DE RADA I PËRSHTATSHËM

Lexoja këto ditë një shkrim të një kolegu kushtuar artit të De Radës. Por më bëri menjëherë përshtypje që autori, kur citonte vargje të “Milosaos”, i sillte këto sipas përshtatjes që ia ka bërë poemës, në shqipen e sotme, Dh.S. Shuteriqi.

Për shembull, atje ku De Rada origjinal[1] ka shkruar:

KANGJELJI I

Ljis jeta kishë ndërruar,
uj të ri ndë dejtit
kaljthëruar te dit e re;
por llumbardh e Anakreontit
ronej Temp e moçëme.

De Rada i rishkruar nga Shuteriqi lexon:

KËNGA I

Bota kish ndërruar lisa,
uji i ri në det
kaltëronte n’ditn e re;
por lumbardha e Anakreontit
në temp rronte e moçme.

Nuk ka dyshim se De Rada origjinal është i vështirë, në mos i pakapshëm, për lexuesin e sotëm shqip; prandaj poezia e tij mund të shijohet ose e shoqëruar me një aparat kritik të hollësishëm, ose – siç ka ndodhur në Shqipëri – e përshtatur ose e brendapërkthyer.

E përshtatur, poema Milosao është lexuar dhe përvetësuar dhe “intertekstualizuar” gjerësisht; në thelb duke e zëvendësuar origjinalin, në kulturën shqiptare moderne. Nëse De Rada si poet mbetet relevant në këtë kulturë, këtë e arrin nëpërmjet “instrumentimit” që ia ka dhënë përshtatësi i saj, Shuteriqi (ka edhe përshtatje të tjera – nëse nuk gaboj, edhe Jup Kastrati e ka provuar).

Nga pikëpamja filologjike, por edhe mirëfilli letrare, operacioni i përshtatjes nuk është pa probleme. Te poezia – sidomos te poezia e mirë – nuk e ndan dot formën nga kuptimi; dhe as e modulon dot në vetvete, pa e ndryshuar të tërën.

Prandaj edhe versionet e përshtatura të poemave të De Radës nuk mund t’i zëvendësojnë ato, por vetëm të japin një ide, ose – e shumta – të çelin rrugën drejt leximit të teksteve origjinale.

Gjë që pastaj zakonisht nuk ndodh.

Në kultura të tjera, këto praktika do të pranoheshin vetëm të kontekstualizuara; vështirë të mendohet se një italian mund ta pranojë si art Komedinë Hyjnore të Dantes të përshtatur në italishten e sotme; ose një anglez Shekspirin në anglishten moderne, si alternativë të versioneve autentike.

Përshtatja që i është bërë De Radës, por edhe poetëve të tjerë arbëreshë (Darës, Santorit, Serembes) do parë si përpjekje e thjeshtuar për t’i kooptuar këta autorë, në qerthullin e letërsisë shqipe të traditës, në një kohë kur ende nuk ekzistonin mundësitë për botime kritike të veprës së tyre.

Nga pikëpamja metodologjike, ky “dhunim” i tekstit poetik duhet parë jo si eksperiment letrar, por si një zgjidhje e përkohshme didaktike, me kosto kulturore përkohësisht të pranueshme. Problematike nuk është pra përshtatja si e tillë, por përpjekja – sado e pafajshme, sado e pavetëdijshme – për ta kaluar këtë si të barasvlershme me origjinalin.

Mbetet fakt që letërsia arbëreshe – e cila me gjasë qëndron më lart, artistikisht, se letërsia e shqipe “e këtejme” e periudhës së Rilindjes – ka ardhur te ne në trajta në thelb të rreme; dhe në ato trajta të rreme është integruar në traditën tonë letrare dhe kulturore.

Të paktë kanë qenë ata kritikë letrarë, filologë, dhe historianë të letërsisë në gjendje ta lexojnë De Radën në origjinal. Të paktë kanë qenë dhe edhe më të paktë mbeten.

Këtu mund të pyesim edhe nëse mund ta gjykojmë artin e De Radës dhe tiparet e poezisë së tij, në bazë jo të origjinaleve, por të përshtatjeve ose të përkthimeve brenda-gjuhësore?

Një krahasim do të ndihmonte për ta kthjelluar këtë pyetje: a do ta toleronim dot një version në shqipen standard të “Lahutës” së Fishtës, dhe – më tej akoma – një analizë të artit të Fishtës, që bazohet te versioni standard?

Kam frikë se nuk do ta toleronim.

Dhe kjo jo për hir të ndonjë purizmi ose pedantizmi filologjik, por ngaqë poezia nuk e përballon dot modifikimin gjuhësor aq lehtë sa ç’do ta përballonte, të themi, një përrallë, e cila artikulohet më fort në rrafshin narrativ.

Edhe një krahasim tjetër: ka vepra muzikore, si disa suita dhe sonata të Bach-ut, që e përballojnë ndërrimin e instrumentit – p.sh. nga klavicembali në piano ose nga viola në flaut; nga violina ose violonceli në kitarë, etj. Por një nokturn të Chopin-it nuk mund ta luash dot përveçse në piano.

Përshtatja që ia ka bërë Milosaos Shuteriqi lexohet e bukur dhe ka luajtur rol të madh në suksesin e De Radës si poet, në Shqipërinë e shekullit XX. Por nuk bën që t’i ngatërrojmë vlerat e saj, si tekst poetik, me vlerat e origjinalit, meqë disa nga virtytet e ligjërimit aty janë të Shuteriqit vetë.

Nuk dua ta gjykoj kolegun, pse ka përdorur vargje jo-origjinale të De Radës, në esenë e tij kushtuar atij autori; ndoshta edhe unë do të veproja njëlloj. Për brezin tim, De Rada i Milosaos ka mbërritur nëpërmjet versionit të Shuteriqit dhe ashtu është bërë pjesë e enciklopedisë sonë letrare (intertekstuale).

Por pyetjet mbeten dhe duhet të mbeten; aq më tepër sot, kur nuk kemi më arsye ta gjykojmë letërsinë me kritere ideologjike dhe as t’ia kundrojmë formën vetëm si instrumentale, për të arritur te përmbajtja.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Citimi më poshtë është sipas transliterimit që ia ka bërë tekstit origjinal Shuteriqi. Përndryshe, botimi origjinal (i vitit 1836, se ka edhe të tjera) duket kështu:

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin