LUFTË MËRZISË

nga Arjan Shahini

Kush ka shkruar ndonjë monografi për historinë e Shqipërisë, besoj se i është dashur të luftojë me mërzinë. Unë së paku po. Janë të njëjtat tema, të njëjtat problematika, që i kanë studiuar vendas dhe të huaj. Përsëriten, ri-zbulohen, ri-paketohen, ri-formatohen. Në thelb po ato teza. Sikur të prodhoheshin në seri nga ndonjë algorithm, bots, makina të ushqyera nga i njëjti korpus, grup tekstesh. Atëherë, si mund ti shpëtojë studiuesi neuroatipik bezdisjes?

doktorandi

Një mënyrë është përdorimi i tejskajshëm i ilustrimeve nëpërmjet vizualizimit, rasteve studimore, anekdotave, etj. I humorit të trashë e të hollë. Vend e pa vend. Këto më kanë ndihmuar të radhis mendimet e t’i largohem me hope pjesës abstrakte të analizës. Besoj se ndihmojnë edhe lexuesin të orientohet. Ose të ngatërrohet. Sipas interesit.

Ilustrimet janë ndonjëherë spontane, jo pak herë budallaqe. Shpërqendrojnë  për disa orë nga puna produktive. Si edhe ky shkrimi. E ndoshta përfundojnë në kosh pak para dorëzimit. Por prioritet është interesi. Për pak orë. Tani ka hyrë në modë edhe disertacioni multi-medial. Ja disa prej ilustrimeve të krijuar nga unë dhe Makina, të cilat kanë lidhje me tematikat dhe kapitujt përkatës.

Kompleksiteti teorik është një tjetër. I jep relevancë temës edhe për qoshet e tjera periferike. Por edhe për të rritur audiencën. Shkruaj me shpresën se diku në Zaire apo Burkina Faso do të interesohet ndonjë studiues anti-kolonialist të shpikë diçka të ngjashme. Rasti studimor e ka ndërruar xhaketën teorike nja katër herë deri tani. Siç thuhet, jo rezultati, por procesi është interesant. Kam synuar një model, template.

Shpresoj pra ta marrë ndonjë andej nga Nepali. Të ndërrojnë emrin e A. Zogut me Tribhuvan Bir Bikram Shah, apo E. Hoxhën me Birendra Bir Bikram Shah, R. Alinë me Dipendra Bir Bikram Shah, e brezin e tranzicionit Berishe-Nano-Rama me Biri Bjeri Shah dhe e përfunduan disertacionin. Adaptohet lehtë edhe për ndonjë nga ish-republikat sovjetike. Jam i sigurt, se po ta fus në një nga këto programet e inteligjencës artificiale (AI) që prodhojnë tekste (GPT-3, apo Sudowrite) dalin së paku 5 disertacione me tematika të ngjashme, dhe përkthyer me AI mund të doktorojë edhe një duzinë.

Lexoja së fundmi këtë librin e V. Nonaj[1] dhe u habita sesi robi mund t’i qëndrojë një projekti kaq gjatë dhe ta përfundoj atë pas 400 faqesh. Është një punë e hatashme. Po aq e ca më shumë kam shkruar edhe unë gati. E më duket pak. Ende rrëmujë. Por më mban ngrehur e gatitu me gishtat në SHIFT+CTRL+DEL (“Çfarë Kastron ke shkruar more Bolivar!”). Lipset një berber, ushtrie.

Kompleksiteti metodologjik gjithashtu i drejtohet një audiencë më të gjerë. Këtu jam ngatërruar ca më shumë se ç’më lejohet. Burimet e të dhënave janë të larmishme më shumë për hir të mërzisë. Nuk do të mungonin analizat forensike të dokumenteve arkivore apo ato të ADN sikur të kisha ca kohë. Ngel në stadin eksperimental dhe eklektik, por dikur duhet dorëzuar.

Disertacioni është më shumë se performativ. Një aventurë e eksperiment. I kthehem ndonjëherë asaj që kam shkruar para dy vjetësh, e nuk e kuptoj. Por jam i sigurtë që dikush do gjejë një kuptim, sikur unë tek lexoj metodën e Niklas Luhmann.

Dall-E: “”drawing of a sitting melting thinking man on a stove burning a book black red yellow” by Rodin”

Në fillim interesin e mbaja duke i dëshmuar vetes se kjo punë kryhet. Edhe duke u shpërqendruar. Lexoj këtë „Artani dhe Minia“ të Kasem Trebeshinës. Nuk e ka gdhendur kronikën e jetës së tij në gurin e prozës, si I. Kadare, por i ka provuar vetes se mund të sjellë Prelude-in e W. Wordsworth shqip në pentametër e ritëm kalldrëmatik (edhe Wordsworth-i donte t’i provonte vetes diç). Ndoshta edhe V. Nonaj. Janë shtuar replikimet e Stephen Kotkin.

Dall-E: “byzantine painting “an escher drawing of tiny stern-looking men knitting from the beard of a holy fat man resembling a diego riviera painting” ”

Unë e kam garën me algorithmet, sidomos këto që përdorin transformers apo modele të ngjashme të Deep Learning. Sipas parashikimeve (Ray Kurzweil), nga 2025-30 do të kemi më në fund singularity. Makina që do të “mendojnë” si robi. Ndoshta do të mendojnë më shumë si M. Todorova, A. Vehbiu, S. Kotkin, F. Lubonja, etj. sesa unë. Këta kanë shkruar shumë tekste. Për këta makina mund të parashikojë me një probabilitet të pranueshëm fjalinë e radhës. Makina është e ngopur, do prodhojë.

Transformers-it që përndjekin çdo kërkim në Google. Që synojnë të influencojnë. Se nëse nuk mendojnë si robi, do bëjnë robin të mendojnë si to. Ndërsa po të mendojnë si robi, do të shprehin edhe budalliqe me premisa të arsyeshme. Pak a shumë si ky paragraf. Prandaj ato mund të përballen vetëm me kundër-modele kaotike e paradokse. P.sh. fjali sharrë, me dy-tre tokens. Pa elaborime, shpjegime, strukture hierarkike, asocacione prej nga të kapet rrjeti neural. Rrëfimi është konfiguruar si lëvizje në një gjeometri qëllimisht çoroditëse. Jo rizoma. Por as hapësirë euklidiane.  Jo për t’i shpëtuar matricës. Por për ta zotëruar atë duke i folur në të njëjtën gjuhë jointeligjente. Dmth. një k..llik! – do nxitohej dikush. Prit! – do i gjegjej një i ngeshëm. Interesant! – një mendjehapur.

Dall-E: “”drawing of lilliputs dancing on the large carpet like beard of a giant resembling karl marx chewing on a lollipop” digital art

Nga fundi mendoj se interesi mbi temën mund të mbahet duke u grindur. Grindja si objekt analize dhe strategji rrëfimi. Kryesisht në pjesën e prezantimit të literaturës. Sherr me grup autorësh, shqiptarë e të huaj. Të gjallë a të vdekur. Polemikë e ashpër. Pa kurrfarë respekti, mëshire, apo mirëkuptimi. As për kohën e tyre, e as për timen. Shoh pra sherr. Edhe aty ku koha e interneti kanë fshirë gjurmët.

Nuk jam marrë me këtë, por jam kureshtar sesi do e lexonte audienca e sotme, pa lidhje familjare me asnjërin prej tyre, sherrin ndërmjet I. Kadaresë dhe K. Trebeshinës.  Fundja Trebeshina mëtonte se shkruante për të ardhmen. Si Trebeshina dhe Kadare luftonin me taborë. Kapedanë të qëmotit. I pari kishte lënë një përmetar ish-ushtarak t’ia shkruante biografinë, herën e parë gjysmë plagjiat [2]. I dyti, siç mund të gjykohet nga stili i shkrimeve anonime te Gazeta 55, kishte mobilizuar motrën e tij. Kjo shkruante me pseudonim dhe ndihmonte penën e një tjetri[3]. Trebeshinës së burgosur për përballje teorike e praktike me nomenklaturën i dyshohej disidenca! Ndoshta e ka studiuar ndonjëri këtë sherr dhe pasojat mbi praktikën dhe politikat e letërsisë dhe botimeve. Kanë qenë përfshirë e rreshtuar intelektualë e botues. Interesant pra për të kuptuar fragmentimin klanor të inteligjencies shqiptare. Inteligjencia, një dukuri po aq moderne, sa edhe feudale, në organizim dhe aspirata. Ngjashëm me komunitetin shkencor në Shqipëri, e gjetkë. Por kujt i duhet kjo lloj historie? Konflikt elitash që mobilizojnë vegjëlinë. Në thelb banale dhe provinciale gjithsesi. Le të shkruhet e të humbë në Facebook me interesin e vëmendjen kohëshkurtër.

Kështu, një mënyrë tjetër për t’i shpëtuar bezdisjes ishte të merresha me një periudhë të gjatë kohe e disa tematika njëherazi. Shtriqur e zgjatur sa vertikalisht e horizontalisht. Ma lejon 500 fletëshi. Sherr me berberin.

Ndoshta nuk i duhet as kjo e imja dikujt, por shoh librin e V. Nonaj, mbi 70 EUR. Kush e blen? Mu desh ta merrja me inter-library loan. Në mos gaboj e kishin nja tre-katër biblioteka në Gjermani. Kam parë edhe të tjerë shqiptarë që kanë botuar për tema mbi Shqipërinë me çmime tepër të larta. Nuk besoj se fitojnë ndonjë kacidhe nga kjo punë, sidomos kur shumica i kanë nxjerrë shpenzimet e studimit nga bursat e studimit. M’u kujtua një italian, libri i të cilit mbi Shqipërinë ka 3 citime, dy nga po ai, dhe nuk e jepte librin. Aq citime i kanë ngelur!

Nëse nuk paguan biblioteka e universitetit për Open Access me ato versionet e argjendta a të florinjta, do ta publikoj vetë në Bookdown. Kështu do të shpëtojë për disa kohë nga mërzia se do të merrem me publikimin e hapur të të gjitha të dhënave dhe skripteve.  Kuptohet falas dhe open source (Creative Commons Attribution–Share Alike License, CC BY-SA).

E së fundmi shkëputje të gjata, disa javë a muaj. Si këtë javë. Kështu harroj se çfarë kam shkruar. Dëgjoj për njërin që ia kushtoi disertacionin bashkëshortes. Me të drejtë. Ajo e kishte duruar tek fliste pa fund mbi temën, vinte vonë, e takoheshin vetëm fundjavave për pak orë. Kur u divorcuan, u bë pishman për dedikimin. Qyqari. Duhet të ish bërë pishman për disertacionin.

Sugjeroj së fundmi dy seriale. The Boys (Amazon, 2019) mbi disa mbiheronj. Një sarkazëm për programet televizive të trashjes dhe budallallepsjes masive (Big Brother, MasterChef, etj.). Me nota humori tregon sesi konkurrenca mashkullore (mizore, asgjësuese, e seksiste) është normë sjelljeje në botën korporatiste e atë televizive. Një alegori po aq komike e me mbiheronj është edhe Peacemaker (2022). Ky tall fundshpinën me teoritë konspirative majtas e djathtas.

(c) 2022 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Nonaj, Visar. Albaniens Schwerindustrie Als Zweite Befreiung? “Der Stahl Der Partei” Als Mikrokosmos Des Kommunismus. Südosteuropäische Arbeiten 162. Berlin: De Gruyter Oldenbourg, 2020.

[2] Dragoj, Nuri. Trebeshina, një jetë para gjyqit [Trebeshina: Summoned to Life]. [Botimi i 2.]. Tiranë: Globus-R, 2007.

[3] Sadik Bejko. Disidentët e Rremë.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: