RRETH AUTORITETIT NË DIJE

Dëgjoja një nga bisedat televizive – jo të pakta – ku i zoti i shtëpisë vë përballë një ekspert të certifikuar të fushës me një kontestues, alternativ, konspiracist a rebel. Tema ishte ajo që më intereson – historia e lashtë e gjuhës shqipe. Moderatori nuk është se kuptonte ndonjë gjë, por përpiqej të bënte pyetje të tilla që çdo njeri nga rruga do të bënte, gjithë duke i qerasur mysafirët me sasi të barabarta kohe dhe respekti.

Kam shkruar që ky format nuk i ndihmon dijes, por mediumit që e mikpret dhe ndoshta turbologut që merr pak më shumë ekspozim falas në publik. Njëherazi, kam vënë re se eksperti nuk po e ushtron dot autoritetin që duhej të kishte – as me moderatorin e emisionit, aq më pak me kontestuesin dhe, natyrisht, as me publikun, i cili entuziazmohet me fantazitë alternative dhe parullat e tipit “shqipja më e vjetra”.

Edhe për këtë kam shkruar – krizën e autoritetit. Si rregull, një kulturë ua dëgjon fjalën njerëzve të specializuar dhe të certifikuar në një fushë të caktuar; kur flitet, ta zëmë, për pandeminë e Covid-it ose vaksinimin përkatës, një mjeku epidemiolog ose imunolog i zë vend fjala, më shumë se një skulptori ose një inxhinieri të naftës.

Por ky lloj autoriteti sot po kontestohet në mass mediat (TV) dhe në rrjetet sociale, nëpërmjet edhe një prirjeje barazuese, e cila i vendos specialistët në një rrafsh me kontestuesit e tyre nga rruga.

Figura të tilla si, ta zëmë, prof. Xhevat Lloshi, që ende merr pjesë në debate televizive për të mbrojtur dijen kundër pseudo-dijes, janë autoritete epistemike në fushat e tyre; në kuptimin që njerëzit, kur kanë një pyetje për historinë e gjuhës ose për çështje të alfabetit, të standardit e plot të tjera, i drejtohen atij dhe i besojnë fjalës së tij, ose dijes që ai u përcjell.

Sot, megjithatë, për shkak të TV-it dhe rrjeteve sociale, dhe aktivizimit të turbo-albanologëve (por jo vetëm), është vënë në diskutim jo kjo apo ajo tezë a hipotezë që mbron Xh. Lloshi, por vetë statusi i tij si autoritet epistemik në gjuhësi, ose si dikush që është afër së vërtetës, në këtë fushë, se një pompist ose një gjimnast.

Si kemi arritur, megjithatë, në këtë situatë kur autoriteti epistemik mund të vihet në dyshim dhe të rrëzohet nga rruga? Kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, duke filluar nga ajo që publiku i gjerë po preferon t’u besojë autoriteteve epistemike alternative.

Me fjalë të tjera, kjo ka të bëjë me atë se cili institucion e ka autoritetin që të certifikojë një autoritet epistemik; pra, që t’i thotë besueshëm publikut se aksh specialist – p.sh. Xh. Lloshi – duhet dëgjuar kur flet për fushën e vet. Institucione të tilla i kanë quajtur meta-epistemike; funksioni i tyre është të ndajnë shapin nga sheqeri dhe të garantojnë se ky apo ai specialist është i besueshëm.

Deri pak kohë më parë, edhe te ne, si autoritete meta-epistemike funksiononin Akademia e Shkencave, universitetet dhe mass media serioze. Këto autoritete i tregonin publikut se, në fushën e etimologjisë shqipe, Eqrem Çabej ishte autoritet epistemik, në kuptimin që fjala e tij, punimet e tij, tekstet dhe hipotezat që kish formuluar e mbrojtur në rrjedhë të viteve, mund të besoheshin pa rrezikuar.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja, besoj unë, pse alternativët – në gjuhësi, në histori, në mjekësi dhe gjetiu – e kanë drejtuar artilerinë ndaj autoriteteve meta-epistemike, si Akademia e Shkencave. Pa mbështetjen implicite të autoriteteve të tilla, autoriteti epistemik i një specialisti është vështirë të mbrohet, sepse një njeri nga rruga – një nëpunës i Bashkisë ose një drejtor policie – nuk është në gjendje të gjykojë ai vetë, në mënyrë të pavarur, nëse fjala e autoritetit epistemik ka ndonjë epërsi, ndaj fjalës së kontestuesit të tij jo-specialist.

Natyrisht, Akademia e Shkencave është ende aty dhe ende ia certifikon – virtualisht – pozicionet specialistëve të vet, si Xh. Lloshi. Universitetet ende u dalin zot pedagogëve të tyre. Por të mos harrojmë se këto autoritete meta-epistemike jo vetëm janë sfilitur nga politika dhe betejat e kuadrit, por edhe e kanë lëshuar dorën, duke e zgjeruar tej mase numrin e autoriteteve epistemike që certifikojnë – p.sh. doktorët e shkencave, të cilët në masë të madhe e përdorin certifikimin jo për t’u imponuar si kalorës të dijes, por thjesht për karrierë.

Sistemi i kualifikimit shkencor, me kërkesat e veta formale – përfshi botimin në revista shkencore të dyshimta – mbase nuk mund të shpëtohet më. Autoritetet epistemike, që certifikohen prej tij, nuk po e përdorin dot mbështetjen prej një autoriteti meta-epistemik të tillë, për t’u imponuar në publik.

Ndryshe nga autoritete të tjera, që mund të zgjidhen me votë ose të emërohen nga politika, autoritetet meta-epistemike i kanë rrënjët në traditë: në Itali, l’Accademia della Crusca është krijuar në 1583. Për rrethana historike, ne si kulturë nuk kemi autoritete të tilla meta-epistemike; dhe nuk do të kemi për shumë kohë – teksa vendin këtyre nuk mund t’ua zënë autoritetet politike dhe institucionet e zgjedhura (p.sh. Kuvendi). Një specialist nuk është se bëhet më i besueshëm, apo i shkon më shumë fjala, po të përkrahet e të certifikohet publikisht nga Kryeministri – përkundrazi. Madje mediat sociale prej vitesh i mëshojnë tezës se autoritetet – edhe epistemike edhe meta-epistemike – i janë shitur politikës, grupeve të interesave dhe parasë; dhe jo fare pa të drejtë.

Në këtë situatë, autoriteteve epistemike u bie barra të angazhohen më fort me publikun, edhe pse jo në kushtet që u diktojnë mass mediat dhe rrjetet sociale. Nëse nuk e bëjnë, u kanoset irrelevanca. Tërthorazi, angazhimi i rritur i publikut me specialistët mund të ndihmojë edhe për rimëkëmbjen e autoriteteve meta-epistemike dhe daljen e tyre nga konet e hijes. Ideja është që, për hir të dijes, së vërtetës dhe shkencës, të përdoren po ato mjete që sot e kanë futur në krizë besimin e publikut ndaj dijes: rrjetet sociale dhe Interneti.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: për këtë shkrim, dhe veçanërisht për dallimin mes autoritetit epistemik dhe atij meta-epistemik, jam mbështetur në artikullin Free Speech on the Internet: The Crisis of Epistemic Authority, nga Brian Leiter, i botuar në revistën Daedalus, Summer 2024. Së shpejti do të botoj të përkthyer një pjesë nga ky artikull.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin