NGA QAFIRI TE QYFYRI

Në shqipe, fjala qafir ka hyrë në periudhën osmane, nga një fjalë e arabishtes, كافر‎, e cila ka dhënë edhe turqishten kâfir dhe që, në traditën islame, i referohet dikujt që nuk beson në Zotin sipas Islamit, ose që refuzon autoritetin e Zotit, ose që nuk i pranon parimet e Islamit. E kanë përkthyer, në traditën perëndimore, si “i pabesë”, “pagan”, “femohues”, “renegat”; ndërsa në Kuran përdoret zakonisht me kuptimin “mosmirënjohës” ndaj Zotit. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1984 nuk e ka përfshirë, por Dizdari e jep me këto kuptime standard, sikurse edhe me kuptimin “anmik i atdheut”. Për t’u shënuar se ligjërimi islamik, në përgjithësi, nuk e përdor termin për “popujt e librit” – të krishterët dhe hebrenjtë; duke e rezervuar për paganët, p.sh. popujt jo-myslimanë në Indi dhe paganët në Afrikë. Në Afrikën e jugut, kaffir është emërtim sharës për të zinjtë dhe sot shihet si tejet fyes (racial slur). Përkundrazi, në shqipe qafir ka ndjekur një trajektore të kundërt, duke i humbur mbitonet fyese, siç e vëren edhe Dizdari, kur shënjon përdorimin e saj në intimitet dhe në gjysmë shakaje. Me gjasë, sot folësit jo-fetarë të paktën në Shqipëri nuk e bëjnë dot lidhjen me konceptin fillestar të “femohimit”, dhe as të kundërvënies me Islamin, por e përdorin fjalën vetëm për konotacionin, duke ia shpërfillur denotacionin; një dukuri që ndeshet në fjalë të tjera të kësaj kategorie, si kopil, kodosh, qeratá, bir kurve, shkërdhatë dhe shërben për të vënë në dukje kontekstin dhe regjistrin e familjaritetit. Mbase duhet sqaruar – sepse unë nuk e di – nëse bektashinjtë dhe sektet e ngjashme janë konsideruar ndonjëherë qafirë prej myslimanëve sunitë[1]; nëse është kështu, kjo do të shpjegonte edhe pse fjala e ka humbur “helmin” në shqipe. Nga ana tjetër, ajo që përmend Dizdari, dhe pikërisht që qafir ka qenë përdorur edhe për “tradhtar të atdheut” konfirmon që atdhetarizmi, të paktën një pjese të shqiptarëve, iu prezantua si një lloj feje surrogato.

Për t’u shënuar edhe se në shqipe ka hyrë, sërish në periudhën osmane, edhe fjala QYFYR, origjinalisht nga e njëjta rrënjë e arabishtes që ka dhënë qafir, por me kuptimin fillestar që kish edhe në turqishten osmane – që Dizdari e ka dëgjuar në Shkodër – “truemje, fyemje kundra Hyut e religjionit, blasfemi, shkandullim, gjerm. Gotteslästerung”; por autori vëren pastaj se në të folmen e Korçës fjala ka pësuar ndryshim kuptimi, dhe tani shënjon “gaz, shaka, hoka, fjalë për të qeshë, komedi; me kët vështrim dhe ke Leotti 1179”. Sot ky kuptim i dytë është përgjithësuar në mbarë shqipen, ndërsa i pari më rezulton i vjetruar, duke ndjekur fjala një trajektore semantike paralele me atë të qafir dhe si shumë orientalizma të tjera që shqipja i ka modifikuar sipas nevojave të veta. Por meqë edhe qafir edhe qyfyr janë terma të diskursit religjioz, dhe që lidhen me besimin, femohimin dhe blasfeminë, këto ndryshime kuptimore të fjalëve duan kuptuar në kontekstin e rivlerësimit të pushtetit të Islamit në jetën publike të Shqipërisë sidomos pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, në emër edhe të një ripërmasimi të diçkaje që dje mund të sillte pasoja serioze. Kështu qyfyri si akt ligjërimor deri dje me siguri i dënueshëm në publik tani fillon të shënjojë shakanë dhe humorin, ku transgresioni mbijeton, por nuk mund të merret seriozisht. Shqipja ka edhe qyfyrexhi, që mund të jetë një pseudo-turqizëm, ose formim i brendshëm yni; sikurse ka edhe qyfyremadh, që e shënon Dizdari në fjalor. Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, që e ka regjistruar këtë fjalë dhe çerdhen e saj, qyfyrexhi është jo vetëm hokatari, por edhe “ai që nuk punon, por sillet lart e poshtë duke treguar qyfyre”, çfarë na çon te një situatë më e hershme, ku transgresioni në bisedë, qoftë edhe blasfemia a shkelja e një tabuje ligjërimore, i tolerohej vetëm një të përjashtuari, endacaku, të papuni, paraziti, të marri; dhe vetë fakti që një person me këtë status kaq të ulët mund të fliste mbarë e prapë bëhej shkas për komicitet, shkaktonte të qeshura. Kjo na bën të mendojmë edhe për natyrën e gazit, të qeshurave, shakave, si një mekanizëm për ta sublimuar tensionin e krijuar nga shkelja e një tabuje në ligjërim.

 

© 2021, Shqipologji™ dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Te Voyage en Orient, Gérard de Nerval ka një pasazh ku kafexhiu nuk ia sjell kafenë, duke i shpjeguar se “nuk i shërben qafirit”; dhe kjo ngaqë autori ishte i veshur me një kostum persian, që e tregonte si ndjekës të Aliut ose shiit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin