ANTILOGJIKA E ANTIRACIZMIT

nga Ernest Nasto

Prej disa kohësh një profesion i ri ka lindur e është zhvilluar mjaft në Shtetet e Bashkuara, ai i “konsulencës antiraciste”. Sidomos në gati tre vitet që prej vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë në Minneapolis, kanë lulëzuar gjithfarë kompanish të specializuara në programe për edukimin dhe trajnimin e të bardhëve se si të zbulojnë racizmin që, sipas ushtruesve të profesionit në fjalë, fshihet në çdo skutë të shoqërisë amerikane.

Në vazhdën e demonstratave masive e shpeshherë të dhunshme anembanë vendit pas asaj ngjarjeje, një pjesë e konsiderueshme e elitave të bardha, përfshi drejtues kompanish, shkollash e organizatash jofitimprurëse, u gjendën para presionit të gjithanshëm “për të bërë diçka” (pavarësisht sa efektive) për të parandaluar e korrigjuar shfaqjet e racizmit.

Dhe duket se diçka-ja proverbiale u gjet pikërisht në këtë fushë të re e në zhvillim të plotë, një nga teoricienet e praktikueset më të famshme të së cilës është profesorja dhe autorja Robin DiAngelo. Libri i saj “Brishtësi e bardhë” (White Fragility) u ngjit sakaq në krye të listës së botimeve më të shitura të New York Times, dhe veprat e saj frymëzojnë sot turmat (sa reale ashtu edhe në Twitter e media të tjera sociale) të veprimtarëve majtistë woke (1). Ato turma vigjëlojnë me zell për të gjetur e demaskuar racizmin si edhe për të dënuar paq të pabindurit: revolucioni i ri amerikan është në marshim të vrullshëm.

Por a ka sjellë kjo fushatë pasoja të dobishme në përmirësimin e jetesës së pakicave me ngjyrë, të cilat rënkojnë, gjithmonë sipas veprimtarëve në fjalë, nën peshën e shtypjes së gjithanshme nga “supremacia e bardhë”? Për fat të keq asnjë tregues konkret e i matshëm s’është ofruar gjer më tash, përkundrazi, pasojat janë më negative nga ç’mund të vërehet në sipërfaqe: duket se kemi të bëjmë me një model biznesi që përhap ide absurde, të dëmshme, e bile haptazi raciste.

Tashti e vërteta është se ndërgjegjësimi i ofruar nga ky profesion i ri qëndron në një farë mase, dhe s’mund të hidhet tërësisht poshtë. Padyshim që amerikanët e bardhë duhen ndërgjegjësuar sa më shumë për racizmin individual apo në shkallë shoqërie. Edhe premisa bazë e antiracizmit, ajo që të bardhët shpesh s’janë të vetëdijshëm për rolin e madh të ngjyrës së lëkurës në suksesin e tyre, është gjithaq e vërtetë. Kjo krijon tek ta iluzionin se arritjet u detyrohen absolutisht meritave të tyre individuale, në një kohë kur në shoqërinë amerikane vazhdojnë të jenë të pranishme një sërë aspektesh të paragjykimeve racore, si p.sh. mundësitë e pabarabarta të shkollimit, ndryshimet në metodat e përdorura nga policia, diskriminimi në punësim, ekspozimi ndaj ndotjes, etj. Të gjitha këto aspekte përforcojnë njëra-tjetrën dhe thellojnë pabarazinë masive.

Mirëpo konsulentët tanë shkojnë shumë më larg duke hedhur poshtë jo vetëm idenë e gabuar te meritokracisë absolute që përmendëm, por çfarëdolloj roli të cilësive individuale. Në kundërshtim me përvojën e përditshme dhe me logjikën e thjeshtë, modeli i tyre e trajton si “mit racist” konsiderimin e individit si të tillë dhe me cilësi të veçanta: ai shkrihet plotësisht në identitetin e grupit racor përkatës.

Kjo ilustrohet qartë me një shembull të preferuar e kuptimplotë të DiAngelo: historinë e famshme të Jackie Robinson, bejsbollist i talentuar zezak i viteve ‘50 – ‘60, dhe i pari që mundi të luajë në një ekip të kategorisë së parë (Major League Baseball – MLB). Autorja refuzon të pranojë se Robinson ishte zezaku që arriti ta kapërcejë pengesën e ngjyrës së lëkurës, dhe udhëzon audiencat e saj ta përshkruajnë atë, përkundrazi, si të parin që “u lejua nga të bardhët” të luante bejsboll në MLB. Dhe duke vënë theksin tek “u lejua” ajo përcjell idenë që vetë Robinson s’pati asnjë meritë në atë akt: drejtuesit e klubit Brooklyn Dodgers e pranuan thjesht se u duhej një zezak sa për numër, dhe aq.

E vërteta është padyshim se Robinson s’ishte bejsbollisti i parë zezak aq i aftë sa të meritonte një vend në MLB, dhe po ashtu ishin drejtuesit e Brooklyn Dodgers ata që vendosën të injoronin rregullin e mospranimit të lojtarëve me ngjyrë. Por s’ka asnjë arsye të mendosh se ata u shtynë veç nga idealizmi, d.m.th e pranuan atë lojtar “me hatër”, pa marrë parasysh interesin e tyre. Robinson mundi të bëjë karrierë në MLB jo vetëm nga aftësitë e shkëlqyera si lojtar, por padyshim edhe nga personaliteti i jashtëzakonshëm që e lejoi t’u rezistonte me sukses presioneve të shumta nga ekipet zezake, akuzave si “tradhtar i racës”, “xha Tom” (2), “i shitur tek të bardhët” etj, etj.

Teoricienët si DiAngelo ndryshojnë kësisoj historinë për të eliminuar tërësisht rolin e Robinson dhe të aftësive të tij personale në këtë çështje. Kjo s’është e rastit, por vetë përfundimi ku ata duan të arrijnë. Programet e tyre i konsiderojnë meritat individuale si mit për t’u hedhur poshtë, e kështu edhe figura aq të jashtëzakonshme sa Jackie Robinson, reduktohen thjesht në objekte ilustrimi të “shtypjes sistematike”.

Kjo mënyrë të menduari na risjell qartë jehonat marksiste të ndarjes së shoqërisë në grupe antagoniste, dhe është gjithashtu problematike edhe sikur të vendoset në spektrin “majtas – djathtas” të optikave për racën. Dihet që në skajin e djathtë janë pikëpamjet e supremacisë së bardhë që fton të bardhët të luftojnë për interesat e tyre si të tillë, pra si pjesëtarë të racës së bardhë (pavarësisht nga nuancat e shumta brenda kësaj të fundit). Duke lëvizur majtas vijmë tek konservatorizmi klasik që injoron ekzistencën e racizmit si dukuri dhe e trajton shoqërinë pa bërë dallime mes racave, pra sikur racizmi të ishte diçka e ndaluar me ligj. Më majtas akoma gjejmë liberalizmin klasik i cili pranon racizmin si problem të mprehtë që ndërlikon së tepërmi përpjekjet për zgjidhje apo për politika neutrale.

Mirëpo ideologjia woke që frymëzon profesionin e konsulencës antiraciste, dhe krejt procesin revolucionar ku janë angazhuar progresistët amerikanë, shkon shumë më majtas se kaq, sepse injoron tërësisht identitetin e individit duke njohur vetëm atë të grupeve racore. Autorët mëtojnë se ndërgjegjësimi i të bardhëve për “përvojën tonë kolektive si racë” është pika më kritike e kësaj ideologjie dhe e tërë procesit rrjedhues të trajnim/riedukimit. I mëshohet pra kolektives dhe grupit, identiteti individual zbehet deri në zhdukje, ndërsa programet riedukuese zor se ofrojnë objektiva përfundimtare të qarta. Mungesa e një pike ku procesi të konsiderohet i kryer është faktikisht rrjedhim i drejtpërdrejtë i kuptimit të racizmit prej këtyre guruve të majtizmit të sotëm. Ai nuk shihet si problem që të bardhët duhet ta kapërcejnë për t’i konsideruar racat e tjera si të barabarta, por përkundrazi si “mëkat origjinal” prej të cilit nuk shpëton dot. Rrjedhimisht s’duhet të habitemi aspak nga ngjashmëria tepër e madhe me proceset e riedukimit gjatë Revolucionit Kulturor kinez apo kopjes së tij shqiptare, “lëvizjes për revolucionarizimin e vendit”, në vitet ‘60 – ‘70.

Konsulentët tanë mund të shpallin sa të duan se e urrejnë dallimin racial dhe po luftojnë kundër “supremacisë së bardhë”. Problemi është se, në një moment të caktuar, ekstremet puqen dhe praktikisht fillojnë t’i ngjajnë njeri-tjetrit duke pasur të njëjtin efekt, në këtë rast përjetësimin e racizmit me tërë pasojat e tij të dëmshme për kohezionin social të vendit.

Një nga rrjedhojat më absurde të tërë këtij procesi qëllimisht të ngatërruar është se në shumë raste idetë e së majtës “antiraciste” rezultojnë të jenë kopje konforme të ideve të së djathtës raciste. Kështu p.sh. në një intervistë të paradokohshme Glenn Singleton, president i një kompanie të njohur të fushës, shprehej se konsiderimi i komunikimit me shkrim si forma më e mirë dhe më e saktë e komunikimit është “një shenjë dalluese e mendësisë së bardhë”, siç është edhe “të menduarit shkencor” apo “lidhja lineare shkak-pasojë.” Deklarata të tilla s’janë aspak lajthitje të rastit sepse edhe një institucion serioz si Muzeu i Historisë afro-amerikane në Washington kish përmbledhur aty përpara në një faqe të posaçme (që u hoq pas protestash të shumta) tiparet më themelore të mendësisë së bardhë, të hedhura pastaj në qarkullim të gjerë nga profesionistët e vetëshpallur të antiracizmit. Vlerat “e bardha” sipas faqes në fjalë përfshijnë tipare të tilla si “të menduarit objektiv, racional”, “marrëdhëniet shkak-pasojë”, “puna e palodhur si çelës i suksesit”, “planifikimi për të ardhmen”, etj. Këto përgjithësime janë realisht pa ndonjë vlerë praktike, sepse dihet që ka shumë të bardhë që s’i gëzojnë aspak cilësi të tilla, ashtu sikurse ka plot të zinj që i personifikojnë ato në mënyrë të përsosur. Kjo nxjerr në pah një aspekt që trajnerët e racizmit enkas e injorojnë: faktin që këto vlera s’janë fikse, apo tipare të një race të vetme. Përkundrazi, ato janë virtyte që mund të kultivohen nga çdo individ i çfarëdo race qoftë. Deri tashti kanë qenë racistët e bardhë të cilët tradicionalisht kanë projektuar të kundërtën e këtyre tipareve të zezakët duke i paraqitur ato si të meta të pandryshueshme. Por sot janë propaganduesit dhe veprimtarët e antiracizmit ata që po i paraqesin ato vlera si të pandryshuara d.m.th. tipare vetëm të kulturës së bardhë.

Natyrisht që ide të tilla ndeshen me shqetësimin rreth pasojave të tyre konkrete sepse hedhja poshtë e “racionalizmit” apo vlerave të tjera “të bardha” si kritere për punësimin e mësuesve s’mund të justifikohet me asnjë arsyetim logjik. Kjo bëhet me pretekstin se ato gjoja favorizojnë kandidatët e bardhë, mirëpo pa mësues që t’i brumosin me aftësi të tilla, fëmijët zezakë doemos mbeten të papërgatitur për t’u pranuar në universitet e po ashtu me shanse më të pakta për punësim në profesione me pagesë të lartë.

Për këto shqetësime ideologët e antiracizmit ofrojnë përgjigje të përgjithshme e të paqarta, dhe flasin për pasoja që shtrihen në kohëzgjatje të papërcaktuara. Kështu DiAngelo ka deklaruar se ajo do t’i eliminonte krejt profesionet me pagesë të lartë sepse “kapitalizmi është shumë i lidhur me racizmin, i varur nga pabarazia, nga ekzistenca e një shtrese të ulët… nëse modeli është përparësia e fitimit mbi gjithçka tjetër, atëherë detyrimisht s’do të ketë asnjë interes që politikat e ndryshme të analizohen nga ana e pasojave që kanë mbi grupe të ndryshme racore.” Ndërsa Singleton, që përmendëm më lart, flet për ndryshime evolucionare sociale dhe ekonomike që do ta bënin të panevojshëm mësimin e shkrimit dhe të mendimit linear për fëmijët e pakicave. Sipas tij, frika se fëmijët me ngjyrë do të mbeten pas në garën e konkurrencës ka kuptim vetëm “nëse mendohet që të bardhët do të vazhdojnë të jenë gjithmonë në krye të punëve”. Këtë ai e kundërshton me forcë duke evokuar një botë me “vetëdije aq të përparuar sa t’i kushtohet vëmendje qenies njerëzore në tërësi”.

Kuptohet që s’ka asnjë lloj sigurie se një botë e tillë do të realizohet ndonjëherë, e madje as nëse ajo ekziston diku si projekt. Por është padyshim e vërtetë se askush që është gjallë sot e kësaj dite  nuk do të arrijë t’i shohë ato ndryshime të përfunduara. Dhe kjo do të thotë se kundërvënia ndaj të ashtuquajturave “vlera të bardha” dhe mohimi i nevojës për t’ua mësuar ato fëmijëve me ngjyrë i dënon këta të mbeten në varfëri. Ndërkaq të njëjtët konsulentë refuzojnë të venë në dyshim të ardhmen e vetë profesionit të tyre që u siguron të ardhura komode, të papërfytyrueshme nga masat me ngjyrë në emër të të cilave ata mëtojnë se përpiqen ditë e natë.

Në përfundim mund të themi se programe të tilla janë përbërës kryesorë të majtizmit woke që është ulur tashmë këmbëkryq në institucionet arsimore amerikane e po përhapet me shpejtësi në korporata e në shoqërinë civile. Ato programe me objektiva të mjegullta u përqafuan nga shumë drejtues e administratorë shkollash në mes të indinjatës së drejtë ndaj racizmit dhe u konsideruan si diçka-ja që duhej bërë, me gjithë paqartësitë dhe absurditetet që përmbanin. Ndoshta një ditë legjionet e klientëve të DiAngelo-s apo Singleton me shokë do ta shikojnë me siklet kohën kur një moment ndërgjegjësimi për realitetin dhe shtrirjen e thellë të racizmit amerikan i shtyu të përqafonin diçka shumë të ngjashme me vetë racizmin.

 

© 2023 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


1) ky term përdoret krahas atij të “korrektesës politike” për tërësinë e ideve, programeve e politikave që mëtojnë të zbulojnë e të ndreqin çdo shfaqje të raporteve shtypëse të cilat, sipas propaganduesve të ideve në fjalë, qendrojnë në bazë të shoqërisë e kulturës amerikane, dhe të krejt atyre perëndimore në përgjithësi.

2) epiteti lidhet me emrin e personazhit kryesor të romanit “Kasollja e xha Tomit” të autores Harriet Beecher Stowe (1852) dhe shënjon një person tepër të nënshtruar e që s’bën asnjë rezistencë ndaj shtypësve të tij.

12 Komente

  1. Nuk është e qartë në autori e kupton dallimin midis diskriminimit racor dhe paragjykimit racor, lëri më dallimet mes këtyre tre fjalëve në vetëvete, që përbëjnë edhe dy grupet emërore. Nuk është e qartë në autori po përpiqet të bindi lexuesin apo veten e tij se sot e majta woke (me gërma kursive dhe me një gotë ujë të ftohtë me sheqer për lëmshin, që i ngelet në ezofag sa herë e përmend) praktikon diçka të ngjashme me racizmin nëpërmjet atyre fletushkave të veta, ku citohet si bell hooks ashtu edhe aroma e bojës së printerit, në dhomat me ndriçim fluoreshent të aksh departamenti të shkencave humane. Autori shkon deri aty sa të pranojë se, po të zgjatet mjaftueshëm nga të dyja drejtimet abshisa e spektrit “majtas-djathtas”, – në u honepstë ndonjëherë – dy ekstremet e boshtit do të takohen. Autori shkon, shkon shumë larg, – e rruga mbarë i vaftë! – po se në ç’drejtim është nisur, vetëm ai e di… Me shpresë, ai e di.

    1. I nderuar pseudonim! Ju falenderoj për komentin dhe për përdorimin e koncepteve të tilla plot sqimë si “uji me sheqer”, “ezofagu”, “boja e printerit” apo “ndriçimi fluoreshent” që tregojnë qartë se gjalloni në sfera tepër elitare. Do t’ju lutesha megjithatë të kishit mirësinë (nëse ju lejojnë angazhimet e tjera, padyshim të shumta) ta përkthenit mesazhin tuaj në shqipe të thjeshtë për vdekëtarë të zakonshëm si unë apo lexues të tjerë të kësaj reviste. Ju falenderoj edhe një herë për mesazhin tuaj ndriçues!

  2. Pergezimet e mija autorit per kurajon.
    Eshte blasfemi te gjykosh wokizmin ne Perendim keto dite. Dhe ca me shume, po te jesh akademik, sepse realisht e ve “jeten” profesionale ne rrezik.
    Wokizmi eshte ideologji. Nuk eshte dicka organike, e dale nga degezimet e nje kulture.
    Intensiteti i kesaj ideologjie eshte i ngjashem me luften e klasave te viteve 70-80 ne Shqiperi. Per ne qe e kemi jetuar ate periudhe eshte si te shohesh variantin modern te nje filmi te vjeter.

    Dhe per mendimin tim, i njejti atrofizim social dhe material qe ndodhi ne Lindje ne ato vite, cenon te perseritet edhe ketej ne Perendim kesaj radhe

    Per ilustrim, mund te shihet ne link-un e meposhtem resultatet e garave nepermjet universitetetve te botes, ne computer programming. Amerika mungon se qeni ne krye qe nga fillimi i viteve ’90.

    https://en.wikipedia.org/wiki/International_Collegiate_Programming_Contest

    1. Ju falenderoj per komplimentet ne adrese te shkrimit. Me e keqja eshte se e tere kjo perpjekje nga brenda per te permbysur institucionet e Perendimit behet ne nje kohe kur fuqi te tjera ne ngritje e siper, si Kina, e kercenojne ate nga jashte.

      1. Kina eshte bogeyman i rradhes me te cilin kompleksi militaro industrial i tremb taksapaguesit per te hedhur me teper para ne industrine e luftes .Sa per kuriozitet ,ku humben ISIS dhe extremistet islamike , te cilet kane per qellim te imponojne sharia law etj ne boten kaure ?Kam bere sehir Fox News disa here e asnje llaf per ta?!!

        1. Kina nuk eshte bogeyman i radhes.

          SHBA e ka nga halli. Jo per shkak te kompleksit militaro industrial. Por si spjegon Musk, per shkak te punetorin kinez. “..They won’t just be burning the midnight oil, they will be burning the 3am oil, they won’t even leave the factory type of thing, whereas in America people are trying to avoid going to work at all…”
          Nderkohe ne SHBA vazhdojen studimet pafund mbi ngjyren e lekures dhe llojet e gjinive. Te reja e te vjetra.

          Po qe se nuk e ia del ne krye me pune, pse jo me lufte. Mjafton tia dalesh eshte puna.

  3. Levizja woke ka te metat e veta por fakt i hidhur eshte se pavaresisht prej progresit ,SHBA mbeten vend teper racist .Une e kam perjetuar vete gjate gjysmes se jetes qe kam kaluar ne SHBA.Condoleezza Rice e cilesoi racizmin ne nje prej librave te saj si “birth defect of our country”. Racizmi ne pergjithesi perceptohet si dicka e mbartur prej te bardheve por une mendoj se eshte ne natyren humane te diskriminoje ata te cilet i konsideron njerez poshte vetes.

    1. Yeah right! Sidomos Condoleezza Rice ishte nje nga shembujt tipike qe e vuajti racizmin. Po te shtojme edhe Obamen, pa le Jay Z, Beyoncen e ndonje tjeter si keta kuadri racist ne Amerike kompletohet.

      1. Dulle me qafsh po te kerkosh pak do mesosh se Condoleezza Rice u rrit ne Birmingham ,Alabama,epiqendra e racizmit ne vitet 60 te shekullit te kaluar.Nje nga shoqet e femijerise iu vra nga bomba e vendisur nga KKK ne kishen zezake .Racizmi eshte teme shumeplaneshe dhe e gjere per nje koment por vete fakti qe SHBA zgjodhen president nje njeri i cili doli ne skene me pretendimin se Obama nuk eshte amerikan apo i cilesoi te gjithe meksikanet si perdhunues e vrases tregon se racizmi eshte alive and well in the good ole USA.

        1. Une nuk do te desha ta zgjas shume kete muhabet sepse siç thoni edhe ju nuk zgjidhet dot me nje koment. Ajo qe desha te them une per Ms. Rice eshte veetem qe, pavaresisht nga çdo gje, ajo me gjithese afro-amerikane arriti nje pozicion shume te larte ne administraten amerikane. Se cfare tha ai qe erdhi pas Obames nuk eshte aq relevante, dujke pasur parasysh qe Obama, megjithese afroamerikan qendroi ne postin me te larte shteteror te SHBA per 2 mandate, gje qe ai zotnia qe erdhi me pas nuk e beri dot, madje tamam sot po del para gjykates i proceduar nga nje prokuror, guess what, afroamerikan. Kjo tregon, per mua, te pakten qe racizmi ne ShBA nuk eshte pjese e sistemit. Sa per ngjarje te shumta te jetes se perditshme, une po ju tregoj vetem nje ngjarje te thjeshte nga jeta ime ne SHBA kur nje afroamerikane qe shiste bileta avioni ne LaGuardia u soll me mua si te kishte perpara nje krimb qe mund ta shtypte kur te donte, si duket vetem se e ndjeu qe une ne ate moment ia kisha nevojen. Qe ta mbyll kete muhabet, po mbizoteron idea, qe nje te bardhe mund ta quash idiot, dhe ky nuk eshte racizem edhe pse ai i bardhi mund te mos jete hiç idiot, po ama po quajte idiot ndonje afroamerikan idiotizmi i te cilit ben muuuuu, ky detyrimisht eshte racizem.

    2. Diskriminimi, si pasojë e ndonjë paragjykimi natyror, ka, ama, disa dallime nga racizmi institucional i implementuar qysh në gjenezë të Amerikës. Ky dallim është shumë i domosdoshëm, përndryshe diskriminimi, – i cili mund të jetë edhe pozitiv -, paraqitet si i barabartë me politikat shfrytëzuese dhe nënshtruese, që në thelb kanë aspektin e racës dhe ngjyrës së lëkurës.

    3. ​Ju falenderoj per komentin. Mendoj se levizja woke, dhe BLM si nje komponent i saj kryesor persa i perket races, ka nje te mete themelore: mohimin e çdo perparimi te arritur ne keto 60 vjet ne marredheniet ndermjet racave. Perparimi eshte qartesisht i dukshem, megjithese mbetet mekati origjinal i Amerikes: keto te dyja s’ka pse te perjashtojne njeratjetren. Por eshte ekstremizmi i BLM qe e çon ate levizje tek bashkimi me te kunderten, dhe perjetesimin e ndarjes racore, qe perben edhe thelbin e shqetesimit te ngritur ne artikull. Dhe lejon po ashtu lulezimin e industrise se antiracizmit me tipa si Al Sharpton e Jesse Jackson qe mjelin hapur te zinjte (e jo vetem ata) thjesht duke ngritur ne art bertitjet kunder “white knee on our necks”. Keta veprimtare, te bashkuar me teoriciene te tipit te DiAngelo apo te Ibram Kendit, jane sot ne vijen e pare te sulmit kunder te gjitha arritjeve te sistemit amerikan, gjegjesisht atij perendimor ne teresi.

Lini një Përgjigje te Ernest NastoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin