GRA ARBËRESHE

1. Giuseppina Cuccia Lo Iacono

nga Eda Derhemi

https://www.youtube.com/watch?v=yIwsSRe1j-A  (documentary, R. Rosellini- 1967)

Roberto Rossellini, veç punëve që ia njeh gjithë bota, ka edhe një dokumentar të shkurtër televiziv për Pashkët në Piana degli Albanesi, Pashkët e 1967-ës. Nis pa zë; një grua e veshur me hyjnorin fustan tradicional të Pianës që ruhet përtej syve të ballit e brez pas brezi në shtëpitë pianiote, dhe vishet veç në ditë festash të mëdha të familjes e fshatit, merr kthesën e u drejtohet shkallëve të Katedrales – Kishës së Madhe – ku do thuhet Mesha. Kamera e ndjek nga afër për tri sekonda. Ajo totalisht e paditur për kamerën, e kontrollon mirë nxitimin e vet. Sepse ashtu është: e vrullshme, e shpejtë, me një trup dhe ecje që nxiton më fort se zemra, por që, gjithsesi, rreh nën kontrollin e plotë të asaj vetë. Nis muzika – një xhaz Bebop do thoja i holluar me një ritëm festiv të 60-ës Italiane. (Mund të gaboj, se muzikën thjesht e shijoj dhe pak di, por ju dëgjojeni vetë, që kështu të njihni edhe Giuseppinën.) Është një e diel e bukur Pashkësh; ka diell e ajri fërfëllon pranverë. Fustanet e praruara të Pianës duan ditë të tilla, dhe kundojnë e këndojnë vetiu, hijeshuar me krenari pianiote mbi trupat e grave. Gjithnjë kam menduar që fustane të tilla, veç martesës, janë krijuar e zhvilluar për Pashkët, më shumë se për Kërshëndellat dhe Epifaninë.

Ja, kështu nis dokumentari dhe unë, papritmas, njoh në gruan që e hap, Giuseppinën e vitit 1967. E shoh rishtas. Nuk kam dyshim! Fytyra serioze por edhe e mprehtë me një tis ironie që është gjithnjë ‘pronto’ në sytë e saj ngulës, lëvizjet levende e gjithë hije të Giuseppinës, në 1967-ën ende grua e re, me vëthët e gjatë pianiotë që plotësojnë fustanin, me këpucët që Giuseppina vishte sa herë kish një detyrim publik serioz para vetes (pra, jo fort të larta, siç i donte zakonisht e në raste festash për qejf, dhe as të sheshta, por me masë, sa të bënin zhurmën e duhur dhe t’i jepnin përpara shtatit aq sa ishte e domosdoshme në grumbullime formale!) Ishte e tëra Giuseppina që njihja unë. Këtu nuk i janë thinjur ende flokët, por kupolën e ngritur bukur lart e ka siç e kishte ditën e fundit kur jemi përqafuar diku nga 2017-a. Do takoheshim më 2019. Pak ditë para se të shiheshim, ra nga shkalla dhe dëmtoi kaviljen, dhe e kërkoj tani, por s’di ku është. Njeriu nuk mendon kurrë se Giuseppinat zhduken rastësisht, dhe as që ato vdesin. Ndaj unë s’kam tjetër kontakt veç atij që kam pasur gjithë jetën, numrin e saj. Celularin nuk e mësoi kurrë ta përdorte, dhe në vitet e fundit nuk dëgjonte në telefon, veçse po të bërtisje. Më ka marrë malli. Dhe s’e gjej dot.

E shoh dhe e rishoh filmin. Me lehtësinë e natyrshmërinë tipike me të cilën Giuseppina kryen çdo akt të thjeshtë human, nga thyerja e një arre me duart e hijshme e të shkathëta, tek pirja e kafesë, në film ngre pethkat nën shtresën e sipërme të nxilunit të kuq fisnik qendisur në ar, shtrënguar në mes prej brezit me stemën metalike të Shën Gjergjit mbi kalë[i], lëvizje që sakaq emeton elegancën e një princeshe përrallash. Është filmike zhdërvjelltësia dhe finesa pa pozë, e se si e kalon dorën tek shtresa e parë, e dytë, e tretë e pethkave nën nxilun që t’i mbajë e mos ia kapë këpuca kur ngjit shkallët e Katedrales së Pianës, detaj që Rossellini pa dyshim s’e ka lënë t’i shkojë dëm.

Giuseppina ishte dhe mbetet “zia” e vajzës sime. ‘Teze’ e thërriste Ada e vogël që u rrit afër Giuseppinës dhe për shumë vjet fliste më shumë arbërisht se shqip. Italishten e mësoi me theksin e pianiotëve. Kur unë apo i ati mungonim në Italinë që herë na i pranonte e herë jo fëmijët, Ada bridhte si manar ngado me Giuseppinën: në shkollë – Giuseppina ishte mësuese filloreje – nëpër shoqet arbëreshe të Giuseppinës (sidomos tek Tommasina), nëpër mbledhjet e partisë socialiste (ku Giuseppina nuk mungoi kurrë), të bënte pazaret, tek parrukierja, te Toka ku mblidheshin bathë, ullinj, bajame e rrush, në qacë për të diskutuar politikë me burrat; kudo. Ada ka një teze dhe dy halla në Shqipëri, dhe i do fort e janë të lidhura nga një dashuri e madhe, por shprehja “zia”, kish për të kuptimin e njeriut të dashur në Itali, që kujdesej për të si të ishte gjyshja e vet. Ishte ndoshta një përzierje mes tezes, hallës, gjyshes, dhe mamasë vetë. Ende Ada e thërret Giuseppinën ‘zia’. E shqipton me një kadencë të fortë fëmijësh siçilianë këtë fjalë, që më shkrin zemrën sa herë e dëgjoj. Giuseppina ishte për Adën (dhe është ende sot) thjesht “zia”; ndërsa i shoqi i Giuseppinës që gjithashtu quhej Giuseppe ishte “zio Pino”. Ai nuk mund të ishte thjesht “zio”. Sa dashuri i dhanë vajzës sime këta dy arbëreshë që as na njihnin e as e kishin idenë si ishim. Jo thjesht e deshën me gjithë zemër, por i ndanë aq ditë e net me të, duke i dhënë përkujdesje, kohë, vëmendje dhe energji që të rritej gjatë atyre dy vjetëve aq të vështirë për Adën dhe për ne.

Kështu na ‘morën brenda’ Pinuca e Pinoja në një mot të keq kur vjeshta i jepte dorën dimrit të ftohtë në malet e Siçilisë; kur u gjetëm kurbetçinj në hall e pa derman në Italinë që s’e njihnim veçse nga radioja dhe televizioni. Nuk kish lënë shqiptarë kurrë pa sajdisur Giuseppina! Na jemi gjaku i shprishur. Na jemi rrtu për ju! Ndodhi që kur rilexoja këtë verë ‘Larg dhe afër’ të Nasho Jorgaqit për ta riparë në një distancë shumëvjeçare, e gjeta që, si gjithnjë, edhe në vitet ‘80 Giuseppina ishte ajo që hapte shtëpitë e veta në Piana apo Contessa për shqiptarët që vinin. Asnjë studiues a shkrimtar shqiptar s’ka kaluar nga Italia pa u ftuar prej Giuseppinës, dhe, më pas, shpesh ajo u ka pritur edhe fëmijë e të afërm. S’ka lënë Giuseppina kurse të shqipes në Tiranë a Kosovë pa shkuar e ndjekur, deri sa arriti në të 80-at! Edhe më pas i vazhdonte udhëtimet, sido që nisi të përzgjidhte mes tyre.

Por asgjë prej këtyre nuk dija kur sapo kisha arritur në Piana degli Albanesi (Hora e shqiptarve), në fillim tetori 1990, në të famshmin manastir basilian bizantin “Sclizza”, në majë të kodrës që shihte  mbi Horë. Sclizza shpesh funksiononte edhe si hotel. Aty futën në 1990 edhe një grup të vogël prej 2-korriksave, ftuar prej bashkisë së Pianës në të cilën atëherë bënte një punë të jashtëzakonshme për shqiptarët pianioti i ndjerë Pasquale Renda. Ata ftuar në Sclizza, ishin një grup i rastësishëm meshkujsh relativisht të rinj që kishin hyrë në ambasadën italiane, dhe pritej të përcilleshin nëpër destinacione të ndryshme. Krejt të ndryshëm në edukim, prejardhje, jetesë apo profesion. Ndërkaq, ishte tetor, dhe ata ende rrinin duke vegjetuar nëpër dhomat e Sclizzës në Piana duke kaluar kohën si mundeshin, më të dëshpëruarit kryesisht duke gjuajtur thika të mprehta mbi dyert e dhomave ku flinin, që u shërbenin si shënjestra, herë direkt shtrirë nga krevatet, herë prej dritares që shërbente si mbështetëse. Thonë që kur u shpërngulën, Sclizza u desh të rinovohej krejt nga shkatërrimi. Ndonjëri e provonte edhe të gjente makina të pambyllura dhe t’i merrte sa për një xhiro, dhe përfundonte në burg për një natë të paktën.

Dhomat e hotelit ishin tashmë në një gjendje të mjerë. Ashtu ishin edhe njerëzit që jetonin në to dhe që hanin në mensën e madhe të sklicës gjellë e ëmbëlsira që nuk i donin, makarona që s’u pëlqenin, sallatëra që kishin brenda rucola që ata i bënte të villnin. Përpiqej Concetta, Pasquale dhe aq e aq vullnetarë pianiotë t’i paqësonin, t’u tregonin se ditë më të mira do vinin, se kryesorja ishte të pajiseshin me dokumente të rregullta azilantësh ose të shkonin në vendin ku donin. Por e vërteta është se shumica urrenin ditën që kishin rënë në Piana. Urrenin jetën e vet, Pianën, por edhe mua që isha e vetmja grua që i isha bashkëngjitur atij grupi pa formë, kuptim a të ardhme disa muaj pasi ata kishin arritur në Piana. Im shoq që kish qëlluar aty bashkë me një mikun e vet, ishin arsyeja që unë dhe Ada e vogël 3 vjeçe, t’i bashkëngjiteshim grupit. Ishte e qartë armiqësia ndaj meje që në fillim. Përpiqesha të isha e sjellshme, dhe më shpesh e padukshme. Dyshimet e tyre se si kisha mundur të vija me avion, e si më kishin lënë të vija me time bijë, dhe sidomos urrejtja se isha ndryshe, se isha e vetmja grua aty, se kisha një familje, se dhe se dhe se dhe se. Netët i kalonim me frikë se do na thyenin derën. Një drekë në mensë, një më i çmendur ndër ta, erdhi të më binte me një hu sa ai vetë. Dikush, mik i mirë, ndërhyri, e hëngri drurin në kokë. Erdhi policia. Mori personin. Ndërkaq unë isha kthyer në armik të popullit. Im shoq atëherë tregohej i qetë, por e dinim se ishim të tre në rrezik. Ada ishte traumatizuar. Ja kështu ndodhi, dhe atë natë unë thashë që nuk rrija më në Sclizza. Erdhi i gjithëgjenduri Pasquale të na merrte me makinë. Do ju çoj për ca netë tek një zonjë e vërtetë arbëreshe, na tha. Të shohim pastaj, si të qetësohet situata, si i bëhet. Do rrini në shtëpinë e saj në Contessa Entellina[ii]. Ku do thoni ju po na çonte Pasquale?! Ja, kështu ndodhi që u takova me Giuseppinën. Një grua që na shpëtoi në atë natë me erë acari malesh (tëtim, tëtim çë bun!! – thoshte Giuseppina) në fund nëntori të 1990-ës, e më pas u bë pjesë e jetës sime, dhe sidomos e jetës së sime bije. Edhe pasi gjetëm punë, Giuseppina ishte baza jonë, ishte familja e afërt e Adës ku edhe festoheshin rregullisht ditëlindjet e saj, vendi ku, kush na vinte në Itali, kish një strehë, gruaja me zemër sa bota, që thoshte: “Grane ngë kemi, ma toka, ullinj e vreshta, të hamë plot, e vend për miq, kemi sa duam!”

Me Giuseppinën u bëmë një skuadër e pathyeshme – diskutohej me pasion deri natën vonë për përkime e fjalë të shqipes e arbërishtes që Giuseppinën, kur i zbulonte, e bënin të qeshte me zë të lartë si fëmijë, për histori personale, për gruan, feminizmin, dhe martesën si institucion, lidhjen mes emigrantit të 1990-ës dhe sistemit totalitar shqiptar, për ndryshimin mes ‘shqiptarit’ dhe ‘italianit’ tipik, për të ardhmen e botës, në përmasa që s’njihnin modesti e kufij vënë nga fshati i vogël e konservator i Kundisës. Mes ne të dyjave, edhe historitë më intime që tregonim, nuk kishin as formën dhe as shijen e thashethemit, sepse diskutohej për dukurinë me një distancë të mençur, duke pirë verë jo shumë të mirë bio, e duke ngrënë djathë pecorino që rrinte mbi sergjenë me rrota të mëdha tek shtëpia e Giuseppinës, blerë direkt prej komshiut pecoraio siçilian. (Fol po deshe për ushqim prej Km 0, pastaj!)

Pas orësh që hanim, pinim e diskutonim, Giuseppina më thoshte: “Ma, vre barku sa u bë!”, dhe e preokupuar fliste që po i ndryshonte trupi nga pleqëria. Vërtet Giuseppina jetonte prej shumë kohe dhe ish martuar Kundisë, por nuk pranonte kurrsesi që ishte plakë dhe që ish prej Kundise. “U jam qaniote. Aaah, la differenza, cara mia![iii]” – dhe tundte dorën e djathtë disa herë në ajër në formë qarkore, për të thënë se dy qytezat nuk kishin të krahasuar. Por edhe në Kundisë ajo kish bërë rrethin e vet me soçialistrat e Kundisës (shumica e të cilëve thrriteshin Mimmo, dhe kishin mendje të hollë e shumë njerëzillëk), që shpesh mblidheshin te shtëpia e saj e madhe për dreka e darka, dhe diskutonin nga pikëpamja filozofike si të çohej përpara Italia e të emancipohej shoqëria, dhe si vetëm e majta kish parime ideologjike që mund ta drejtonte këtë emancipim. Grua që kish mbështetur fort Pietro Nennin dhe Sandro Pertinin, “i socialisti di una volta[iv]” thoshte ajo, Giuseppina ndiente një turp visheral për Craxin në vitet ‘90.

Por ama ajo çka Giuseppina konsideronte veten më shumë se grua, nënë apo socialiste, ishte të qenët arbëreshe. Ishte arbëreshe 24-karat Giuseppina, por jo në kuptimin folklorik. Madje në një jetë mbushur me ide e punë për arbërishten, ajo kish krijuar një sistem të plotë logjik ku të qenët arbëresh lidhej patjetërsueshëm me të qenët feministe, pro-minoriteteve, nënë që u le bijve gluhën e vet, dhe, pa dyshim, edhe socialiste. Ja si ma përshkruante gruan e të birit një ditë, dhe si ma shpjegonte gati si me vetëmbrojtje, që nusja e të birit edhe pse jo-arbëreshe, pra italiane ose “latine” (në arbërisht lëtire) ishte tamam si një arbëreshe e vërtetë: “Ë lëtire, ma è come una vera arbëreshe!” Si është një arbëreshe e vërtetë? – e pyeta unë. “Voglio dire, indipendente, una donna forte, di gusti raffinati, ben-istruita e che sa fare tutto, attiva nelle cose arbëresh, e certamente della sinistra[v]

Ndryshe nga plot njerëz që krenohen para së gjithash, për bukën dhe kanojtë e Pianës, Giuseppina fliste për inteligjencën feministe të burrave pianiotë që, që prej 1700-ës, menduan të hapin një shkollë për gratë në Piana, Il Collegio di Maria, duke e bërë Pianën një qendër, që sado e varfër dhe e vogël, kish krijuar që herët elitën e vet intelektuale dhe u kish dhënë zë e fuqi grave që të bëheshin “gra të forta”. Ishin ato që rrisnin fëmijët, mbanin gjuhën, besën e zakonet, dhe vishnin fustanet qiellore të Horës.

Kur Giuseppina fliste për “quelli del Nord” (veriorët e Italisë) që sot i tregojnë me gisht Sicilisë injorancën dhe prapambetjen, thoshte se “ata nuk kishin as banja nëpër shtëpi” kur Giuseppina ishte nisur të jepte mësim në Alto Adige, pas shkollës magjistrale. “Non vedevo l’ora di tornare a Piana per sentirmi di nuovo cittadina![vi]” Nuk kishte urrejtje e egërsi tek Giuseppina kur lëvdonte arbëreshët; fliste gjithnjë me ironi dhe me sens të hollë humori. Ishte një grua me inteligjencë e kompleksitet të rrallë[vii]. Dhe kur tregonte prapambetjen e veriut italian “fshatar”, ishte si një kundërpeshë për sulmet e tyre sot ndaj Jugut, dhe qeshte me të madhe sa herë tregonte mbi ç’kish zbuluar në Veri një herë e një kohë kur ishte e re. Ndihej me fat që ishte nga Piana: “Eda, ma tu lo capisci che le donne di Piana erano accanto a Nicola Barbato in una mini-rivoluzione, prima che gli italiani avessero sentito la parola ‘socialismo’! E poi, nel referendum del 1946, l’intera Sicilia voleva il re; solo Piana, il piccolo paese arbëresh, ha voluto la Repubblica! Perché siamo stati sempre in avanguardia noi!”[viii]

Kish një kat të tërë të poshtëm shtëpia gjigante e Giuseppinës ku ajo mbante materialet shkollore. Aty gjendeshin tabela me fjalë në arbërisht, figura e vizatime shpjeguese; paradigma lakimesh e zgjedhimesh, kryesisht marrë nga shqipja, për t’ua paraqitur më pas nxënësve; përralla shkruar arbërisht prej duarsh fëmijësh në fletë madhështore kartoni, shpesh mbledhur prej vetë fëmijëve ndër të moshuarit e fshatit; muret e dhomave ishin vitrina poezish krijuar në arbërisht prej gjithfarë brezash fëmijësh; dhe fletore e blloqe pa fund ku Giuseppina projektonte metoda e formalizonte ide si t’u mësonte e mbante gjallë arbërishten të vegjëlve. Ishin aty edhe materialet didaktike të mikeshës së saj të ngushtë Tommasina Guarinos, që kish një apartament, dhe s’kish ku i mbante materialet e veta. Të dyja me Tommasinën punonin e bënin plane pa ndërprerje sepse, “i giovani e zborën gluhën” “Mosnjeri fra i giovani thotë më “ta” e “mo”; uzarjën lëtishten; e pure u sicilianu[ix]!” Ishin për to fort të çmuara të gjitha kujtimet që merrnin nga vizitat mësimore në Shqipëri e Kosovë. Edhe njohuritë gjuhësore. Ato jo vetëm zbukurojnë shtëpitë arbëreshe si ajo e Giuseppinës, por edhe përdoren shpesh për festa, grumbullime ose thjesht si mjete shkollore. Dhe pa dyshim ruhen si sytë e ballit nëpër “rezervate speciale” si ky i shtëpisë së Giuseppinës. Nuk ishin vetëm Giuseppina e Tommasina; mbaj mend mirë Rosetta Riolon, një tjetër mësuese heroike nga Piana degli Albanesi, fatkeqësisht e ikur herët nga jeta, por deri në fund e lidhur fort me arbërishten. E plot e plot mësuese e mësues nga Piana, Contessa, e sa e sa fshatra arbëreshë në Kalabri, Bazilikatë, Molize, e krahina të tjera jugore që ia kanë kushtuar jetën dhe punën e vet arbërishtes. Dhe pasi dalin në pension vazhdojnë me po aq pasion të shkruajnë poezi, përkthejnë, mbajnë gazeta arbëreshe, e organizojnë ende sot aktivitete në shkolla e komunitet. Janë një ushtri e heshtur arbëreshe, për të cilët pak flitet e pak ua dëgjojmë zërin. Ia kanë dhënë jetën mbajtjes gjallë të gjuhës së vet, dhe kanë punuar me dyfishin e orëve të punës, pa i paguar askush, shpesh edhe pa marrë falënderime; rrogat u kanë mbetur siç i kishin, edhe pas kësaj pune; titujt nuk u janë shtuar; nuk i kanë ftuar nëpër ekrane televizivë, nuk kanë synuar të kontrollojnë institucione apo të marrin frenat e arbërishtes gjëkundi. Por janë këta strumbullarët e vërtetë të qëndresës dhe “qëndrimit” të arbërishtes ende sot, kur izolimi që dikur ndihmonte, nuk ekziston më. Këta janë elita reale e zonave arbëreshe që zëvendësuan punën kolosale që dikur bëhej masivisht dhe me intensitet nga klisha.

Ditë përpara festave fetare shtëpia e Giuseppinës gumëzhinte nga njerëzit dhe planet. Hynin e dilnin njerëz të të gjitha moshave; përgatitej proçesioni i kostumeve; nxirreshin tekste meshash e këngësh fetare përkthyer në arbërisht nga papas të mençur arbëreshë; bëheshin prova e këndohej për Odigitrian dhe arbëreshët (Shë’Mria e Dhitrjes – këtu dëgjohet kënga: https://www.youtube.com/watch?v=jam8Qlr6AZs[x] – që ishte kënga më e dashur e Giusepinës dhe një lloj himni i arbëreshëve), aq sa edhe për Krishtin. Në Kërshëndella Giuseppina i mësonte Adës sime versionin arbëresh të së famshmes “Stille nacht”, e pastaj e këndonin në shkollë e në kishën bizantine në meshën e madhe të Kërshëndellave, të dyja veshur me fustane arbëreshe, sido që kënga i takon traditës kishtare latine. Por mbaj mend vetëm refrenin: “Flëj o bir e mos klaj; flëj o bir e mos klaj[xi]

Ishim në Contessa parvjet në 2019 ta takonim Giuseppinën. Bashkë me Adën, Larën dhe tim shoq. Kishim pesë-gjashtë vjet pa u takuar të gjithë. Ndenjëm në ishull dy muaj, por koha e planifikuar për Kundisë, ndodhi tamam kur ra nga shkallët. Ne shkuam gjithsesi edhe pse s’ishte më askush në binanë e madhe të familjes Lo Iacono. I ramë rrotull shtëpisë. Kujtuam festat verore në cortile në vitet e para ’90, kur në Kundisë nuk ekzistonte ajri i kondicionuar, përshëndetjet arbëreshe mes komshinjve, diskutimet tipike, këngët e kohës. Shkuam në nja dy pastiçeri e bare të fshatit. Flitej siçilisht. Asgjë të keqe, se gjuhë hyjnore është edhe ajo. Por kafeneja arbëreshe tingëllonte ndryshe Kundisë[xii] një herë e një kohë, në vitet e largëta ’90, kur emigranti shqiptar në Itali shpesh trajtohej si qen rruge, e kur ne u strehuam këtu dhe dëgjonim të flitej këtë shqipe të ëmbël të këtyre anëve… nën mbrojtjen e Giuseppinës. Pyesim njerëz të rinj për Giuseppinën; a e njohin, a e kanë parë? Ndokush na thotë që e ka pasur mësuese. Patjetër do ish ndryshe po të takonim të vjetër. Por të vjetrit nuk rrinë jashtë si ne që “kërkojmë Giuseppinë” në zhegun e pasdites nën malin “Brinjat”, nga ku fshatin e vrojton e hijshmja “Santa Maria del Bosco”. Giuseppina dhe arbërishtja janë fikur nën hijet e ngjeshura të shtëpive prej guri të Kundisës, dhe u ndihet veç një jehonë e largët. Por është ajo jehonë që ngërthen fort atë pjesë të historisë që e bën ende krenare Kundisën si edhe plot fshatra të tjerë arbëreshë ku gjuha e tradita zënë e humbasin.

© 2021 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Giuseppina dhe e bija e Edës, Ada.


[i] Për më shumë rreth fustanit të Pianës, lexoni këtu prej një tjetër Giuseppine nga Piana, asaj të Schironjve të njohur.

[ii] Kundisë është forma arbërisht e fshatit Contessa Entellina

[iii] Unë s’jam kontesiote, jam pianiote. Ah, ndryshim i madh mes të dyve, e dashur!”

[iv] Socialistët e një herë e një kohe

[v] Dua të them, e pavarur, grua trime, me shije të holla, e shkolluar mirë e që di të bëjë gjithçka, aktive për çështjen arbëreshe, dhe sigurisht politikisht e majtë.

[vi] Mezi prisja të kthehesha në Horë të ndihesha rishtas qytetare

[vii] Pasi shkruajta këtë fjali, pata frikë. Shkruaj sikur Giuseppina të ketë vdekur (??)

[viii] “A e kupton apo jo që gratë e Pianës dolën krah Nicola Barbatos në një mini-revolucion, para se italianët ta kishin dëgjuar fjalën ‘socializëm’! Dhe pastaj në referendumin e 1946-ës, gjithë Siçilia donte mbretin; vetëm Piana, fshati i vogël arbëresh, donte Republikën! Sepse kemi qenë gjithnjë të përparuar!”

[ix] Vëreni se grupi emëror “il siciliano” – siçilisht – është përdorur në dialekt për të shprehur nënvlerësim të dialektit në raport me arbërishten e të parëve, që, sipas arbëreshëve vetë, nuk qe përdorur kurrë prej tyre para dhjetëvjeçarëve të fundit.

[x] Ja dy strofa nga kjo poezi që sido që ka autor, sot konsiderohet si popullore e këndohet në ngjarjet e mëdha kishtare arbëreshe. Autori i saj është i dituri poet e shkencëtar Giuseppe Schirò, por kjo nuk para dihet mes arbëreshësh që shpesh e konsiderojnë folklorike. Vëreni edhe përdorimin e “Shqipëri” në krye të poezisë. Schirò ishte ndër më aktivët mbështetës të pavarësisë së Shqipërisë, e organizator i disa kongreseve arbëreshe:

O mburonjë e Shqipërisë
Virgjëreshëz e dëlirë
mëma e lartë e Perëndisë
çë na jep këshillë të mirë

Ti çë ruajte gjishrat tanë
të mos birjën shejtën besë
te ku ndodhen edhe janë
arbëreshvet kij kujdes

[xi] në origjinal: “Schlaf in himmlischer Ruh! Schlaf in himmlischer Ruh!” – tradita arbëreshe e trajton Krishtin më shumë si një fëmijë të zakonshëm të cilit mëma i këndon një ninullë që ta zërë gjumi. (Në Ital.: “Dormi in pace celeste; dormi in pace celeste”)

[xii] Kjo është vendorja e vjetër e emrave

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin