të popujve anembanë botës.
Radio Tirana kërkonte që, me propagandën e vet politike dhe publicistike, të njihej anembanë si alternativë ndaj leximit “imperialisto-revizionist” të ngjarjeve në botë – duke thënë të vërtetën, atje ku të tjerët mashtronin.
Battiato-ja në Itali, dhe miliona të tjerë në Perëndim, do të gjenin, përkundrazi, te “musiche balcaniche” dhe të tjera produkte kulturore të pakontaminuara një alternativë ndaj imperializmit kulturor të imponuar nga mass mediat në Perëndim: tek e fundit, ishte kjo dëshirë që e mbajti gjallë edhe interesin – ca kohë të jashtëzakonshëm – për world music.
Por edhe rrënjët e përbashkëta të “muzikës ballkanike”, të tilla që t’i afronin aq shumë popujt e Ballkanit përndryshe me prejardhje aq të ndryshme, nuk bënë dot asgjë, për të penguar që po këta popuj, vetëm dhjetë vjet pas këngës së Battiato-s, të fillonin të masakroheshin mes tyre – edhe pse shpesh vrasësve dhe të vrarëve, xhelatëve dhe viktimave, do t’u kish qëlluar të përloteshin me të njëjtat këngë, të njëjtat avaze dhe të njëjtat valle. Aq sa kjo të detyron të mendosh se konflikti i përgjakshëm, edhe ai, mund të jetë po aq i përbashkët sa edhe muzika; dhe se gjuhët e mohuara nga tingulli i kulluar dhe ritmi i kërcimit e gjejnë mënyrën për t’u kthyer dhe për të marrë hak.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Joanović Paja (1859–1957) Vallja e shpatave, Private Collection