KURVA E MINERVËS

nga Arjan Shahini

Metaforave shekspiriane,[1] që shpallin/paralajmërojnë ngjarje më të mëdha se fenomeni që përshkruajnë, si “Bufi i Minervës fluturon fill pas rënies së muzgut”, u shtohet edhe ajo për inteligjencën artificiale: “Gato nuk është fundi. Gato është fillimi.” E para nga W. F. Hegel. E fundit nga O. Vinyalis[2]. Spanjolli inxhinier i inteligjencës artificiale (Alphabet Inc., Google) flet për Makinën Gato[3]  (për të ardhmen pas krijimit të agjentit gjeneralist).  Gjermani filozof flet për rolin e filozofisë, e cila e merr fjalën në fund, pas ngjarjes (pas shtetit e politikës).

Prompt: a middle-aged woman sitting on a bench::0.7 (weight), a town burning in the background

-1-

Për inteligjencën kolektive (të turmës) kemi folur më parë. Për inteligjencien e Shqipërisë si periferi është krijuar kjo platformë këtu. Ndërsa pak është trajtuar në këtë kuvend inteligjenca artificiale. Kjo i zgjeron e globalizon ca më tej intepretimet, narrativat, e perspektivat e inteligjencës kolektive. Çfarë ka qenë lokalizuar sipas kontekstit socio-politik merr tjetër valencë. Ngjarjet ri-simulohen. Dukuritë e kaluara dhe të ardhme aktualizohen.

Makina na jep të tjera interpretime e hap shtigje narrativash të reja në tekst e figurë.  Këto janë ndonjëherë të vështira për tu ndjekur nga lexuesi i panjohur apo i pastërvitur me të lexuarin apo të shkruarin fraktal të Makinës. Lexuesi ftohet të ndjekë vizualizimet dhe titujt e figurave që i kanë gjeneruar ato[4]. (Për stilin monoton të AI, që i ngjan atij të shkrimtarëve profesionistë, shih librin e fundit të Tyler Cowen. Për narrativa fraktale nga  jo-bot shih Idlir Azizin.)

-2-

Sjell këtu dy shembuj narrativash të vogla nga ligjërimi i inteligjencies në Tiranë. I pari ka të bëjë me interpretimin e shprehjes “Fshati digjet. Kurva krihet”. Ervin Qafëmolla e kuptonte si subversiv gjestin e krehjes. Si zgjedhje racionale e “trimëri” gjatë “apokalipsit”. Ai e dënon si hipokrizi pohimin e vëzhguesit se kurva krihej ndërkohë që fshati digjej. Shembulli i dytë është  shqipërimi i një vjershe të W. Yeats nga Edon Qesari[5] (“Ajo vajzë e marrosur këndonte aty për aty. Poetika e saj, i vallëzonte rërës përmbi … .”). Këtu përcillet historia e një vashë të lojtur që injoron realitetin e vështirë dhe i imponon refrenin e këngës së saj botës.

-3-

Inteligjenca kolektive e simuluar në komunitetin digjital të Facebook ngre pikëpyetje mbi këto intepretime.

P.sh. vihej re nga reagimet ndaj interpretimit të Ervin Qafmollës mbi “Fshatin digjet. Kurva krihet,” se vëzhguesi ishte nxituar ne gjykim. Ngjarja kishte shume te panjohura dhe autori anonim i shprehjes vetëm sa e kishte reduktuar kompleksitetin. Ai ishte marre me efektin dhe jo me rrethanat e origjinën e ngjarjes. Gruaja mund te ketë qene e keqtrajtuar apo e marre peng ne ndonjë bodrum. Ose ajo ishte ndonjë antropologe dhe fshatit i mungonte terminologjia e botëkuptimi për ta cilësuar e njohur si të tillë. Dikush e interpretonte si një gjest erotik të krehurit, dhe ndoshta nënkuptonte vazhdimësinë e jetës gjatë katastrofës. Një tjetër synonte të dinte moshën, a thua se kjo do qartësonte rolin e saj në ngjarje, si viktimë, e shpaguar në zallamahi, apo hakmarrëse. Edhe zoti Shyti e kish parë të arsyeshme të përfshihej në këtë diskutim. Para disa vitesh në një nga simulimet e tij të dialogjeve sokratike në bufenë e lagjes. Por duket sikur ai synon të kolektivizojë kurvën, duke refuzuar ta njohë e përvetësojë aktin subversiv të krehjes.

Prompt: drawing of a woman being observed through a key hole, red yellow, fire, watching a town burning from the window

Ndërsa në rastin e poezisë së Yeats, zgjuarsia e turmës propozonte leximin alternativ se vajza e krisur ishte statuja e anijes së vjetër me vela, e hedhur gjëkundi në barkun e një avulloreje. Çfarë në këtë rast do të simbolizonte çmagjepsjen me shtysën e eksplorimit dhe zbulimit gjatë industrializimit e post-industrializimit. Sot interpretuar si rrëmimi për G-Spot me qysqi nga proletarët, apo me harta digjitale (Google map) e GPS nga komuniteti mashkullor digjital.

Prompt: Female centaur surfing in space, 80s arcade videogame

-4-

Të tjera lexime të këtyre dy ngjarjeve, kurvës që krihej dhe vashës që këndonte, ofron inteligjenca artificiale. Rrëfimet alternative nuk shfaqen si akte subversive. Por si momente njohjeje.

Në lidhje me “Fshati digjet. Kurva krihet.”, algoritmet vollën tre trope kryesore: (1) historia vijon me dhunë nga turma, (2) me gjykime morale nga grate e fshatit, (3) burra që presin derisa kurva të krihet. Kjo e treta është më interesantja, se është marrë nga Odiseja (Penelopa që tirrte pëlhurë për të mbajtur dashnorët afër e njëkohësisht larg), çfarë tregon se shprehja ka ardhur nga lashtësia (për ata që duan të tjerrin akoma, ka hapësirë për të shkuar deri tek periudha pellazgjike apo mitologjia e Maya-ve).

Prompt: maya drawing of a woman holding a head surrounded by horny-looking dwarfs

Në metaforën e pare kuptojmë se Kurva (si Bufi i Minervës) shfaqet kur gjithçka është shkrumb e hi. Jo si feniks që digjet vetë, por si bufi që nis fluturimin pasi ka rënë muzgu. Pas atëherë mund ta nisë fluturimin e saj Kurva e Minervës. Të jetojë. Të krihet. Të filozofojë. Pa u shqetësuar nga historitë e fshatit, të kaluarat e të ardhmet. Ajo nuk është revolucionare, por filozofe. Nuk i ka vënë zjarrin, e as synuar ta fikë. Por reflekton dhe e studion atë. Këtë na e zbulon Makina.

Prompt: steampunk drawing red woman with a figure like a keyhole::0.7, sci-fi cyberpunk, gothic colors, a town in the background burning

Piktura sipër duhet të tregonte një vajzë veshur me të kuqe në vitin 2300, si një krijesë e dalë nga ndonjë film Cyberpunk. Më tej është puna e Makinës që tregon mundësitë dhe kufijtë e saj. Piktura do të ishte e arrirë nëse do t’i shtoja lirikës[6], të krijuar po nga Makina, zërin e Diamanda Galas [7]:“Ajo mendon për të gjithë/ dhe si do i vejë puna dynjasë. / Mendon për të gjithë fëmijët, / dhe për prindërit që u vajtojnë / Ajo mendon për gjithë atë pikëllim, e ç’do të lindë prej saj. / Minerva Kurva, Minerva Kurva/ Kreh flokët zuzarja/ teksa fshati zhuritet. / E di se do të ikë/ e nuk do kthehet më.”

Kënga dallon nga ajo e Billy Joel, po është funksionalisht ekuivalente me të (“We didn’t start the fire/ It was always burning, since the world’s been turning/We didn’t start the fire/No, we didn’t light it, but we tried to fight it”).

Një tjetër lexim sjell piktura më poshtë e krijuar nga Makina dhe unë: një sirenë që loz një videogame afër një akuariumi ku është robëruar (mbahet e konservuar) një balenë (nga Moby Dick, por algoritmi nuk e pranon termin “dick”).

Prompt: inside an arcade “a mermaid playing videogame in a spaceship waving at a cubic draw of white whale” futurist

-5-

Mëtohet se këto produkte artistike, prodhimi i artit me fjalë kyçe nga Makina (prompts), janë përpjekje dembele për të krijuar art. Art që është i konservuar në kohë, pse Makina niset nga çfarë është prodhuar dhe nuk orientohet për nga e ardhmja. Madje ka filluar një lloj revolte në Reddit, sidomos në forumet e simpatizantëve të fantashkencës që e shohin Makinën si kërcënim për krijimtarinë. Por prompts janë si novela dhe çelin rrugë të tjera rrëfimesh e interpretimesh edhe kur nuk realizohen siç pritet apo se fillojnë nga e kaluara. Rezultati është më shumë rastësor se i qëllimtë. Dhe unë nuk shoh ndonjë dallim ndërmjet iteracioneve të artistëve, frymëzimeve, plagjiateve, dhe prompt-eve të mia. Çfarë më jep vetëbesim të ndërroj profesion e të bëhem “prompt engineer.”

Arjan Sh. – Ph.D. in prompt engineering.

-6-

Përfundimisht, inteligjenca kolektive mund të na nxjerrë nga këndvështrimet provinciale apo periferike, por së bashku me Makinën. Jo vetëm në këto narrativat e vogla, por edhe ato të mëdhatë, politike a shkencore. Ndoshta Makina ndihmon edhe në hartimin e skenarëve më pak të dhunshëm se modernizmi e nacionalizmi, apo metaforat e tyre që u përplasen këtyre brigjeve si fashizmi, socializmi apo kapitalizmi.

Prompt: a cubist painting of a bearded man washing his feet on the shore overwhelmed by large fluffy waves, in step by step

© 2022 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] E para sipas Lex Fridman, e dyta sipas Ernst Bloch, dhe e treta sipas meje.
[2] https://www.youtube.com/watch?v=aGBLRlLe7X8
[3] https://www.deepmind.com/publications/a-generalist-agent
[4] https://onceuponabot.com/story/d4fec62f-6916-47ec-8ed1-acface79f35e.  Mbi aspektin teknik shih: “How AI Image Generators Work (Stable Diffusion / Dall-E)”, https://www.youtube.com/watch?v=1CIpzeNxIhU
[5] “A crazed girl.”
[6] GPT-3 – She thinks of all the people there / and how their lives will turn. / She thinks of all the children/ and how their parents mourn / She thinks of all the sorrow/ and how it soon will turn. / The prostitute combs her hair/ as her village burns. / She knows that she’ll be leaving there/ and never again will return.
[7] E provova ne https://melobytes.com/ por doli kot. Duhet ndonjë nga ato shërbimet e kushtueshme.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: