KËNDI I SENDEVE TË GJETURA

Kapaku i një fletoreje nga Tirana e viteve 1970 m’u lidh menjëherë me muhabetin e këtyre ditëve për “elbasanishten” letrare:

mu në rreshtin e tretë shfaqet atje një “EMNI I NXANËSIT”, që i ka dy trajta mirëfilli të gegnishtes në tre fjalë: EMNI (në vend të “emri”) dhe NXANSIT (në vend të “nxënësit”), dhe kjo mu në vitin kur u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, që e nxori gegnishten letrare – të cilitdo variant – nga përdorimi. Fletorja do të ketë dalë nga shtypshkronja dikur në fillim të viteve 1970; me gjasë për ta shtypur janë përdorur klishe, shabllonë a matrica të vjetra të shtypit, ato që e mbanin gjallë, por vetëm me inerci, një traditë tashmë të dënuar me zhdukje. Pyetjes se kush “fliste” në këta formularë (se mua si formular më shihet teksti në ballinë) nuk mund t’i përgjigjem veçse si shteti; më saktë, administrata. Edhe pse kish më shumë se një çerek shekulli që elbasanishtja formalisht nuk ishte më “gjuhë e administratës”, të paktën nuk njihej më si e tillë, vazhdonte të mbijetonte në ndonjë tekst anësor, riprodhuar prej ndonjë shtypshkronje të vjetër, në trajta fjalësh tashmë jo-standarde, si ato tek EMNI I NXANSIT. Nënshtresa të tilla, të një faze me të hershme të shqipes, i gjeje rëndom, në periferitë e burokratishtes; në gjithfarë regjistrash, blloqesh me kuitanca, fatura e bileta, fletë-hyrjesh e fletë-daljesh, dëftesash, defterësh, librezash dhe formularësh mjekësorë e laboratorikë dhe të tjera dokumente të përditshme por gati të padukshme, që mbase i prodhonte e njëjta shtypshkronjë dhe nuk mbahej mend më kush i kish shkruar i pari. Paçka se një fletore – e vetmja në llojin e vet – për t’u përdorur në shkollat 8-vjeçare anembanë vendit me logjikë duhej të shembëllzonte në mos të propagandonte ligjërimin “e ri” standard, pikërisht atë që u mësohej në klasë kalamajve që e përdornin – ne të atij brezi ishim mësuar që me abetaren që të drejtshkruanim në toskërishte (NXËNËSI, jo NXANSI), atë toskërishte që pastaj u sanksionua si standard në vitet 1968-1972 (edhe pse de facto shumë më herët). Përpiqem tani të kujtoj reaksionin tim ndaj kësaj gegnishteje, EMNI I NXANSIT, që na fliste nga kapaku e fletores; nuk e kam konsideruar “gabim”, por vetëm si formë çuditërisht të vjetër, të ngjashme me shqipen e ca librave të botuar para Luftës, që ende qarkullonin në bibliotekat tona. Por si i rritur në Tiranë, gegnishtja – edhe e shkruar – nuk më vriste as veshët as sytë. Aq më tepër, në fillore, të dyja mësueset deri në klasën e 4-t, i kishim pasur nga Elbasani dhe na kishin folur elbasanishte në klasë; një elbasanishte e qytetëruar, që nuk i kish asfare konotacionet e ligjërimit bisedor. Atëherë me siguri nuk e dija, por më vonë jam mësuar ta shoqëroj rregullisht në mendje Elbasanin dhe elbasanishten me mësuesinë e mbase edhe pedagogjinë – duke qenë atje e mirënjohura e fisnikja Normale e Elbasanit, por jo vetëm; shpresoj të mos e kaloj masën, po të them se në Tiranën e atyre viteve elbasanishtja dëgjohej si një formë më “letrare” a më e kultivuar e së folmes tironse, mbase edhe thjesht ngaqë ua dëgjonim mësueseve; dhe mësues e mësuese nga Elbasani sikur kishte kudo. Prandaj edhe tani më duket jo fare e rastit, që kjo elbasanishte shkollore të rishfaqej – gati tinëzisht – në një tekst administrativ, si formulari në kapakun e fletores; shkollë për shkollë, një traditë kulturore aq e vyer, që mbijetonte gati aksidentalisht.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Nese do te ishte e mundur do te doja qe te pyesja dicka, duke shpresuar se lexusit e tjere te blogut do te kishin njohuri me te shumta. Autori i shkrimit perdor emrin Elbasan. Kam patur rastin ta degjoj emrin e ketij qyteti te shqiptuar si Elbason. Nderkohe, shqiptare nga trevat e Lushnjes dhe Fierit me kane thene se ne ato zona, emri i qyteit ne fjale shqiptohet Elbasen. Duke qene se njohurite e mia ne gjuhen shqipe jane relativisht te kufizuara, cili eshte shqiptimi i sakte i emrit?

    1. Trajta e shkruar standard është ELBASAN. Këtë mund ta gjeni në fjalorë dhe në harta dhe kudo gjetiu. Meqë thoni se keni njohuri të kufizuara për shqipen, do t’ju sugjeroja që të mos e vrisni fare mendjen për dialektet, të paktën në këtë fazë.

Lini një Përgjigje te RushAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin