PAVIJONI NË BIENALE

Mbi Pavijonin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia

Përfaqësimi i Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës së Venecias me projektin “Në Shtëpinë Tonë”, ka ngritur disa shqetësime të cilat ne si autore të projektit po i adresojmë me këtë shkrim.

Si fillim, shprehim se vlerësojmë dhe mirëpresim kritikën tepër të munguar në arkitekturë në vendin tonë. Jemi gjithashtu entuziaste për debatin që ky projekt mund të nxisë. Por kritikat e deritanishme mbi këtë projekt vetëm sa kanë nxjerrjë jashtë kontekstit elementët e tij. Kjo nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka larguar fokusin nga thelbi dhe tematika që ai trajton duke rikrijuar një diskutim shterpë i cili nuk ka aspak lidhje me këtë përfaqësim.

Me gjithë prezencën publike të zgjatur të këtij projekti (që prej fillimit të 2020), me gjithë aktivitetet e zhvilluara të njoftuara publikisht me qëllim diskutimin e tij, asnjë prej individëve që kritikojnë këtë projekt nuk është qasur tek ne të kërkojë shpjegime a sqarime për shqetësimet e tij. Ne kemi qënë dhe mbetemi të hapura për çdo komunikim, kërkesë për sqarim, pyetje apo diskutim në lidhje me këtë projekt. Përpara se të dërgohen letra që rrjedhimisht injorohen nga Presidenti i Bienales, do kishte qënë më e shëndetshme që këto “ankesa” të na ishin adresuar drejtpërdrejtë ne si autore. Kështu figurë të keqe nuk bën pavijoni, por ata që kërkojnë zgjidhje për një problem që as nuk ekziston.

Është e domosdoshme ta nisim duke sqaruar çfarë NUK është pavijoni i Shqipërisë këtë vit, dhe më tej të sqarojmë çfarë ai vërtetë është. Pavijoni NUK bazohet tek komunizmi dhe NUK idealizon apo promovon fqinjësinë socialiste shqiptare si vlere për t’u marrë shembull në nivel ndërkombëtar.

Pavijoni NUK i përdor filmat shqiptarë të paflitruar dhe të pasqaruar për publikun e huaj dhe NUK merret me skenaret e plotë të tyre.

Për këdo që ky përfaqësim ka ngjallur kureshtje e ftojmë të lexojë në vijim e të kuptojë thelbin dhe fokusin e tij.

Bienalja a Arkitekturës, fill që nga krijimi, ka qënë një hapësirë për të reflektuar mbi rolin e arkitekturës në shoqëri. Që nga edicioni i parë në vitin 1980 ku është trajtuar postmodernizmi dhe ndikimi i tij në formimin e mendimit në shoqëri, Bienalja e Venecias është kthyer në arenën ndërkombëtare të trajtimit të temave dhe poblematikave që shoqëria përballet, duke kapërcyer trajtimin e arkitekturës vetëm si disiplinë e ndërtuar. Çdo dy vite, Arsenale dhe Giardini kthehen në hapësira kërkimi dhe eksperimentimi nga shtetet pjesëmarrëse dhe arkitektët e ftuar, të cilët i përgjigjen temës kryesore të përcaktuar nga kuratori i përgjithshëm.

Pyetjes së shtruar arkitektëve në mbarë botën në këtë edicion nga Hashim Sarkis, “Si do të jetojmë se bashku?”, ne iu përgjigjëm me: Njih fqinjin tënd!

Në pak fjalë, pavijoni “Në Shtëpinë Tonë” së bashku me studimin e gjerë që e shoqëron, trajton fenomenin e fqinjësisë dhe bashkëjetesës në tipologjitë kryesore të banimit, duke analizuar të shkuarën e të tashmen për t’iu drejtuar të ardhmes sonë në komunitet.

Individualizmi në rritje, vetmia dhe mungesa e ndërveprimit në komunitet, janë pjesë e problematikave me të cilat po përballen qytete në mbarë botën. Urbanistë si Jan Gehl apo akademikë si Christopher Alexander e konsiderojne fqinjësinë e mirë si një nga kushtet parësore për të krijuar lagje e qytete ku jetohet mirë. Tirana po ecën paralelisht me trendet shqetësuese të qyteteve perëndimore në zbehjen e komuniteteve. Ky fenomen është gjithnjë e më në dukje që prej viteve 2000, ndaj ne besojmë se është koha që ky debat të ndodhë edhe në Shqipëri. Bienalja e Venecias është arena ndërkombëtare ideale ku fenomene të tilla globale mund të bëjnë jehonë edhe në kontekstet lokale.

Pikë së pari, kritika që vë në dyshim lidhjen e fqinjësisë me arkitekturën qendron në kufijtë e mendimit të paformuar. Fqinjësia lind si marrëdhënie në sajë të banimit në mjedisin fizik – pra ‘arkitekturës’. Nëse arkitektura për disa shihet si diçka e palidhur apo e pandikuar ndërsjelltas me marrëdhëniet njerëzore e shoqerore që krijohen, si diçka abstrakte e paprekshme – ky është një gabim i thellë konceptual! Në këndvështrimin tonë, shoqëria shqiptare e ka të domosdoshme të kuptojë thelbësisht lidhjen arkitekturë-njeri, ndaj dhe misioni i projektit tonë është sjellja e një teme që i afrohet nevojave dhe aktualitetit shoqëror dhe arkitektonik.

FQINJËSIA – është kryefjala e vetme e këtij projekti dhe çdo komponent i projektit merret vetëm me të. Jo fqinjësia në kohën e komunizmit, por “fqinjësia” si një marrëdhënie universale që ka ekzistuar për sa kohë kanë ekzistuar vendbanimet, dhe do të vazhdojë të ekzistojë për sa kohë do të jetojmë pranë njëri-tjetrit.

Mbi këtë parim, pavijoni shqiptar ka një synim të vetëm: Të tregojë efektin e fqinjësisë së mirë në jetën e kujtdo, dhe të sensibilizojë të gjithë aktorët që janë përgjegjës të ndërtojnë fqinjësinë e mirë: banorët, arkitektët, planifikuesit urbanë, ndërtuesit dhe organet qeverisëse!

Titulli i projektit, “Në shtëpinë tonë” lidhet me vendin ku banojmë, me shtëpinë e cilitdo prej nesh. Projekti ka edhe një nëntitull, i cili është “Mbi fqinjësinë dhe bashkëjetesën”. Në thelb të tij qendron kontrasti mes të jetuarit në shtëpi të hapura përkundër shtëpive të mbyllura, mentalitetit të përqafimit dhe përvetësimit të së përbashkëtës përkundër mentalitetit individual, të izoluar dhe indiferent. Sot më shumë se kurrë vihet re indiferenca e theksuar për atë që ndodh përtej mureve të shtëpive tona, si kufiri mes privates dhe të përbashkëtës.

Projekti ka dy komponentë: instalacioni arkitektonik (pavijoni) dhe botimi që e shoqëron atë.

Instalacioni arkitektonik / pavijoni ka një qëllim të vetëm: të komunikojë një mesazh ngacmues për vizitorin ndërkombëtar në ekspozitën më të madhe të arkitekturës në botë.

Para hyrjes në pavijon vizitori mund të lexojë një shkrim të shkurtër shpjegues së temës që trajton pavijoni, si dhe të lexojë historitë personale të shqiptarëve me fqinjët, të sjella në pavijon në formën e kartolinave për t’u marrë me vete. Janë qindra histori dhe mbi 70 foto personale, më e vjetra e vitit 1956 dhe me e reja e vitit 2004, që japin dëshmi reale dhe nga më frymëzueset për marrëdhëniet fqinjësore e shtëpitë e hapura ku ne jetonim: që nga lojrat e përditshme e deri tek organizimet e ‘miss lagjja’; ndarja e librave, telefonave, televizorëve, bukës, kripës, kafesë; festimet në shtëpi që nga ditëlindjet, ndërrimi i viteve e deri tek dasmat, e shumë episode të tjera; por mbi të gjitha lënia e çelësit tek fqinji – simboli më i thjeshtë dhe më i vërtetë i besimit dhe afërsisë me fqinjin. Pas këtij informimi, vizitorët shohin pjesën e jashtme të pavijonit, që përbëhet nga muret e brendshme të disa apartamenteve.

Kushdo në këtë pavijon bëhet vetë banor, fqinj. Vizitori ftohet të kapërcejë murin e apartamentit për të kuptuar që në fakt këto apartamente ndajnë mes tyre jo vetëm muret por edhe një hapësirë të përbashkët, një dhomë imagjinare. Aty, vizitori e gjen veten të rrethuar nga fqinjët: gjendet mes tyre kur ata luajnë bashkë në oborrin e pallatit apo në shtëpi, kur pijnë kafenë në dhomën e pritjes, kur përdorin telefonat e njëri-tjetrit, kur përshëndeten e bisedojnë tek shkalla e pallatit, kur hanë drekë bashkë, kur trokasin e i hapin dyert e njëri-tjetrit. Brenda kësaj dhomë, vizitori sheh edhe reflektimin e tij me gjithë fqinjët të pasqyruar në sfond duke u bërë pjesë e vetë instalacionit. Ky është momenti kyç i përjetimit të pavijonit – ç’do të thotë për vizitorin të gjendet mes fqinjëve dhe pse?

Le të ndalemi pak në momentin shumë të debatuar që lidhet me filmat shqiptarë që veshin tre mure të dhomës së brendshme të pavijonit. Në mure, shfaqet një klip në total 4:30 minuta i gjatë, me skena disa-sekondëshe të shkëputura nga 3 filma të ish-Kinostudios: “Edhe kështu, edhe ashtu” (1989), “Në shtëpinë tonë” (1979) dhe “Taulanti kërkon një motër” (1984).

Këto sekuenca janë të filtruara dhe të përzgjedhura me shumë kujdes, që mos të përmbajnë asgjë propagandistike. Ato ilustrojnë përditshmërinë e shumë familjeve shqiptare – sesi fqinjët jetonin në shtëpi të hapura – një realitet i vërtetë jo vetëm gjatë periudhës së socializmit, por sigurisht edhe para socializmit dhe të paktën për 10-15 vite pas rënies së tij dhe nisjes së individualizimit tonë të thellë shoqëror. Fakti që kjo përditshmëri është treguar me anë të filmave të para viteve ‘90, nuk i bën këto skena të jenë të rreme – a nuk janë këto ndërveprime ajo çka ka ndodhur me të vërtetë mes fqinjëve në shtëpitë e lagjet tona? Të mohohet kjo e të thuhet se të gjithë fqinjët para viteve ‘90 kanë qënë spiunë është absurde. Periudha e socializmit ka njohur dualizmin e theksuar mes fqinjit të rrezikshëm dhe fqinjit më të afërt se motra e vëllai. Nëse mbetemi në imazhin e fqinjit shqiptar spiun dhe keqdashës për këdo (edhe për familjen e tij), natyrisht nuk mund të ketë reflektim konstruktiv mbi mënyrën se si kanë jetuar shqiptarët së bashku.

Sekuencat e këtyre filmave janë vetëm mjete ilustrimi dhe ngacmimi për vizitorin. Askush, në asnjë moment nuk orientohet drejt përmbajtjes e skanarit të plotë të filmave, pasi nuk është qëllim në vetvete filmi për këtë pavijon. Gjithsesi, sqarojmë këdo që është i shqetësuar që po mashtrojmë e manipulojmë vizitorin ndërkombëtar me filma propagandistikë e realitete ideale të rreme, që është e shkruar në hapësirën e ekspozitës që këto filma janë prodhuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Të lexohet mesazhi i ekspozitës kaq përciptazi – “filma komunistë = pavijon komunist” – tregon se disa nuk kanë dashur as të njohin instalacionin e jo më të thellohen në atë që përcjell.

Ky projekt në fakt vë theksin tek fqinjësia e mirë me rrënjët në traditën shqiptare, e cila paradoksalisht arriti t’i mbijetonte edhe regjimit komunist më të egër në Europë por u tjetërsua sot në epokën e individualizmit.

Rëndësia e këtij projekti qendron tek vetë thirrja – NJIH FQINJIN TËND, SOT! Kjo thirrje është e rëndësishme për të tashmen e jetesës dhe bashkëjetesës sonë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Ekspozita të tilla, në art apo arkitekturë, nuk kanë për qëllim parësor gjetjen e zgjidhjeve universale, por drejtimin e vëmendjes tek problematikat që shoqëritë e ndryshme po kalojnë dhe inspirimin me ide dhe përqasje nga më të larmishmet.

Pavijoni përmend “odën e mirë” / “odën e pritjes” / “dhomën e miqve”, si një hapësirë që ekzistonte dikur brenda shtëpive tona dedikuar ‘tjetrit’ (mikut, fqinjit), për të thënë sesi ne shqiptarët ndjenjën e komunitetit e kemi patur të rrënjosur brenda mendësisë dhe shtëpisë. Sot, në pavijon, kjo dhomë e cila gjendet mes apartamenteve dhe jo brenda tyre, merr një konotacion metaforik dhe fton për reflektim. Çfarë do mund të ishte kjo hapësirë sot, çfarë jemi të gatshëm të ndajmë ne sot me njëri-tjetin dhe pse?

Kjo na sjell në komponentin e dytë, botimin që shoqëron ekspozitën, i cili përmban studimin e gjerë dhe shtjellimin e temës së trajtuar. Ky botim trajton fqinjësinë me shkrime nga 12 autorë të disiplinave të ndryshme duke përfshirë arkitektë/urbanistë, sociologë, filozofë, gazetarë dhe antropolog urban, me një perspektivë jo vetëm shqiptare por edhe të huaj.

Në këtë botim është bërë një analize e detajuar mbi tjetërsimin e fqinjësisë në kontekstin shqiptar në së paku 100 vitet e fundit. Kjo analizë ka nisur nga lagjet organike kompakte, me shtëpi individuale e rrugica të ngushta, kalimin në jetesë vertikale në apartamente nën ideologjinë e regjimit socialist, dhe tranzicioni e rizhvillimi në lagjet ku po jetojmë sot. Janë analizuar ndryshimet në prizmin historik, ekonomik, politik dhe hapësinor. Janë trajtuar faktorët që kanë çuar në zbehjen e fqinjësisë dhe ndjenjës së komunitetit, shkatërrimi i të përbashkëtës, mungesa e pjesëmarrjes në planifikimin e qyteteve, mbi-përdorimi i makinave, stili i ri i jetesës dhe banesat e reja në dukje luksoze por të paafta për të frymëzuar banorët që të krijojnë komunitete.

Në faqet e këtij libri është analizuar jo vetëm fqinjësia në Shqipëri, por edhe në shtetet më të zhvilluara në botën perëndimore, të cilët po përballen gjithnjë e më shumë me fenomenin shqetësues së vetmisë, mungesës së sigurisë, mbizotërimin e teknologjisë dhe zhvendosjen e komuniteteve si pasojë e rizhvillimit. Statistika, studime dhe shembuj nga vende të zhvilluara në aspektin social, përfshirë co-living, e plotësojnë këtë studim në mënyrë që të kuptojmë ku gjendemi ne në Shqipëri në raport me vendet e tjera, dhe të mesojmë nga praktikat e mira të tyre.

Kushdo i interesuar për pavijonin dhe temën ka mundur të futet në faqen web të projektit www.inourhome.al dhe të lexojë aty botimin e plotë, tekstet e të cilit kanë qenë të aksesueshme që prej çeljes së ekspozitës. Vlen për t’u thënë që botimet dhe kërkimet zakonisht dalin në shitje nga pavijonet – pra nuk janë publike, por ne kemi vendosur që botimi i pavijonit shqiptar të jetë i aksesueshëm nga kushdo, pasi qëllimi i këtij projekti është të informojë dhe ngrejë diskutime mbi fqinjësine në çdo nivel, me urimin që sa më shumë sy ta lexojnë.

Si i përgjigjet pavijoni pyetjes së kuratorit Hashim Sarkis?

Pavijoni shqiptar e shtron zgjidhjen duke ftuar reflektim e diskutim dhe më tej veprim mbi të drejtat tona si banorë të shtëpive e lagjeve ku jetojmë. Pa analizuar të shkuarën dhe të tashmen, nuk mund të japim zgjidhje dhe përfundime për të ardhmen.

Si do të jetojmë së bashku?

Në dy mënyra:

Duke ndryshuar MENDËSINË

  1. Duke kapërcyer muret tona. Vetëm duke njohur njëri-tjetrin mund të formojmë komunitete, për të krijuar besim dhe siguri, që janë baza e një jetese të shëndetshme në çdo vendbanim. Ky është fillimi i ushtrimit të të drejtave tona mbi qytetet ku jetojmë! Individualistë siç jemi bërë, është e vështirë të sjellim ndryshimin për atë që na përket të gjithëve! Përgjegjësia për ndërtimin e qyteteve më të mira nuk ështe vetëm e organeve qeverisëse, arkitektëve apo ndërtuesve, është edhe e jona si banorë.
  2. Duke përqafuar pozitiven e fjalëve që nisin me ‘ko-’ që lidhen me bashkëpunimin dhe të përbashkëtën. Prof. Artan Fuga në fund të botimit thotë pikërisht se sa sfiduese mund të jetë për një shoqëri post-komuniste të flasë për të përbashkëtën, aq është edhe e nevojshme e madje e domosdoshme tashmë pas 30 vitesh të degradimit të asaj që ndajmë me njëri-tjetrin.

Duke shfrytëzuar impaktin dhe fuqinë e ARKITEKTURËS

  1. Të kuptojmë rëndësinë e mjedisit fizik! Dizajni i mirë ka aftësinë të ndikojë në sjelljen e banorëve me njëri-tjetrin: shkalla e ajrosur dhe me dritë, korridoret dhe sheshpushimet e bollshme, ballkonet e hapura dhe komunikuese, oborret e vogla e të gjelbëruara para pallateve, hapësirat e lira që ftojnë fëmijët të improvizojnë lojë me njëri-tjetrin, etj. Kjo është një thirrje për arkitektët, ndërtuesit dhe organet qeverisëse që t’i kushtojë vëmendje standardeve jo vetëm të jetesës së mirë, por edhe bashkëjetesës së mirë!
  2. Të refuzojmë të blejmë thjesht metra katrorë! Të zhvillojmë një ndjeshmëri tjetër ndaj banesave që marrim në pronësi me aq mund. Ndërsa sot shqetësohemi vetëm që metrat katrorë të “hapësirave të përbashkëta” që blejmë të jenë sa më pak pasi na rëndojnë në xhep, ne ftojmë t’i vlerësojmë ndryshe: si dhe çfarë do ishin këto metra nëse i përdornim vërtet bashkarisht?

Në përfundim, falenderojmë këdo që ka patur durimin ta lexojë këtë shkrim deri në fund, dhe shprehim keqardhjen që tema të cilat duhen diskutuar gjerësisht dhe profesionalisht në shoqërinë shqiptare thjeshtohen në deduksione të pavlera!

Fiona Mali
Irola Andoni
Malvina Ferra
Rudina Breçani

 

© 2021 autoret. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin