FORMULAT E BUKËS

Në shumë kultura që i besojnë syrit të keq, dëgjon të thuhet se të ngrënit në publik, ose edhe thjesht në sy të tjetrit, ekspozon tejet rrezikshëm ndaj atij efekti – syri i keq mund ta shndërrojë ushqimin në helm. Folkloristi Alan Dundes i ka kushtuar këtij fenomeni kaq kurioz një analizë më vete, në kapitullin përmbyllës të librit The Evil Eye, A Casebook (The University of Wisconsin Press, 1992), si pjesë të hipotezës së tij, që e orienton veprimin e syrit të keq sipas aksit i njomë – i thatë (wet – dry). Ai përmend një rast në Egjipt, ku një diplomat britanik rrëfen se kuzhinieri i tij nuk do të blinte kurrë mish të ekspozuar në dyqanin e kasapit në pazar, sepse “çdo lypës që kalon aty pari do ta ketë parë me lakmi”.

Kur i lexoja këto pasazhe, më shkoi mendja se referimi ndaj syrit të keq dhe nevojës për ta shmangur mund të ofrojë një shpjegim të ri të kodeve tona të sjelljes me të tjerët (të tretët), gjatë kohës që hamë – duke filluar që nga nevoja, praktikisht detyrimi për ta ulur simbolikisht në tavolinë dikë që vjen për vizitë në orën e drekës ose të darkës; shqetësimin e të ardhurit se “mos ju gjeta duke ngrënë”; dhe deri këmbënguljen për t’i dhënë ushqim nga yti kujtdo që qëllon të jetë afër teje, kur ti ha – për ta bashkëndarë ushqimin, qoftë edhe me një të panjohur, siç mund të ndodhë, për shembull, në një kompartiment treni. Shto këtu edhe këshillën se “nuk i shkohet tjetrit për vizitë në orën e drekës”, pjesë e etiketës elementare; së bashku me formula të tipit “më fal se të gjeta duke ngrënë”, ose “mos ishe gjë duke ngrënë?”, “mos ju prisha bukën?” etj.; prapa kujdesit për ta lënë tjetrin të hajë në paqe, të gjitha këto preokupime fshehin nevojën për ulje ose shkrehje të agresionit, që sjell me vete të parët e ushqimit të dikujt.

Nga përvoja ime, kur qëllon që hyn diku dhe e gjen dikë duke ngrënë, në grup ose vetëm, duhet thënë “Të/Ju bëftë mirë”, dhe këtu pala që është duke ngrënë përgjigjet “bujrum” (“bujrun”), një formulë tradicionale me variante shqiptimi, e cila e ka prejardhjen nga një urdhërore e turqishtes me kuptimin “urdhëro!” (italisht: favorisca, spanjisht buen provecho, sh. Fjalorin e Dizdarit). Ndonjëherë, në vend të “bujrum” dëgjon të thuhet “hajde, urdhëro, ulu” e të tjera të ngjashme, të cilat e ftojnë të ardhurin të ulet në tryezë (në sofër). Ndonjëherë kjo “bujrum” i thuhet tjetrit në momentin që ky sheh se je duke ngrënë, pa pasur ky kohë të thotë “Të bëftë mirë” – lidhja mes dy formulave është opsionale.

Avantazhi i turqizmit bujrum (në forma të ndryshme, si bujrëm, byryn, etj.) është se ai specializohet si përgjigje rituale, në situata të së ngrënit duke nënkuptuar bashkëndarjen (sharing), ndryshe nga urdhëro, që ka shumë përdorime të tjera. Si turqizma të tjerë në shqipen e sotme bisedore, edhe kjo fjalë e ka humbur të paktën një pjesë të kuptimit, gjithë duke e ruajtur “vlerën e përdorimit” – ata që e thonë, nuk janë në gjendje ta përkufizojnë, përveçse duke përshkruar rrethanat (kontekstin) se kur përdoret. Është njësi e ligjërimit që i reziston asimilimit për t’u bërë njësi e gjuhës. Si e tillë, bujrum vjen dhe u afrohet formulave mirëfilli magjike (të tipit abra kadabra), duke marrë një status pothuajse glosolalik – dhe ashtu i shërben kontrollit pothuajse automatik të syrit të keq, duke ndërmjetësuar në raportin me një të huaj që na “gjen” duke ngrënë.

Nëse pranojmë se këto formula lidhen me nevojën për të mënjanuar keqkuptimet dhe tensionet që i shoqërohen ekspozimit ndaj syrit të keq, atëherë do të gjykojmë se personi i tretë, shkelësi (intruder), ai që na gjen duke ngrënë, mund ta shndërrojë ushqimin në diçka të dëmshme, deri në helm, thjesht duke e parë me sy; dhe i ardhuri vetë, duke qenë i vetëdijshëm për këtë kërcënim, kujdeset ta largojë duke thënë “ju bëftë mirë” (ushqimi, pra duke garantuar se ai nuk e lakmon dhe nuk dëshiron që ky t’u bëjë keq atyre që hanë). “Ju bëftë mirë” është një urim, por që nënkupton mundësinë – tashmë të dëbuar nga skena e ndërveprimit – se ushqimi mund të bëjë edhe keq, duke helmuar, ose edhe duke të ngecur në fyt (“ma zure bukën/kafshatën në grykë/fyt”), duke të mbytur e më tej. Tensioni mbetet, por formulat mbrojtëse e mbajnë në nivele të pranueshme.

Përgjigjja njëlloj rituale e atyre që hanë është “bujrum”, duke e ftuar të ardhurin që të ulet të hajë me ta, të ndajë me ta ushqimin, në mënyrë që ashtu të garantohet se ushqimi nuk është prekur nga syri, sa kohë që edhe keqbërësi putativ do të ulet që ta hajë. E gjitha kjo zakonisht vepron në nivelin simbolik, sidomos kur dikush i afrohet tryezës së ngrënies për ndonjë arsye të parëndësishme. Ndonjëherë “Ju bëftë mirë” vjen si përgjigje ndaj “bujrum”, duke përcjellë edhe një lloj garancie nga ana e të ardhurit, se nuk i ka bërë gjë të keqe ushqimit. Një formulë e ngjashme që i thuhet atij që po ha është “gjak e dhjamë!”, variant i “ju bëftë mirë”, që i referohet drejtpërdrejt efektit mirëbërës të ushqimit. “Gjak e dhjamë!” u thuhet edhe fëmijëve kur mbarojnë së ngrëni, sa kohë që këta janë ende tepër të vegjël për të ngrënë bashkë me të tjerët.

Dundes përmend pastaj si këto rituale të syrit të keq janë integruar në kodet e sjelljes në vende të ushqimit publik, si restorantet, duke filluar nga praktika e bakshishit për kamerierin, një dhuratë që – gjithnjë simbolikisht – synon të sigurojë dashamirësinë e këtij, ose të paktën të dëbojë ndonjë zili reziduale për ushqimin dhe mirëqenien e atyre që hanë. Në pajtim me teorinë e tij, se syri i keq than (p.sh. frutin në degë, qumështin në gjirin e nënës ose qumështin e lopës)[1], duke ua hequr lëngun e jetës gjërave, ai vëren edhe që bakshishi në shumë gjuhë i referohet drejtpërdrejt të pirit (gjermanisht Trinkgeld, frëngjisht pourboire, polonisht napiwek, suedisht drincs). Për të njëjtën arsye, një të ardhuri gjatë drekës në shtëpi i ofrohet të paktën “një gotë” (ulu pije një gotë me ne të paktën!), sikurse edhe restorantet i ftojnë ata që presin për t’u ulur që “të pinë diçka në bar”: lëngu, thotë Dundes, duhet ofruar për t’u mbrojtur nga syri i keq.

Ngaqë tani nuk e shohim më të ngrënit si plotësim të një nevoje kritike për jetën, por më shumë e përjetojmë si kënaqësi a ritual, shpesh edhe shoqërizimi ose për riprodhimin e marrëdhënieve me të tjerët, interpretimi më lart i formulave që i bashkëlidhen aktit mund të tingëllojë absurd, ose i pagjasë. Në të vërtetë, gjuha – shqipja si çdo gjuhë tjetër – ka virtytin që të ruajë, qoftë edhe në trajta fosile, preokupime ndonjëherë mjaft të lashta, të cilat përndryshe janë harruar. Dhe janë harruar, në atë masë që të gjithë ne kemi harruar se ka pasur periudha kur vdekja nga uria – drejtpërdrejt ose nga pasojat e tërthorta të kequshqyerjes – ishte kërcënim real për mirëqenien; dhe kur çdo vakt ngrënieje vinte me simbolikën dhe sakralitetin e vet (të cilave u mbivendosej rëndom lutja); siç kemi harruar, shumë prej nesh, se besimi në syrin e keq ishte shumë më tepër se një mekanizëm psikologjik ngushëllimi, përballë së keqes së pashpjegueshme.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Van Gogh, De Aardappeleters 1885.


[1] […] the most common effect of the evil eye is a drying up process – Dunde, vep. cit. f. 274. Edhe Meduza, kur i sheh viktimat e veta, i shndërron “në gur”, duke ua hequr krejt lëngun. Nga ana tjetër, formula “për shëndetin tënd” është gjithnjë pjesë e ritualeve të të pirit alkool.

1 Koment

  1. Ky shkrim interesant me beri te mendoj rreth shprehjes “Hedh nje budalla nje gur ne lume dhe 100 te mençur nuk e nxjerrin dot”. E kam fjalen qe kjo puna e “syrit te keq” do te kete nisur si pasoje e ndonje koincidence fatkeqe, qe ka sherbyer si pune guri. Pastaj te tjere do te jene munduar te gjejne ndonje shpiegim (gjithmone te mencurit kete bejne), dhe papritmas nje koincidence tjeter fatale ka shtuar edhe nje gur tjeter and the rest is history.
    Nuk perjashtohet edhe qe gurin e kane hedhur te mençurit (shamane, magjistare, klerike) per arsye indoktrinimi dhe masa budallaqe nuk eshte munduar fare ta nxjerre gurin, perkundrazi ka thare lumin duke e mbushur me guret e vet. Nqs eshte kjo e dyta atehere shrehja me siper humb kuptimin, por mund te mare kuptim nje shprehje tjeter psh “Ca te mençur hedhin kastile nje gur ne lume dhe 100 budallenj vazhdojne te hedhin gure deri sa e thajne lumin fare”.

Lini një Përgjigje te duledupicardAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin