Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Letërsi

MUSINEJA NË ROMË (II)

.nga Arta Marku

Historia e një libri në sirtar

Për autobiografinë e Musine KOKALARIT, për kohën kur e shkroi, mënyrën si e shkroi, korrigjimet, fshirjet, shtesat, kalimin nga dorëshkrimi në daktiloshkrim dhe pastaj për errësirën e gjatë në të cilën u dergj… rrëfen arkivistja dhe historiania Simonetta CEGLIE.

E kishte menduar si libër për botim, jo si ditar intim. Ky është konkluzioni që nxjerrin studiuesit për La mia vita universitaria të Musine Kokalarit. Tek e fundit ajo e shkroi për së pari me dorë në disa fletë blloqesh. Pastaj bëri korrigjime mbi to. E rishkroi në makinë shkrimi pasuar nga redaktime dhe korrektura. Vendosi ta shkruante italisht sepse, ndoshta, synonte tregun italian. Padyshim italishtja e saj ka gabime. Minore, ama ka. Cilat ishin gabimet e saj tipike? Simonetta Ceglie që e ka transkriptuar veprën dhe e ka studiuar nga këndvështrimi gjuhësor rrëfen në mënyrë të hollësishme konkluzionet e punës së saj, për të kaluar më pas tek panorama arsimore e kohës, me informacione të papritura dhe mjaft interesante…

-Një dorëshkrim dhe një daktiloshkrim japin mundësinë për ta njohur evolucionin e një libri përgjatë procesit të shkrimit. Sot shkrimtarët përdorin kompjuter dhe është e pamundur të ruhen gjurmët e këtij procesi, por ndryshe ishte në kohën e Musine Kokalarit. Në ç’mënyrë flasin për procesin e shkrimit dorëshkrimi dhe daktiloshkrimi i autobiografisë së Kokalarit La mia vita universitaria?

Ballafaqimi i daktiloshkrimit me tekstin paraardhës të shkruar me dorë, që të dy përpiluar nga Musineja, ka qenë padyshim etapa themelore për të hetuar dhe për të kuptuar metodologjinë e shkrimit dhe të rishikimit të përshtatur nga shkrimtarja në këtë vepër autobiografike. Nga njëra anë, shumë pasazhe duken të shkruara shkarazi, nga ana tjetër korrektimet e shumta, fshirjet, shpjegimet dhe ripunimet në të dy dokumentet, provojnë që thurima e kujtimeve ka qenë fryt i një pune të gjatë dhe të imtësishme, me shumë gjasë e kryer për një kohë të gjatë dhe kurrë e përfunduar. Për ta vërtetuar këtë, marrim në konsideratë ndryshimet e bëra me laps dhe bojë me ngjyra të ndryshme dhe përdorimin, në procesin e daktiloshkrimit, të makinave të ndryshme të shkrimit. Përveç kësaj, çdo ndryshim, bashkim, lëmim i tekstit duket gjithnjë i matur mirë. Më vjen në mendje për shembull, që Musineja vendos të fshijë inicialet e një kolegeje hebreje, të pranishme në daktiloshkrim, ndoshta për t’i ruajtur anonimatin për shkak të ligjeve antihebraike të shpallura në Itali në vitet 1938-1945; kurse në dorëshkrim është fshirë një episod i tërë që ka lidhje me personazhe italianë me ndikim (funksionarë, ushtarakë, mjekë) të përzier në dallaveret mjekësore “alla italiane” për të shmangur rikthimin në frontin e Afrikës Lindore të djaloshit P.T,. i dashuri roman i Musinesë. (“Atëherë, në rrethin e tyre është prof. Z. anëtar i këshillit ushtarak […] kësisoj u vendos që ai të vizitohet, doli i sëmurë nga apendiciti dhe mëngjesin e nisjes ia beh një krizë. E operon ai…”)

-Cilat janë tiparet formale të teksteve të Musinesë?

Daktiloshkrimi i “Jeta ime universitare” është i përbërë nga 118 fletë të palidhura por me numër rendor dhe një parathënie e panumëruar me firmën e autores. Nga ekzaminimi i tipareve formale të tekstit (trupi i shkronjave dhe sipërfaqja e shkrimit) kam zbuluar që Musineja ka përdorur së paku dy makina shkrimi të ndryshme, shirita boje me ngjyra të ndryshme (blu dhe të zezë) dy tipe letre (letër e zakonshme dhe letër e hollë, speciale) fshirjet, korrektimet dhe shtesat e reja në tekst, për të cilat folëm, janë shkruar me dorë nga Musineja me penë të kuqe ose blu, me laps ose me kopjativ. Versioni i mëparshëm në dorëshkrim, është në fletë pa numra rendorë të grisura nga një bllok shënimesh me katrore dhe është shkruar me penë (e zezë dhe blu); e korrektuar me penë (të kuqe dhe të gjelbër) dhe me laps. Që të dy këto dokumente të çmuara janë zbuluar mes letrave personale të Musine Kokalarit që ruhen sot në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Dokumentacioni i ardhur nga Ministria e Brendshme, departamenti i Sigurimit të Shtetit, është dorëzuar në pjesën më të madhe në vitet 1980-1983, me gjasë pas vdekjes së shkrimtares; në vitet 2005-2011 janë marrë edhe dokumentet e fundit. Kujtojmë që në bazë të një qarkoreje mbi grumbullimin e detyrueshëm të të gjithë informacionit të armikut, e shpallur në nëntor 1944, komandot ushtarake dhe pastaj në vitet 1949-1951 arkivistët e shtetit, punuan për të identifikuar dhe për të marrë akte, dokumente dhe materiale të tjera. Regjimi censuroi zëra dhe fshiu biografi, por nuk i shkatërroi dokumentet, përkundrazi dëshmoi një vëmendje të veçantë ndaj atyre që mbërrinin nga prodhues “anomalë” (disidentë, intelektualë dhe persona të tjerë në mërgim, të burgosur, të internuar, të pushkatuar sikurse Mithat Frashëri apo Musine Kokalari), dokumentet e të cilëve u tërhoqën me shumë kujdes nga policia dhe u depozituan në institucionet  arkivore. Kësisoj u dorëzuan, përgjatë viteve, të gjitha dokumentet dhe fotografitë e sekuestruara të familjeve, personave dhe kongregacioneve fetare për arsye politike deri në vitin 1991. E njëjta histori ka të bëjë edhe me fondin e Musine Kokalarit. Si arkiviste, duhet të theksoj se kjo politikë e ruajtjes së dokumenteve nga ana e një regjimi diktatorial është një rast me të vërtetë i veçantë, shumë interesant. Në një intervistë të vitit 2008 për “Shqip”, Nevila Nika, e para grua në krye të arkivit shqiptar, shpjegon që materialet e arkivit nuk manipuloheshin sepse njerëzit e regjimit kishin nevojë t’i kishin gati mbi tryezat e tyre të punës dokumentet origjinale. Manipuloheshin kopjet që bëheshin publike kurse dokumenti origjinal ruhej sepse do të shërbente për raste të mëpasme. Në ato vite nuk mund të ishe kurrë i sigurt për “armiqtë” e mundshëm. Ishin gjithnjë e më shumë shokët e vjetër, ish bashkëluftëtarët që dënoheshin. Nevila më ka treguar një anekdotë që qarkullonte në Shqipërinë e viteve ‘80: “e pyetën njërin: “Kush e ka bërë luftën nacional-çlirimtare?” – Armiqtë! – ishte përgjigjja.”

-Të shkruash letërsi në një gjuhë që nuk është gjuha e nënës është një zgjedhje… Më vjen në mendje Kundera, shkrimtar çek që kur shkoi në Paris filloi ta shkruante drejtpërsëdrejti në frëngjisht letërsinë e tij. Nga ana tjetër kemi Kadarenë që shkruan gjithnjë vetëm në shqip edhe pse jeton në Francë… Në çdo rast thuhet se shkruhet mirë në gjuhën në të cilën sheh ëndrrat – me gjasë gjuha e nënës… Sidoqoftë çfarë mund të themi për italishten e Musinesë? A e përdor ajo në mënyrë korrekte?

Takimi mes një personi të ardhur nga larg dhe një kulture “tjetër” dhe veçanërisht zgjedhja për ta bërë tënden gjuhën e “mikpritësit” (le ta themi kështu) në shkrimin e veprave është një temë shumë interesante dhe me një rëndësi shumë të madhe sot në të gjithë Perëndimin. Dhe është një terren kërkimi pa dyshim shumë i eksploruar – sikurse në Shtetet e Bashkuara – tokë e parapëlqyer mërgimtarësh – por që meriton të ballafaqohet dhe të thellohet edhe për vende të tjera. Në rastin tonë, Musineja në parathënien e kujtimeve të saj ku sqaron karakterin dhe qëllimin e një vepre të cilën është e bindur qysh në fillim se do ta botojë, tregon se është e vetëdijshme për rreziqet dhe vështirësitë e hartimit të tekstit në gjuhën italiane. Kësisoj shkruan: “nuk do të mungojnë edhe kritikat mbi librin tim, veçanërisht nga pikëvështrimi i gjuhës italiane, që është e bukur dhe shumë e pasur, por që unë nuk e njoh në mënyrë të përsosur: pavarësisht kësaj dua të përpiqem t’i shpreh mendimet e mia”.  Është një sfidë e vërtetë dhe e njëmendtë duke qenë se, kur mbërriti në Romë ajo njihte një italishte “shkollore”, siç vetë e rrëfen: “Për më tepër – shkruan Musineja – nuk dija mirë as edhe italishten. E kisha studiuar në shkollë të mesme, siç studiohen gjithnjë gjuhët e huaja. Në fillim kujtoja se dija të flisja kënaqshëm; përkundrazi vura re se sado që kisha studiuar rregullat e gramatikës dhe dija t’i përgjigjesha pyetjeve të mësueses, nuk njihja shprehjet më praktike. Konstatova se, sadoqë besoja se dija shumë, dija pak.”

Regjistri gjuhësor i zgjedhur nga autorja, siç thotë në parathënie është ai i “një proze të natyrshme të jetës së përditshme” i përbërë nga fraza të shkurtra dhe lineare, por efikase dhe shprehëse. Teknika rrëfimit ka të bëjë me përdorimin e skicave narrative të ngjarjeve të përditshmërisë (prej nga marrin shtysë refleksione ekzistenciale) dhe solilokë. Qëllimi është për të shkruar kujtime ose më mirë, për të rindërtuar përvojën e formimit me fakte, gjendje emocionale dhe botën e brendshme. Nga faqet e daktiloshkruara shfaqet thërrmuese bota e saj e ndjenjave dhe mënyra si e sheh botën, personaliteti i saj, shpirti i saj. Me fjalë të tjera, elementet konkrete, vendet fizike janë përshkruar jo vetëm në realitetin e tyre objektiv por edhe sipas observimit që i bën Musineja, uni i saj rrëfyes. Forca e saj shprehëse e përfshin në mënyrë rrëmbyese lexuesin. Mund të rrëfej përvojën time: Përgjatë punës së gjatë të transkriptimit të kujtimeve, Musineja pak nga pak shndërrohej në një mike, e më pas në një të afërme. Në fund u shkriva tërësisht me të, u ndjeva “Musine” (e kam shkruar këtë). Mendimet e saj, refleksionet, ndjenjat përfunduan duke më përkitur mua, u bënë pjesë e “mënyrës time të të qenit në botë”. Do t’ju zbuloj akoma: Së fundmi jam kujdesur për botimin e dokumenteve të ditës studimore “Një muzë shqiptare në Sapienza”. Veprimtaria u zhvillua për nder të Musine Kokalarit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj dhe ishte rikthimi i saj pas pothuaj 80 vjetësh, në qytetin universitar ku ka studiuar në periudhën 1938-1941 – i është kushtuar një numër monografik i revistës online “Giornale di storia” e drejtuar nga Marina Caffiero, (http://www.giornaledistoria.net). – Leitmotiv i çdo diskutimi, refleksioni, dëshmie ishte forca e saj e madhe, aftësia për të ngjallur empati tek kushdo që i afrohet veprës së saj. Musineja, sipas fjalëve të relatorëve vjen e bëhet kolege, fqinjë, shoqe, motër, udhërrëfyese jete. Por, më me vend më duket konkluzioni i Mauro Geraci-t: “Musineja arrin gjithnjë të më japë forcën për t’u ngritur në këmbë, për të vijuar të eci, nëse kam frikë më jep guxim, më tregon distancimin dhe ironinë qiellore që janë të domosdoshme për të mbijetuar. Ndoshta më shumë se sa kthehet, si dallëndyshet, Musineja nuk ka ikur kurrë dhe kurrë nuk do të shkojë.

-Në studimin tuaj keni listuar gabimet tipike gjuhësore të autobiografisë së Musinesë. Cilat janë? Në ç’mënyrë ka ndryshuar italishtja e saj me kalimin e kohës?

Nëse analizojmë gabimet ortografike ose sintaksore më të shpeshta të kujtimeve mund të thuhet se disa pasaktësi konsiderohen “albanizma”, pra vijnë për shkak të ndikimit të gjuhës së nënës. Për shembull: vështirësi për të paraqitur shkronjat e dyfishta të cilat mungojnë në gjuhën shqipe (caminavo, dapertutto, belezza, ammalatti, motociclete, passegiate, avenne, mettà, colo, etj.); gabime në përdorimin e nyjes shquese ose të parafjalëve («non è stata la colpa di mio figlio», etj.); thekset jo gjithnjë janë të shënuar ose janë gabim; përdorim i gabuar i sintagmave dhe shprehjeve («sul primo momento», etj.). Të tjera gabime ortografike janë shkaktuar nga vështirësia për ta pasur nën kontroll strukturën komplekse të gjuhës italiane. Fjala është për disa forma verbale dhe leksikore jo të sakta sikurse chiacchera/chiaccherare për chiacchiera/chiacchierare, përdorim i gabuar i rregullave të elizionit (apostrofi është i pranishëm në emrat mashkullorë dhe mungon në emrat femërorë) dhe gabime te shumësi i fjalëve që mbarojmë me sce/scie, ce/cie, cia/gia (këto janë mes gabimeve më të shumta edhe për ata që e kanë italishten gjuhë të nënës!!)

Në çdo rast progresi gjuhësor i Musinesë në katër vitet romane është  vërtet i dukshëm. Nëse marrim në shqyrtim dy versionet e teksteve (daktiloshkrim dhe dorëshkrim) dallimet më të theksuara kanë të bëjnë kryesisht me aspektin gjuhësor. Është i dukshëm zotërimi gjuhësor i përftuar në daktiloshkrim krahasur me tekstin paraardhës që është i shkruar me një italishte më të pasigurt dhe shpesh pa rregulla gramatikore. Zotërimin gjuhësor shkrimtarja e re e maturon qoftë nga studimet universitare qoftë nga raportet e krijuara me gjuhëtarë të famshëm italianë, sikurse albanologu Angelo Leotti apo glotologu Carlo Tagliavini, gjë për të cilën ka dëshmi të qarta në letërkëmbimin e gjetur.

-A ekzistojnë të tjera tekste të Musinesë në italisht? Çfarë ka ndodhur me artikujt e botuar në gazetën “Tomori” një gazetë dygjuhëshe? A gjejmë aty artikuj të Musinesë të shkruara në italisht?

Nga kërkimet e kryera nuk rezultojnë libra ose artikuj për revista apo gazeta të përpiluara nga Musine Kokalari në gjuhën italiane. Edhe kur, në vazhdën e suksesit, pas botimit në dialektin gjirokastrit të novelës Siç më thotë nënua plakë, shkrimtarja e re botoi në 1940, në gazetën italo-shqiptare “Tomori”, episodet e reja të Nënua plakë në Romë, i shkroi ato në gjuhën shqipe. E vetmja vepër e projektuar për t’u botuar në italisht mbetet pra La mia vita universitaria, përveç tezës së diplomës mbi poetin kombëtar shqiptar Naim Frashëri 1846-1900, që ruhet sot në Bibliotekën kombëtare të Tiranës. Tezën Musineja e ka shkruar në italisht dhe e mbrojti pasditen e 28 nëntorit 1941, siç vetë e rrëfen në faqen e fundit të kujtimeve, me vlerësimin maksimal me lavdërime, në Belle Lettere në Sapienza.

-Pak më sipër keni përdorur shprehjen “kurrë e përfunduar” për autobiografinë universitare të Kokalarit. Sipas jush, nuk kemi të bëjmë me një variant final? Duke analizuar tekstin keni gjykuar se ajo nuk e kishte nxjerrë nga dora dhe ishin kushtet që e detyruan të ndalej këtu?

Do të bëj një parashtresë. Nga leximi i La mia vita universitaria, duket shumë qartë se Musineja, pak më shumë se 20-vjeçare është tashmë një shkrimtare e spikatur, e njohur dhe e vlerësuar. Mjaft të citojmë vlerësuesin e saj të parë, Lasgush Poradecin i cili në faqet e revistës “Bota e re” e gjykon përmbledhjen Siç më thotë nënua plakë që sapo ishte botuar si një “fenomen letrar” të vërtetë. Pra studentja e re është mësuar me “zanatin e të shkruarit”. Mban në dorë shumë punë njëkohësisht, është gjithnjë në kërkim të sfidave të reja, siç e tregon në pjesë të ndryshme të tekstit autobiografik. E vetmja përmendje e qartë për daktiloshkrimin në punë e sipër është te viti i fundit. Jemi në tetor 1941, pas kthimit në Tiranë të nipit Hektor për të marrë veten nga sëmundja, dhe lexojmë: “… po mësohem të rri edhe pa të dhe po përpiqem të punoj për tezën dhe kujtimet e jetës sime universitare”.  Prandaj përpilimi i veprës në katër kapituj që përkojnë me vitet e universitetit, të paraprira nga një parathënie e shkurtër, mund të vendoset, e gjitha ose pjesërisht, në fund të “udhëtimit” të saj të jetës dhe studimit në kryeqytet. Padyshim, nëse vetëdijen e shkrimit e ka edhe boca e parë në dorëshkrim, teksti i daktiloshkruar thekson fuqishëm një distancë me të parin jo vetëm gjuhësore dhe tekniko-stilistike të një autoreje tashmë bilingue, por semantike, të kuptimit tekstor, në dritën e një vetëdijësimi të përforcuar, të një autorefleksioni të pjekur, të një gjykimi kompleks për përshkimin ekzistencial të kryer në vitet romane, nga ëndrra e madhe adoleshenciale te zhgënjimet, te ndjesia e të qenit e huaj që iu formua në mënyrë të vazhdueshme derisa u kthye përfundimisht në Tiranë. Një përshkim i tillë duket i qartë edhe nga korrektimet e shumta dhe shtesat në daktiloshkrim, për të cilat kemi folur sakaq, por që dëshmojnë një rishikim të mëtejshëm të tekstit.

A mund ta konsiderojmë tekstin përfundimtar? Këtë nuk jemi në gjendje ta pohojmë me siguri. Sidoqoftë dimë se me t’u kthyer në Shqipëri, vendin e saj të zemrës, iu përmbys bota, jo thjesht ëndrra universitare, e tronditur nga dhuna e regjimit. E dimë mirë se për angazhimin etik dhe politik, për luftën e vendosur në emër të një Shqipërie demokratike, rrugëdalje sa nga nazifashizmi aq edhe nga diktatura që po lindte e Enver Hoxhës, në 1946 shkrimtarja u gjykua si “sabotatore dhe armike e popullit” gjë për të cilën u dënua me burgim dhe izolim derisa vdiq në vitin 1983. Kësisoj parabola e plotë njerëzore dhe letrare e Musine Kokalarit u ndërpre dhe La mia vita universitaria (sikurse edhe të tjera vepra dhe projekte) mbeti përgjithnjë “një libër në sirtar”.

-“Një libër në sirtar” është edhe titulli i tekstit tuaj studimor mbi Kokalarin, jetën e saj të viteve universitare dhe kontekstin Italian dhe shqiptar ku ajo gjendej, mbështetur në kërkimet që keni bërë. Te konteksti dua të rrimë: A mund ta përshkruani me pak fjalë panoramën arsimore në Shqipërinë e asaj kohe?

Roma ëndrra ime”, shkruante jo rastësisht Musineja e sapombërritur në kryeqytet. Në Shqipëri në kohën e saj, përveç një papunësie të shfrenuar intelektuale, ekzistonte (dhe siç thotë Rando Devole, ndoshta ende në vitet 2000) një garë e vërtetë për të shkuar në gjimnaze-lice të cilat ndiqeshin nga pothuaj 80% e nxënësve dhe pastaj në universitet. Në këtë aspekt i kam rënë në gjurmë një dokumenti interesant “Raport mbi kushtet e organizimit shkollor dhe të organizatave rinore” që Sestilio Montanelli, konsulenti italian pranë Ministrisë së arsimit publik në Shqipëri, i ngarkuar nga mbreti Zog, përpiloi në vitin 1937, si dokument paraprak për reformën e përgjithshme të legjislacionit shkollor që do t’i paraqitej parlamentit shqiptar. Nga analiza e të dhënave del një analfabetizëm i përhapur veçanërisht në rajonet malore, një mungesë e theksuar institucionesh shkollore të cilat ishin joorganike, të papërshtatura në programe dhe në përgatitjen e mësuesve dhe nevojave reale të vendit, si dhe mungesë tërësore e sistemit universitar. Për të mbështetur trajnimin e drejtuesve teknikë, punëtorëve dhe bujqve, projekti, në pjesën më të mirë i mbetur në letër deri në pushtimin Italian të Shqipërisë, fokusohej te një shkollë e mesme unike dhe “shkolla të shumta pune” dhe në zvogëlimin drastik të “shkollave te tipit klasik” në katër lice dhe dy shkolla normale (një mashkullore e një femërore). Italishtja ishte e vetmja gjuhë e huaj e përshkruar. Pas pushtimit musolinian të 1939, në udhëheqjen e shkollës së re shqiptare tashmë afruar sistemit shkollor italian u vu Ernest Koliqi, jo rastësisht i thirrur për të drejtuar, po atë vit, katedrën e gjuhës dhe letrave shqipe të sapothemeluar pranë universitetit të Romës që ndoqi Musineja.

Shqipëria, në fund të Luftës së dytë botërore, ishte ende një ndër vendet më të varfra dhe të prapambetura nga këndvështrimi arsimor: 90% e popullsisë ishte analfabete, shkollat ishin të pakta dhe mungonte tërësisht arsimi universitar. Vetëm në 1957, gjatë regjimit komunist, lindi universiteti shtetëror i Tiranës, institucioni i parë universitar shqiptar.

-Në studimin tuaj shkruani: “Ëndrra e një fëmije të diplomuar ka qenë në kohëra shumë e pranishme në çdo familje shqiptare, me gjasë efekt i një kulture që gjithnjë e ka parë arsimimin me nderim të veçantë”. A bëhet fjalë për një karakteristikë tipike shqiptare? Përtej kësaj, sa rezultojnë shqiptarët vizionarë në këtë aspekt? A e projektojmë të ardhmen në mënyrën e duhur duke zgjedhur universitetin e duhur? Çfarë thonë kërkimet tuaja në këtë aspekt? (Flasim gjithnjë për vitet ‘30-‘40 edhe pse kam përshtypjen se e njëjta gjë ndodh ende).

Duke iu rikthyer diskutimit të mëparshëm, me La mia vita universitaria, Musine Kokalari dëshiron me forcë të dëshmojë se ka realizuar një “Aspiratë të madhe, të re për ne vajzat shqiptare: Universitetin”. Ambicie për t’u përmbushur jashtë e “natyrisht në Itali” (kështu shkruan autorja) në mungesë të sistemit edukativ universitar. Shumë vite më pas, në tekstin Si lindi partia socialdemokrate do të kujtojë me krenari se klasa e saj në institutin femëror “Nana Mbretneshë” në Tiranë, pati maksimumin e numrit të studenteve. Në e dimë se pjesa më e madhe e tyre, shumë herë të përmendura në kujtime, u regjistruan në Sapienza: Musineja në letërsi, Vera Bogdo në drejtësi, Agallia Harito dhe Gliqeria Koço në mësuesi. Në këtë kuptim shkrimtarja e paraqet të plotë “ëndrrën e një fëmije të diplomuar” fenomen i lashtë dhe pjesërisht “iracional” tërësisht shqiptar që e hasi Giuseppe Novarese në 1939 dhe e gjykoi si një çështje themelore në formimin e “një popullsie shkollore alarmante sepse ishte e destinuar të krijonte të diplomuar që nuk e gjenin në vend mundësinë për të ushtruar profesionin e zgjedhur”. Nga ana tjetër Rando Devole, në esenë e tij Ura mbi det regjistron të njëjtën ëndërr (me të njëjtat pasoja?!) në Shqipërinë e viteve 2000 ku “pritshmëritë dhe shpresat, nganjëherë reale, nganjëherë pa bazë, nganjëherë të kërkuara, nganjëherë të pretenduara ballafaqohen në një kontekst që nuk ofron as zgjidhje e as perspektiva”. Për shembull: studentët shqiptarë të regjistruar në universitetet italiane në vitet 2007-2008 (11.415 studentë, nga të cilët 4659 meshkuj dhe 6756 femra), rezultojnë në vend të parë mes studentëve të huaj dhe Letërsia dhe Filozofia mbeten mes fakulteteve më të lakmuar, sikurse në kohën e Musinesë.

-Si mund ta përshkruani atmosferën universitare të epokës së Duçes?

Në vitet ‘30 ka një rritje të vazhdueshme të popullsisë studentore italiane si në universitete dhe në institute dytësore. Në veçanti fuqizimi i fortë i Sapienzës i atribuohet fashizmit, vullnetit politik për ta bërë universitetin e kryeqytetit një “qendër të madhe studimesh në Itali”. Ky rol nënvizohet nga madhështia e Nuova Città degli studi i porositur nga vetë Musolini për arkitektin Marcello Piacentini dhe i përuruar në 1935. Në të njëjtin hap me afirmimin e Sapienza-s si “universitet i regjimit” (kështu e përkufizoi Augusto Tutari, sekretar i partisë nacionale fashiste) zbatohej një “fashistizim” në rritje i jetës universitare, me analizat zyrtare të vitit akademik që pasqyronin solemnitetin e regjimit dhe me një inkuadrim gjithnjë e më të ngushtë të popullsisë studentore. Dispozitë “simbol” e kësaj politike ishte detyrimi për t’u betuar që iu vu pedagogëve në qoftë se donin të vijonin të jepnin mësim  (1931) dhe fakulteti ia la Ministrisë së Arsimit emërimin e profesorëve “të famshëm” qartazi të pranuar nga regjimi (1935).

Në mënyrë të veçantë Fakulteti i letrave ishte bërë qendër e rëndësishme e pushtetit akademik. Pedagogët të cilëve u ishin ngarkuar detyra të rëndësishme aderonin gjithnjë e më shumë në fashizëm dhe shumë prej tyre ishin senatorë dhe akademikë të Italisë si Giuseppe Cardinali, Giulio Quirino Giglioli, Francesco Ercole, të gjithë profesorë të Musine Kokalarit. Në këtë kontekst është e qartë vlera strategjike e hapjes në vitin akademik 1939-40 së katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe emërimi profesor i Ernest Koliqit, siç e kam thënë më lart. Ishte një projekt i finalizuar për të përqendruar në kryeqytet pjesën më të madhe të studentëve shqiptarë që dëshironin të ndiqnin universitetin “me avantazhin e dukshëm për propagandën dhe konceptet ideologjike dhe politike të regjimit” (për të përdorur fjalët e ministrit Giuseppe Bottai).

-Prej nga vinin studentët? Cilat ishin fakultetet ku në përgjithësi studionin studentët shqiptarë të viteve ‘30-‘40? Çfarë krahasimi mund të bëhet me studentët e tjerë të huaj? Cili ishte numri i studentëve shqiptarë?

Qëllimi i Mussolinit për të promovuar marrëdhëniet me vendet “miq” ose satelitë, pasqyrohet në rritjen e fortë të numrit të studentëve që vinin nga vende të qeverisura nga regjime autoritare dhe fashiste: në vitet e para të luftës grupet më të mëdha përbëheshin nga shqiptarë, bullgarë, gjermanë, jugosllavë, hungarezë. Duke parë statistikat e paraqitura në Annuari-n e periudhës në prag të Luftës së dytë botërore, ka një ndryshim të dukshëm në shpërndarjen e të regjistruarve sipas kombësisë: shqiptarët janë në rritje duke kaluar nga 22 në 97 studentë. Shqipëria rezulton kështu kombi më shumë i prezantuar në Sapienza.

Për të dhënë një shembull në vitin akademik 1939-1940, Shqipëria është kombi me më shumë të regjistruar (53), i ndjekur nga USA (45) edhe studentet vajza shqiptare (10) janë në vend të dytë pas gjermanëve (12). Prani të madhe studentësh shqiptarë ka në fakultetin e mjekësisë dhe kirurgjisë (7), drejtësisë (19) dhe mësuesisë (12); në këto dy rastet e fundit shihet një rritje e fortë e studentëve meshkuj respektivisht 18 në 19 dhe 9 në 12. Në rastin tonë është interesante të vërejmë se në Fakultetin e letrave, shqiptarët mungojnë në statistika deri në gjysmën e dytë të viteve ’30. Nisin të shfaqen pikërisht në kohën e Musinesë.

-Shqiptarët në Itali merrnin bursa studimi italiane, apo paguanin familjet?

Të konsultojmë Annuarin e kohës. Në këto botime periodike specifikohej gjithnjë se për të nxitur fluksin e studentëve të huaj në Sapienza, ofroheshin “për studentët e rinj bursa speciale për qëndrimin dhe jetesën». Nga ana tjetër, shkolla ishte projektuar nga fashizmi si qendër e formimit të lartë, mbi modelin e Sorbonës në Paris, një lloj poli tërheqës për njerëz nga e gjithë bota. Prania dhe rritja numerike e studentëve të huaj ishte sigurisht një nga objektivat strategjikë të politikës universitare. Në këtë kontekst, studentët që vinin nga Shqipëria e re italiane dhe fashiste merrnin me një lehtësi të skajshme bursa ose mbështetje të tjera për studime. Kjo konfirmohet nga shqyrtimi i dokumentacionit që lidhet me karrierën universitare të Musine Kokalarit ruajtur në arkivin historik të Sapienzës. Nga skedimi i dokumenteve dalin në pah kërkesa të ndryshme, të paraqitura për vit nga Musineja, për përjashtimin ose uljen e taksave universitare “në cilësinë e studentes me nënshtetësi të huaj që i përket një familjeje me banim jashtë”, bashkëngjitur certifikatave të ndryshme (e lindjes, e shtetësisë, e banimit në Tiranë) në përgjithësi të përpiluara në dy gjuhë, shqip dhe italisht.

-Kërkimi juaj në arkiva për Musinenë do të vijojë? Apo është një kapitull i mbyllur?

Absolutisht vijon. Jam e bindur se ka ende aspekte pak të hetuara, shtigje për t’u përshkuar. Pra ka ende për të nxjerrë në pah, për t’u zbuluar për këtë figurë të talentuar, inteligjente, të ndjeshme, të patrembur, origjinale dhe të shumanshme në interesa, mendime, veprime dhe marrëdhënie, që ishte Musine Kokalari.

Si arkiviste, jam duke vijuar punën e skedimit të dokumenteve personale që e kam nisur prej shumë vitesh për La mia vita universitaria. Memorie di una scrittrice albanese nella Roma fascista (1937-1941). Në prillin që sapo shkoi, në Tiranë, kam punuar shumë mbi materialet e përzgjedhura në fondin Musine Kokalari që ruhet pranë Arkivit Qendror të Shtetit dhe kam transkriptuar dhe përkthyer në italisht inventarin. Kam pasur gjithashtu mundësinë e një njohjeje të përgjithshme të pjesës së arkivit të shkrimtares që sot e ruan Bibika Kokalari, gruaja e nipit Platon, shumë interesant edhe për faktin se përmban materiale të ndryshme. Mes tyre veshje, orendi dhe objekte tradicionale të mbledhura dhe kataloguara nga Musineja për një projekt muzeal që nuk u realizua kurrë. Nëse doni një parashikim, një hipotezë të kërkimeve të mëpasme, gjithnjë në lidhje me vitet romane, mbi të cilët do të më pëlqente të punoja së shpejti, fokusin e kam te studimi i raporteve (dhe bashkëpunimeve) mes Musinesë, studente në Sapienza dhe profesorëve të saj Ernest Koliqi e Paolo Toschi, me theks të veçantë të muzeografia etnografike.

 

(fund)

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin