TITUJT AKADEMIKË TË MBETEN BRENDA BOTËS AKADEMIKE

nga Dr. Leonard Dauti

Para pak kohësh, përkatësisht me shkresën e datës 28.04.2023, Ministria e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë i është drejtuar Konferencës së Rektorëve me një shkresë, në të cilën u kërkohet mendim në lidhje me projektvendimin e kësaj ministrie në lidhje me “ndryshimin e disa përcaktimeve të vendimit nr. 112, datë 23.02.2018 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe të standardeve shtetërore për fitimin e titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor””. Bashkangjitur dërgohet edhe lista me ndryshimet përkatëse të propozuara nga ministria. Ndonëse ndryshimet e propozuara prekin si kriteret për marrjen e gradës shkencore “Doktor”, ashtu edhe ato të marrjes së titujve akademikë, do të ndalemi vetëm në këto të fundit, për shkak të problematikës që ngërthen konceptimi i brendisë dhe i mënyrës së marrjes së tyre.

Sipas rregullores së mëparshme një doktori shkencash për t’u bërë Prof. asoc. i duhet:

– të botojë 7 artikuj shkencorë në revista shkencore, dy prej të cilëve në revista shkencore ndërkombëtare me faktor impakti dhe të regjistruara në SCOPUS ose THOMAS REUTERS;

– të ketë marrë pjesë në 5 konferenca shkencore, dy prej të cilave në një prej vendeve të G20, EU etj.;

– të ketë një përvojë të caktuar si pedagog me kohë të plotë (5 vjet) ose të pjesshme (8 vjet).

Për t’u bërë Prof. dr. kërkohen:

– 8 artikuj shkencorë, 3 të botuar në revista shkencore ndërkombëtare me faktor impakti të regjistruar në SCOPUS ose THOMAS REUTERS;

– pjesëmarrje në 7 konferenca shkencore, tri prej të cilave në një prej vendeve të G20, EU etj.;

– vjetërsia përkatëse si pjesë e stafit akademik.

Ka edhe një serë kriteresh të tjera, si për zotërimin e gjuhës së huaj etj., por ato nuk janë skualifikuese, pasi përgjithësisht përmbushen prej krejt personelit akademik.

Është e mirëpritur dhe për t’u përshëndetur e lavdëruar çdo nismë e ministrisë që synon të rregullojë mekanizmin e marrjes së titujve akademikë, në mënyrë që të shmanget marrja e titujve të pamerituar dhe kjo procedurë t’i shërbejë realisht promovimit të studimit dhe kërkimit shkencor. Por a i shërbejnë ndryshimet e propozuara nga ministria këtij qëllimi? Nga leximi i shkresës përkatëse informohemi se ndryshimet e propozuara janë të natyrës teknike, ato prekin shifrat e botimeve si dhe indeksimin e revistave shkencore. Dhe të krijohet përshtypja se synimi i ndryshimeve përkatëse është të pengojë masivizimin e titujve akademikë. Kjo mund të duket e drejtë në kushtet kur janë dëshmuar raste të marrjes së titujve në mënyrë të pamerituar. Por a është, dhe a duhet të jetë ky qëllimi i ligjit për fitimin e titujve akademikë? Synimi dhe orientimi i ndryshimeve për të kufizuar marrjen e titujve buron nga konceptimi i titujve si një trofe, si mall që ka një çmim të caktuar. Dhe praktika e deritanishme e vërteton më së mirë këtë. Mjafton të kujtojmë që Universiteti i Tiranës, duke qenë se për momentin është i vetmi institucion që mund të japë tituj akademikë, vendosi një tarifë të majme për këdo që paraqet dosjen për marrjen e titullit akademik – rreth 200.000 lekë. Për personelin akademik të këtij universiteti tarifa mbulohet nga vetë Universiteti i Tiranës, ndërsa të tjerët duhet të paguajnë nga xhepi i tyre. Universiteti i Tiranës është në të drejtën e vet për ta vendosur këtë tarifë, përderisa nuk përbën asnjë shkelje ligjore, pavarësisht se mund të jetë frymëzuar nga motoja “Shfrytëzo çdo hapësirë ligjore për të bërë para!” Çështja shtrohet: A duhet konceptuar titulli si një mall, produkt, apo si një stimul?

Nga ana tjetër, ka ndodhur edhe një dukuri fort e shëmtuar për të cilën nuk ndihet askush; as ata që duan të marrin një titull dhe as ata që “i japin” këta tituj. Revistat shkencore prestigjioze janë një barrierë e vërtetë për punimet shkencore; aty nuk mund të botohet një punim jo serioz. Por ekzistojnë edhe mjaft revista të dyshimta ndërkombëtare me faktor impakti në SCOPUS dhe THOMAS REUTERS të cilat ofrojnë shërbimin e botimit përkundrejt një pagese të caktuar. Natyrisht, jo lirë. Siç edhe ka ndodhur në mjaft raste, kandidatët për tituj e kanë më të lehtë për t’iu drejtuar këtyre revistave. Sepse botimi në revista serioze, përveç nivelit shkencor dhe gjuhës së pastër, kërkon edhe një kohë të gjatë që mund të shkojë deri në dy vjet e më tepër. Kush mund të presë kaq gjatë, ndërkohë që me një pagesë dhe për një kohë fare të shkurtër, veç tre-katër muaj, dy artikujt i ka në listën e botimeve? Natyrisht, nuk veprojnë të gjithë kështu, por ata që nuk e arrijnë dot nivelin e botimeve nëpër revistat shkencore elitare u drejtohen pikërisht këtyre revistave me pagesë. Cila është pasoja? Ai pedagog që ka mundësi materiale për të bërë pagesën përkatëse bëhet edhe profesor, ndërsa ai tjetri, me të ardhura të pamjaftueshme nuk bëhet dot. Por a është realizuar synimi i arritjes së nivelit shkencor për marrjen e titujve akademikë? Natyrisht që jo. Dhe kur paraqitet dosja para komisionit përkatës, gjithçka është në përputhje me kriteret e përcaktuara. Askush nuk mund të paragjykojë një revistë që përmbush këto kritere.

Siç shihet, ndonëse ligji u hartua për t’i prerë udhë abuzimit në dhënien e titujve, marrja e titujve në mënyrë abuzive nuk pengohet dot. Këtë radhë nuk abuzon komisioni përkatës, por vetë kandidati për titull. Dhe ai abuzon me duar të pastra, pa iu shmangur detyrimeve përkatëse ligjore.

Në thelb, titujt akademikë nuk kanë funksion tjetër veç atij të vlerësimit dhe promovimit të studimit e kërkimit shkencor. Dhe natyrisht edhe procedura që duhet ndjekur për marrjen e këtyre titujve duhet të gjykohet e vlerësohet në përputhje me këtë funksion. Në të vërtetë, si kriteret e mëparshme ashtu edhe ndryshimet përkatëse të tyre që po propozohen nuk e kanë marrë fare parasysh natyrën dhe funksionin e titujve akademikë. Madje e kanë shpërfytyruar atë. Përse arrijmë në një përfundim të tillë?

– Sepse, nisur nga kriteret dhe ndryshimet përkatëse që na ofrohen, koncepti i titullit akademik barazohet me atë të gradës shkencore. Nëse grada shkencore është hallka më e lartë në zinxhirin e kualifikimit shkencor, titulli nuk mund të konceptohet si i tillë. Kriteret që ka përcaktuar ministria nuk janë asgjë tjetër veçse kritere vlerësuese për shkallën e kualifikimit dhe jo kritere që mund të vlerësojnë arritjet dhe kontributin shkencor të personelit akademik. Dhe ja përse. Për t’u bërë doktor shkencash kërkohet një numër i caktuar i artikujve shkencorë dhe konferencash shkencore. Për të marrë titullin Prof. asoc. kërkohen artikuj shkencorë dhe konferenca, por në një numër më të shumtë dhe me botime më specifike. Për të marrë titullin Prof. dr. përsëri kërkohen artikuj dhe konferenca shkencore në një numër më të lartë. Gjithmonë u referohemi vetëm kritereve që kanë të bëjnë me kërkimin shkencor. Siç shihet, kemi të bëjmë me ndryshime sasiore, sepse cilësia e kërkimit shkencor nuk testohet. Pra, mjafton të shtosh numrin e artikujve dhe të botimeve jashtë shtetit dhe i siguron titujt. Në asnjë pikë nuk kërkohet të vlerësohet risia dhe prurja e re shkencore. Nga ana tjetër, nëse grada shkencore të hap dyert e punës shkencore dhe të botës akademike, edhe titulli akademik të siguron të ardhura më të larta dhe një mundësi për një karrierë në poste drejtuese.

– Sepse në kriteret e përcaktuara dhe të ripërkufizuara ka kritere diskriminuese. Pavarësisht pretendimit për të garantuar një nivel të lartë shkencor të kandidatit për titull, kriteri për botime në revista ndërkombëtare, jo vetëm që është diskriminues në thelbin e tij, por ka rezultuar i tillë edhe në rezultatin praktik. Mjafton të kujtojmë faktin e përmendur më sipër për blerjen e botimit të artikujve në revista ndërkombëtare të indeksuara. Ai që nuk i ka mundësitë financiare është i diskriminuar në raport me atë që e ka këtë mundësi. Për sa i përket brendisë së këtij kriteri, mjafton të përmendim që një kriter i tillë nuk ekziston në vendet e tjera. Nga ana tjetër, praktika e deritanishme ka dëshmuar se arritjet shkencore në fusha të ndryshme nuk janë kushtëzuar aspak nga botimi apo jo në revista ndërkombëtare, në gjuhë të huaja me prestigj ndërkombëtar (!). Vendosja e një kriteri të tillë është shprehje e kompleksit të inferioritetit dhe e paaftësisë për të gjetur, ose më saktë për të mos pranuar një zgjidhje të drejtë në lidhje me vlerësimin real të kërkimit shkencor dhe mësimdhënien akademike.

– Sepse kriteret nuk sigurojnë promovimin e kontributit shkencor, si në aspektin metodologjik ashtu edhe në atë të përmbajtjes konceptuale. Kjo shprehet hapur fare në shpërfilljen e monografisë shkencore, si niveli më i lartë i kërkimit dhe punës shkencore. Barazimi i saj me një artikull të botuar në revista shkencore ndërkombëtare, ose me dy artikuj të botuar në revista shkencore kombëtare do të thotë të mos e kesh “haberin” e punës shkencore, të mos dish as alfën e vlerësimit të kësaj pune. Si mund të barazohet një monografi shkencore, e cila kërkon të paktën një periudhë kohore pesë vjeçare, me dy artikuj shkencorë që mund të hartohen edhe brenda gjysmë viti? Këtu jemi në kufijtë e absurditetit.

Me rregulloren e vjetër për dhënien e titujve shkencorë u krijua një armatë e të profesorësh (Prof. dr.) të cilët kishin botuar vetëm artikuj dhe kumtesa shkencore. Asnjë monografi shkencore. Pra nuk kishin dëshmuar, nëse ishin apo jo të aftë të ndërmerrnin një punim shkencor të një niveli sipër artikullit shkencor. Si mund të konceptohet një mbajtës i titullit më të lartë shkencor i cili gjithë veprimtarinë e tij shkencore e ka zhvilluar në nivelin fillestar të kërkimit shkencor – atë të artikullit shkencor?! Cili është dallimi cilësor midis një Dr. (Doktor i shkencave) dhe Prof. dr.? Vetëm sasior? Kaq qesharake dhe banale u bë kjo dukuri, saqë filluan të promovohen edhe botimet e përmbledhjeve me artikuj, të botuar më parë nëpër revista të ndryshme shkencore, përfshirë në to edhe kumtesat “ad hoc” të mbajtura në veprimtari të ndryshme. Madje filloi të merrte numri i veprave të botuara vlerën simbolike të dekoratave të dikurshme në kohën e socializmit … . Edhe më keq akoma, nuk është për t’u çuditur që njerëz krejt të rëndomtë, të cilët kanë shkruar vetëm artikuj pa ndonjë risi shkencore në ta, kanë arritur të bëhet edhe akademikë, ndërsa profesorë të nderuar, të cilëve nuk u numërohen dot titujt e veprave shkencore, nuk e kanë kapërcyer dot atë prag. Mjafton të përmend këtu disa emra profesorësh të njohur nga fusha e gjuhësisë, si Xhevat Lloshi, Mehmet Çeliku, Remzi Përnaska, Tomor Osmani, Seit Mansaku, Rami Memushaj, Ludmila Buxheli, Emine Sadiku etj. Paradokse shqiptare! Të shekullit XXI!

As ripërcaktimi i propozuar i kritereve nuk sjell ndonjë zgjidhje për këtë problem.

– Sepse vlefshmëria e kritereve të sipërpërmendura për vlerësimin e kërkimit shkencor përcaktohet në një masë të konsiderueshme edhe nga natyra e fushës shkencore. Shkencat ekzakte, si matematika, fizika, kimia, inxhinieria etj., përbëjnë një objekt universal studimi dhe, pavarësisht vendit nga vjen punimi shkencor, ai është i kuptueshëm dhe i vlerësueshëm prej cilitdo studiues në fushën përkatëse. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shkencat albanologjike, p.sh., ku objekti i studimit është specifik, lidhet me një bashkësi të caktuar gjuhësore, kulturore-historike e antropologjike. Që dikush të vlerësojë një artikull shkencor mbi një dukuri specifike të gjuhës shqipe, p.sh., duhet ta zotërojë shqipen në mënyrë të shkëlqyer për të kuptuar, nëse kemi një trajtim serioz apo thjesht një manipulim shkencor. Po sa gjasa ka të ndodhë kjo? Pothuajse aspak. Për vetë peshën që zë shqipja në arenën ndërkombëtare në raport me gjuhët “e mëdha”. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se, në rastin e studimeve që trajtojnë probleme sinkronike të shqipes, pikë referimi për gjuhëtarët e huaj, që i janë drejtuar shqipes, kanë qenë dhe mbeten gjuhëtarët shqiptarë. Sipas mendimit tim, dhe jo vetëm, një punim shkencor në fushën e albanologjisë mund të vlerësohet më me objektivitet nga vetë shkencëtarët shqiptarë të fushës përkatëse. Prandaj, siç u theksua më lart, kriteri i botimeve në revista shkencore ndërkombëtare për këto fusha nuk ka të bëjë me promovimin e kërkimit shkencor, por më tepër qëndron si një kriter frenues për marrjen e titullit. Por as këtë rol nuk e luan dot.

Gjithmonë është më e lehtë të konstatosh dhe të vësh në pah të metat e një procesi apo praktike të caktuar. Madje mund të arrish edhe në sarkazëm, se materiali që ofron realiteti ynë për të është i bollshëm. I ulur këmbëkryq mes nesh. Herë nuk flasim se i kemi të njohur, herë nuk duam t’i biem kujt në qafë, herë nuk na prish punë … . Gjithsesi, pavarësisht indiferencës sonë, qoftë kjo individuale apo institucionale, dhe karakteristikës së spikatur ‘ala shqiptare’ për të mos dëgjuar dhe përfituar nga ajo çfarë ofron tjetri, ndonjë mendim në të mirë të përmirësimit të gjendjes me dhënien e titujve shkencorë ia vlen të jepet. Ndofta, mund të vijë dikush që do të ketë dëshirën e mirë për të rregulluar diçka … .

Së pari, ajo çka duhet ndryshuar ka të bëjë me konceptimin e titujve shkencorë. Titulli shkencor nuk mund të vazhdojë të konceptohet si diçka që duhet marrë apo duhet dhënë? Koncepti i tanishëm, sipas kritereve të përcaktuara, është ai i marrjes së titullit. Pra, janë përcaktuar një sërë kriteresh përmbushja e të cilave të lejon të kërkosh marrjen e titullit përkatës. Njësoj siç ndodh me mallin – nëse e ke shumën e duhur të parave mund ta blesh atë. Dhënia e titujve nuk praktikohet. Do të kishim dhënie, në rast se një institucion i caktuar do të ndërmerrte vlerësimin e kontributit të pedagogëve të vet dhe do të përcaktonte ai se kujt i takonte titulli përkatës. Në këtë rast subjektivizmi do të ishte i padiskutueshëm. Sidomos në realitetin shqiptar. Por edhe marrja e titujve nuk e ka shmangur subjektivizmin. Për vetë arsyet e sqaruara më lart. Për më tepër, nuk i ka prerë udhë mediokritetit në shkencë. Në këto rrethana do të ishte më mirë që titulli as të merrej e as të jepej, por të arrihej.

Si mund të realizohet kjo? Thjesht duke ndjekur përvojën e universiteteve evropiane. Titulli është i paracaktuar në bazë të strukturës së departamentit përkatës. Pra, në një departament është i përcaktuar numri i titujve Prof. dr., Prof. asoc. dhe ai i Dr. apo Mr. sc. në bazë të madhësisë së departamentit dhe të grup-lëndëve që mbulohen prej tij. Nëse lirohet një vend përkatës, p.sh. Prof. dr., atëherë konkurrohet për këtë vend dhe për profilin përkatës (lëndën përkatëse). Dhe mund të konkurrojë kushdo, edhe nga një departament i një universiteti tjetër, apo nga jashtë universitetit. Dhe konkurrohet me dosjen e plotë të punës shkencore. Në këtë mënyrë titulli nuk konceptohet si një meritë e veçantë për të marrë një rrogë më të lartë, por është i lidhur organikisht me hierarkinë e organizimit të departamentit përkatës. Kjo ia pret rrugën masivizimit të pakuptimtë të titujve shkencorë dhe e vendos konkurrimin për vendin e profesorit mbi baza reale. Për një vend të caktuar do të konkurrojë kontributi real shkencor i secilit kandidat.

Kjo jo se është zgjidhje origjinale, dhe jo se hartuesit e kritereve për marrjen e titujve shkencorë nuk e kanë ditur. Një mendim i tillë iu është ofruar nga përfaqësues me përvojë të botës akademike shqiptare, por nga ministria përkatëse është shpërfillur. Qëllimisht duhet t’i jenë shmangur zbatimit të kësaj praktike. Një nga arsyet mund të jetë edhe pasoja se kjo praktikë ua pret rrugën e marrjes së titujve atyre që punojnë si pedagogë të jashtëm. Dhe dihet kush janë të interesuar për këtë … . Por është e pakuptimtë që një punonjës i administratës të ketë edhe titullin “Profesor”, apo “Profesor i Asociuar”. Titujt i përkasin dhe duhet të mbeten pjesë e botës akademike.


(c) 2023 Dr. Leonard Dauti
Akademia e Studimeve Albanologjike
Departamenti i Gramatikës dhe i Historisë së Gjuhës
Tiranë

Kopertina: Photo by Henry Be on Unsplash (detaj)

1 Koment

  1. Megjithato prof.dr Shqiperia duhej te ishte nje powerhouse e shkences .Heren e fundit ne Shqiperi vura re se im ate dhe 2-3 partnere te tij te dominos qe i kane mbetur gjalle ishin nga shqiptaret e paket qe nuk kishin shkruar ende ndonje liber ,artikull,dale ne tv per ti dhene mend dynjase apo marre ndonje titull nga presidenti i republikes .
    Nejse dikur per kete punen e titujve shkencore dikur pata lexuar nje satire “Osmangazeperia e shkences shqiptare”

Lini një Përgjigje te AlbaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin