DIMËR

prozë nga Barbara Gabriella Renzi

Cili është dimri?

Dimri arrin te shtëpitë, rrugët dhe njerëzit që nuk kanë shtëpi, por vetëm rrugën përpara tyre dhe nën shputat e këmbëve. Dimri nuk ua përkëdhel lëkurën, por ua grin me të ftohtë dhe acar dhe ua shuan shpresat. Bien flokëza nga qielli, dhe ajo ulur në një cep, pret pa lëvizur që kjo të mbarojë. Era rrëmben ato pak gjethe dhe ngrin akull mendimet, teksa ajo pret. Dje e pashë t’i lutej të ftohtit që të zhvendosej pak më tutje, te shtëpitë, dhe ta linte të ngrohtit përjashta. Një herë të vetme, një ditë vetëm, për një orë vetëm. Por ai, dimri, nuk e dëgjoi. Ndoshta ngaqë nuk është puna e tij. Ndoshta nuk ka veshë të dëgjojë dhe as gojë të përgjigjet.

Ja ku jam, e palëvizshme, dhe e di që fytyrën tënde e njom shiu dhe dëbora dhe nuk bëj asgjë. Cili është dimri?

Vallja imperiale

Ngrijnë acar mendimet e mia në të ftohtë: qetësia imperiale afrohet ngadalë, dimri na jep paqe. Vjeshta ishte një ecejake shirash. Mendimet ndiqnin njëri-tjetrin, me të shpejtë, në kërkim të zgjidhjeve, të kapur fyti nga emocionet e dekadencës pa fund. Ishte një luftë e paprerë, kapitëse dhe zhgënjyese. Tani paqja e gjerë e bardhë largon zonat e hijes dhe ia jep errësirën errësirës, dritën dritës.

Dimri duhet pritur në dritare.

Unë të prisja dhe tani të përqafoj me forcën time vjeshtore dhe ti më përkëdhel me duart e tua të pakohshme dhe më shpjegon kohën, të cilën e kuptoj dhe e admiroj në vallen tënde të amshuar.

Dimri në dritare

Dimri në dritare është një mantel i bardhë buzagaz, që të sheh por nuk thotë asgjë. Manteli i ngrirë i detit pasqyron mendimet, që ti i sodit. Tani je në të ngrohtë dhe sheh rreth e rrotull dhe brenda teje. Dhe zbulon që buzëqeshja e tij ishte pasqyrim i tëndes dhe dashuria e tij ishte dashuria jote. Depërton dimri mes fijeve të shpirtit: ngrica e detit të shpjegon ndërthurjen e mendimeve. Qetëson dhe ia dorëzon të vërtetën së vërtetës dhe të rremen së rremes, të bardhën së bardhës dhe të zezën së zezës.

Dimri të sheh, i heshtur. Falënderoje ndihmën e tij të akullt, teksa pret lulëzimin pranveror.

Dimri ia beh papritmas

Dimri ia beh papritmas, në befasi. Ju keni folur kurrë me të? Unë po, vitin që shkoi, në verë: ia behu papritmas dhe më trokiti në derë dhe unë ia hapa.

Të them të vërtetën, nuk kishte derë. Ishim në telefon. Sara (d.m.th. unë) ka nevojë për ndihmë. Sheh të birin për së largu. Sheh telefonin. Telefoni, doemos, nuk ia kthen vështrimin, por ajo shpreson: ngre dorezën dhe pastaj mendon “Një zile!” Sara (d.m.th. unë) kërkon ndihmë: ka vjeshtën në zemër, mendimet e saj i bien si gjethet në erë dhe i shpifen frikëra. Dimri, në atë moment, ende nuk kish trokitur. Ishte momenti para ngricës. Pas pak ai, dimri, do të hyjë, i thatë dhe i rrufeshëm. Do të zgjedhë kolltukun më të rehatshëm: atje është ende, nga ku më sheh, por do të ikë. Një “jo” e thatë “kumbon” nga telefoni. Kur i ftohti zbulon, në pastërtinë e vet, vogëlsinë e njeriut, gjithçka hesht. Dimri i shndërron mendimet në kokrra breshëri, që gërvishtin shpirtin dhe e lënë ashtu, të shohë vragat.

Ky është dimri im, pra i saji, i Sarës (d.m.th imi). Sara e di që stinët ndjekin njëra-tjetrën dhe pret të vijë pranvera rishtas.

Me sytë e saj

Shoh dimrin me sytë e sime mëje. E ulur në dritare, ajo sheh malet që i mbulon bora me një pallto të bardhë. Pafajësinë. Qielli kthjellohet në re të qeta. Vetmitare, ime më kujton motin e shkuar dhe lojërat që luante fëmijë. Shoqet. Vrapimet. Heshtjet. Llafet. Dhe topat e borës. Shoh dimrin me sytë e sime mëje, teksa gjerb çajin dhe vështroj një dritare të zbrazët. Buzëqesh. Gëzimi i dritës verore ma mbush shpirtin, këtu ku jam, e ulur në dimër.

Përktheu nga origjinali: Altea Mazi

© Barbara Gabriella Renzi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin