NATYRË E PAQETË ME NDËRTESA TË VJETRA

nga Ajkuna Dakli

Është pasdite dhe në tavolinën e punës, në godinën ku punoj prej disa javësh, bie dielli. Çohem, i afrohem dritares dhe hedh një sy jashtë. Godina ndodhet pranë Church Str., pak metra në lindje të Yonge St., njërës prej rrugëve më të vjetra të Torontos, që e ndan qendrën e saj përgjysmë. Është e para herë që punoj në këtë zonë. Më parë kam punuar gjithnjë në perëndim të Yonge St., zonë e populluar me qiellgërvishtës, që nuk u kanë lënë vend hapësirave të lira për syrin.

[foto e autores]

Pamja që shfaqet pas xhamave, i përmbledh të gjitha tiparet e erës së re urbanistike të Torontos. Katedralja madhështore e St. James, një qiellgërvishtës i ri pak metra pas kishës, që duket i shëmtuar e i pavend aty ku ngrihet, një copëz e liqenit të Ontarios, një grumbull tjetër qiellgërvishtësish që i afrohen e mbështillen si kulpra dhe, meqë motoja është lart e më lart, një grup godinash të vjetra që presin radhën të bien pre e qiellgërvishtësve të tjerë. Pak më tutje, një gjurmë hapësire e një parku të vogël, nga të paktët që ka mbetur ende gjallë në këtë zonë, po shumë i vogël për t’u shquar që nga lart. Dhe sigurisht një vinç në sfond, si shëmbëlltyra e një vizioni të ri.

Torontoja është një qytet i ndërtuar relativisht vonë krahasuar me qytetet e mëdha të Europës, por në të gjenden, megjithatë, ndërtesa të vjetra e plot sharm, sidomos në downtown.

Një prej pamjeve që më pat tërhequr në këtë zonë, në vitet e para këtej, ishte ajo e kishave të vjetra. Megjithëse të zhytura mes qiellgërvishtësve, shpesh ngjanin të shpërfillura pamjet e oborreve të tyre rrethuar me kangjella dhe ndërtesat me arkitekturë të stilit gotik me çatitë trekëndëshe dhe kupolat e gjelbra majuce më pëlqenin shumë. Kjo nuk kishte lidhje me besimin tim fetar – unë nuk i përkas fesë së krishterë – po me një lloj reminishence të Evropës, nga e cila sapo kisha ardhur dhe që atëherë më mungonte fort.

Pata kuturisur, një ditë të ftohtë të nëntorit të 2004-ës, të vizitoja njërën prej tyre. Atëbotë punoja pranë stacionit të metrosë në St. Andrew, që e ka marrë emrin nga kisha pak më tutje. Në kohën e drekës, me kureshtjen dhe entuziazmin e atij që sapo ka filluar një jetë të re në një vend të ri dhe gjen papritur diçka që e lidh në njëfarë mënyre me një pjesë të bukur të munguar të asaj që ka lënë pas, vendosa të bëja një pelegrinazh turistik në kishë. Por kur shtyva portën e madhe dhe hyra në sallonin e gjerë, vura re se aty nuk ndihej frymë e gjallë. Në një nga stolat anës murit flinte dikush, me sa duket një i pastrehë, dhe dera e sallës ishte e mbyllur. Me sa dukej, me gjithë madhështinë dhe bukurinë që të ftonte nga jashtë, kishat e Torontos nuk ishin objekte turistike.

Disa vjet më vonë, im bir, atëherë rreth 5-6 vjeç, u bë papritur kureshtar për organon dhe shkuam ta shohim në veprim në një meshë të diele në kishën e St. Michael – një tjetër kishë në zemër të Downtown-it. Tingujt e organos nuk na zhgënjyen, ndërsa arkitektura e brendshme e kishës, shtyllat e gdhendura që mbështesin harqet e sallës anës stolave, kupola, tavanet dhe dritaret e larta me xhamat e pikturuara na u dukën vërtet mbresëlënëse.

Ajo pamje na tregoi se vlerat arkitekturore dhe arti i kishave të Torontos nuk është i parëndësishëm dhe ato, megjithëse të ndërtuara relativisht më vonë, nuk mbeten pas simotrave të tyre në Europë. Por edhe për kishën në fjalë, jashtë kohës së shërbesave fetare, pamja jashtë mbetej njëlloj e heshtur.

Pas historisë së organos, nuk na ra rruga në kishë deri një mbrëmje qershori të vitit të trazuar 2021, kur vajtëm të shihnim Nabucco-n e Verdit të shoqëruar vetëm me piano, në St. Andrew, kishën që desha ta vizitoja në 2004.

Pamja e kishës me sakristinë e pikturuar me ngjyra të qeta: ulli i butë, pjeshkë e çelur dhe ngjyrë ari, kupolën e lartë të tavanit, ku mbështeten harqe druri në ngjyrë të errët dhe cilindrat e argjendtë të organos së madhe, mbështjellë në të dyja anët me degë hardhie prej druri të gdhendur, lart, aty ku ballkonet me stola të drunjtë ndahen nga ballina e lartë e sallës, më mbeti në mendje dhe më ngjalli kureshtje.

Më pas, kërkova në rrjet dhe mësova se në downtown ja ka rreth 10 kisha të tilla, që u përkasin degëzimeve të ndryshme të fesë së krishterë, të ndërtuara përgjatë shekullit 18-të dhe që kanë vlera të mëdha arkitekturore.

Për vetë natyrën e tyre, si objekte të lidhura me besimin fetar, objektet e kultit kanë qenë për shekuj qendra rëndese të komuniteteve, duke përthithur, kështu, art, traditë dhe histori dhe duke gëzuar në aspektin urbanistik një vendndodhje gjithnjë të favorshme.

Nëse e zgjerojmë pak këndin e vështrimit, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërtesat e tjera me funksion publik, që shenjojnë historinë e një qyteti.

Po le të kthehemi te kishat. Duke kërkuar në rrjet, mësova, gjithashtu, se kishat e vjetra në Toronto përballen çdo ditë me të njëjtën sëmundje: mungesën e fondeve për t’i mirëmbajtur e restauruar. Opera që pata mundësinë të ndjek në kishë ishte një nga përpjekjet për të mbijetuar duke dhënë me qira ambientet e tyre për funksione të ndryshme, që nga koncertet e deri te festat private, siç është rasti më shumë në kishat e vogla të lagjeve.

Rritja e metropolit, lëvizja e njerëzve, ndryshimi i mënyrës së jetesës etj. kanë bërë që komunitetet fetare të rrudhen e të shpërbëhen. Institucionet fetare nuk janë në gjendje t’i mirëmbajnë ndërtesat e vjetra, ndërsa institucionet publike janë pushtuar, sidomos dekadat e fundit, nga ethet e forta të ndërtimit.

Ndërkohë vendndodhja e favorshme e godinave historike, si qendra të dikurshme gravitacionale të qytetit, është gjithnjë më e lakmuar nga grupet e mëdha të industrisë së ndërtimit, që presin si skifterë plakjen e këtyre të fundit nga vjetërsia dhe mungesa e fondeve për restaurim.

Duke qenë për shumë kohë e vetmja qendër komerciale e një qyteti që në ditët e sotme numëron mbi rreth 3 milion banorë, ndërsa, së bashku me rrethinat në atë që quhet Greater Toronto Area, rreth 6 milion banorë, qendra ose downtown-i Torontos është pushtuar dalëngadalë nga kullat e larta, duke u shndërruar në një xhungël betoni.

Çfarë ka ndodhur me të vjetrën historike, traditën dhe të bukurën?

Në Toronto është bërë njëlloj përpjekjeje për të ruajtur dhe restauruar të paktën një pjesë të godinave të vjetra, herë duke i zgjeruar godinat historike me shtesa arkitekture moderne, po duke e ruajtur funksionin e tyre parësor, herë duke trupëzuar në to ndërtesa të reja për banim, të cilat ruajnë disa pjesë të godinës së vjetër bashkë me arkitekturën e tyre. Një pjesë, si kishat që përmenda, më sipër janë ruajtur të paprekura, por pa u kujdesur shumë që ndërtesat rrotull tyre të ruajnë disi stilin arkitekturor ose lartësinë, duke i groposur kështu nën hijen e qiellgërvishtësve.

Përpjekja është e pamjaftueshme. Jeta urbane e Torontos ka patur sigurisht dinamikë të gjallë dhe rritja me galop e popullsisë do të linte gjurmët e veta të pashlyeshme në urbanistikën e qytetit. Por nëse qendra komerciale e tij do të ishte zhvendosur drejt periferive, siç është rasti i shumë qyteteve të Europës, dyndja e njerëzve dhe e apartamenteve pikërisht në downtown, aty ku ndodhet edhe pasuria më e madhe arkitekturore e qytetit, do të ishte shmangur. Kjo do t’u linte banorëve të Torontos më shumë hapësirë dhe kohë, por edhe qendrës më shumë frymëmarrje dhe godinave të vjetra jetë më të gjatë.

*****

Pamja nga dritarja e zyrës sime më hodhi larg. Më kujtoi Tiranën verën që shkoi, me kullat e larta që po mbijnë gjithnjë e më shpesh, pranë, ose duke u zënë vendin godinave historike. Mbase ky paralelizëm duket si pa lidhje, por zhvillimet urbanistike të të dyja qyteteve po ndjekin të njëjtën kurbë, për të njëjtin motiv. Të paktën në dukje.

E vjetra zëvendësohet me të renë për mungesë fondesh ose për një zgjidhje, në dukje më të arsyeshme.

Kujtoj luftën e pluhurosur për Teatrin Kombëtar, rënien theror të tij për një kullë të lartë, godinën e vjetër të Hotel Dajtit që u dorëzua pa luftë, godinën e Liceut për të cilën po bien kambanat dhe ndërtesa të tjera në Tiranë, objekte urbane me vlera historike dhe arkitekturore, që shenjojnë historinë e qytetit, të cilat ranë, janë në proces, ose priten t’i nënshtrohen martirizimit nga kulla të larta që kafshojnë qiellin dhe pamjen, shtojnë pluhurin, rrëmujën dhe parehatinë që shkaktojnë ndërtimet e reja dhe shfytyrojnë pamjen e qytetit. Qendra e Tiranës ndodhet pa pushim nën kazmat e ndërtuesve dhe banorët e saj e jetojnë këtë makth përditë, por të ikurit e ndiejnë shfytyrimin urban çdo herë që kthehen.

Pas një periudhe 50-vjeçare, gjatë së cilës u shkatërrua një numër i madh objektesh të kultit ku ruhej një pasuri e paçmuar arkitekturore e historike, edhe klasa e sotme politike vazhdon të njëjtën udhë. Motoja ka ndryshuar, pasojat janë po ato.

Kushdo që e ka një çati mbi krye e di se, që një ndërtesë të mos rrënohet, ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme dhe periodike.

Por ndërsa qeveria shpall me bujë projekte ambicioze për të ngritur muze të rinj, dhe shpenzohen para pa fund për shqepje dhe qepje të panevojshme parqesh e sheshesh që ndodhen në vende që premtojnë të ardhura të mëdha në xhepat e ndërtuesve, muzetë e vjetra në qendër të Tiranës rrënohen përditë. Muzeut Kombëtar i ka mbetur ora te Lufta NÇL, Galeria e Arteve është pothuaj gjithnjë mbyllur ose bosh, Biblioteka KombëtarePallatin e Kulturës përmbytet herë pas here, Piramida zhvishet dalëngadalë nën diell.

Arsyeja e rrënimit të tyre të qëllimshëm është po aq e qartë dhe e zhveshur sa edhe rrënimi vetë. Ato lihen qëllimisht pas dore, derisa vjen një ditë kur refreni i mungesës së fondeve shpaloset bindës për publikun dhe e vetmja zgjidhje që serviret, janë pazaret me grupet e ndërtuesve që lakmojnë truallin në qendër.

Objektet me vlerë arkitekturore e historike, me afresket e tyre që iu folën brezave me tipare njerëzore e ngjyra që të bëjnë të ndihesh gjallë, që i qëndruan kohës dhe inkuizicionit komunist, po që janë larg dhe nuk ngjallin lakmi ndërtuesish, plaken e rrënohen përditë nën harresën e përgjithshme si ata pleqtë e vetmuar, për të cilët kujtohet ndonjëherë vetëm ndonjë hallexhi zemërdhembshur i fshatit.

Ndërkohë që të tjera objekte të ndodhura në vende të rrahura prej turistësh, të cilat kanë dëshmuar se mund të sjellin të ardhura, i pret një tjetër fat i dyshimtë: u shiten ditën për diell si mall pa zot palëve të treta me emrin e bujshëm të investitorëve strategjikë.
Gjithçka nën motivin rrenacak të mungesës së fondeve.

Në këtë luftë për fitim, ku lojtarët luajnë gjithnjë me kartat e nevojës dhe pamundësisë, ato që sakrifikohen janë objektet e vjetra. Bashkë me ta historia, arkitektura, arti.

Shumëkush mund të pyesë, përse na duhet, megjithatë, e vjetra?

E vjetra është histori dhe pikërisht historia dhe arti, janë ato elemente të arkitekturës që krijojnë lidhjen emocionale të një qyteti me banorët e tij.

Por jo vetëm kaq. Historia ka treguar se objektet me vlera arkitekturore e historike, si dhe objektet e artit, ato që u shpëtuan luftërave, rrënimit dhe kryqëzatave të makutërisë së momentit, në kohë janë kthyer në burim jetëgjatë të ardhurash. Shembujt janë të panumërt, që nga lashtësia e deri në Rilindjen Europiane e më pas. Vizionarët europianë që kultivuan vepra arkitekture dhe arti nuk kishin, sigurisht, si ta dinin se një ditë këto vepra do t’i shndërronin qytetet e tyre në qendra turistike dhe do t’u sillnin të ardhura të mëdha ekonomive të tyre, por duke ndier, mbase, rrezatimin e pavdekësisë në të bukurën që këto vepra përcjellin, kanë parë, gjithashtu, edhe vizionin e gjallë të së ardhmes së këtyre qyteteve. Më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Europë, qytetarët i mbrojtën me fanatizëm objektet e artit, të bindur se po mbronin përjetësinë e qyteteve të tyre dhe pas luftës i rindërtuan qytetet e shkatërruara njëlloj siç kishin qenë. Objekte të tjera me vlerë arkitekturore e historike nëpër botë, qofshin këto objekte kulti ose jo, kudo ku janë ruajtur e mirëmbajtur, i kanë shndërruar vendet e tyre në qendra turistike, duke u kthyer kështu në mbështetje të qëndrueshme për ekonominë e vendeve të tyre.

Për fat të keq, megjithëse në zemër të Europës dhe me një pasuri kulturore shumë të madhe që daton që nga lashtësia, nuk është ky rasti me Shqipërinë.

Tirana, qyteti i gjelbër i kohës së rinisë sime, me ndërtesat e qendrës në ngjyra të buta në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, bulevardin e madh me pishat në të dyja anët dhe godinën e Universitetit në sfond, po kthehet gjithnjë e më shumë në një xhungël të shëmtuar urbanistike. Në qytetet e tjera, ku më pak e ku më shumë, është e njëjta situatë. Qeveria vazhdon gjuetinë e shtrigave me objektet e vjetra, duke u lënë fushë të lirë grupeve të fuqishme të interesit. Çdo herë largohem duke marrë me vete shijen e një humbjeje të pakthyeshme.

Po le të kthehemi në Toronto, qytetin tim të ri, i cili është qendër komerciale dhe jo qytet turistik.

E bukura dhe ruajtja e saj kanë një çmim të lartë, duan dëshirë, kohë dhe mjete financiare. Në kohët që jetojmë, jeta është e shpejtë, e vrullshme, kërkon komoditet dhe lë pak kohë.
Një qiellgërvishtës, me gjithë betonin e mermerin dhe qelqin e derdhur në të, na fal përditë të gjithë rehatinë e nevojshme për të jetuar mirë. Jeta jonë kalon mes mureve e qelqeve, e ndarë lehtësisht në kubikë të ngrohtë, arti si pasqyrë e jetës nuk të fal asnjë drithërimë a emocion, po nuk na kërkon kohë. Kohën e lirë e shpenzojmë përsëri në rehatinë mes betonit, mermerit e qelqit të qendrave tregtare, ushtarë të devotshëm të ushtrisë së konsumatorëve.

Duket se gjithçka është nën kontroll, përveç atij çasti të ditës kur mbi tavolinën e punës bie një rreze dielli dhe të fton pranë dritares. Hedh sytë jashtë, kërkon papritur një çast arratie prej së njëtrajtshmes që të rrethon në të katër anët dhe e gjen pikërisht tek pamja e kësaj kishe të vjetër, që deri më sot i ka qëndruar kohës dhe pangopësisë që shemb në emër të zhvillimit.

Ajo çati e gjelbër të duket qendër rëndese, hapësirë dhe art që të japin për një çast krahët për t’u ikur sipërfaqeve të rrëshqitshme të shekullit të ri, artit komercial që shet, po nuk ushqen emocion dhe të bën të dëgjosh atë regëtimë thellë teje që krijon e bukura kur kjo është njerëzore dhe e vërtetë.

Kjo regëtimë është ajo që të bën të ndihesh jo një grimcë turme, pikë e parëndësishme e metropolit, por një pikë uji, e njëjtë dhe e dallueshme njëkohësisht me të tjerët dhe të quhesh njeri.

Kujtohesh më pas me trishtim se jetën e bëjnë të bukur çastet e vogla, por ne punojmë fort gjithë vitin, që të mundemi të jetojmë dy javë si turistë, dhe 50 javët e tjera e shpërfillim me zell bukurinë që kemi përditë përpara syve.

Në këtë përhumbje ndiej pranë hapat e koleges sime. Sa mirë që kisha ende shquhet, më pëshpërit, duke hedhur edhe ajo sytë jashtë.

Vështroj kupolën e gjelbër të kishës dhe liqenin, dhe më duket se, thellë-thellë, po e humbasim shpresën në luftën tonë me veten, këtë luftë që po përpin pa mëshirë një nga një gjithë dëshmitarët e gjallë të artit e historisë sonë. Dhe bashkë me humbjen e shpresës, na shtohet edhe frika se fëmijët tanë, të cilët po i privojmë nga kjo bukuri, nuk do të na e falin këtë disfatë.

(c) 2023 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Kopertina: St. Andrew’s Presbyterian Church at 189 King Street West

4 Komente

  1. E reja deperton gjithmone me lufte. Ajo e shemb te vjetren dhe nderton te rene, qe eshte me e bukur dhe me e rehatshme. Vendi i te vjetres eshte ne muzeum. No Toronto, me sa di une, eshte ROM (Royal Ontario Museum). Aty mund te vizitohet e vjetra, e prapambetura.
    Keto qe jane te reja sot, do te kene padyshim fatin e te vjetrave sot. Neser ato do te jene te vletrat qe do te shemben per te krijuar te reja e koheve te ardhme. Ky eshte perparim, eshte zhvillim. Disa vende e arrijne me shpejt zhvillimin dhe disa te tjera me vone, me ngadale.
    Ndodh ashtu si me njeriun. Dikush eshte me i zgjuar dhe meson me shpejt dhe tjetri eshte me i ngadalshem dhe meson me pak dhe me vone, por te gjithe vrapojne, ecin, apo zvarriten perpara.

    1. Diamand, falemnderit per komentin. Mendoj megjithate se shkrimin nuk e keni lexuar me kujdes. Konceptet “e vjeter” dhe e prapambetur” jane te ndryshme. Sipas teorise e “reja zevendeson gjithnje te vjetren” nuk do te ekzistonin me, as piramidat e Egjiptit, as Panteoni i Romes, as objektet e tjera me vlere arkitekturore e historike mijeravjecare kudo ne bote. E vjetra per te cilen flas une sjell vlera arkitekturore dhe historike. Godina e Royal Museum ne Toronto eshte nje shembull i perpjekjes per te ruajtur traditen duke shtuar aty ku duhet te rene.

  2. Me pelqeu shume shkrimi Ajkuna. Faleminderit. Besoj se nuk ke nevoje per pergjigjen time qe ajo qe i ka “ndodhur” Torontos vecanerisht dhe Kanadase ne pergjithesi eshte liberalizmi progresist. Toronto ne fillim te shekullit te kaluar quhej Toronto The Good, pikerisht per shkak te numurit te madhe te kishave aq te bukura te ndertuara thuajse ne cdo kryqezim rruge, dhe vecanerisht prej njerezve paqesore e miqesore qe i mbushnin keto kisha jo vetem te djelave, por rregullisht cdo dite te javes. Tani Toronto eshte ajo qe eshte, nje tjeter megacity amerikano-verior. Pa koment, mjafton te shikosh nje emision lajmesh.
    Nga ana arkitektonike degradimi i Torontos filloi me “arkitekturen brutale” te betonit te zhveshur qe u huazua nga Anglia ne vitet 60 dhe u aplikua pameshirshem me zellin “modernist” te kohes. Shembulli tipik i kesaj arkitekture eshte Toronto city Hall qe besoj se eshte ndertesa publike me arkitekture me anti-publike ne bote, e mbyllur me beton nga jashte si nje bunker gjigand dhe me dritaret nga brenda hapesires se mbyllur ne vetvete si guacke midhjeje. E keshtu me tej e keshtu me tutje me plot e plot ndertesa te tjera e vepra publike. Po shyqyr qe me ne fund e kaluam kete faze dhe arkitektura e Torontos tani ka hyre ne fazen post moderne te Xhamit Jeshil.

    1. PF të falemnderit për komentin edhe për faktet historike që sjell këtu. Shoh here pas here foto të Torontos së vjetër dhe është e pamundur të mos e vesh re ndryshimin, megjithëse nuk e dija kur kishte filluar pikërisht. Pa dashur të debatoj, nuk e di nëse është vetëm liberalizmi progresist shkaku i transformimit, po nuk jam thelluar ndonjëherë në politikën kanadeze aq sa ta them këtë me shifra e fakte. Me duket ama se të dy kahet e politikës nuk përtojnë të shembin ndërtesat e vjetra kur vjen fjala për të mbushur xhepat e tyre. Gjithsesi mendoj se ajo që ka prishur më shumë punë nuk është shtimi i popullsisë po një planifikim i keq urban i nxitur nga makutëria e momentit. Toronto mund të kishte disa qendra komerciale, siç kanë filluar të ngrihen në fakt kohët e fundit, në Markham, Mississauga, Vaughn etj dhe qendra të ruhej e paprekur. Për fat të keq me gjithë zgjerimin e qendrave të reja komerciale dhe shtrirjen e qytetit, qendra vazhdon të masakrohet.

Lini një Përgjigje te DiamandAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin