RENDI “REPUBLIKAN” I EMMANUEL MACRON-IT

Rendi « republikan » i Emmanuel Macron-it: një logjikë e hekurt[1]

nga Jacques Rancière

Këto javët e fundit, Emmanuel Macron-i dhe ministrat e tij, me vetëdije të plotë, shkelën tri vija të kuqe, që asnjë nga paraardhësit nuk kish guxuar t’i kapërcente. Fillimisht, duke imponuar një ligj që Parlamenti nuk e votoi dhe që popullsia masivisht e kundërshtonte. Së dyti, duke u dhënë mbështetje të plotë dhe pa kushte formave më të dhunshme të represionit policor. Së fundi, për t’iu kundërpërgjigjur kritikave të Ligës së të Drejtave të njeriut (Ligue des Droits de l’Homme – LDH[2]), lanë të kuptohet se shoqatave me interes publik fare mirë mund t’u priteshin subvencionet në rast se shprehnin rezerva kundrejt veprimeve të qeverisë.

Qartazi, këto tri shkelje përbëjnë sistem dhe nxjerrin saktësisht në dritë konturet dhe natyrën e pushtetit që na qeveris. E para goditi, natyrisht, opinionin, në kontrast me qëndrimin e Jacques Chirac-ut gjatë grevave masive të 1995-ës, si dhe atë të Nicolas Sarkozy-së gjatë lëvizjes kundër projektligjit të « kontratës së punësimit fillestar » (Contrat Première Embauche – CPE) në 2006-ën. E megjithatë, as njëri, as tjetri nuk shquheshin për ndonjë ndjeshmëri të theksuar sociale: i pari u pat zgjedhur në bazë të një programi të rizgjimit të së djathtës sunduese, ndërsa i dyti ishte pozicionuar qartazi, duke u shprehur se objektivi i tij ishte « ta vinte Francën në punë »!

E prapëseprapë, në analizë të fundit, të dy ata patën gjykuar se, përballë kundërshtimit masiv të vetë të interesuarve, ishte e pamundur të imponohej një ligj që sillte ndryshime rrënjësore në botën e punës. Si politikanë të « modës së vjetër », ende e mendonin veten disi përgjegjës ndaj një subjekti të quajtur popull: subjekt i gjallë, që nuk kufizohej vetëm tek aritmetika simpliste e votave dhe zëri i të cilit, i shprehur përmes lëvizjeve sindikale, mobilizimeve masive në rrugë dhe reagimeve të opinionit publik, nuk mund të anashkalohej si pa gjë. Ndaj edhe në 2006-ën, ligji nuk hyri në fuqi, edhe pse u votua nga Parlamenti.

Me sa shohim, Emmanuel Macron-i është çliruar nga ky lloj naiviteti. Ai është i bindur se përtej numërimit të fletëvotimeve s’ka më asgjë, asnjë vegim apo horizont i ndonjë populli, për vullnetin e të cilit u dashka të shqetësohet. Marksi, në kohën e vet, dhe pak me teprimet e saj, thoshte se shtetet dhe krerët e tyre s’janë veç të ngarkuarit me punë dhe veglat e kapitalizmit ndërkombëtar. E pra, Emmanuel Macron-i është ndoshta i pari kryetar shteti te ne që e vërteton katërcipërisht këtë diagnozë. Ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund zbatimit të programit që i është ngarkuar: atij të kundërrevolucionit neokonservator, i cili, qysh nga Margaret Thatcher-i, synon të shkatërrojë jo vetëm të gjitha mbetjet e çka quhej dikur « shteti social », por edhe çdo formë kundërpushteti të dalë nga bota e punës, për të siguruar kështu triumfin e plotë të një kapitalizmi të absolutizuar, që çdo formë të jetës shoqërore ia nënshtron ligjit të vetëm të tregut.

Kjo ofensivë u vetëpagëzua si neoliberalizëm, emërtim që ushqeu jo pak pështjellim e iluzione liri(k)e. Sipas trumbetuesve – por edhe shumë prej atyre që u duket se e luftojnë – termi i pafajshëm “liberalizëm” shënon thjesht zbatimin e parimit ekonomik të laisser faire / laisser passer dhe ka për korrelat kufizimin e prerogativave të shtetit, i cili tani mjaftohet vetëm me ngarkesën e thjeshtë administrative, duke hequr dorë kështu nga çdo ndërhyrje shtrënguese/detyruese në jetën publike. Të tjerë akoma, që e mbajnë veten për të mprehtë, shtojnë se madje kjo liri e rritur e qarkullimit të mallrave dhe parasë, bashkë me liberalizmin e shtetit tanimë lehtësues dhe jo më shtypës-e-shfrytëzues, pajtohen në harmoni të plotë me mënyrat e jetesës dhe mendësitë e reja të individëve, që tani e tutje kujdesen vetëm për liritë e tyre individuale.

Mirëpo, përralla e liberalizmit permisiv u përgënjeshtrua që në fillim, që me sulmet e armatosura të policisë që Margaret Thatcher-i lëshoi më 1984 (!) në betejën e Orgeave-it, betejë që synonte jo vetëm të impononte mbylljen e minierave, por edhe t’u tregonte një herë e mirë punëtorëve sindikalistë se organizimi ekonomik i vendit nuk ishte punë e tyre. No alternative do të thotë, para së gjithash, mbylleni gojën! Programi i imponimit të kapitalizmit absolut nuk ka asgjë liberale: ai është programi – thelbësisht luftarak – i shkatërrimit të gjithçkaje që bie ose ngrihet në kundërshtim me ligjin e hekurt të fitimit: uzina, organizata punëtore, ligje sociale, tradita të luftës punëtore dhe organizmit demokratik etj.

Shteti i reduktuar në shprehjen e tij më të thjeshtë nuk është aspak shteti menaxhues, porse shteti policor. Nga kjo pikëpamje, rasti i Macron-it dhe i qeverisë së tij është shembullor. S’ka se ç’diskuton as me opozitën parlamentare, as me organizatat sindikale, as me milionat e manifestuesve. As që i bëhet vonë për kundërshtimin e opinionit publik. Mjafton që njerëzit të binden dhe e vetmja forcë që i duket e nevojshme për të siguruar bindjen, e vetmja ku mund dhe synon të mbështetet qeverisja e tij, është ajo forcë që ka për mision specifik të vetin imponimin e bindjes me forcë, d.m.th. forca policore.

Nga këtu dhe shkelja e vijës së dytë. Deri tani, forcat e djathta që kishin ushtruar pushtetin para Macron-it, shprehimisht ose heshtur, kishin respektuar të paktën dy rregulla: e para, që thoshte se represioni policor i manifestuesve nuk duhet të shkonte deri në vrasje; e dyta, që thoshte se qeveria e tejkalonte të drejtën e vet atëherë kur vullneti për të imponuar politikat e saj sillte si pasojë vdekjen e kundërshtarëve të tyre. Kësaj rregulle të dyfishtë iu pat bindur, p.sh. në 1986-ën, qeveria e Jacques Chirac-ut, pas vdekjes së Malik Oussekine-it, që u rrah për vdekje nga « brigadat policore lëvizëse » gjatë manifestimeve kundër ligjit që fuste përzgjedhjen në arsimin e lartë. Jo vetëm që brigadat në fjalë u shpërbënë, por edhe ligji u abrogua.

Sot shohim se kjo doktrinë i takon qartazi së kaluarës. Brigadat lëvizëse, pasi i ringritën për të shtypur revoltën e « Jelekëve të verdhë », u përdorën ethshëm për të dhunuar manifestuesit, si në Paris edhe në Sainte-Soline, ku njëra nga viktimat gjendet ende mes jetës dhe vdekjes. Dhe edhe më e rëndë, të gjitha deklaratat e autoriteteve të çdo niveli shkojnë në një kah, për të thënë që s’ka më asnjë vijë të kuqe: aksionet luftarake të brigadave BRAV-M jo vetëm që nuk përbëjnë më provën e ekseseve të provokuara nga kokëfortësia për të imponuar një reformë antipopullore, por lëvdohen, përkundrazi, si (vetë-)mbrojtja legjitime e rendit republikan, kupto: e rendit qeveritar që don ta imponojë me çdo kusht reformën në fjalë. Dhe kushdo që merr pjesë në manifestime që, me gjasë, mund të « degjenerojnë », është vetë përgjegjës për dhunën dhe goditjet që mund të pësojë.

Ndaj edhe asnjë kritikë ndaj aksionit të forcave policore nuk është më e pranueshme, çka e bëri qeverinë të mendojë se fare mirë mund të shkelte edhe një vijë të tretë të kuqe, duke iu vërsulur një shoqate, Ligës së të Drejtave të Njeriut, që askujt nga pararendësit s’i kish kuturisur ta sulmonte, e aq më pak haptazi, duke qenë se dhe vetëm emri i saj simbolizonte mbrojtjen e atyre parimeve bazë të shtetit të së drejtës, që supozohet se janë të detyrueshme për çdo qeveri, të majtë a të djathtë.

Dhe vërtet, vëzhguesit e Ligës në terren kishin guxuar të denonconin pengesat që forcat e rendit u kishin vënë ekipeve mjekësore për evakuimin e të plagosurve në manifestim. Kaq mjaftoi që ministri i Brendshëm të vinte në dyshim të drejtën e shoqatës për të marrë financime publike. Por kjo s’ishte thjesht një reagim spontan i Kryepolicit ndaj kritikës që prekte vartësit e tij. Vetë Kryeministrja, e dalë nga radhët socialiste, doli të vërë pikat mbi i: reagimi i Ligës në denoncim të represionit masiv në Sainte-Soline s’është veç konfirmim i qëndrimit të hershëm antirepublikan të saj, çka e pati bërë shoqatën bashkëpunëtore të islamizmit radikal. Dhe vërtet, shoqata, jo vetëm që kishte vënë në dyshim kushtetueshmërinë e disa nismave ligjore kufizuese të të drejtave dhe lirive individuale, përmes ndalimit të disa lloje veshjesh dhe ndalimit të mbulimit të fytyrës në hapësirat publike, por edhe kishte vijuar më pas, duke shprehur shqetësimin e saj lidhur me dispozitat e ligjit « përforcues të parimeve të Republikës » që kufizonin de facto lirinë e grupimeve dhe të organizimit. Me një fjalë, mëkati i Ligës, si dhe i kujtdo tjetër, grupim a individ, që shtron pyetjen nëse policia i respekton vërtet të drejtat e njeriut, është se nuk është republikane e mirë.

Deklaratat e Kryeministres Borne nuk janë argumente rrethanore. Ato janë përfundimi logjik i asaj filozofisë së ashtuquajtur republikane, që s’është tjetër pos versioni intelektual i revolucionit neokonservator, programin e të cilit qeveria e saj ka marrë në ngarkim të zbatojë. Ka kohë që filozofët «republikanë» na kanë paralajmëruar, me zhurmë dhe hidhërim, se të drejtat e njeriut, që dikur kremtoheshin (me po aq zhurmë) në emër të luftës kundër totalitarizmit, në fakt nuk ishin aq gjë e mirë sa dukej. Ato ushqenin prirjet dhe kauzën e armikut të « lidhjes shoqërore »: individualizmin demokratik të masave, që shpërbënte kështu vlerat e mëdha kolektive, në emër të veçantive dhe partikularizmave.[3]

Por ja që rënkimi në emër të universalizmit republikan kundër të drejtave abuzive të individëve shpejt e gjeti armikun e vet të preferuar: francezët e fesë myslimane dhe mbi të gjitha ato vajzat gjimnaziste që rivendikonin të drejtën t’i mbanin flokët e mbuluar brenda shkollës. Me këtë rast, ja tek u zhvarros një vlerë e vjetër republikane: laiciteti! Në fillim, laiciteti nënkuptonte faktin që shteti nuk duhej të financonte mësimin fetar. Por, tani që financimi ishte bërë realitet[4], termi kishte marrë kuptim të ri: atë të detyrimit për ta patur kokën zbuluar, parim që binte ndesh sa me gjimnazistet që mbanin shami, aq dhe me manifestuesit që mbanin kapuç, maskë apo shall nëpër demonstrata.

Në të njëjtën kohë, një tjetër intelektual republikan sajoi termin « islamo-majtizëm », për të njësuar pa mbetje mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez me terrorizmin islamist. Zuri vend kështu, gjithnjë e më ndjeshëm, pështjellimi i organizuar nga lart mes rivendikimit të të drejtave, radikalizmit politik, ekstremizmit fetar dhe terrorizmit. Në 2006-ën, disa ëndërronin që, bashkë me shaminë, të ndalonin edhe shprehjen e ideve politike në shkollë. Kurse, në 2010-ën, përkundrazi, ndalimi i fshehjes së fytyrës në hapësirën publike i shkrinte në një gruan e mbuluar me burka, manifestuesin e maskuar me shall dhe terroristen që fsheh bombat nën perçe.

Mirëpo, ministrave të Macron-it u takon merita e pakundërshtueshme e dy arritjeve të mëdha në fushën e amalgamës « republikane »: fushata zyrtare intensive kundër « islamo-majtizmit » në universitet dhe ligji « përforcues i parimeve të Republikës », i cili, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, e kushtëzon krijimin e shoqatave me nënshkrimin paraprak të një « kontrate të angazhimit republikan », aq të vagullt sa të lejojë çdo lloj përdorimi arbitrar kundër tyre. Kërcënimet e përsëritura kundrejt Ligës së të Drejtave të Njeriut janë në vijimësi të plota dhe rrjedhojë logjike e kësaj doktrine.

Disa mendonin se rreptësia e disiplinës « republikane » u drejtohej vetëm popullsive myslimane « të dala nga imigracioni ». Sot, duket qartë se tehu i saj shënjestron shumë më përtej, të gjithë ato dhe ata që e kundërshtojnë rendin republikan, ashtu siç e përfytyrojnë pushtetarët tanë. Ideologjia republikane, që disa përpiqen ende, me lloj-lloj akrobacish, ta njësojnë me vlerat universaliste, barazitare apo feministe, s’është veçse ideologjia zyrtare e rendit policor, që ka për detyrë të sigurojë triumfin e kapitalizmit të absolutizuar.

Ka ardhur koha ta risjellim sërish në kujtesë: në Francë ka jo një, por dy tradita republikane. Tashmë në 1848-ën ekzistonte, nga njëra anë, thjesht republika, ajo e ruajalistëve, dhe republika demokratike dhe sociale, nga ana tjetër, e cila u shtyp në gjak nga e para në barrikadat e 1848-ës, u përjashtua nga vota e ligjit zgjedhor të 1850-ës, për t’u shtypur sërish me dhunë në dhjetor të 1851-shit. Më 1871, e kish radhën Republika e Versajezëve të mbyste në gjak republikën punëtore të Komunës së Parisit. Macroni, ministrat dhe ideologët e tij, natyrisht, nuk kanë synime vrastare. Por ama, mes dy republikave, zgjedhjen e kanë bërë, më se qartë!

Jacques Rancière është filozof, profesor emeritus në Universitetin Paris VIII

Përktheu nga frëngjishtja: Orgest Azizi


[1] Ky tekst i Jacques Rancière-it u botua para pak kohësh ne revistën franceze online AOC. Nga shkëmbimet me miq e të afërt në Shqipëri, m’u duk se vura re se perceptimi për « ngjarjet në Francë » dhe flakët që zaptonin javë për javë Parisin ishte disi i paqartë, siç ndoshta edhe dëshmon, në negativ, mungesa e çdo shkrimi, këtu te Peizazhet, lidhur me to. Por shtysa për ta sjellë ishte dhe më e thellë : ka kohë që presidenca e Macron-it priret t’i ngjajë përherë e më tepër një « regjimi » (siç themi regjimi i Erdoganit, Orbanit, etj) ; por ka kohë, po ashtu, që regjimi i Macron-it duket sikur kultivon ngjashmëri të thella me atë të Ramës : i njëjti fodullëk, i njëjti vetë-besim, i njëjti cinizëm politik ndaj opozitës, i njëjti elitizëm liberal e shpërdorim retorik, e njëjta shëmti fitimtarësh (winners) – deri edhe tek i njëjti emër (Rilindje/Renaissance) për një parti të shndërruar në vegël-lëvozhgë elektorale të një njeriu-imazh. Macroni parakalon i vetën në Champs-Elysée-të e zbrazura me urdhër të prefekturës, Rama, i vetmi mashkull alfa u bën lëmoshë feminizmi grave të Korçës : a ka vërtet dallim në këto dy mohime të popullit ? (Rancière është pikërisht një nga arkeologët më të mprehtë të skenave të popullit, hetues vigjilent i formave tinëzare të fshirjes së tij, si psh këtu, në trekëndëshin e Kineastit, popullit dhe qeveritarit). Më thellë akoma, të dyja regjimet kanë veçantinë të paraqesin një formë thelbësisht policore të hipermodernitetit : mjaft të shihen shpenzimet e bëra për modernizimin e policisë (dhe hovi i tyre) në të dyja vendet… dhe të krahasohen me ato të (pa)bëra për ndreqjen e arsimit apo shëndetësisë (dhe mjerimin e tyre ulëritës). Veçse, në sipërfaqe të paktën, dallimi i skajshëm është shpeshtësia e revoltës në Francë vs qetësia e paqme (në dukje) e kafeneve dhe spektaklit monolitik të Big Brother-it në Shqipëri, shoqëruar nga ikja masive e njerëzve (në zh-dukje). Shqiptarët vërtet kanë një problem historiko-politik me dukjen dhe zhdukjen ! Por kush mund të pretendojë se i zotëron logjikat e revoltës ? Kush i priste studentët të shpërthenin në sheshe dhe rrugë para disa vitesh, apo djemtë me tuta dhe kapuç t’i vinin për pak flakën qytetit pa ujë të kullave dhe kirurgjisë estetike, në hakmarrje të vrasjes pa shkak të Klodian Rashës ? Ndërsa qyteti zvarritet mes përjetësisë batutore të « të gjatit », që vetëm zgjat pa mbarim, dhe « lalit » që bën dasma në tarracën e Bashkisë, antifrazë kitsch e filmit ultralirik të Marco Bellochio-s, mes gishtave të ngritur të njërit dhe sherreve për vulë të të tjerëve, revolta ndan me popullin të njëjtën kohësi, të njëjtën përjetësi, një përjetësi tjetër : ajo, si ai, është përherë… në ardhje !

[2] Ligue des droits de l’Homme et du citoyen është një nga shoqatat me te vjetra në Francë, « e themeluar më 1898, për mbrojtjen e një të pafajshmi, kapitenit Dreyfuss, ajo është pjesë e çdo beteje për drejtësi, liri, të drejta civile dhe politike, të drejta ekonomike, sociale dhe kulturore, kundër racizmit dhe antisemitizmit prej mëse 120 vjetësh »

[3] Këtë kritikë të ligjërimit të ri « republikan », i cili rri puthitur pas ideologjisë së shtetit dhe vlen njëherazi si formë e re e ligjërimit të elitave kundër « individualizmit të masave konsumatore », ligjërim tek i cili ai identifikon, në thelb, një inat/urrejtje ndaj skandalit demokratik, Rancière e ka parashtruar me gjerë te La Haine de la démocratie, (bot. La Fabrique, Paris, 2005). Model i moralistëve « republikanë », në version teoretik hard : Jean-Claude Milner, në versionin mediatik soft dhe të hidhëruar : Alain Finkielkraut. Për teorizimin e skandalit demokratik, si themel i pathemelisë së politikës, shih, J. Rancière, Mosmarrëveshja. Politikë dhe filozofi, përkth. shqip. E. Hoxha, bot. ZENIT, Tiranë, 2012.

[4] Në Francë, arsimi privat, nga fillorja në gjimnaz, në rastet kur ka marrëveshje për respektimin e të njëjtave programe pedagogjike të udhëzuara nga Ministria e arsimit  (établissement sous contrat), financohet gjerësisht nga shteti. Gjë që i lejon arsimit privat të jetë pak i kushtueshëm, dhe pra shumë i përhapur. Në dallim nga « publiku », « privati » ka për më tepër të drejtën të zgjedhë nxënësit e vet, pra nuk « pëson » ata më problematikët, që « ngecin » te publiku. Kjo ul nivelin e publikut, dhe rrit dëshirën (sidomos të prindërve) për privatin. Tendenca shkon në rritje. Shqiptarët e njohin mirë tanimë këtë skemë. Mirëpo, dallimi është se, në Francë, mbi 95 % e arsimit privat, administrohet nga kleri, kryesisht katolik.

 

23 Komente

  1. Jacques Rancière eshte nga filozofet franceze qe jo vetem e kam lexuar (në origjinal) por e vleresoj dhe biles e adhuroj per mendimin e tij. Por me kete shkrim, per mendimin tim, eshte kryekeput gabim. Mund ti marr nje më nje tre pikat e kuqe qe sipas tij ka shkulur Macroni.
    E para: grevat dhe manifestimet e 1995 kunder reformes se pensioneve dhe Sigurimeve Shoqerore (qe i kam perjetuar vetë) te Chirac-ut në 1995 nuk kane te krahasuar me keto kunder réformes se pensioneve të Macronit : asokohe Franca u paralizua TERESISHT dhe per te shkuar nga nje qytet ne nje tjeter, e vetmja menyre ishte makina private (trenat, avjonet, metrotë, autobuzet ishin TE GJITHE në greve per gati nje muaj: 24 nentor – 15 dhjetor 1995). Per rrjedhoje, Chirac e terhoqi reformen e tij (te cilen e beri më vone Sarkozy, në 2010, duke e shtyre moshen e pensionit në France nga 60 në 62 vjeç, pa pyetur per manifestimet dhe grevat – Ranciere e ‘harron’ kete ‘detaj’.
    Sa per grevat dhe manifestimet kunder reformes se Macronit, maksimumi i numrit të grévisteve në nje ditë nuk i kaloi kurre 1.2 miljon pjesemarres : jemi vite drite larg paralizimit te Frances ne 1995.
    Sa per terheqjen e ligjit të Kontrates se Punesimit Fillestar në 2006, nuk ja vlen fare te flitet sepse Ranciere paska filluar ta lere kujtesa: ate ligj donte ta miratonte kryeministri Villepin, kur Chirac ishte ende president. Sarkozy u bë president ne 2007 dhe nuk kish fare lidhje me ate ligj. Nejse).
    E dyta : sa per dhunen policore, prap Ranciere eshte gabim: Macron ka perjetuar dhunen më te papare ne historine politike moderne te Frances nga Jeleket e Verdhe pergjate plot nje viti, levizje qe per mendimin tim, në pjesen më të madhe ishte populiste («merrjani ndihmat sociale më te varferve dhe te papuneve dhe na i jepni ne, shtreses se ulet të klases se mesme»), levizje raciste, ksenofobe dhe ultra minoritare (Jeleket e verdhe dilnin cdo te shtune, maksimumi 5 mije veta ne qytetet kryesore dhe i vinin flaken gjithckaje qe i dilte perpara). Qe te mos keqkuptohem: po te ishte nje levizje masive qofte edhe qe i vë flaken gjithckaje, do isha i pari qe do e mbeshtesja. Por 1 mije vetê ?? 5 mije vete per nje qytet 12 miljonesh si Parisi ??
    E prap se prap, nuk pati asnje te vdekur.
    Vijme tek manifestimet e para nje muaji kunder reformes se pensioneve të Macron. Perseri nuk ka patur asnje te vdekur (nderkohe qe, Ranciere e din fort mire qe, nese Fillon, kandidati i te djathtas do kish fituar zgjedhjet e 2017 (siç edhe ishin edhe te gjitha gjasat, po te mos plaste skandali i tij me te shoqen) në France do kish patur jo nje Jelekverdh por dhjetra të tille te vdekur (por po ta mendosh mirë, levizja e tyre nuk do kishte ekzistuar sepse ata ishin po aq reaksionarë sa dhe Fillon, i cili kish premtuar shkurtimin e 600 mije funksionareve, gje qe ‘liberali’ Macron as guxon ta coje neper mendje e jo më ta beje.
    Sa per piken e trete, nuk më duket qe ja vlen te ndalem: nuk eshte shteti i Macronit më policori i viteve të fundit, Liga e te Drejtave të Njeriut nuk di sec flet: ate qe harron qofte Liga qofte Ranciere eshte fakti i thjeshte qe, Franca, sot, sikurse per fat te keq pothuaj te gjithe vendet aktuale në botë, eshte rëndshem djathtas dhe vetem nje habi e madhe do evitonte zgjedhjen e fashistes Marine Le Pen në 2027, pas 4 vjetesh, presidente te Frances: Macron nuk mund të kandidoje më per president dhe asnje figure tjeter nuk duket në horizont, pervec perfaqesueses se ekstremit të djathte (qe do e kete per te katerten herë kandidimin – por frengu e ka «e katerta e verteta » sepse eshte më rezistues se ne shqiptaret qe e kemi «e treta e verteta »). Ate qe ‘harron’ Ranciere eshte fakti qe francezet jane gjithe e më shume te djathte, raciste e ksenofobë dhe Macron eshte nje president i zgjedhur mbi nje keqkuptim (un malentendu) : meqe sistemi elektoral eshte i tille, ka favorizuar zgjedhjen e tij ‘by default’.
    Nese Ranciere mendon se per francezet do ishte më mirë te kalojne nga e keqja absolute (per nga zgjedhja per presidente te nje ekstremisteje te djathte) e më pas do të na vije shpetimi permes revolucionit, kjo eshte e drejte e tij por mendoj se ai dhe ata qe mendojne si ai kete gje gabohen katerciperisht : asnje progres i vertete nuk ka ardhur duke shpresuar nje regres madhor.

    1. “Et c’est ainsi que Candide apprit cette chose admirable: qu’il n’y a point d’effet sans cause, et que tout va pour le mieux dans le meilleur des mondes possibles; que le château de monseigneur le baron était le plus beau des châteaux et madame la meilleure des baronnes possibles.” — Voltaire, “Candide, ou l’optimisme (ne origjinal)
      “Je commente, donc je suis” (ne orgjinal, bis)
      “C’est un drôle (de paroissien): quand on montre la lune, il regarde le doigt!” (ne origjinal, ter)
      Nga fundi i salles: “Ja, ja, z’est un troll de kinefil!” (origjinal me theks, nuk quhet)

      Ndoqet emisionin: “E drejta e replikes”. Seance speciale ne gjuhen frenge, me pjesemarrjen e publikut

  2. Ne kohet e sotme, jemi mesuar ta degjojme te majten te flase per te drejtat e pemeve te blerta dhe emigranteve te zinj, keshtu qe se c’ka dicka, njefare ngjyrimi si demode kjo trajtesa tradicionale kuqalashe,
    Pavaresisht se nuk e kuptoj zallamahine e protestave per rritjen me 2 vjet te moshes se pensionit, kam pershtypjen se koha eshte e gabuar, pasi prej pandemise nuk ka me rritje te moshes mesatare, qe te justifikohet sadopak nje rritje e moshes se pensionit.

    Shteti ka shume menyra per te mbledhur taksa, ashtu si edhe te shkurtoje shpenzimet. Kur nuk rritet mosha mesatare e popullsise, praktikisht me 2 vjet, po shkurton me mbi 15% numrin e pensionisteve. Njekohesisht le me shume te rinj te papune.

    Sa i takon Makronit, ashtu si parashkronjesi mendoj se i kane lene dore te lire vetem prej frikes nga Lepenia; shkurt gjeti shesh po ben pershesh ( ose ujku, ujku, po cakalli ben kerdine),

    1. 1. Në France nuk ka ‘shume menyra per të mbledhur taksa’ (sic shkruan) sepse Franca eshte vendi qe takson më shume nga të gjithe vendet e botes. As qe behet fjale të rriten taksat në France (siç po rriten në Angli aktualisht) sepse jane në qiell. Levizja e Jelekeve të Verdhe lindi pikerisht kunder nje takse shume shume të vogel ekologjike. Vazhdimi dihet.
      2. Sistemi i pensioneve ne France eshte sistem me shperndaje (domethene : punon rinia qe të haje pleqeria) dhe jo me financim (sekush në funskion të kuotes qe ka dhene). Keshtu qe po të mos ngrihet mosha e pensionit sot, pas 30 vjetesh, ata qe kane sot 30 vjec nuk do kene kokerr leku si pension (edhe keshtu edhe nuk kane per të patur sepse arka eshte déjà bosh). O duhej ndryshuar sistemi (dhe bere si Amerika) o duhej nderhyre (normalisht Macron duhet te kish nderhyre qe në mandatin e parë, 2017-2022, por per arsye elektorale – frika e fitores se ekstremit te djatjte per shkak te renies se popullaritetit per shkak te reformes – e shtyu per mandatin e dyte 2022-2027).

      Le Pen as qe eshte ndier fare per reformen. E la mendja ?? Pergjon pas gaxhoit. Dhe pret oren e saj. Te cilen Ranciere nuk don ta shohe. Dhe bie në marksizem vulgar (ujku ujku ! Ja, ja gjurmet – quand on montre la lune, il regarde le doigt).

  3. Ndoshta taksat nuk i rrit dot ne France, po shpenzimet mund te ulen si kudo ne perendim ku ka pase te majte te forte, meqe keto jane vende me administrata publike te fryra. Mund te ristrukturohet borxhi publik, te ulen dicka shpenzimet ushtarake, etj.

    Ngritja e moshes se pensionit, hedh ne treg fuqi punetore qe nuk duhet, persa kohe qe papunesia eshte e larte. Ja do kursehen duke mos paguar pensione, por nderkohe do shtohen kostot e papunesise ( qe ne Europe jane te larta), pra rrotullohesh ne vend.

    Nuk eshte e vertete qe pensionet paguhen nga te rinjte, sepse nuk ka ndonje ligj, qe sa sigurime mblidhen nga te punesuarit, po aq pensione paguhen.
    I punesuari paguan sigurime qe buxheti i shtetit t’i dale garant per pensionin, pra marredhenia eshte individ-shtet dhe jo ceshtje brezash.
    Nuk e di tamam si eshte ne Amerike, por me ngjan shume me skemen Ponzi, kjo ceshtja e pensioneve nga firma private ( meqe ra llafi kush i mbron keto fonde nqs firma falimenton, shteti ? Apo supozohet se privati nuk falimenton ?).

    1. Një ndërhyrje te paragrafi i fundit. Nuk di të them për firmat e sigurimeve, por për bankat, shteti del garant në ShBA deri në $100’000. Nga ana tjetër, arsyet pse bankat falimentojnë nuk janë fort të ngjashme me ato të biznesit, dhe janë raste tepër specifike, dhe fatmirësisht të rralla, ato që i bëjnë bankat të falimentojnë. Prej mënyrës së organizimit, nuk shoh pse kompanitë e sigurimeve duhet të funksionojnë në praktikë më ndryshe.

      1. Bankat e medha nuk para falimentojne se shteti nuk ia lejon dot vetes qe t’i lere te falimentojne. Nqs eshte i njejti arsyetim me pensionet private, atehere prape rrofte shteti; e atehere cfare u zgjidh me privatizimin, apo te behen edhe ca miliardere te tjere me sigurimet tona ?

        Shteti qe paguan eshte gjindja qe paguan dhe gjithe keto garanci qe duhet t’u japim/paguajme administratoreve private, te cilet nuk i zgjedhim ne me vote ( as terthorazi), jane shume problematike.

        Privati ngeli me cicen e shtetit ne goje, a do rritet e te mbaje pergjgjesi per cfare merr persiper, apo kur fiton i fsheh leket ku te munde dhe kur del me humbje i duhen leket e shtetit/gjindjes.

        1. Bankat nuk falimentojnë sepse i ruan shteti, ndonëse është në interes të shtetit, që bankat të mos falimentojnë. Njëkohësisht bankat janë të varura nga Banka Qendrore, dhe jo nga Qeveria. Qeveria njëkohësisht është e ndarë nga Banka Qendrore. Ndërkohëm bankat falimentojnë sepse kapitali i tyre është deri në 10-fish herë më i madh se sa gjendja likuide, që zotërojnë. Çfarë i bën bankat të falimentojnë është shpesh herë paniku, dhe më rrallë neglizhenca private, meqë modeli i biznesit është tepër i thjeshtë.

        2. “Gjithe keto garanci qe duhet t’u japim/paguajme administratoreve private, te cilet nuk i zgjedhim ne me vote ( as terthorazi), jane shume problematike.”, arsyeja që favorizon privatizimin se sa lënjen e një shërbimi në dorë të publikes është thjesht optimaliteti dhe rritja e performancës së menaxhimit të diçkaje më të vogël, të coptuar. Nqs diçka është “too big to fail”, dhe është e destinuar “too fail”, në fjalët e Greenspan, i bie që është “too big”, kësisoj duhet ndarë në pjesë më të vogla.

    2. @Kryegjata :
      1. As shpenzimet nuk i ul dot Franca sepse dalin në rruge funksionarët dhe paralizojne sherbimet publike. Une pikerisht ate shpjegova në mesazhin e parë: Macron eshte zgjedhur ‘by default’, gabimisht, sepse normalisht do të ‘duhej’ të ishte zgjedhur Fillon, kandidati i te djathtas (perderisa Franca eshte rendshem djathtas, biles edhe ekstremisht-djathtas) : ai e kishte që në programin e tij elektoral të 2017 shkurtimin e 500 mije funksionareve dhe ishte betuar se do e bente si Margaret Thatcher (dhe sigurisht qe do e bente sepse do aplikonte program të djathte, qe eshte mazhoritar në France).
      Macronin e ka votuar qendra (25%). Nuk eshte i djathte Macron por e majta, ngaqe ja hodhi e nuk u zgjodh Fillon, i bie shkurt dhe thote : Macron-perandor. Do ta shohin kur te vije ‘perandoresha’ e vertete në pushtet, domethene ekstremi i djathte.
      2. Kur shkruaja se pensionet paguhen nga të rinjve e kisha në sensin qe sistemi i pensioneve ehste shteteror dhe jo privat. Dhe ne kete rast, sigurisht qe ata qe punojne paguajne pensionet e atyre qe nuk punojne (Pensionisteve)

      1. SHBA eshte pak a shume si ne Kanada.

        Ne Kanada, ne rastin optimal, rruga per te sigurar pensionin tend ka disa vektore:
        -Kontributi i detyrueshem ne CPP ( Canadian Pension Plan). Te merret cdo muaj nga rroga jote dhe llogaria e kompanise.
        -Kontributi i kompanise ku ti punon, per pensionin tend ( privat ky). Ketu formula eshte qe nje kompani e mire kontribuon 3-6% te ardhures tende bruto, drejt pensionit tend privat. Ti ke mundesine ta barazvleresosh ( matching contribution) kete shume nga rruga bruto e jotja. Keto 6-12% investohen ne mutual funds. Kompania s’ka te beje fare me to. Ndac te falimentoje, ndac te shitet. Mutual fundet ose jane te paracaktuara, ose mund ti zgjedhesh.
        -Kontribut jo i detyrueshem ne RRSP ( registered retirement saving plan). Kjo varet nga personi dhe nga asnje tjeter. Edhe keto para investohen ne mutual founds. Ose ne se je i/e guximshem/e, mund ti drejtosh vete parate e tua. CN Rail, CP Rail, ose bankat kanadeze jane investime te qedrueshme , pa luhatje te medha, dhe me pagese 3 mujore dividentesh qe mund te reinvestohen.
        -Kontribut jo i detyrueshem ne TFSA (tax free saving account). Modus operandi ketu eshte i ngjashem me RRSP, por kur fillon dhe i terheq parate nga kjo llogare , ato jane te pataksueshme.

        Pervec ketyre ka dhe menyra te tjera qe kerkojne me pak sakrifice por me shume disipline. Ketu behet fjale ( specific per Kanadane) per konvertimin e borxhit te keq ( qe do te thote se interesat ne kete borxh nuk jane te shkarkueshme nga pesha fiskale personale) ne borxh te mire ( e kunderta).
        Ne Kanada, cdo interes qe ti paguan per parate e marra borxh per te investuar ne tregun e aksioneve, zbritet nga pesha jote fiskale vjetore. ( mortgage is paid off, and money is borrowed towards your propriety and invested in stock market. principal stays the same. You keep paying the interest only, for all your life – ndjese per anglishten).

        Pra sic mund te shihet, ketej ekziston cdo lloj nxitje per tu krijuar njerezve kushte qe ate te mendojne sa me shume per te siguruar vitet e arta.

        Nje rast interesant studimi eshte ai i sistemit qeveritar te pensionit te Norvegjise. Cdo para e fituar nga shitja e hydrocarbureve eshte investuar me sukses ne tregjet e aksioneve. Por Franca nuk e ka detin e Veriut afer. Madje edhe Afrika po i rreshqet nga duart…

        1. Informacion i sakte pergjithesisht, por keni harruar te shtoni ate qe quhet OAS (Old Age Security) paguhet pa qene nevoja te kesh punuar as edhe nje dite, por paguhet bazuar ne vitet qe ke jetuar ne Kanada. Duhet thene qe ky lloj “pensioni” u paguhet vetem te moshuarve qe kane te ardhura nen nje nivel te caktuar, dhe per ata qe jane edhe me te skamur shteti paguan edhe GIS (Guaranteed Income Supplement), i cili eshte i pataksueshem.

  4. Kriza demografike qëndron në themeli të krizës së pensioneve .Të rinjtë punojnë për të paguar pensionet e të vjetërve por puna është se brezi i sotëm i pensionistëve kur ishin të rinj nuk kanë pjellë shumë kalamaj.Në SHBA kur FDR themeloi sigurimet shoqerore ,12 punonjës aktivë mbulonin një pensionist , tani është aty tek 3 me 1.Gjithë bota e industrializuar e ka këtë problem, bile edhe vendet në zhvillim e kanë pakësuar numrin e lindjeve.Si zgjidhje mund të jetë pranimi i emigrantëve nga Afrika , por ata jane me ngjyrë lëkure tjetër e dihet reaksioni i popullsisë vendase ose të taksohen më shumë korporatat e punonjësit aktivë , edhe kjo sjell reaksion negativ.Nuk kam për qëllim të dal nga tema por është mister për mua se nga i nxjerr Shqipëria fondet e pensioneve në kushtet e shpopullimit masiv apo punës ne të zezë për ata që kanë mbetur atje.

    1. Analiza jote eshte e sakte nga germa e parë tek e fundit (sepse eshte analize matérialiste dhe jo idéaliste). Sigurisht qe në kontekstin e modelit politiko-ekonomik aktual boteror (kapitalizem dhe vetem kapitalizem, domethene akumulim kapitali, domethene rritje dhe vetem rritje (growth), e vetmja zgjidhje eshte pranimi i emigracionit: pothuaj te gjithe vendet e G7 e kane tashme integruar nje realitet te tille (Franca, SHBA, Anglia, Canada, dhe keto vitet e fundit edhe Gjermania). Mbetet te shihet rasti i Japonise qe insiston në politiken e saj izolacioniste per sa i perket emigracionit por ajo e mbeshtet kete qasje në dy realitete tashme fort te instaluara në ate vend:
      1. Nje pjese e te moshuarve punojne pothuaj deri në fund te jetes se tyre: në Japoni deri dhe vizualisht te kap syri persona mbi 70 vjecare qe punojne roje, taksistë, pastrues etj; nje pjese jo e vogel në sherbimet publike.
      2. Edhe pse borxhi publik eshte më i larti në botë (diku tek 260% i GDP), ky nuk perben problem sepse eshte borxh nipono-japonez (qeveria i merr hua popullsise se vendit: kemi të bejme me nje borxh domestik). Shto qe Japonia, në skenen ekonomike nderkombetare, eshte nga vendet më kreditore në bote (bashke me Kinen dhe Gjermanine).
      Keshtu qe Japonia eshte nje perjashtim qe konfirmon rregullen: vetem permes emigracionit vendet e zhvilluara ekonomikisht (dhe në krize demografikisht) mund ta zgjidhin deri diku problemin e pensioneve.
      E gjitha kjo, duke patur parasysh modelin politiko-ekonomik të botes aktuale, domethene akumulimin e vazhdueshem dhe pa nderprerje te kapitalit (thirrur ‘rendom’ kapitalizem por qe ka qene i vlefshem edhe në ate sistem qe e quanim socializem, e qe ne fakt ishte kapitalizm shteteror, perderisa dhe atehere flitej per RRITJE të të mirave materiale, pra per akumulim). Por qe nga momenti qe mund të supozojme ndryshimin e sistemit, pra jo rritje (growth) por degrowth (hipoteze jo dhe aq e pamundur, e diktuar gjithe e më shume nga ajo qe e quajme rendom me nje fjale goje ekologji, por qe e detyroi kryeministren e nje prej vendeve të G7 të largohet nga samiti dhe të kthehet urgjentisht në atdhe), sigurisht qe kartat do të shperndaheshin KREJT ndryshe mbi tavoline. Por në nje rast të tille do dilnim vertet nga tema (sepse eshte krejt tjeter temë)

  5. Shof qe disa komentues kane konceptin e gabuar qe “te rinjte punojne per te paguar pensionet e te vjeterve”. Ky pohim jo vetem nuk eshte i sakte por edhe keqinfluencues. Njeriu qe punon, kuptohet sipas shtetit ku jeton, ose sipas profesionit qe ka, nuk e harxhon te gjithe pagen qe merr. Nje pjese e saj, gjithmone sipas rregullave te shtetit, apo privatit ku punon, kursehet pikerisht qe te paguaje pensionin e subjektit kur t’i vije koha. Pergjithesisht keto fonde investohen, ne kuptmin me te pergjithshem qe ka fjala, dhe japin te ardhura qe riinvestohen e keshtu me rradhe. Fondet e pensioneve pergjithesisht dhe kryesisht krijohen me fondet e atyre qe punojne ne momentin e dhene jo per te paguar pleqte, por per te garantuar pensionet e tyre kur te plaken. Spekullimi se pensionet e pleqve paguhen nga puna e te rinjve eshte infantil dhe i volitshem per ata qe duan te justifikojne difektet e vete sistemit. Ne Kanada psh punonjesit qe punojne per Qeverine Federale, ne momentin qe dalin ne pension kane dy opsione: 1. Te terheqin te gjithe shumen qe u takon sipas viteve te punes dhe kontributeve duke krijuar indipendence totale nga sistemi, 2. Te marrin pensionin periodikisht.

    1. Dakord me Dulen, biles eshte qesharake qe nje vend me 8-10% papunesi te kete nevoje per emigrante qe te paguaje pensionet ( apo te ngreje moshen e pensionit duke shtuar papunesine). Kur ke papunesi te larte duhet te bllokosh menjehere emigracionin, sepse acaron gjendjen e papunesise ne vend. Popullata vendase mbase nuk i Ben ca lloje punesh, por nqs shkaktohet rritje rroge ne ato lloj punesh menjehere i gjen edhe vendasit. Duhet nje qeveri qe te bllokoje emigracionin dhe t’i beje rreshtore si biznesit ashtu edhe te papuneve vendas, se eshte absurde ne 8-10% te papune te kesh nevoje per emigrante. Pra, ceshtja ketu eshte thelbesisht politike, o voto per rrumpallen ose voto nje qeveri qe nderhyn fort dhe i vendos pikat mbi i.

      1. @Kryegjata :
        Varet se per çfare papunesie behet fjale: në France, 90% e atyre qe punojne në shperndarjen e ushqimit permes porositjes online (kompanitë si puna e Uber Eats) jane të rinj afgane, sudaneze, marokenë apo sirianianë. Papunesia ne vendet e zhvilluara eshte endemike. Perkundrazi, emigracioni ndihmon në menyre évidente në uljen e papunesise sepse rrit masen e krahut te punes

      2. Ose : si ti rritka qeveria rrogat e sherbimit Uber (me qellim qe ate pune ta bejne vendalinjte), nderkohe qe Uber eshte kompani private??
        Dhe mora vetem nje shembull. Pastrimi, ndertimi etj jane fusha të biznesit privat Ku qeveria s’ka pune fare.

        1. Te jap nje shembull, ne Rome pastruesit e rrugeve jane cuditerisht italiane. Edhe aq cudi nuk eshte sepse marrin rroga e bonuse te mira. Ne ndertim nuk i gjen se vjen punetori i huaj i bazes per 30-40 euro dita ( zakonisht pa dokumente).

          Shume nga punet, perfshire keto te Uber-it, nuk i japin ekonomise se vendit ndonje avantazh te krahasuar ( punet ne industri/manifakture e japin), qe rroga e ulet te ndihmoje vendin ne eksporte, thjesht ngopin te pangopurit qe i zoterojne bizneset ( ilegali eshte gjithnje ne te zeze, ai me dokumente deklarohet part time e punon full time e manovra te tjera qe bejne bizneset per t’i mbajtur kostot e punes te uleta).

          Ketu ka nje dakordesi te fshehur ose jo mes nje pjese te biznesit dhe atyre forcave politike qe duan te mbysin tregun e punes me emigrante.

          Nqs qeveria i bie kokes per punen e zeze, asnje ilegal nuk punon dot askund, as nuk ka ku fle, sepse qeraja duhet deklaruar ne shtet( ligji nuk lejon qeraxhi pa m2 per fryme etj), biles as fryme nuk merr dot i lire, se nje njeri pa dokumente, pa pune e shtepi, detyrimisht do merret me krime qe te mos vdese urie.

          Vendet e punes qe gjeneron nje ekonomi nuk varen nga sa miliona emigrante merr, por nga shume faktore te tjere, ku ne lidhje me punesimin, zakonisht te lidhur me fuqine e kualifikuar, jo nga cdo dru me pre qe i bie rruga.

    2. Dule me qafsh ku eshte ndryshimi mes:”ata qe punojne paguajne pensionet e atyre qe nuk punojne “ dhe “te rinjte dmth mosha aktive e punes paguajne pensionet e pleqve dmth atyre qe per shkak te moshes nuk punojne me”?Natyrisht ata qe jane pleq dikur kur ishin te rinj paguan per te tjeret tani te tjeret paguajne per ta .Problemi eshte se ky sistemi social eshte projektuar ne kohe te makines me avull kur njerezia pillnin mesatarisht nga 6 kalamaj e shume pak e gezonin pensionin per nje kohe te gjjate duke jetuar pas moshes 70 vjet .Shume gjera kane ndryshuar prej asaj kohe .
      As populations age and birth rates decline across the world, many countries have been forced to raise their retirement ages to meet the growing number of those seeking pension. Spain’s minimum retirement age is 65, and the U.K’s is 67, with an increase to 68 planned in 2044. Germany’s retirement age is currently 67, but the country is considering raising their retirement age to 70 as they face a dip in pension funds.

      “In France, those who are currently working pay into the fund that those in retirement are paid from,” explains Andreas Bieler, a Professor of Political Economy at University of Nottingham who focuses on labor movements. ”Because there is a change in population [and] there are more older people in retirement and fewer younger workers who actually pay, there are concerns about sustainability

  6. Alba, nuk kam ndermend te te qaj, e as me intereson. Nuk e ke kuptuar hiç ate qe kam shkruar une sepse paragjykimi qe ke te ka mbyllur mendjen nuk te lejon te shohesh edhe ne drejtime te tjera.. Une po ta bej vizatimin pak me ndryshe, mbase e kupton: Ti fillon punen kur je 20 vjeç dhe punon pa pushim per 40 vjet rresht. Gjate kesaj kohe çdo muaj investon ne bonde, aksione, indekse, mutual funds etj, te themi 300 $ ne muaj. Nje llogaritje e thjeshte tregon qe pas 40 vjet pune ti ke kursyer 40*12*300 = 144 mije dollare. Kjo shume eshte pa llogaritur interesa, kompaunde dhe benefite te tjera fiskale qe mund te kesh ne varesi te llojit te investimeve. Ky nuk eshte gje tjeter veçse leku jot dhe nuk ka lidhje fare me a punojne te rinj per te te mbajtur ty. KY ESHTE LEKU YT. Pastaj, a eshte shume a pak, a te del a s’te del this is not the point. Puna eshte qe ti ke nje shume qe eshte ytja fillim e mbarim. Mekanizmi i pensioneve punon ne te njejten menyre me ndryshimin qe te gjitha kontributet nga nje kategori profesioni, apo industrie, apo sindikate, futen te gjitha bashke “pa emra individuale”. Logjika eshte po ajo, pronare te te gjithe shumes perfshire interesat dhe benefite te tjera te grumbulluara, jane te gjithe ata qe kane kontribuar ne fondin e perbashket, te cilet paguhen ne shuma periodike (mujore) ne perputhje me kontributet qe kane dhene.

    1. Dule keto qe thua ti jane llogari private kursimi per pensionet te tipit IRA,401K etj ne SHBA.Po flasim per sistemin shteteror SS (social security) i cili financohet nga kontributet e atyre qe punojne per te paguar pensionet e atyre qe nuk punojne.Ky sistem eshte vene ne veshtiresi per shkak te A)demografia,B) teknologjia ,GM psh sot prodhon me shume me me pak punetore se ne 1980 ,C) pagat e punonjesve si rrjedhoje edhe kontributet nuk jane rritur me inflacionin .

Lini një Përgjigje te KryegjataAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin