nga Anna Shkreli*
“Ekskurs në botimet dhe edicionet e para të autorit 1954-2018”
“Ekskurs në botimet dhe edicionet e para të autorit 1954-2018”, është para së gjithash një ekspozitë e cila në kremtin e 84-vjetorit të Ismail Kadaresë mëton të shqyrtojë evolucionin e publikimeve të autorit dhe të hedhë dritë mbi stadet e botimeve, vrojtuar këto në kontekste të ndryshme politiko-kulturore. Sërenditja e edicioneve të para të Ismail Kadaresë sipas një kriteri kronologjik është bazuar mbi studimet bibliografike shkencore Kadare në gjuhët e botës i Bashkim Kuçukut dhe Kadare, Bibliografia, vëllimi I me autore Lili Sulën dhe Jorina Kryeziun. Përzgjedhja e këtij kriteri në shpalimin e titujve synon të ndërtojë për publikun e gjerë dhe audiencën e re një narrativë më të përkapshme të gjenezës së disa prej veprave që do të bëheshin përfaqësuese të letërsisë shqiptare në paradigmën e madhe të letërsisë botërore. Ky projekt paraqet vështirësi jo të vogla për shkak të vëllimit të madh të veprave të shtypura por dhe për evoluconin atipik të shkrimeve të Kadaresë ndër vite, shenjuar nga ribotime të cilat bartin ndryshime tekstore me rëndësi artistike dhe stilistike. Afërmendsh këto ndryshime shprehin vullnetin përfundimtar të autorit, tashmë i lirë nga censura e autocensura. Veçse do thënë që secila prej veprave, e pikasur në edicionin e vet të pare, i jep dorë lexuesit të ndërmendë jo vetëm një hartë më të mirë të procesit krijues të Kadaresë, por sidomos, duke shqyrtuar diakroninë e këtyre edicioneve në shtratin e vet politiko-kulturor, mund të dalin në sipërfaqe të dhëna mbi disa zgjedhje të autorit të cilat vështirë të kenë qenë fryte rastësore. Sa për një shembull rastin më emblematik të trajtuar gjërësisht dhe nga studiuesi Matteo Mandala, pra le të ndalemi te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, botuar përsëpari i pjesshëm në përmbledhjen e ekspozuar këtu, Gjakftohtësia më vitin 1980. Mandala shkruan se “te përmbledhja, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave ishte një version i dy kapitujve të parë të romanit, që jo vetëm nuk shkaktoi reagime negative nga ana e kritikës, por u vlerësua pozitivisht nga disa kritikë. […] Lehtësia me të cilën u arrit botimi i pjesshëm i romanit e bindi autorin të vinte në jetë një aventurizëm tjetër. Kështu në vitin 1981, u botua teksti i plotë i romanit. Kësaj here romani u përfshi në botimin e dytë të përmbledhjes Emblema e dikurshme i fshehur midis teksteve të rëndomta të jetës socialiste. Mirëpo ndryshe nga hera e parë ky truk nuk rezultoi efikas.”.
Vizitorit të kësaj ekspozite, gjendur përballë evolucionit kontekstual të korpusit parak, ka gjasa t’i vijnë vetiu do pyetje të cilat mund t’ia mprehin shqisën e pikasjes së këtyre përkimeve, shpesh të kastenta. Gjithashtu në mendjen e vizitorit do të ravijëzohen temat kryesore që kanë ndjekur autorin po aq sa dhe janë ndjekur prej tij, vendet apo “Genius loci-t” e ndryshëm të tij, si prania e vijueshme e dinosaurit të gurtë të Gjirokastrës, metafora shekspiriane, shkrimet e angazhuara letrare apo eseistike mbi Kosovën e plot motive të tjera.
Pasuria letrare e shfaqur rrok një periudhë prej 6 dekadash, e poashtu ajo ngërthen edhe katër stade të rëndësishmë të kulturës së botimeve shqiptare: atë të pas Luftës, periudhën e Revolucionit Kulturor, post 90-ën dhe së fundi modelin e industrisë së botimeve i cili i përgjigjet përherë e më shumë rregullave të një tregu të lirë. Vështirë se ndonjë autor tjetër të jetë përfaqësues sa Kadare i këtij rrugëtimi artistik të publikimit shqip. Për vizitorin do të mjaftojë qoftë dhe një vështrim i pjerrtë mbi grafikën e botimeve për të pikasur fill pasqyrimin e periudhave të ndryshme historike në editorinë shqiptare. Përmbledhje poetike të hershme si Përse mendohen këto male paraqiten nga ballina me një ligjërim artistik prej pllakati, ndërsa “Dasma” përshembull e botuar së pari në formë libri nga shtëpia botuese “Rilindja” e Kosovës, kopertina e së cilës është realizuar nga piktori i shquar Rexhep Ferri, dëshmon menjëherë dallimin e madh mes shkollës jugosllave dhe traditës shqiptare të periudhës sa u takon arteve pamore. Gjithashtu në disa prej librave vizitori do të gjejë të evidentuara ballinat e disa artistëve të rëndësishëm që i kanë punuar si Safo Marko, Zef Shoshi, Ksenofon Dilo, Ardian Karakashi e të tjerë, punime këto mirëfilli artistike me përkushtim profesionistësh, të cilat i japin artit grafik libror dinjitetin nevojshëm të një elementi paratekstual.
Duke u shtyrë më tej në kronologjinë e eksponateve, ajo çka bie fort në sy edhe grafikisht është djerrimi dhe shterpja e këtyre ballinave si edhe tkurrja e thuajse cdo elementi stilistizues në to. Ku do kërkuar arsyeja e një thjeshtimi të tillë? Le t’i mëshojmë së pari faktit se ballinat apo ilustrimet e një libri, si elemente paratekstual janë në vetvete ligjërime shenjash, sikundër edhe ligjërimet fjalore të shkruara e të folura. Ndaj si të tilla, edhe ato nuk mund t’i shpëtojnë gjurmës farkuese të kohës në të cilën lëvrohen. Si u bë ky paralelizëm, le të vërejmë shkurtimisht evolucionin e ligjërimit fjalor në këtë segment kohe që po shqyrtojmë, me bindjen se të përshkruarit e stadeve formale të tij do të na japë dorë në të kuptuarit e formave abstrakte të shenjave artistike. Sa i takon aspektit formalist të ligjërimit verbal publik, mund të thuhet se larmia dhe përpunimi i tij vijnë thuajse të patrazuara deri aty nga fundi i viteve ‘60. Me nisjen e luftës kundër shfaqjeve liberale, censura bie mbi format e artikuluara, të selitura e shumëkuptimëshe dhe ky vrug prek cdo shfaqje gjuhësore, qysh nga tekstet e këngëve e fjalimet publike e deri te komunikimet gjysmëformale mes njerëzve. Në Shqipëri instalohet apendiksi absurd i revolucionit kulturor kinez, i cili thjeshton format duke i varfëruar ato. Sic e përshkruan edhe Orwell, neogjuha duhet të tingëllojë e thatë si breshëria e një mitralozi. Shabllonizimi, thjeshtimi në kufijtë e mbijetesës së komunikimit, thuajse e heq mundësinë e interpretimit pra edhe të keqkuptimit a keqinterpretimit, se në fakt cdo ngjyrë, cdo stil i pazakontë gërme, çdo ilustrim, të gjitha këto së bashku marrë si ligjërim, mund të interpretoheshin nga lupa e ideologjisë. Besojmë pra se ky proces aspak rastësor u dha shkas edhe ballinave të kësaj periudhe, shpesh të reduktuara në një strukturë vec me titullin dhe emrin e autorit, në një sfond kromatik gati neutral, gri a bezhë, a kësodore.
Pas viteve ‘90 na pret një periudhë e harlisur jo vetëm sa i takon përfaqësuesve të ndryshëm botues të Kadaresë (nga Naim Frashëri, te Fayard, Çabej e më pas Onufri) por, në kërkimet e bëra për mbledhjen dhe renditjen e këtij korpusi vumë re se botimet fill pas 90-ës janë dhe më të vështirat për t’u gjurmuar.
Libri në vetvete në këtë ekspozitë sillet si simbol i disa kthesave të rëndësishme të kulturës sonë, por pavarësisht të gjithave koleksioni ynë është fotografia fëminore e gjithë asaj forme të mirërritur jete që ka krijuar Ismail Kadare.
*editore letrare dhe kuratorja e ekspozitës “Ekskurs në edicionet e para të Kadaresë 1954-2018”
Do mbetet mister fakti se pse shkrimtarit qe pershkroi ne menyre aq brilante Shqiperine e vitit 1914 , pas viteve 90 kur ishte ne kulmin e vet dhe historia I vuri perpara ne sini ergjendi nje material jetesor qe nje shkrimtari ne gjallje I vjen nje rast I tille njehere ne disa qindra vjet iu tha muza e humbi 30 vjet kot ?!!!
Për mua arsyeja kryesore e tatëpjetës (përtej moshës dhe konsumimit të emrit): Nobeli.
Cfare eshte “Liber Thepi” ?
Shtepi Botuese?
Ideja më pëlqen. Ekspozitën nuk mundem që ta vizitoj, per ta vlerësuar, por shpresoj që të jetë hapi i parë në procesin e katalogizimit dhe sidomos të digjitalizimit të plotë të veprës letrare të Kadaresë, e cila, me larminë dhe shtrirjen e saj në kohë dhe në hapësirë (botimet brenda dhe jashtë Shqipërisë), bashkë me ndryshimet e vazhdueshme që ajo ka pësuar në këtë shtrirje, mendoj se e ka të domosdoshme një përmbledhje të tillë.
Për çdo libër/ titull të veprës së Kadaresë, të gjitha variantet digjitale të librit të vendosura përbri njera-tjetrës, sipas rendit kronologjik, dhe me krahasimin faqe më faqe nga botimi i parë te varianti i fundit, që tregon dukshëm çdo shtesë apo fshirje, çdo fjalë të ndryshuar apo të hequr. Sot ka programe kompjuterike që mundësojnë këtë krahasim pa shumë vështirësi, por për këtë duhet bërë digjitalizimi i veprës së Kadaresë një herë. (Meqë jemi këtu: janë digjitalizuar të gjitha “veprat” e Hoxhës… por marksistët s’të falin – për revolucionin asnjë “sakrificë” nuk është shumë! haha).
Po ashtu duhet menduar edhe për të drejtën e autorit dhe të ardhurat e humbura nga nxjerrja e librave online, por kjo mendoj se mund të rregullohet duke e berë leximin me pagesë, ose duke u kufizuar te titujt e hershëm, jo për librat e fundit etj.
Një ekspozitë digjitale e të gjithë librave të Kadaresë, që do të tregonte evoluimin në kohë dhe në hapësirë të veprës – kjo do të ishte vërtet një vlerë e shtuar për letërsinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
P.s. Te “Ikja e shtërgut”, botimi i Onufrit 1999, i cili i përfshin të dyja versionet e novelës, të parin nga 1986-a dhe atë të ripunuar, të 1998-ës, më tërheq gjithmonë krahasimi i dy varianteve, se si nga një tregim pothuajse asket rrëfimi “mbushet” dhe shndërrohet në një novelë të mrekullueshme. Por nuk mendoj se të gjitha ndryshimet që I.K. i ka bërë veprës janë kaq të qëlluara, përkundrazi…