HOXHA DHE LAROUCHE

nga Arjan Shahini

Çfarë kanë të përbashkët një organizatë anarkiste ish-trockiste, neo-fashiste, anti-globaliste e anti-kozmopolite me nacionalizmin e Enver Hoxhës dhe lëvizjen e sotme kombëtare në Shqipëri?  (Veç leximit të Céline që përmend Ardian Vehbiu.)

Unë vazhdoj t’i shtoj argumente dyshimit tim që Enver Hoxha dhe ekspertët e tij nuk e kishin përgatitjen intelektuale të artikulonin teorikisht pozicionimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Për këtë atij nuk i duhej të vriste mendjen gjatë patronazhit me jugosllavët dhe sovjetikët, por i duhet ta bënte gjatë aleancës me Kinën pas zhgënjimit me të parat. Kështu që argumenteve të mëparshme mbi autorësinë e veprës së Enver Hoxhës  (shih diskutimet këtu: 1, 2, dhe kundërshtimin e A. Vehbiut 3), i shtoj edhe problemin e burimit të mendimit politik.

Atëherë, si mund të studiohet origjina e mendimit politik të anti-kozmopolitanizmit komunist fill pas prishjes me Sovjetikët?

Së pari duke e marrë të mirëqenë supozimin se nacionalizmi u rikthye gjithkund në Evropën Lindore (Rumania, Bullgaria, Polonia), dhe se Shqipëria, sikur edhe Kina, nuk bënin ndonjë përjashtim u ndihmuan nga shërbimet perëndimore të shkëputeshin nga tutela sovjetike. Kështu që në nivelin makro-politik nuk kemi çfarë të hulumtojmë. Të dhënat janë të gatshme e ka studime boll.

Së dyti, duke punuar me një hipotezë: çfarë cilësohet komunizmi-nacionalist (përzjerë me koncepte të Rilindjes Kombëtare, shih Bernhard Tönnes, Fatos Lubonja etj.) është pikërisht përzierja e elementëve neo-fashistë me komunizmin dhe nacionalizmin e mërgatës shqiptare.

Disa koncepte neo-fashiste të ngjashme i gjejmë te lëvizja gati okultiste LaRouche. E nisur nga Lyndon LaRouche (1922-2019), lëvizja është e shpërndarë në disa vende. Fillimet e saj kanë qenë radikale të majta (shih këtu), por nga vitet 1970 ata e kthyen timonin djathtas duke përsëritur të njëjtin refren majtist mbi teoritë e komplotit të globalistëve të Klubit të Romës si një shpikje e elitave globale për të kontrolluar botën. Lëvizja themeloi një agjenci private inteligjence dhe një revistë që i dërgohej disa udhëheqësve botërore. Sot topat e qitjes godasin kozmopolitë si G. Soros.

LaRouche në Gjermani e gjetkë ka pasur parti politike të vogla të djathta. Kryesuesi i lëvizjes në Amerikë ka kandiduar dy herë për president në Partinë Demokratike (National Democratic Policy Committee, LaRouchePac). Në Itali ka qenë e lidhur me parlamentarë të Kristian-Demokratëve (Democrazia Cristiana), më vonë të Aleancës Kombëtare. Në Gjermani (shih këtu) lëvizja përfaqësohet nga Private Akademie für Humanistische Studien;  në Francë, nga Solidarité et progrès dhe Parti ouvrier européen (EAP, Partia Evropiane e Punëtorëve), Fusion (Fusion Energy Foundatio); e të tjera revista pseudo-shkencore e teorish konspirative (p.sh. mbi 11 shtatorin). Në Gjermani dhe Amerikë ka qenë nën vëzhgimin e shërbimeve sekrete, edhe pse ka akuza për bashkëpunim më shërbimet sekrete gjermane, amerikane, edhe ato sovjetike (shih këtu). Shkurt, është një lëvizje e çuditshme.

Së treti, duke u fokusuar në ligjërimin anti-kozmopolit dhe nacionalist. Si janë pasqyruar elementet e ligjërimit konspirativ në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare? P.sh. si është pasqyruar ndikimi i Klubit të Romës, Këshillit të Evropës e organizmave të tjera supra-nacionale në ligjërim: tekstet universitare, studimet e instituteve, fjalime etj.

Dhe së fundmi, duke u marrë me aktorët që kanë ndihmuar në këtë ligjërim. Kush e ka pasur përgatitjen teorike të artikulojë dhe të ruajë koherencën e argumenteve me ligjërimin e sanksionuar? Kush e ka pasur këtë autoritet? Kush e delegoi? Si kanë qenë lidhjet e tyre me mërgatën nacionaliste në Itali (p.sh. Ernest Koliqin), e cila fill pas viteve 1960, nën udhëzimin e SHBA-ve që synonte një shkëputje totale të Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, e pranoi komunizmin shqiptar si të keqen më të vogël ndaj komunizmit internacionalist? Si ka vijuar apo evoluar kjo p.sh. në mendimin politik të këtyre individëve? (P.sh., një studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare i diplomuar në Moskë vazhdon të mendojë në kornizat e teorive gjeo-politike konservatore dhe ka gjasa që gjatë qëndrimit të tij në Amerikë të jetë ndeshur me kësi teorish; Ndërsa një sociolog, idhtar i C. W. Mills, sociologu amerikan që ka teorizuar mbi elitat e kompleksit politik-ushtarak amerikan, idetë e të cilit janë prezente në mendimin politik sovjetik e shqiptar, sot ka evoluar si pro-amerikan e Z. Brzezinski-ist).

Për momentin, e vetmja lidhje që kam evidentuar ndërmjet LaRouche dhe lëvizjes kombëtariste shqiptare është mërgata shqiptare në Itali, më konkretisht punonjës shqiptarë të Radio Vatikanit. Por tematikat dhe konceptet e LaRouche-it mbi anti-globalizmin gjenden gjithkund në diskursin kombëtarist shqiptar gjatë periudhës komuniste dhe të sotme, edhe pse pro-katolicizmi për ndonjë është zëvendësuar me pro-islamizmin (p.sh. Abdi Baleta). Kur A. Vehbiu përmend anti-enveristët që fshehin origjinën e mendimit politik të Enver Hoxhës, mos e ka fjalën për ato shtëpi botuese që kanë përsëritur pikërisht këto teori konspirative që janë në linjë me qëndrimin konspirativ të E. Hoxhës (Gazeta 55)?

Këto janë të gjitha pyetje e hamendësime që me disa intervista dhe hulumtime në arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Komitetit Qendror të PPSH-së mund të gjejnë përgjigje interesante dhe të zgjerojnë dijen në këtë lëmi.

(c) 2021, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: