Një nga kritikat më të zhurmshme – dhe më absurde – që i kanë bërë Fjalorit etimologjik të Kolec Topallit është se “i ka nxjerrë shumicën e fjalëve shqipe nga sllavishtja”; për fat të mirë, kjo kritikë vjen nga të paditur, amatorë, ndonjëherë edhe sharlatanë, që kujtojnë se deklarimi i tyre në favor të “lashtësisë shqipe” mund t’ua përligjë, madje jo vetëm moralisht, të gjitha çuditë që thonë dhe që bëjnë në publik.
Të njëjtën kritikë madje e dëgjon edhe për studimet etimologjike të Çabejt – i të cilit nxënës ka qenë Topalli. Sërish, një interesim i sëmurë për një fushë të vështirë të dijes, si etimologjia, ku nuk mjafton entuziazmi, për t’u përfshirë me kontribute dhe kritika.
Kjo kritikë e vë përballë profesionalizmin e albanologëve si Çabej dje dhe Topalli sot me patriotizmin e kujt e sheh shqipen si fenomen unik, si relike të rrallë, si gjuhën “më të lashtë”, “hyjnore”, gjuhën e “Perëndive” – duke iu qasur një dukurie sociale kaq themelore, me mënyra irracionale, herë religjioze dhe herë edhe mistike.
Por pasioni në kufi të fanatizmit nuk mjafton, kur vjen puna për të gjykuar një vepër shkencore, si fjalori etimologjik. Dhe, në fakt, kritikat sipas “përqindjeve” tradhtojnë një keqkuptim të madh, ndaj mënyrës si funksionon gjuha dhe ç’vend zë leksiku në të.
Në fakt, fjalorët – të gjithë fjalorët – janë lista fjalësh, zakonisht të renditura alfabetikisht, për lehtësi përdorimi. Një Fjalor i shqipes së Buzukut, do të përfshijë të gjitha fjalët që dalin te “Meshari” – pa asnjë dallim. Dhe nga ky vështrim, një Fjalor etimologjik i shqipes synon të përfshijë sa më shumë fjalë të shqipes, që kanë interes etimologjik. Për shembull, në Fjalorin etimologjik të Orelit, nuk janë përfshirë turqizmat dhe huazimet e tjera që kanë hyrë në shqipe, pas pushtimit osman; sepse ai autor nuk i konsideron me interes.
Por, çfarë edhe ngre peshë për argumentin tonë, një fjalor etimologjik nuk ndalet në etimologjinë e fjalëve të prejardhura dhe të përbëra: pasi është marrë me etimologjinë e fjalës punë, etimologu nuk merret më me shpjegimin e fjalëve si punoj, punim, i punueshëm, punëtor, përpunoj, bashkëpunoj, ripunoj, ripunim, i papunë, papunësi, bashkëpunim, etj.; sepse këto fjalë janë lehtësisht të shpjegueshme, si krijime brenda shqipes. Ndryshe nga një fjalor i zakonshëm çfarëdo i shqipes, që këto fjalë i përfshin dhe i trajton normalisht, Fjalori etimologjik do t’i anashkalojë.
Dhe veç kësaj, Fjalori etimologjik nuk i dallon fjalët sipas statusit që kanë në ligjërim (në përdorim). Një fjalë e fondit të trashëguar të shqipes dhe me përdorim të gjerë, si barrë, do të renditet krah për krah me fjalë si barokë, basamak, baski, bastur, e plot të tjera, të cilat sot përdoren fare pak, në mos fare.
Kjo është arsyeja kryesore që analiza e fjalësit të një fjalori etimologjik sipas përkatësisë së prejardhjes (kaq latinizma, kaq sllavizma, etj.) nuk përkon me fytyrën reale të leksikut shqip, ashtu siç përdoret sot. Është e gabuar, tepër e gabuar, të ngatërrohet një fjalë, me okurrencat (hasjet) e saj në ligjërim; dhe kushdo që do të analizonte leksikun përfaqësues të ligjërimit shqip sot, në bazë të teksteve dhe përdorimeve reale, do të nxirrte rezultate krejt të tjera, nga ç’mund të tregojë analiza e thjeshtë e fjalësit të një fjalori, aq më tepër e një fjalori etimologjik.
Le ta ilustroj këtë, me shembullin e një poezie nga më të njohurat, të letërsisë shqipe bashkëkohore, “Mall”, nga Ismail Kadareja:
MALL
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.(1976)
Po të vështrojmë leksikun e kësaj poezie nga pikëpamja e prejardhjes, do të vërejmë se fjalë si pikë, shi, ndiej, dy, shoh, duk, erdh, kjo, vjeshtë, një, mëngjes, si, edhe, ky, ca, ngrys, mes, sot, zgjuar, jam, bashkë, botë, fjetur, veç, ëndërr, thënie, rënë, kaq, keq, kam, zgjohem, vallë, bie, pa përmendur parafjalët dhe lidhësat, i përkasin në fakt ose leksikut të trashëguar të shqipes, ose janë formime shumë të vjetra (ylber por edhe vjeshtë, pikë, mëngjes, sot); ndërsa të tjera si befas, jetoj, thënie, çuditshëm janë krijime të brendshme të shqipes, me prapashtesa tipike. Nga ana tjetër, qelq, mall, qytet, rrallë, qiell, vjetër, kujtoj, dreq janë huazime të shqipes nga latinishtja, të periudhës antike. Ndërsa lejlek është turqizëm. Thelbi i ndonjë etimologjie mund të diskutohet – p.sh. befas vërtet është formim i brendshëm i shqipes, por vjen nga beh/bef të cilën e marrin ndonjëherë për turqizëm; dhe mbiemri i çuditshëm, formim i brendshëm i shqipes, vjen nga tema çudi, të cilën shqipja e ka huazuar nga sllavishtja. Por, në masën dërrmuese, leksiku i përdorur fare natyrshëm në këtë poezi (natyrshëm, në kuptimin “pa neologjizma”) nuk i përgjigjet, për nga struktura etimologjike, përpjesëtimeve të leksikut shqip në një fjalor etimologjik të atyre viteve. Në kuptimin që përqindja e huazimeve në një fjalor të tillë, pavarësisht se nga ç’gjuhë ose të ç’moshe, nuk ka lidhje me strukturën historike të leksikut të shqipes në përdorim. Çfarë refuzojnë ta kuptojnë zhurmëtarët amatorë.
Natyrisht, është shumë e lehtë të marrësh një fjalor dhe të fillosh të numërosh; analiza e okurrencave në praktikën ligjërimore kërkon tjetër lloj impenjimi dhe ekspertize, shpesh të paarritshme për ata që u qasen këtyre punëve me pasion ideologjik, në mos mitologjik.
Prandaj, dhe le ta përsërit sepse e gjej me rëndësi: përbërja e fjalësit (listës së fjalëve) të një fjalori, qoftë ky edhe etimologjik por edhe çfarëdo fjalori tjetër, nuk pasqyron përbërjen e leksikut shqip sot në përdorim. Etimologut i interesojnë gjithfarë fjalësh – të rralla, dialektore, të vjetra dhe të vjetruara – që sot praktikisht nuk përdoren më. Kjo sepse synimi i etimologut nuk është t’i bëjë gjuhës shqipe analizën e gjakut, por të sqarojë prejardhjen e fjalëve të caktuara, si bazë për të kuptuar më mirë historinë e gjuhës, të kulturës dhe të popullit që e flet.
(vijon)
© 2019-2023 Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Analize interesante e autorit, ku shembulli i poezise se njohur te Kadarese vjen bukur dhe natyrshem.
Gjynah mos paca, [pr me ngjan se kritikat e lagjes “PELLAZGE” ndaj Topallit gjithsesi nuk mund ta vene ate ne te njejtin podium me Cabejn. Duke pranuar se ishte gjuhetar punetor dhe metikoloz, Topalli prapeseprape veshtire se mund te barazohet me Cabejn e te tjere korifenj te gjuhes shqipe.
Ne epoken e doktoraturave te ngjitura me peshtyme, qe po e jetojme tash tridhjet vjet ne Shqypni, nuk mund te mos vihen pikepyetje legjitime edhe per ngjitjen meteorike akademike te Topallit gjate qeverisjes Berisha. A e pat shfrytezuar Topalli lidhjen e tij te fuqishme me Presidentin fuqiplote te vendit ne marrjen me shpejtesine e drites te titujve akademike ne vitet 1990? Kete nuk mund ta themi, megjithsese Berisha iu referua dikur edhe “genit” mbizoterues te gjuhetarit te persekutuar.
Tek e fundit, a i eshte nenshtruar vepra e Topallit analizave rigoroze, koheplota e te ftohta te gjuhetareve te shquar brenda apo jashte vendit, perndryshe “peer review” te mirefillta, apo eshte mjaftuar me recenca dashamirese e miqesore, qe sot kane sjelle ne perfundimin e panatyrshem qe e barazojne ate me Cabejn?
Mirepresim pjeset e tjera te studimit te autorit.
E kam njohur Topallin që në vitet 1980, kur mezi arrinte të botonte ndonjë artikull në “Studime filologjike”, dhe e kam parë përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj dijes. Nga veprat e tij i kam lexuar Fonetikën historike të shqipes – një fushë që më intereson veçanërisht – dhe më është dukur krejt kompetente si vepër. Ngaqë jam i fushës, nuk kam nevojë për asnjë “peer review” për ta thënë, pa asnjë ngurrim, se Topalli i ka pasur plotësisht të merituar titujt që ka marrë në vitet 1990.
Kritika e “PELLAZGJIKËVE” kundër tij unë i shoh edhe si një përpjekje taktike për të rrëzuar Çabejn dhe aparatin konceptual të gjuhësisë historike-krahasuese indo-europiane, të zbatuar ndaj shqipes. Është më lehtë të sulmosh Topallin, vazhdues besnik i Çabejt, se t’i biesh këtij të fundit; meqë Çabejn “PELLAZGJIKËT” ndonjëherë as që e marrin vesh. Kritikat e tyre nuk janë linguistike, as racionale; ata i vërsulen Topallit për shkak se kanë ndërtuar, në mendjen e tyre, një model – paranojak – të “misionit” që i paskësh vënë ky vetes.
Për fat të keq, Çabej dhe Topalli nuk rrojnë më. Nëse nuk reagojnë ata që janë gjallë, ndaj kësaj shëmtie që po ndodh, atëherë albanologjinë do ta hanë krimbat, njëlloj siç e hanë krimbat të vdekurin.
Unë një të “metë” i kam gjetur fjalorit gjer tani, që nuk trajton fjalët geg dhe tosk.
Gege nga gigas gjigante
Toske nga tosco apo tuscus harbute njerez te pagdhendur .
Nuk e di per gege, por “tosk”, eshte nje evoulim i “etrusk”, qe jetonin ne krahinen e sotme te Toscanes. Me falni per “pellazgjizmin”, por “harbuteria” nga nje here te detyron.
From Venetian tosco (“boor”); from Latin Vicus Tuscus (the dwellers of Vicus Tuscus in Rome had a bad reputation)
Tani pse venetikasit nuk na kishin shume xhan kur na e vune kete emer mbetet mister por Po flasim per lashtesine e nuk eshte reflektim per brezin e sotem pavaresisht se nofka na mbeti.
Edhe gegë edhe tosk janë fjalë shumë të vështira për etimologun. Vështirë që “tosk” të ketë ndonjë lidhje me toscano, sepse grupi sk, në shqipe, po të ishte sadopak i vjetër do të kish përfunduar në shk (si shkollë : scola dhe peshk : piscem dhe mashkull : masculum etj.). Edhe rrokja ge- nuk mund të jetë e vjetër, se do të kish përfunduar në gje-.
1 ne 12 fjale te shqipes sipas nje lektori jane origjinale indo europiane .te tjerat jane te huazuara .si shembull ai solli fjalen nuse e cila gjendet edhe ne gjuhe te tjera fillimisht me kuptimin kunate (sister in law ).apo fjala hunde ne shqp ne gjermanisht hynde per qen nuhates .
Sipas cilit lektor, Alba?
Nuk me kujtohet si emer ,por e degjova ne disa leksione mbi prejardhjen e gjuheve ne :theGreatCourses plus.com .
Me sa shoh, edhe ai qenka mbështetur në analiza fjalorësh, gjë që nuk ndihmon shumë. Mund të thuash që ky fjalor etimologjik përmban vetëm 10 për qind fjalë të trashëguara, por vetëm kaq. Nuk ke thënë gjë për strukturën e leksikut. Leksiku i gjuhës nuk është ai në fjalorët, por ai në përdorim. Prandaj edhe duhen parë tekstet, çfarë jam munduar të argumentoj.
Për shembull, në një fjalor etimologjik huazimet e shqipes nga greqishtja zënë një përqindje të caktuar; por kjo përqindje nuk të thotë asgjë për faktin që toskërishtja ka shumë më tepër huazime të tilla se gegërishtja, për arsye thjesht gjeografike. Ose, huazimet latine janë më të shumta edhe se fjalët e trashëguara, por kjo sërish nuk do të thotë gjë, sepse këto huazime janë integruar në shqipe para se kjo të bëhej “gjuha shqipe”, prandaj në shumë anë janë të padallueshme nga fjalët e trashëguara.
Po ashtu, shumë huazime të shqipes nga osmanishtja që i gjen në fjalorët (dhe në përqindjet) sot nuk përdoren më, përveçse si historizma. Një pjesë e mirë e Fjalorit të Orientalizmave të Dizdarit e përbëjnë fjalë që shqipja sot nuk i ka fare; madje që edhe në të kaluarën përdoreshin si thjesht terma administrativë. Për shembull, kush i njeh dhe i përdor sot fjalë si QESELE, QESEMER, QESIQ, QESER, QESKIN, QESME, QESHF, QESHIT, QESHKAK, QEVTHER, QEZAP, që i gjej në faqet 804-807 të asaj vepre, të hapur arbitrarisht?
Mekanizmi I fjale formimit te shqipes mesa kuptoj eshte origjinal.fjalet ne rrenjet e tyre jane fjale indoeuropiane apo fjale latine ,sllave dhe me vone turke te cilat ne varesi te vjetersise se perdorimit te tyre jane transformuar aq shume sa duken si fjale origjinale shqip .
Një arsye për këtë është se shqipja është gjuhë sintetike, që i përdor shumë mbaresat dhe prapashtesat gramatikore. Për shembull, një folje mund të vijë nga turqishtja – bie fjala degdis – por ajo integrohet në gramatikën e foljes shqip dhe merr mbaresat përkatëse: degdisem, degdisur, degdisja, e degdisën… pra vetëm tema është e huazuar, edhe ajo nga preteriti i foljes turqishte. Zgjedhimi dhe përdorimi i foljes në turqishte nuk ka fare lidhje me zgjedhimin e saj në shqipe. Në këtë aspekt, origjina e foljes është pa rëndësi praktike. Madje edhe modeli i integrimit të saj në grupin e foljeve më -is është ai vetë i ndikuar nga folje të huazuara nga gjuhë të tjera (turqishtja nuk ka folje më -is).
Ne lidhje me nje koment te mesiperm.kur u shfaqen per here te pare fjalet gege dhe toske ?
Me sa mbaj mend – por tani nuk kam kohë të verifikoj – këto fjalë nuk dalin tek autorët e vjetër. Për gegë thuhet se më parë përdorej vetëm për ata më në jug (matjanë, krutanë, mbase edhe dibranë), jo për malësorët; përgjithësimi ndodhi shumë vonë. Në Tiranën e viteve 1960, “gegë” mbaj mend që u kanë pasë thënë gollobordasve shitës ambulantë ëmbëlsirash për fëmijët. Si emra të tjerë etnikë, gegë dhe toskë duhet të jenë vënë nga të tjerët, ose për së jashtmi. Por po flas pa referenca…
Një mik italian nga Puglia më thoshte dikur se banorët e një fshati fqinj arbëresh ata i quanin “ghegi”…Implikimet e kësaj dëshmie interesante ua lë studiuesve të fushës t’i interpretojnë më gjerë.
Po kjo nuk ka lidhje me “geg”: është thjesht folja “gjegj”, me kuptimin “urdhëro!” (d.m.th. “fol, po të dëgjoj”) që fqinjët italianë ua kanë dëgjuar arbëreshëve ta përdorin shpesh në biseda. Ky nuk është shpjegim imi, e kanë dhënë të tjerë; por e gjej bindës.
“…gege e toske”, e perdor edhe Mjeda ne nji poezi.
Mjeda eshte i vonet, fonetikisht lexo A.V. me lart, nuk mund te jene fjale te vjetra. Ne nje harte te shek 19, viheshin siper e poshte shkumbinit, gjasat jane qe te jete zona e lindjes se fjaleve, qe pastaj u perhapen.
Ka gjasa qe diferencimi i shpejte nderdialektor ne shekujt 17-18, te jete shkaku i lindjes se fjaleve. Nder autoret me te vjeter gegerishtja e toskerishja ishin shume me afer sesa ne shek 19.
Nga ana tjeter burimet mesjetare deri tek Barleti e Gjon Muzaka te japin pershtypjen e nje uniteti qe ne shek 19 ishte ne dyshim, perderisa shume rilindas flisnin per unitet gege e toske.
Shume pak peshe i eshte dhene diferencimit te madh nderdialektor gjate shekujve 17-18, keshtu qe shumica e shqiptareve e projektojne prapa ne kohe dallimin si eshte sot apo ne autoret e shek 19.
Nqs ne wiktionary Topallin e kane cituar sakte, ky psh latinizmat i quan italianizma. Mirepo ne metoden e ndjekur historikisht nuk ka pase italianizma, por dialekti perkates i italishtes, ta zeme psh venetishtja. Po as venetishtja nuk eshte gjuhe italiane sipas shume autoreve qe e duan gjuhe me vete.
psh qarte e quan nga italiashtja chiaro.
Format qarte dhe kjarte jane deshmi e nje forme mesjetare klart, ku kl kaloi ne q ne toskerisht dhe kj ne gegerisht.
Forma qe te cojne te latinishtja clarus, si eshte mbajtur deri para Topallit.
Pastaj vete rrenja p.i.e kel/kle i takon nje tipologjie te madhe fjalesh ne gjithe gjuhet indoeuropiane e ne shqip kane dhene, qaj e quaj.
Keshtu qe debati i cili duhet shkonte tek forma klar/t , ne ka mundesi te vije prej p.i.e ne shqip pa ndermejtesine latine, duke perdorur analogjine e quaj dhe qaj, shkon e katandiset Topallçe ne huazim prej italishtes.
Aq me teper kur jemi ne mes te 5 shekujve turk, kur edhe kl- nistore dha q ne toskerisht dhe kj ne gegerishtes.
Topalli si e pa kete pune, me ate me xham apo me ate pa xham ?
Apo kur kale e shpjegon me italishten cavallo e shkon e ben ca akrobaci per shumesin kuaj. Kjo mbahet gjeresisht si latinizem, po edhe latinishtja nuk e ka te veten e ka nga keltet, e as dihet origjina e fjales.
Ky eshte etimolog popullor qe ka marre ca fjalore dhe kontributi i tij personal eshte prej etimologu popullor. Doemos qe do dalin etimologe popullore per ta kontestuar, se aq eshte takati i Topallit, duke mos qene indoeuropianist.