NËPËR BIOGRAFIRA – STUDENTËSH

nga Arjan Shahini

Shkrimet e fundi në Peizazhe diskutojnë mungesën e një qasje kritike ndaj biografive. Ato trajtojnë  konfuzionin që shkaktojnë jetëshkrimet në interpretimin e veprës letrare (p.sh., A. Vehbiu) apo shkrimin e historisë (E. Qesari).  Kritikat kanë merita. Por nuk mohohet se biografitë kolektive e individuale janë relevante në interpretimin e ngjarjeve historike apo veprave letrare, edhe pse ato duhet të plotësohen me studime e burime të tjera.

Këtu ndaj disa reflektime mbi problemet që kam hasur me kujtimet dhe biografitë e studentëve shqiptarë jashtë vendit gjatë një analize historiko-sociologjike krahasimore të përvojave arsimore të elitës intelektuale, rolit të shtetit, dhe ndikimet e jashtme kulturore.

Së pari, një pjesë e biografive, autobiografive apo analizave të ngjashme nuk gjenden, as në Bibliotekën Kombëtare ose nuk jepen (p.sh. disertacioni i Zyhdi Dervishit më është refuzuar nga biblioteka)[*]. Disa as nuk jam lodhur t’i gjej, përvetëm se kur janë online me copëza nëpër forume ose gazeta ditore.

Kam shpërfillur ato që janë publikuar nga shtëpi botuese të vanitetit. Sikur kujtimet e E. Hoxhës, që e hapën këtë lojë në vitet 1980, ato nuk më janë dashur. Po ashtu kam injoruar biografitë e ish-burokratëve të nivelit të ulët apo ushtarakëve me taraf të gjerë, pse nuk janë vëzhgues të mirë dhe janë të parëndësishëm për rrethanat politike apo ngjarjet që më interesojnë. Zakonisht këta autorë prezantojnë lista shokësh, rindërtojnë dialogë, e rrëfejnë ngjarje jo relevante për historinë kolektive. Megjithatë, edhe në këtë tallash kam gjetur detaje për ngjarje edhe mundësi për të kryqëzuar rrëfime nga këndvështrime të ndryshme.

Veçoj atëherë biografitë individuale të Jusuf Vrionit[1], Ismail Kadaresë[2], apo biografitë kolektive të N. Clayer[3] mbi studentët në Turqi, të Ali Asllanit mbi studentët në Austri[4] dhe Francë[5], dhe të Vladimir Misjes[6] mbi studentët në Bashkimin Sovjetik.

Clayer mbulon gjeneratën e parë të inteligjencies shqiptaro-otomane të viteve 1900, me përvojë arsimore të shkollimit osman nën ndikimin e kulturës franceze. Biografitë kolektive të A. Asllanit dhe ajo e individuale e J. Vrionit janë për vitet 1920-1930 dhe përfaqësojnë gjeneratën e dytë të inteligjencies nën ndikimin arsimor kulturor austriak dhe francez.  Nuk kam hasur në një trajtim biografik kolektiv të gjeneratës së tretë nën ndikimin italian veç asaj të gjermanit Tonnes [7]. Por këtu ka studime nga B. Pula,[8]  R. Gurakuqi[9] e E. Qesari[10]  dhe pse kryesisht fokusuar mbi E. Koliqin. Gjenerata e katërt e inteligjencies nën ndikimin Sovjetik prezantohet nga Vladimir Misja dhe në disa vepra individuale si ajo Ismail Kadaresë apo e Hamit Beqes[11]. Nuk njoh trajtime sistematike biografike kolektive mbi brezin e pestë arsimuar kryesisht në Shqipëri, veç analizave sociologjike si ajo e S. Lleshit[12] apo I. Gëdeshit[13]. Brezi i gjashtë nuk është homogjen për nga përvoja arsimore (p.sh. Gëdeshi evidenton se një pjesë kanë shkuar nga Italia apo Franca në Amerikë për studime pas-universitare).

Asllani është bazuar mbi gazetat e rrëfimet e familjarëve. Është një studim jo shkencor e sistematik,  por është një punë voluminoze dhe për t’u lavdëruar. Përdorimi i librave të Asllanit u kritikua nga A. Doja si historiografi amatore. Por gjurmimet e tij lejojnë përgjithësime mbi fatin kolektiv të studentëve shqiptarë jashtë.

Për shembull, nëse pranohen të dhënat biografike të individëve të trajtuar nga Asllani dhe kuantifikohen, rezulton se probabiliteti i persekutimit për studentët nga Franca apo Austria ka qenë më i lartë nga ai i studentëve nga Bashkimi Sovjetik, dhe i barabartë me të diplomuarit në Itali. Pra teza se regjimi komunist ka qenë anti-intelektual duhet konsideruar jo vetëm në aspektin teorik, elita komuniste ka qenë progresiste e (multi-, Soviet-)moderniste, por edhe atë empirik. Analiza mbi persekutimin e inteligjencies para-komuniste duhet të marrë parasysh përkufizimin e intelektualit, përkatësinë klasore të këtyre individëve, pjesëmarrjen në opozitën politike apo kulturore, etj.

P.sh. libri i J. Vrionit, që në shqip do të kishte përfituar nga një redaktim i mirë, tregon se rasti nuk është përfaqësues për gjeneratën e tij, së paku me evidencën aktuale. Nuk ishte një student tipik shqiptar, si ata që ishin me bursa shteti apo punonin. Nuk ka qenë student aktivist. Ka qenë më shumë i përfshirë në qarqe kulturore e aristokrate, kryesisht fashiste, për të cilat e kritikon veten disa herë në libër. Mund të cilësohet si përfaqësues i intelektualëve të persekutuar, por fati i tij varet edhe nga përkatësia e tij klasore. Edhe rehabilitimi i tij më pas nuk mund të përgjithësohet si rehabilitim i nacionalistëve të vjetër në periudhën anti-Sovjetike gjatë aleancës me Kinën. Ngelet rast i veçantë që u detyrohet rrethanave familjare. Irrelevante për trajtime historiografike; veç nëse familjarë të tij diplomatë në Itali kanë pasur rol tjetërkund.

Injoruar gjysmën e librit që përmban informacione mbi Petrogradin që sot lexohen në Wikipedia, biografia kolektive e studentëve në Bashkimin Sovjetik nga V. Misja vlen për të mësuar fatin e tyre pas studimeve.  Kurse kujtimet e I. Kadaresë janë vetëm pjesërisht përfaqësuese, sidomos për një intelektual të përfshirë në jetën kulturore sovjetike. Ato ngjajnë më shumë me vëzhgimet e J. Vrionit: autorët janë vëzhgues të mirë, por të një shoqërie dhe kulture që nuk është përditshmëria e studentëve shqiptarë. Megjithatë, në rrëfimet e tij të stilizuara, dhe të ndotura nga refleksionet politike të kohës, sidomos nga qëndrimi anti-sovjetik i regjimit, lexohet nostalgjia për jetën studentore. Hamit Beqja është më transparent e i thjeshtë. Përvoja e tij pozitive përputhet me ato të studentëve të tjerë e raportet që dërgoheshin nga ambasadat për studentët.

Sidoqoftë, përvojat nga biografitë kolektive, edhe rezultatet e studimeve sociologjike apo demografike shqiptare nuk mund të përgjithësohen për shkak të numrit të panjohur të studentëve që mbulojnë. Por kuadri plotësohet nga teoritë e studimet e ngjashme në vende të tjera apo krahasuese.

P.sh. Asllani mbulon më pak se 30% të studentëve në Francë apo në Austri, rreth 360 studentë në total. Kur numri i saktë i studentëve për periudhën 1920-1945 nuk dihet (ndoshta 1500-2000). Ndërsa listat e V. Misjes mbulojnë më pak se 10% e ish-studentëve  në Bashkimi Sovjetik (200 nga rreth 1200).

Aktualisht, studimet demografike të I. Gëdeshit (2000-2018) bazohen mbi sondazhe metodologjikisht të paqarta. Sa kohë që autori nuk publikon të dhënat, studimet e tij nuk më duken bindëse. Këto sondazhe, diku te 700-800 persona për sondazh (2006-8, 2016-2018), mbulojnë një numër të vogël të studentëve jashtë (p.sh. në vitin 1998 kanë qenë 4.6 mijë studentë, në vitin 2005 rreth 15.2 mijë, dhe 24.4 mijë në vitin 2016, shifra të raportuara nga Gëdeshi dhe UNESCO[14]). Kampionimet  janë të paqarta dhe jo përfaqësuese.  P.sh. një pjesë e madhe e pas-universitarëve rezultojnë, sipas sondazheve, në SHBA dhe Francë (prej 2010 numri mesatar vjetor i studentëve shqiptarë në SHBA është rreth 700, ndërsa në Itali rreth 10 mijë).

Kjo veç faktit që pjesa më e madhe e studentëve jashtë nuk diplomohen jashtë. Asllani raporton një numër të vogël studentësh që janë sëmurë, vdekur, apo kanë ndërprerë studimet, por nuk është domethënës sa kohë nuk dihet numri total. Ndërsa nga rreth 3000-3500 studentë jashtë vendit nga 1945 deri në vitin 1980, janë diplomuar me gjasa më pak se gjysma (pjesa më e madhe e dërguar në Jugosllavi dhe Kinë nuk janë diplomuar). Një vlerësim i Komisionit të Lartë të Shtetit mbi personat e diplomuar jashtë raporton 1671 persona deri ne vitin 1971, pa përfshirë ata që ishin larguar nga vendi para 1945.

Përqindja e të diplomuarve jashtë është edhe sot e ulët, sidomos krahasuar me arsimin në vend. P.sh. në Itali vetëm rreth 13-14% e studentëve arrijnë të diplomohen brenda 6-viteve (25-30% në Shqipëri për 2010-2016), dhe numri i atyre që ndërpresin studimet duhet të jetë mbi 50%. Në Gjermani, ku numri i studentëve është rritur aktualisht në mbi 2000 në vit, përqindja e studentëve ndërkombëtarë që ndërpresin studimet është rreth 50%, dhe kaq mund të jetë edhe për studentët shqiptarë. Në SHBA mund të jetë më e vogël, diku te 15% sipas disa vlerësimeve, por ka dallime të ndjeshme ndërmjet institucioneve.

Një tjetër problem i analizës së studentëve jashtë si objekt studimor sociologjik është edhe klasifikimi i tyre si studentë, teknikë, emigrantë, intelektualë, apo thjeshtë konsumatorë diplomash jashtë vendit pa pasur përvojë aktuale studentore. Në një rrafsh analitik kjo nënkupton edhe analizën e aktivitetit të tyre politik e kulturor, që mund, ose edhe jo, të konfirmojë kitsch-in nacionalist.

Nga Asllani merret vesh se një pjesë e studentëve kanë qenë emigrantë, sidomos studentët në Francë. Kurse një pjesë kanë qenë të regjistruar në arsimin jo-universitar, në institucione të arsimit profesional si institute bujqësore apo ekonomike në Francë dhe Austri. Në Francë kanë qenë regjistruar edhe në institucione të arsimit të lartë që lëshonin diploma pa vlerë për tregun vendas, pasi ishin institucione të krijuara për administratën koloniale. Spekuloj se këta ishin kryesisht juristë dhe ekonomistë që përfundonin shkollat me korrespondencë, por të dhëna nuk ka. Aktivizuar politikisht, kryesisht në vëllazëritë/djelmëritë studentore, ishin kryesisht studentë universitarë. Aty ishin edhe sivëllazëritë e ngjashme katolike e nacionaliste të vendasve apo të kombeve të tjera. Ishte pastaj e natyrshme që këta të ndiqnin trendet e inter-nacionalizmit perëndimor, fashist apo komunist, në Itali e Austri apo në Francë e Bashkimin Sovjetik.

Edhe gjatë regjimit komunist një pjesë e studentëve kanë qenë të regjistruar në institucione dy apo tre-vjeçare të arsimit profesional jo-universitar e akademi ushtarake apo politike të ngjashme në Jugosllavi, Bashkimin Sovjetik, Kinë, e në vende të tjera të lindjes. Një pjesë ishin specialistë të punësuar nga ministritë që i dërgonin. Aktiviteti politik e kulturor studentor ishte i rregulluar, p.sh. nëpërmjet organizatës së partisë, por edhe i larmishëm e i pasur, sidomos për studentët universitarë që për shkak të kohës së gjatë dhe njohjes së gjuhës ishin edhe më të akulturuar.

Ndërsa sot studentët janë të regjistruar kryesisht në arsimin universitar. Sipas studiuesve si I. Gëdeshi, studentët jashtë mund të cilësohen edhe diasporë, jo thjesht emigrantë. Veç arsyes se ka projekte me financime ndërkombëtare për qarkullimin e trurit që duan t’i mobilizojnë, këta përkufizohen kështu edhe për interesin që tregojnë për vendin e tyre.

Ndërsa organizimi studentor është thjesht koniunktural. Kështu janë p.sh. përpjekjet OJQ-iste për të angazhuar diasporën dhe instrumentalizuar për përfitime politike afatshkurtra. Si Shoqata e Studentëve që u përdor për të krijuar Mjaft, organizimi virtual[15],  apo organizimi i rreth 800 studentëve shqiptarë të regjistruar në Ekuador deri në 2018, të cilët duhet të ketë qenë drejtuar nga ndonjë organizatë e trafikut njerëzor.

Çfarë na sjell në objektin tjetër të studimit që nuk trajtohet këtu: Sa të suksesshëm kanë qenë ish-studentët jashtë vendit në sipërmarrjet e tyre politike? Nëpërmjet metodave të shkencave politike, burimeve parësore, dhe biografitë, sidomos ato kolektive, mund ti jepet një përgjigje edhe kësaj.

Historianët mund të zhvillojnë nga studimet biografike dhe analizat sociologjike-politike edhe narrativa prezentiste historike. P.sh. mbi rolin domethënës të studentëve jashtë vendit në historinë e Shqipërisë në revolucionet e dhunshme apo paqësore në Shqipërinë e periudhës 1920-2005. Revolucionet e F. S. Nolit,  E. Koliqit, E. Hoxhës, S. Berishës (1991, KOP-2005), edhe të E. Ramës (2004-Mjaft, 2013). Të gjitha të ndërthurura edhe me krizat ekonomike e politike në rrafsh global.

Me krizën aktuale globale ekonomike ka gjasa që një valë tjetër revolucionesh të na përfshijë. Natyrisht studentët do t’u bashkohen sipërmarrësve të revolucionit të institucionalizuar (Rama, Berisha, Meta) e kronikanëve të tyre (M. Nano, M. Baze, B. Blushi). Këta po lidhin ushkurët e mprehin shpatat e penat përkatësisht (ka filluar seriali GoT – House of the Dragon, meqë ra fjala).

Për shembull, në vitet 1920-1930 rendit feudal në Shqipëri iu desh të akomodojë një grup të madh studentësh që u kthyen të prekur nga kriza ekonomike dhe politikat anti-emigratore në Francë e Austri. Rreth 500 studentë të papunë e kohëboll për t’u eglendisur me ide revolucionare e nacionaliste nga Perëndimi e kishin të vështirë të punësoheshin në një rend ekonomik të prapambetur apo në administratën e kapur publike që qeverisej nga familjet e mëdha feudale. Më mendjendriturit dhe aktivistët u ndanë në dy grupe, por mendonin njësoj. Disa më të padurueshëm se të tjerë në vizionin Perëndimor për të ardhmen e Shqipërisë. Sikur radikalë të tjerë në botë, besonin në revolucion. Ndaheshin veç në mjetet që duheshin përdorur dhe mbështetjen financiare e ideologjike (Italia apo Bashkimi Sovjetik). Ishin kryesisht meshkuj e kompetitivë. Kur grupi komunist triumfoi për rrethana të jashtme e të brendshme, përthithi edhe tjetrin. Por volli dhunshëm çfarë nuk treste.

Me këtë krizën ekonomike globale dhe luftën disa qindra kilometra larg, presim ndoshta tjetër revolucion. Dikush mendon se studentët e kthyer aktivistë enden bareve me laptopa nën sqetull e duke porositur pije me kode hexadecimal-e. Se prehen në shtretërit e beqareve të mençura e të pavarura financiarisht të Tiranës. Apo se eksperimentojnë të pasigurt në seksualitetin e tyre kur nuk punojnë deri vonë duke hartuar raporte për administratën e shtetit (Bashkinë e Tiranës e Ministrinë e Financave), apo organizatat e shoqatat ndërkombëtare (PNUD, World Bank, Soros Foundation), të cilat nuk i lexojnë as porositësit, as financuesit, e as politikëbërësit. Por, pasiguria, papunësia, parehatia, pritshmëritë për shumëçka e zhgënjimi me gjithçka i bën më të rrezikshëm. Sikur mirëushqyerja e palestrimi bicepësh.

Tani një student jashtë vendit nxitohet të pyesë si t’i shpëtojmë këtij revolucioni. Mund të parashikohet se revolucionarët janë kryesisht të shkencave sociale. Edhe viktimat e tyre në këtë lëmi i kërkojnë. Gjasat që të shpëtosh janë më të larta nëse je pa shkollë fare ose me arsim të lartë në disiplinat e mjekësisë, kimisë, matematikës, apo inxhinierisë civile; me pak fat edhe nëse je i inxhinierisë së shfrytëzimit të burimeve natyrore. Autodidaktët online duhet të heshtin. Juristët, ekonomistët, mësuesit, administratorët e pallateve, e pompierët e stacioneve të karburantit të mbahen larg. Janë të gjithë o viktima, o keqbërës. Por ka më shumë gjasa të shpëtosh nëse nuk kthehesh fare, e ndoshta as revolucioni nuk bëhet.

(c) 2022 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Shkrimi bazohet në: Shahini, Arjan. “Italian-Albanian Higher Education Policies and Student Mobility from the 1920s to the Mid-1940s.” Annali Di Storia Delle Università Italiane 26, no. 2 (2022): 157–80.


[1] Jusuf Vrioni and Éric Faye, Vrioni Mondes Effaces Souvenirs 1998, trans. Viktor Kalemi (Tirana: Albimazh, 2009).

[2] Ismail Kadare, “Muzgu i Perëndive Të Stepës : Roman” (Tiranë: Onufri, 2006).

[3] Nathalie Clayer, “The Albanian Students of the Mekteb-i Mülkiye: Social Networks and Trends of Thought,” in Late Ottoman Society, ed. Elisabeth Özdalga, 0 ed. (London: Routledge, 2013), 291–311, https://doi.org/10.4324/9780203481387.

[4] Uran Asllani, Studentët Shqiptarë në Austri (Tiranë: s.n., 2000).

[5] Uran Asllani, “Studentët Shqiptare Të Francës Dhe Veprimtaria e Tyre” (Tiranë: ILAR, 2003).

[6] Vladimir Misja, Lidhjet e shqiptarëve me Shën Petersburgun në rrjedhat e historisë. 2006.

[7] Bernhard Tönnes, “Sonderfall Albanien : Enver Hoxhas ‘Eigener Weg’ Und Die Historischen Ursprünge Seiner Ideologie” (München:  Oldenbourg, 1980).

[8] Besnik Pula “Becoming Citizens of Empire: Albanian Nationalism and Fascist Empire, 1939-1943,” Theory and Society 37, no. 6 (2008): 567–96.

[9] Romeo Gurakuqi, “Mbi Qëndrimin Politik të Ernest Koliqit,” Academia, 2012.

[10] Edon Qesari, “Ignorati. La Questione Degli Esuli Anticomunisti Nelle Relazioni Italiano-Albanesi Durante Gli Anni Della Distensione,” in Gli Anni Dell Distensione: Le Relazioni Italo-Albanesi Nella Fase Centrale Della Guerra Fredda, ed. Paolo Rago (Roma: Editori Laterza, 2015).

[11] Hamit Beqja, “Gjurmë Jete : Shënime Autobiografike” (Tirana: Neraida, 2016).

[12] Sokol Lleshi and Teuta Starova, “The Autonomisation of the Cultural Field in Late Socialist Albania and the Emergence of Early Sociological Research,” Stan Rzeczy, 2017.

[13] Ilir Gedeshi, “The Relationship between Migration and Socio-Economic Changes in Albania,” Der Donauraum 48, no. 3 (December 2008): 205–22, https://doi.org/10.7767/dnrm.2008.48.3.205; Ilir Gedeshi and Russell King, “Research Study into Brain Gain: Reversing Brain Drain with the Albanian Scientific Diaspora” (Tirana: UNDP, 2018).

[14] “UNESCO Institute for Statistics (UIS) – Statistics,” 2021, http://data.uis.unesco.org/.

[15] Ngjashëm me vitet 1930 janë edhe përpjekjet e organizimit virtual si forumi Peshku Pa Ujë. Grupe studentësh reflektonin linjat dhe kokolepsjet (entanglements) e konflikteve vendase (liberal/tradicional, socialist/demokrat, anti-islamik/liberalo-konservator-i-humbur-në-kategori etj.). Disa syresh me ambicie politike lanë tastierën e rendën në Ministrinë e Bujqësisë pas viteve 2013. Dhe Peshku pa Ujë sikur shumë përpjekje të Web 2.0 firoi. Ministria e Bujqësisë përfundoi po aq e pasuksesshme.

[*]Dervishi, Zyhdi. “Probleme Të Përgatitjes, Edukimit e Të Rolit Të Inteligjencies Sonë Në Periudhën e Ndërtimit Të Bazës Ekonomike Të Socializmit 1944-1960.” Universiteti i Tiranës, 1986.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: